ALARMI I KOMISIONIT QENDROR TE ZGJEDHJEVE/ Partitë pjesëmarrëse në zgjedhje ende nuk kanë depozituar emrat e komisionerëve

Në një kohë kur kanë mbetur dy  ditë nga zgjedhjet e së dielës,  të 25 qershorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ngre shqetësimin për emërimet e komisionerëve në Qendrat e Votimit.

Zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj në një dalje për mediat është shprehur se Partitë Politike ende nuk kane depozituar emrat e komisionerëve në KQZ.

Ndërkohë nesër nis shpërndarjen e materialeve zgjedhore nga KZAZ-të drejt qendrave të votimit.

“Ky proces i rëndësishëm po vihet në rrezik nga partitë politike të cilat nuk po depozitojnë propozimet e tyre për komisionerë të Qendrave të Votimit, edhe pse jemi në limitet e fundit kohor për të bërë emërimet e komisionarëve”, u shpreh Hoxhaj.

KQZ  njofton  se 16 KZAZ nuk kanë përmbyllur emërimet e anëtarëve të KQV-ve, ndërkohë që procesi i shpërndarjes së materialeve të zgjedhore duhet të mbyllet 15 orë para hapjes së votimit.

Zëdhënësja e KQZ-së renditi të gjithë KZAZ ku nuk janë përmbyllur emërimet e anëtarëve të Qendrave të Votimit.