Agron Luka: “Viti i Skënderbeut” në dilemën mes Evropës dhe Azisë së Vogël

Kuvendi i Shqipedhisë, shtator 2017: në parapregatitje për Evropën dhe “Vitin e Skënderbeut”- apo për Çadrën e PD-së me “gomarin e Nastradin Hoxhës”?!

Cili zekth i vockël e pickon kastën e lartë politike shqiptare, në dekadën e dytë të shek XXI- të, në mijvjeçarin e III-të të erës së re?!

“Kthehu në shtator”…

Ka disa raste, veçanërisht në shkrimet e analizat historike, kur duhet të përdorësh edhe letërsinë humoristike komiko-tragjike të ilustruar edhe me disa shembëlltyra të mrekullive mitologjike, sepse: “në Shqipëri, ka anarki fetare, anarki sociale, anarki morale, anarki patriotike dhe anarki idealesh: ku ndërrojnë ngjyrat fetare e politike si në kaleidoskop, ku idealet e mumifikuara të shkretëtirës së Buharasë dhe Xhedahut përleshen me idetë e idealet e shndritëshme dhe evolucioniste të Perëndimit, ku i padituri i di të gjitha, ku si me magji brenda ditës, tradhëtari bëhet patriot dhe patrioti tradhëtar dhe ku kolltukofagët e politikanët qeveritarë janë demagogët e hajdutët më të mëdhenj”… (“Ligjëron Fan Noli”, bot. 1944, “Të pesë anarkitë”, f 63-65)
Ende sot, më ka ngelur në memorie një melodi instrumentale, me një pjesë solo në kitarrë që titullohej, “Kthehu në Shtator”, të cilën dikur Radio Tirana e transmetonte shpesh! Mos mendoni se kisha mbetur për ndonjë provim vjeshte, jo… Vonë e vonë u ç’magnetizova nga ai lloj ankthi i pritje – përgjigjes së listave për të drejtën e studimit, ndërsa trishtimi e keqardhja që linte mbrapa shoqërohej me melodinë, “Ktheu në shtator”, ku duhej filluar “da capo”…
Kjo histori “Kthehu në shtator”, do të ripërtërihej disa dekada më vonë në pension pleqërinë, por tashmë e deformuar si komike, me atë pritjen për rifillimin e seancave parlamentare/kuvendare, në shtator, pas pushimeve verore.
Në Kuvendin e “Demokracisë”, qysh nga fillimi pluripartiak 1990 dhe deri te Çadra Revolucionare e Beharit të Parë 2017, duke matur edhe kohën me kronometër, mund të thuhet se ka dominuar: “një lider historik legjendar, në burrë orator, me fjalime improvizime e polemizime, unik i pa përsëritshëm dhe i paarritshëm në llojin e vet”, ashtu siç i pëlqen edhe atij vetë, ta karakterizojë e përkufizojë veten…
Ndërkaq, ky shtator, siç “po shihen bathët”, nuk po më duket tamam – tamam si ata të parët kur Kuvendi realisht ishte kthyer si një Bathore… (Bathët, kanë qenë të rëndësishme në lashtësi sepse kishin lidhje me kultin e të vdekurve, jo vetëm sepse u shëmbëllenin kokave të të vdekurve, por edhe organit të riprodhimit të farës-spermës njerëzore, simbas Pitagorës…)
A do marrë, ky provim vjeshte 2017, një kthesë për mirë e mbarë: për një Shqipëri të sigurtë drejt Evropës, apo do devijojë andej nga gomari i Nastradinit e di rrugën përmendësh, drejt Erdoganit e Turqisë dhe qëndrimit të përjetshëm në komunitetin e vendeve islamike (ku na antarësoi ky burri orator e revolucionar, bashkë me një kristian nesara…), kjo ende mbetet në pikëpyetje -pikëçuditëse?!

