Alarmi i shkenctarëve: Moti ekstrem mund të vrasë deri në 152,000 persona çdo vit në Europë

I gjithë kontinenti i Europës është mbërthyer nga i nxehti ekstrem, ose afrikan siç preferojnë ta quajnë disa, por që duket se nuk është faji i Afrikës dhe as plotësisht i natyrës. Moti ekstrem mund të vrasë deri në 152,000 persona çdo vit në Europë deri në vitin 2100 nëse nuk merren masa për frenimin e efekteve të ndryshimeve klimaterike. Paralajmërimi tronditës vjen përmes një studimi të Qendrës së Përbashkët Kërkimore të Komisionit Europian të publikuar në revistën “The Lancet Planetary Health”. Shkencëtarët thonë se kjo shifër është krahasimisht 50 herë më e lartë se numri i vdekjeve të raportuara aktualisht. Valët e të nxehtit do të shkaktojnë 99% të të gjithë vdekjeve të lidhura me motin, ndërkohë që pjesa jugore e Europës është edhe më e prekura. Ekspertët i kanë vlerësuar si shqetësuese gjetjet e kësaj reviste.  Temperaturat në Francë, Spanjë, Itali janë fare pranë 40 gradëve celsius, dhe nuk mungojnë rastet kur i kanë kaluar. 11 vende të Europës Jugore dhe qendrore kanë paralajmëruar banorët dhe turistët që të marrin masa, ndërsa kontinenti përballet me valën brutale të të nxehtit që jo më kot ka marrë nofkën “Luçiferi”. Edhe vendet më në veri të kontinentit si Gjermania, Britania e të tjera e kanë ndier vapën e kësaj vere, megjithëse jo aq fort sa pjesa historikisht e nxehtë e jugut të Europës. Meteorologët presin edhe disa ditë të tjera të nxehta në vijim, dhe sikur kjo të mos mjaftonte, shkencëtarët parashikojnë një të ardhme të zymtë të kontinentit të vjetër për sa i takon të nxehtit që lidhet me ndryshimet klimaterike. Shkencëtarët thonë se i nxehti do të shkaktojë 99% të viktimave nga moti nëse ne nuk bëjmë asgjë dhe për vetë pozicionim gjeografik, jugu i Europës do të vuajë temperaturat më ekstreme dhe numrin më të madh të viktimave. Parashikime të tilla për pas më shumë se 80 vjetësh padyshim që kanë kritikët dhe skeptikët e tyre, por ndërsa ndryshimet klimaterike janë tashmë realitet, të qenit i përgatitur nuk është aspak gabim. Studimi mori në analizë efektet e 7 llojeve më të rrezikshme të motit dhe ndodhitë e lidhura me to në 28 vendet e Bashkimit Europian si dhe në Zvicër, Norvegji dhe Islandë. Skuadra studioi të dhënat për katastrofat e regjistruara gjatë viteve 1981-2010 për të parashikuar vulnerabilitetin e popullsisë dhe e kombinoi këtë informacion me parashikimet sesi ndryshimet klimaterike mund të zhvillohen më tej dhe si popullsitë mund të shtohen e të migrojnë. “Nëse ngrohja globale nuk frenohet dhe nuk merren masat e duhura, 350 milionë europianë mund të ekspozohen ndaj ekstremeve të dëmshme klimaterike çdo vit, deri në fund të shekullit,” paralajmërojnë shkencëtarët.