“Ahengu Shkodran” një nga mrekullitë e traditës rivjen në edicionin e saj të 5-të në Teatrin “Migjeni”

“Ahengu Shkodran” i shpallur si një ndër shtatë kryeveprat e trashëgimisë shpirtërore shqiptare, vjen në ditën e trashëgimisë kulturore në skenën e teatri “Migjeni”.

I organizuar prej 5 vitesh nga Bashkia Shkodër dhe Qendra Kulturore “Pjetër Gaci”, këtë vit u realizua në bashkëpunim edhe me Qendrën Kombëtare të Veprimtarive Folklorike, ku të ftuar ishin këngëtarë të rinj dhe të mirënjohur të skenës mbarëshqiptare.

Ahengu shkodran u zhvillua për të pestin vit, kësaj radhe jo më në mjediset e hapura të oborreve karakteristike, por në teatrin “Migjeni”. Mbrëmja megjithatë erdhi e veçantë për publikun e shumtë që kishte mbushur sallën për të shijuar këto perla të këngës me të cilat ky qytet ka vendosur një gur themeli të fortë në muziken qytetare.

Ndërthurja e brezave ishte një prej risive të kësaj nate, ku talentet e reja sollën 14 interpretime, ndërsa më të moshuarit u vlerësuan me titullin “Mirënjohje”, mes të cilëve edhe disa prej atyre që nuk jetojnë më. Organizatorët synojnë ta ruajnë këtë traditë, por edhe ta kultivojnë tek të rinjtë të cilët do të jenë pasuesit e këngës së bukur Shkodrane.

Ilir Zoga, udhëheqës artistik: Ahengu shkodran u bë një traditë shumë e bukur që po përcohet edhe nga një brez i ri që me të vërtetë janë premtues dhe na gëzon fakti që Shkodra vazhdimisht nxjerr elementë të rinj.

Ismet Peja, këngëtar: Ta ruajnë këngën e mirëfilltë shqiptare meqë e kemi begatinë më të madhe që ekziston jo vetëm në Ballkan, por edhe në Europë.

Riad Bashi, këngëtar: Unë kam lindur për të kënduar këtë lloj muzike, heroike, kanto, lirike, muzikë popullore. E ndiej afër shpirtit tim edhe rrin shumë mirë te zëri im.

Miq special të kësaj nate ishin bylbyli i Kosovës Ismet Peja, Sabahet Vishnja, Mukades Çanga, grupi “Karajfilat që ka Shkodra”. “Në Shkoder të gjithë këndojnë” është ky një citim që në qytetin e artit dhe kulturës ka gjetur vend më së miri, e që po dëshmohet çdo vit me të tilla organizime të qendrës kulturore “Pjeter Gaci”, bashkisë së qytetit dhe Ministrisë së Kulturës. Ahengu Shkodran është futur në listën e trashëgimisë së pasur shpirtërore të vendit.