Skënderbeut, heroit nacional dhe princ-mbretit të albanëve dhe epirotëve thuhet se i humbën eshtrat e varri, flamuri e stema heraldike, vula dhe nami e nishani…

Duke përjashtuar mbase varrin dhe eshtrat, si “nishane të humbura përgjithmonë” simbas koncepteve e termave orjentale arabo-turke, le të shpresojmë se, pushtuesit otomanë-islamë nuk arritën “t’ia zhduknin përfundimisht namin Skënderbeut”, ose më e pakta nuk arritën t’ia devijonin namin, si një i penduar-shadetli, siç kishin shpresuar qysh nga koha e Mehmetit II, kur ia bënë eshrat hajmali, kur i ngritën një Tyrbe në Lezhë dhe kur jeniçerët e nderonin si një evlija.
Ta shkruajmë troç: Konferenca e Dytë e Studimeve Albanologjike (12-18 janar 1968), e mbajtur me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Gj. K. Skënderbeut, jo vetëm kishte bërë ç’mosin për ta nxjerrë Gj. K. Skënderbeun “me forcat e veta e në luftë kundra të gjithëve” si një fotokopje e vogël e Enverit të Madh, por edhe ta nxirrte si një pishmanli e shadetli!
Qysh në të ashtuquajturat studime historike të hapjes, citoheshin e analizoheshin me bujë disa të ashtuquajtura, “Deklarata Konfidenciale”, ku Skënderbeu paraqitej si i penduar që ishte antarësuar e kishte kontribuar në mbrojtje të qytetërimit Evropian dhe të Kristianizmit; se tashti e mbrapa do kishte dëshiruar të luftonte më mirë kundra kishës dhe priftërinjve se sa kundra turkut; se, Krujën me çka kishte, ishte i prirur t’ia jepte më parë Sulltanit se sa t”ia linte Venedikut etj, etj. (Shih, “Konf. e Dytë e Stud. Alb. Bot. 1969, referati A. Buda, f 39; studimi nga Stavri N. Naçi, f 57; studimi nga K. Biçoku, f 73, etj)
Qoftë larg, por po qe se ky: “Vit i Skënderbeut II”, me rastin e 550 vjetorit të vdekjes, tenton t’i bëjë Evropës nga këto ish insinuatat, diplomacirat e shantazhet e dikurshme enverhoxhiste (të luftës e fitores së “komunizmit të kazermës hoxhiane” kundra të gjithë Botës kapitalisto-revizioniste), siç bëri në kohën e 500 vjetorit, ose duke justifikuar edhe Shahinin, Ballaban Baderën, Koxha Mustafain, Hamzain etj, siç mbinë disa filiza në Demokraci.
Qoftë larg që ky eveniment të mos katandiset si ajo Torta e 100 vjetorit të Vetqeverimit, ku të gjithë fakir fukarenjtë u turrën të hanë me duar dhe me legena e tepsia, si të babëzitur… Kësisoji, më mirë të mos bëhet fare ky evenimenti “Viti i Skënderbeut”!
Është e vërtetë se Fan Noli kishte shkruar: “Kur shqiptarët e Shqiperisë, qindra vjetë pastaj, ia kishin harruar Skënderbeut edhe emrin, alban/arbëreshët e Italisë e mbanin kujtimin e kryetrimit të nacionit me këngë dhe legjenda tradicionale”. (“Historia e Skënderbeut”, Boston 1921, përkthimi shqip, f 276-277)
Mirëpo në fakt, me një mbledhje më të kujdeshme e më në thellësi të burimeve historike dhe të burimeve të tjera folkloristike etj, rezultoi se as shqiptarët e Shqiperisë, kryesisht kristianët jo rajallarë-nesara dhe një pjesë e mirë e myslimanëve racionalë, nuk e kishin harruar heroin e tyre. Kishte qenë më shumë kasta e lartë politike-fetare pan turko-islame dhe ajo mercenare pan kolltukfage, që ishte munduar ta devijonte heroin, duke ngritur e ruajtur disa kontribute të rinisë panturko – islame të Skënderbeut. Kishte qenë kjo kastë që e kishte devijuar kujtimin e Skënderbeut si një pishmanli të cilit i ngritën edhe një Tyrbe në Lezhë. Dikush, duke vazhduar edhe me shkollën mesjetare orjentale, u shpreh se Skënderbeu ishte versioni mesjetar Aleksandrit të Madh/Iskender Dhulkarnejnit Kokëdybrirëshit të përmendur edhe në Kuran dhe në Burimet Osmane…
Ndërkaq edhe “Tyrben në Lezhë”, nuk duket se ja zhdukën për denigrim, por ngjan më shumë se ja shkatërruan në kuadrin e grindieve dhe mosmarrëveshjeve sektariste, midis synive dhe bektashive, në kohën mbas vitit 1878. (shih fotoskanimin e pikturë grafikë të Tyrbes)
Brezi i ri duhet të reflektojë sot me realizëm, me arsyetim shkencor e objektiv dhe jo me fanatizmat e injorancat e kasaphanet revanshiste të së djeshmes.
