Alban Lukaj, talenti me prindër nga Shkodra, por i lindur në Itali, shqiptari që po mahnit me talentin e tij italianët

Mbajeni mend këtë emër dhe këtë portret artisti. Në të ardhmen do jetë një nga talentet e mëdhenj shqiptar dhe që do na përfaqësojë denjësisht në skena ndërkombëtare.

I ri në moshë, në fakt Alban Lukaj që tani ka nisur të shkëlqejë jashtë vendit. Me prindër nga Shkodra, por i lindur në Itali, shqiptari që premton shumë për të ardhmen, sukseset e para po i shënon në rajonin e Piemontes. Konkretisht në (Busca) Cuneo, vend ku edhe jeton me familjen e tij.

Për rezultate të shkëlqyera, këto ditë violinistit Lukaj i është dhënë edhe bursa bashkiake e studimit, Angelo Romagna.

“Alban Lukaj merr një bursë studimi nga bamirësi dhe njëkohësisht mësuesi i violinës, Mario Angelo Romagna”, kështu shkruan vetë website zyrtar i komunës, “comune.busca.cn.it” për shkodranin Lukaj.

Kjo bursë, e cila është një stimul interesant për 14-vjeçarin e talentuar i është dorëzuar atij nga vetë kryetari i bashkise, Marco Gallo dhe asistentja e tij, Carla Eandi.

“Ky vlerësim (bursa e studimit) i jepet të riut me origjinë nga Shkodra Alban Lukaj, student i kursit akademik të violinës në Institutin shtetëror të muzikës me mësues (maestro) Alberto Pignata. Vlera e bursës është 1342,07 euro”, theksuan ata në fjalën e tyre.

Në tetor të vitit të kaluar Albani, i cili ka marrë pjesë me sukses në disa konkurse muzikore, ka kaluar të gjitha provat e certifikimit shtetëror të nivelit A për violinë me vlerësimin 8/10 pranë Conservatorit të Cuneos në rajonin e Piemontes. /Albina Gjergji/