Albert Vataj: Dua të jem në ty si gjithçka e imja është në mua, fjalë, ëndërr, zjarr, ajër, dritë

Poet, ti shenjtor i çasteve prore, ajri që i jep trajtë çdo ëndërrimi dhe loti që shuan etjen e çdo deti, bekom me fjalën tënde të përkorë, ndritmë me tëndin shpirtin të dlirë.
Mësom se si këndojnë zogjtë dhe epshin me aromë lulet, se si vesa deh agun e sythi harbon gjallimin e stinës… mësom atë gjuhë që të ka mëkuar polenin e dalldisjes së kurmeve kur në dete zjarri kridhen e harrimi i merr. 
Poet, tregomë se si erërat gjëmojnë degëve të zhveshura, se si rënkon shpirti nën peshën e një qielli të thyer, se si puthja shndërrohet në diell e shkreptima e një ylli pikon nën qerpik.
Ti poet, ti që beson te fjala dhe fjala nga ty frymon, më trego se çfarë shkëndije e ndez hënën tënde të pikëllimit dhe pritjes zemrën i’a shndërron në re.
Thuam se pse udha jote për në përjetësi kalon nga shtegu i asaj zemre që vuan e atij kraharori që gjëmon, e ti rend nën shiun e atij zjarri që i përpush dëshirimet e tua, vrapon të mbërrish valën që fshiu gjurmët e një kujtese në rërë dhe nga pas tu vu ikja, drithma e një mjekre dhe kafshimi i një buze.
Poet, thuam se si vihet tek ti, se si dëshirohen të shtrenjtat gjërat e tua, se si t’ia blatoj këtë zemër shenjtërisë tënde.
Dua të jem në ty si gjithçka e imja është në mua, fjalë, ëndërr, zjarr, ajër, dritë.

Albert Vataj