Ndër disa objekte, të konsideruara si të humbura, ndoshta ka vend të shpresohet se diçka do të rizbulohet, pa përmendur se diçka nga këto mund të ishte rivendosur e rikuperuar me kohë në vendin e vet! Kështu duke patur parasysh se, në vitet 60-ta të shek XX ishte zbuluar gjurmë-vula e vulës zyrtare të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, me formë shqiponjën autentike të kësaj vule të shek XV, kjo shqiponjë biqefale me një përmirësim të lehtë estetik, mund të ishte ligjëruar si formë shqiponja e flamurit nacional të alban-shqiptarëve. (shih fotoskanimin)
Ky problem i shtruar “me gjysmë belbëzimi”, qysh në atë kohë ishte tentuar, por, ku lejonte diktatura enveriste e kultit të individit aso kohe!
Ndërkaq, krejtësisht më i lehtë ishte ky diskutim mbase edhe me një formë referendumi diskutues popullor, kur demokratët qysh në vitin 1991 e ngritën si problem, duke përzgjedhur një formë shqiponjë të pasardhësve Kastriotë të shek XVI, për flamurin edhe për stemën e republikës. U paraqit edhe një Relacion dhe një Projekt –Ligj me justifikimin historik, nga ekspertët si Aleksandër Meksi dhe Arben Imami, duke përzgjedhur një shqiponjë estetike të pasardhësve trashigimtarë Kastriotë të shek XVI. (Gazeta RD, 16 tetor 1991; shih edhe fotoskanimet)
Kuvendi, bëri medemek sikur diskutoi për ca vite… u mbush me gjithfarë shqiponjash fotokopje në kutija bananesh nga “ekspertët aquilogë të PD-së” dhe më fund, hipokritët demokratë u bënë pishmanë dhe u pajtuan me një kompromis me neosocialistët! Nuk mund të pranonin formë shqiponja sllavojugore apo byzantine kaurre, kështu që ruajtën përsëri në realitet “formën e ashtuquajtur klasikegjiante të shek XX-të”, atë që e kishin pëlqyer edhe Zogu I edhe Enveri, pak a shumë!
Dhe këtu nuk po zgjatemi se, deri edhe “i madhi ateisti” Qose, u deklarua në debatet kundra Kadaresë, duke shkruar me këtë thelb: “flamuri i Skënderbeut është flamur i krishterimit dhe në këtë mënyrë, objektivisht u merr të drejtën shqiptarëve të besimit mysliman të identifikohen me flamurin kombëtar. Kështu praktikisht shkelej një e drejtë elementare njerëzore”! (Shih A. Luka, “A ka patur flamuri i Skënderbeut, identikite të krishterimit?”, gaz. SHEKULLI, 6 dhjetor 2006, f 18)
Kështu demokratët dhe socialistët “europianë”, mbi bazën e këtij lloj konspiracionizmi, bënë një kompromis me Referendumin e 28 nëntorit 1998, duke lëvizur paksa pendët, kthetrat dhe kokat si shqiponjë – dragua, që ne me pak qyfyr e pagëzuam aso kohe,”Shqiponja e Rexhep Mejdanit”… Ndërsa për Stemën e Republikës u pranua Skjapi/sqapi-Dhia e Artë, një simbol i dallueshëm i monarkisë autokratike. Këtu, kompromisi shkoi në favor të PD-së, një Skjap/Dhi gjysëm e Iskenderit dhe gjysëm e Zogut I, sepse PD-ja, kishte ndërmend ta braktiste edhe republikanizmin e fillimit të saj, edhe parullën “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”! Se me këtë rast shkeleshin të drejtat elementare të progresistëve myslimanë dhe kristianëve, apo aq më keq kur imponohej edhe një flamur surrogat i Kosovës me disa kombe, de facto me forcë, kujt i plasi…
Neve që kishim propozuar formë shqiponjën e vulës së Gj. Kastriotit Skanderbegut, për një Diskutim, sepse na siguronte kronologjinë, autenticitetin, vazhdimësinë, realitetin historik, ku flamuri i Skënderbeut në fakt ruante edhe traditën e lashtë autoktone etj, as që na e vuri kush veshin, duke na lanë “me lehë si qeni në hanë” me një dyzinë shkrimesh…!
