Aksidentet në rrugë, Shqipëria bialanc lufte, vetëm në gjashtë muaj shënohen 105 viktima

Aksidente në Krujë e Kukës, një i vdekur dhe 9-të të plagosur, shkak një parakalim i gabuar

Rrugët në vend nuk ofrojnë siguri. Aksidentet rrugore në pikun e sezonit turistik janë edhe më të shumta në numër. Sjelljet e rrezikshme në rrugë gjatë drejtimit të mjetit vazhdojnë të shkaktojnë aksidente, shpesh me pasoja fatale. Raporti i fundit nga Instituti i Statistikave raporton se vetëm përgjatë gjashtë mujorit të parë të 2017 janë regjistruar 899 aksidente rrugore. 105 persona kanë humbur jetën, ndërsa 1100 të tjerë kanë mbetur të plagosur, shumica meshkuj. Si numri i aksidenteve ashtu edhe i rasteve fatale, ka ardhur në rritje krahasuar me 6-të mujorin e parë të 2016. Por ekspertët e statistikave kanë vënë në dukje se qershori i këtij viti ka shënuar një numër rekord me 185 aksidente rrugore, duke e tejkaluar me 2,2% numrin e aksidenteve të ndodhura në qershorin e 2016. Si pasojë e këtyre aksidenteve, 245 persona kanë mbetur të plagosur, ndërsa 12 udhëtarë kanë humbur jetën. Nga ekspertiza e kryer gjatë aksidenteve ka dal në pah se në 80% të rasteve fajtor ka qenë drejtuesi i mjetit, që në shumicën e rasteve është i grupmoshës 25-35 vjeç.

Aksident i rëndë

Orët e para të mëngjesit të së shtunës kanë qenë fatale për drejtuesin e një furgoni mallrash që lëvizte nga Fushë Kruja në drejtim të Laçit. Automjeti i tij u përplas kokë më kokë në afërsi të Thumanës me një autoveturë tip BMË që drejtohej nga një 41-vjeçar nga Maqedonia. Pavarësisht ndihmës së shpejtë që iu dha drejtuesit të furgonit, 38-vjeçari ndërroi jetë në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Të plagosur mbetën edhe katër persona të tjerë. Një prej të lënduarve ishte pasagjer në furgon. Ndërsa në automjetin BMË mbetën të aksidentuar dy fëmijët e drejtuesit të makinës, përkatësisht 9-12 vjeç, si dhe nëna e tij 63-vjeçare. Katër të aksidentuarit u transportuan për në Spitalin Ushtarak në Tiranë dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Burime të policisë thanë se shkak i aksidentit dyshohet të jetë bërë një parakalim i gabuar i autoveturës me targa maqedonase. Prania e dy automjeteve në rrugë bëri që për disa orë aksi Fushë Krujë-Thumanë të ketë trafik të rënduar dhe vështirësi në qarkullim.

Këshilla

Policia ka dhënë një sërë këshillash për udhëtarët: Përdorimi i rripit të sigurimit dhe kasketës shpëton jetën në rast përfshirjeje në aksidente rrugore. Minimumi është pezullimi i lejedrejtimit dhe maksimumi është ndjekje penale për ata që konstatohen në gjendje të dehur. Qarkullim me shpejtësi të moderuar dhe brenda normave të lejuara të shpejtësisë. Radarët janë në gatishmëri për “pilotët” e rrugëve. Ndërkohë që janë vendosur 67 masa administrative për tejlakim të shpejtësisë deri në 20 km/orë më shumë se normat e lejuara, ose se sistemi i sinjalizimit. Drejtuesit e mjeteve që kanë udhëtuar mbrëmë natën sot duhet të bëjnë kujdes të pushojnë dhe të jenë të çlodhur në timon. Lodhja dhe pagjumësia shpesh herë janë bërë shkak për aksidentet rrugore. Parakalimet e gabuara përveçese janë shkak kryesor për aksidentet rrugore, në momentin e konstatimit nga policia mund të jenë një gjobë e kripur për drejtuesit e “paduruar” të mjeteve.