ALARMI I SHKENCETARIT AMERIKAN/ Stefan Hawking: Njerëzimit do t’i duhet të drejtohet për te yjet, në 200 ose 500 vitet e ardhshme nëse duan të mbijetojnë

Fizikanti përsëriti paralajmërimin e tij se raca njerëzore do të përfundojë keq nëse nuk arrin të gjejë një shtëpi të re që nuk është Toka.

Duke folur në festivalin e Shkencës dhe Artit në Norvegji, ai këshilloi që mund të krijohej një bazë në Hënë, brenda 30 vjetësh.

Por ai gjithashtu argumentoi se rruga drejt yjeve, e cila është e pamundur me teknologjinë e ditëve të sotme, duhet të jetë një qëllim afatgjatë, “në 200 deri 500” vitet e ardhshme.

Profesori përfytyronte anije bërthamore të drejtuara nga drita, reaktorë të stilit Star Trek, ose “një formë tërësisht e re e energjisë”.

Përvetësimi i “përtacisë fizike”, të shijuarit Universin nga komoditeti i planetit Tokë, nuk është opsioni më i mirë i mundshëm, pohoi ai.

Profesor Hawking tha se “Toka është nën kërcënim në kaq shumë zona të saj, saqë është e vështirë për mua të jem pozitiv. Kërcënimet janë të mëdha dhe të shumta.”

“Burimet tona fizike janë duke u shteruar në një shkallë alarmante, ne i kemi bërë një dhuratë katastrofike planetit tonë, ndryshimet e klimës. Temperaturat në rritje, zvogëlimi i akujve polarë, shpyllëzimi dhe zhdukja e specieve të kafshëve.”

“Kur kemi pasur kriza të ngjashme në historinë tonë të njerëzimit, zakonisht kemi gjetur një vend tjetër për t’u kolonizuar. Kolombi e bëri një gjë të tillë, në vitin 1492, kur zbuloi Botën e Re. Por tani nuk ka më një botë të re. Nuk ka utopi rreth qosheve”.

“Ne po na mbaron hapësira dhe të vetmet vende ku mund të shkojmë janë planetët e tjerë. Është koha për të eksploruar sisteme të tjera diellore”.

Ai vuri në dukje se janë përafërsisht 1000 yje që janë rreth 30 vite dritë larg Tokës.

Edhe nëse vetëm 1 % të këtyre planetëve kanë një madhësi sa Toka, atëherë i bie që 10 prej tyre të jenë “kandidatë” për “Botën e Re”, tha profesori.

Hawking tha se ai beson se raca njerëzore është “në pragun e një epoke të re”.

“Kolonizimi i njerëzimit në planete të tjera nuk është më fantashkencë, por mund të jetë një fakt shkencor”, shtoi ai.

Raca njerëzore ka ekzistuar si një specie e veçantë për rreth dy milion vjet. Qytetërimi filloi rreth dhjetë mijë vjet më parë dhe shkalla e zhvillimit ka qenë vazhdimisht në rritje.

“Nëse njerëzimi do të vazhdojë edhe për një milion vjet, e ardhmja jonë varet nga guximi i njeriut për të shkuar aty ku askush tjetër s’ka shkelur më parë”, tha fizikanti Hawking. /TV Klan/