Me po atë ironi, përsëri do të thoshim: Kush po kërkon t’ia humbë flamurin, stemën heraldike, vulën, namin dhe nishanin Gjergj Kastriotit Skënderbeut?!

“Kur kujtojmë Mexhliset e Qeverisë së Vlorës” …

Po dëgjojmë edhe nga kryeministri aktual, sidomos qysh nga “Fushata e Tepsisë dhe Timonit”, një shprehje: “Flamuri kombëtar i Skënderbeut dhe flamuri kombëtar i Ismail Qemalit”! Janë i njëjti edhe si formë shqiponja apo janë ndryshme? A e dini juve z. kryeministër, meqënëse jeni edhe piktor, se sa formë shqiponja të ndryshme ka patur koha e Ismail Qemalit?!
Po kujtoj këtu se një lloj varjanti ndryshe, kishim dëgjuar edhe nga ish kryeministri z. Fatos Nano (dejshëm), kur deklaronte: “flamuri i Ismail Qemalit ishte flamuri i Skënderbeut”!
(Më kanë thënë se një studim timin aso kohe, nuk e botoi te gaz. K.J., Ben Blushi… “Ismail Qemalit i humbi ballkoni, shkopi dhe flamuri”, ishte një shprehje komike e Agron Llakaj e jo e imja… A.L.)
Epo, hajde de, ja ta zëmë ashtu. Atëherë, cili ishte ai flamuri i Skënderbeut dhe kush ia dha Plakut dhe Burrit Mjekërbardhë të Vlorës, për ta ngritur?! (Cili je ti more Burrë që na vjen me flamurë…ëëë –eeee – ë?!)
Ismail Qemali kishte shkruar: “Anëtarët e Kongresit dollën nga salla për të ngritur mbi shtëpinë time, – në shtëpinë ku kasha lindur dhe ku kishin jetuar stërgjyshërit e mij, – midis brohoritjeve të mijra njerëzve, flamurin e lavdishëm të Skënderbeut, i cili kishte flejtur i mbështjellë në palët e tij për 445 vjetët e fundit. Qe një çast që nuk do ta harroj kurrë dhe më dridheshin duart nga shpresa dhe mburrja se, po ngrija në ballkonin e shtëpisë së vjetër flamurin e sovranit të fundit kombëtar të Shqipërisë”.
(Përkthyer nga anglishtia, ”The Memoirs Of Ismail Kemal Bey”, Londër 1920, f 370-373, cit., sipas “Lufta për Çlirimin Kombëtar në vitet 1878-1912”, 1962, f 489-490; shih fotoskanimin)
Ku humbi ky flamur dhe cili ishte forma e tij origjinale?! Cili qe ky flamur, ndonjë nga ata të palosurit e Aladro Kastriotit nga viti 1903, apo ndonjë origjinal, “që kish flejtur gjumin letargjik në palat e veta, dmth qysh nga viti 1467”, siç e rrëfente Ismaili”? Po flamuri i Marigosë, ai nga Korfuzi apo ai i Spiridhonit…?! As për një ose disa fotografi nuk kish patur mundësi Plakoçi i Vlorës?!
Mirëpo, ndryshe fjalët e gojës dhe ndryshe mendimet e mendjes, e justifikonte këtë diplomacinë e vjetër anadollake edhe ajo diplomacia e takijes, siç edhe ajo e Blendi Fevziut… dhe po t ë themi sot se ka plot fakte e dokumente me dritë-hije edhe të vetë Ismail Qemalit, çfarë do të bëhet? A nuk duhen botuar këto diplomacira dhe marrëveshje të fshehta, si ajo për princin turk bie fjala…
T’i humbte Skënderbeut flamuri justifikohej plotësisht, por që t’i humbte Ismail Qemal Bej Vlorës në shek e XX-të, flamuri si kripa në ujë, asnjë justifikim nuk ka! Po se mos i humbi vetëm flamuri, atij i humbën edhe kartat origjinale, s’pati as edhe një vulë zyrtare…
Padashje, humbën, si pakujdesi e zakonshme alla shqipetare, apo i humbën me qëllim?! A duhet fajësuar qoftë edhe për pjesën e tij të pakujdesisë Ismail Qemali vetë, apo duheshin fajësuar vetem ata që medemek simbas flimit “Nëntori i Dytë”, Plaku i Vlorës i porositi personalisht: “Na i ruani mirë këto karta, or bij më paçi uratën se, do na mallkojë historia pastaj”! A janë autentike këto fjalë apo janë sajesa letraro-artistike të tekstit të Dhimitër S. Shuteriqit dhe të Kiço Blushit?!
Apo (z. Kryeministër), janë po aq “historike”, sa ç’qe historike edhe ajo pritia dhe prezantimi i Baba Çenit, qysh te Trapi i Mifolit në Vjosë: “Hysen Hoxha, delegati i Gjirokastrës”! Merreni me mend se çfarë montature gjigande historiko-letrare do kish thurur Enver Hoxha po ta kishte patur një forografi të Flamurit të Gjirokastrës, ashtu siç ajo “Fotoja më e dashur e Vegjëli-Djalërisë e Baba Çenit”… (shihe se aty te Ekspozita e 1937 e ke edhe atë…)
Historia e Shqipërisë, ajo pan vatanistia dykuptimore, e ktheu në një rregull deformimin arbitrar retrospektiv të disa termave. Bie fjala, termi origjinal Consiglio, Leges Consigliorum, Generales Concilium në Lezhë – Lidhja / Këshilli i Përhershem epirot – ilirik”, përkthehej e deformohej si: “Kuvendi – Beslidhja e Lezhës! Në një fazë të dytë, duke mohuar kontributin e qyteteve me pamje republikane, vetë proteksionizmin venedikas, duke fshirë edhe ilirikët = pjesërisht sllavët e jugut, interpretimi që mbetej, dilte tërësisht si “Lidhja Beslidhja e Princave feudalë shqipetarë, Kuvendi i Lezhës”, Organizimi i parë shtetëror shqiptar etj. (Shih dhe krahaso termin origjinal te Barleti, në bot. latinisht të Romës, krahasuar me Kuvendi, në H.S., bot. 1967 shqip, Lib. II, f, 94-95)
Kështu ka vepruar historiografia jonë edhe për vetë emrin tradicional nacional Albania, duke e përkthyer në të gjitha rastet pa përjashtim si Arbëria me toskërishte dhe në shumë raste si, Shqipëria retrsopektivishte! Ashtue edhe termin nacional e përkthen si kombëtar, etj.
“Te shpallet Dita e Kuvendit të Lezhës, si Festë Kombetare”, po dëgjojmë! Por, ndërkaq a janë mbajtur parasysh shkaqet se, këtë “Këshillin” epirot-ilirik-sllavojugor”, të transformuar nga historia jonë tërësishte si, “Kuvendi i Lezhës” ose si “Lidhja e Princëve Shqipetare” , që nuk pati as 6 vjet jetë, kryesisht e prishën vetë disa princë që deyertuan, pastaj edhe vetë Skënderbeu? Me 26 mars 1451, i pari vetë Skënderneu kishte nënëshkruar Traktatin e Gaetës, i cili dihet se kishte edhe një klauzolë vasaliteti. Tashme dihet se Papa dhe Napoli i premtuan me bujë udhëheqien e Kryqëzatës si Kapiten Gjeneral, titullin Mbret i Albanisë, Epirit, Thrakës, Maqedonisë, mbase edhe si Perandor i Romës së Re …
“Lidhja e Lezhes u riorganizua nen mbretin Alfons te Napolit, me Skenderbene si Kapiten i Përgjithshëm i Kurorës së Aragonës”, e trajton Fan Noli. (Historia e Skenderbeut, bot. 1949, ne perkth. shqip 1967, f 107) A e vuri kush ujin në zjarr t’i ri diskutojë këto probleme?!
Po ashtu itifaket, usullet, xhihadi dhe konkretisht Xhemieti Ihtilahti Islamie i 10 qershorit 1878, do të ktheheshin e interpretoheshin si, “Liga pastaj Lidhja Beslidhja Shqiptare e Prizrendit në Xhaminë Bajraktarilije… ku as permendej gjëkundi termi Shqiperi?!
Edhe Mexhlisi i Vlorës, do të kthehej si Kuvendi – Kongresi i Vlorës…
Shqipëria e Shqiponjave pellazgjike e filloi jetën e saj, “të mosvarme, të lirë e të vetqeverisme”, me Kuvendin alias Mexhlisin e Vlorës (me një Proçes-Verbal dite në një fletë fletoreje të zakonshme idadije…), vetëm me burra të gjinisë mashkullore, me një turrë dyzina formë flamujsh me shqiponja të zeza në fushë të kuqe, a thua se ishte një festival folkloristik flamujsh dhe me një anarki totale…
Ai flamuri, që medemek e pati nafakën e privilegjin si më zyrtari, mbeti pak si në terrësinë e s’u muarr vesh mirë ç’qe, jo vetëm se qëlloi kthesë-shkalla e Sarajit të Haremllëkut a Selamllëkut pak si e ngushtë, por edhe se ora 17-30 e pasdrekës së iqindisë në vjeshtën e tretë alla turka, qe pak si e paqartë… dikush tha se ishte edhe në të ngrysur e nuk shihej mirë, por pati edhe nga ata ngatërrestarë që thanë se qe një pikture kartëpostale e improvizuar si fotografi bardh e zi e me ngjyra (edhe si pulla poste) e Nemce Kralit dhe Berdoldit, për t’ia treguar dëshmuar Evropës, medemek “parapregatitiet serioze të shqiponjatarëve” për autonomi-mëvehtësi-vetqeverimin dhe valëvitjen e flamurit nën mbrojtjen e bajonetave austriake…
Formë shqiponjat e flamujve/bajraqeve të kazave/prefekturave dhe beledijeve otomane, në Vlorë më 1912, që thoni juve, ishin të gjitha improvizime të lira dhe rasti, megjithatë u quajtën e u nderuan të gjithë pa përjashtim si, “flamuj të kombit, flamuj kombëtarë”! Këta flamuj, nuk i gjeje dy njësoj, si ishte njëri nuk ishte tjetri: njëri i vogël, tjetri gjigand, ndonjëri kishte shqiponjë të shtampuar me bojë këpucësh, tjetri si i qëndisur dhe me thakë, ndonjëri kishte shqiponje natyrale me një qafë e një kokë, ndonjëri kishte me dy qafa e dy koka si kombinim shqiponje-dragoi/kuçedre, ndonjë kishte edhe si formë korbi-sorre, ndonjë ishte sajuar me shqiponjë me një copë rraso të zezë prifti, ndonjë ishte detyruar të përshtaste shtrojën e kuqe të beledijes otomane…
Flamuri i Gjirokastrës, ish kryeqyteti i vjetër i Sanxhakut Arnavud, u pre me mëndafsh të kuq duke u blerë në darkë vonë te tregëtari Hasan Lito, që e bëri kabull e sakrificë ta hapte dyqanin aq vonë. Ki flamur u ngrit të nesërmen në Ballkonin e Prefekturës, megjith ngurrimet e prefektit Fehim Bej Leskoviku, nga “Idriz Guri dhe Thoma Papapano Çuçi”. Vetëm, një vogëlsirë nuk i kujtonej patriotit Thoma (dhe as dirigjentit Enverit i Hoxhate): Si ishte ai flamuri si surrat – resme, si u sajdis formë shqiponja dykrenare e Gjirokastrës, natën e datës 28 – 29 nëntor 1912!!! “Vogëlsirë” e pa rëndësishme elbete… Si shpjegohet që kujtuesit dhe shkruesit Th. Papapano, nuk i kujtohej kjo formë shqiponja dykrenare kombëtare e beledijes së Gjirokastrës dhe as kontributi personal i beledijereizit Baba Çenit?! (shih, “Lufta për Çlirimin kombëtar në vitet 1878-1912, Tregime Veteranësh”, bot. 1962, Th. Papapano, “28 nëntori – Datë historike për Gjirokastrën”, f 495)
Në fund ndonjë flamur, “mbeti i pa ngrehur në Shkodër e në Vlorë një kohësisht”, sepse Hasan Tojsallia i Irakut që e kishte dhanë fjalën e besën, u ba pishman ditën e fundit… Dhe ka alamet Tyrbeje sot në Shkodër, marshallah… (shih fotoskanimin e atij flamuri)
Ndër shqiponjat e zeza, si më e rënda zyrtare, krahas atyre të Aladros, thuhet se shquhej edhe ajo e Zeusit, që mbante ndër kthetra edhe rrufetë me vetëtima-shkrepëtima (këtë episode Ismaili e mësoi në Vlorë…), ndërsa për skjapin ose dhinë e artë, që edhe kjo specie lidhej me Zeusin dhe pasuesit e tij, me thanë të drejtën, nuk u kujtua kush më 1912, bile as Konica, Asdreni, Fishta e Noli…
Po të kthehemi te “Mexhlisi i Vlorës” ose “Pleqësia Pellazge” a “Mandatareja” apo “Ndëkëmbësija”, dhe me “punërat e rënda” që merrej ajo. Si dëshmitar pamor e dëgjimor, i atyre mexhliseve, i ndjeri Mihal Grameno ishte shprehur: “Kur kujtoj Mexhlizet e Vlorës duhet të më besoni që ethet e këtij vendi, janë shumë më të ëmbla dhe më të mira se mexhliset”. Për kujtim nga ajo qeveri dhe nga qeveritarët me karakter turkoshak, si më të spikatura i mbetën historisë duelet e famshme polemike dhe pastaj miqësia e ngushtë: Aziz Pashë Vrioni – Petro Poga i Pogëllarëve.
Petrua, “i pa përtueshmi i Pogëllarëve”, dmth Ministri i Drejtësisë, punonte gjith natën për të bërë disa punëra, nga ku duhej të merrte yrrnek edhe Evropa”! Dhe kështu në seancat e fillimit të Mexhliseve, vetë Ismail Qemali, për të shkuar kohën, ua këndonte kuvendarëve – pleqësisë, bejtet/vjershat e Petro Pogëllarit. Të gjithë e përgëzonin, me përjashtim të Aziz Pasha Vrionit, Ministrit të Financave … ”.
(Mihal Grameno, “Antikat Kombëtare”, bot. 1974, Mexhlizet, f 103 -105)
Papritur, situata armiqësore ndryshoi, në saje të një evenimenti! Aziz Pasha Vrioni, alias Ministri i Financave, dyke parë që “në torbë nuk kish para”, kish mejtuar e punuar gjith ato net pa gjumë dhe si jallan shahit/dëshmitar për këtë kishte edhe Mystesharë edhe Baba Effendi Çenin… Kishte zbuluar “një goxha marifet” dhe i kish dhënë karar që, me lirat e vjetra turke prej bakri të rrahte me një shtampë kajmetë/paratë metalike shqipetare. Lira turke kallpe prej bakri kish me bollëk, po edhe në mos kish, kishte ibrikë, legena, sahana, sinia, kusia dhe tepsia bakri plot, dhe tek e fundit mineral bakri kishte Shqipëria sa të duash. Shtampa e kajmesë, nga njëra anë, kish një toskë e një gegë të zënë dorë për dore dhe nga ana tjatër një turrë – shqiponjë të zezë, punuar nga Dalip Kovaçi i Vlorës. Me këtë marifet, zgjidhej situata ekonomike njëherë e përgjithmonë, një rrugë e dy punë: paguheshin edhe memurët/nëpunësit e vjetër dhe të rinj dhe zgjidheshin hallet e të githë miletit të fakir-fukarenjve.
Të gjithë e përgëzuan, Aziz Pashanë bile i pari qe Petro Pogëllari, që thuri lavdëratat maksimale. Vetëm Ismail Qemali nuk qe dakort: “Çjanë këto marifete që kuvendoni, është turp e do na qeshin bota dhe Evropa po t’i marrin vesh. Duhet të kemi ca florinj mënjanë, pa të nxjerrim kajmetë!”
(Cituar, “Kajmetë”, f 124-126)
– Ismail Bej, bëhen, i kemi rrahur disa kajme, kemi punuar tërë natën me Dalip Kovaçin… paqenë nevoja fare për ca ar mënjanë. Vallahi, do jap istifanë!
– Ashtu, e po atëhere u lutem ta shtyjmë punën e Kajmeve për Mexhlisin e ardhshëm, sepse yve kini barrën më të rëndë të Shqiperisë …

Austria dhe Bertoldi, shpejt u bënë pishman dhe na e morën edhe atë qyqe mëvehtësi – autonominë e 1912, duke na dhuruar një Autonomi të plotë dhe të vërtetë, me një Proklamatë Zyrtare në Shkodër, para Hotel Europa në Piacë, më 23 janar 1917, në ditën e një vjetorit të pushtimit të Shkodrës.
(Shih “Historia e Shqipërisë”, Vëll i Dytë, ribot. 1965, f 451)
Besoj, se kaq është e nevojshme për “sinqeritetin austriak”, pa foluar akoma për Piramidën e Koronave/Falimentimin si Nemcia (realisht vjedhjen e arit…) dhe nëse realisht e meriton apo jo Konti Bertold, bustin që ia ngritën demokratët lokalë në Shkodër!!!
Edhe vetë Ismail Qemali, nuk ngeli pa ca pishmallëqe e shadetllëqe, asnjëherë nuk e tregoi mbrapaskenën që luante me Kara Seid Pashën dhe Stambollin, në kohën e Dy Pushteteve në Vlorë…
Edhe helbete, Shqipëria dhe shqipetarët, ashtu siç i nisën mexhliset dhe piramidat financiare, duke vjedhur edhe arin e vënë mënjanë e duke plaçkitur e shitur ç’të gjenin përpara, ashtu vazhduan duke plaçkitur edhe në kohën e Zogut I, edhe pas 1944 në kohën e shtetizim – plaçkitieve masive në Enver Hoxhës, ashtu edhe pas Demokracisë, duke thyer gjthfarë rekordesh Piramidale Gines, deri edhe një tunel nga prapa bythës së Krrabës…
Mbase vetë Shqipëria, do vithiset – bithiset me këtë modë, duke mbetur si borxh te Banka Botërore?

Ish spirancat e skuqura antike janë ftohur, por Deputetët e Kuvendit, kanë mbetur të nxehur – të skuqur!

Ka patur disa autorë që na kanë përshkruar edhe si popull me tradita plaçkitëse e hajdutërie, nga antikiteti ilir e deri te mesjeta e ushtarëve të Skënderbeut, e deri tëhu.
Një kuriozitet po më brente: Çfarë vendi zëmë ne shqiptarët në Gadishullin Ilirik, në kontinentin Europë dhe në glob-gjeoidin Botë si, mbajtës/portator të gjaknxehtësisë, armiqësisë, urrejtjes, gjakmarrje – hakmarrjes dhe si vjedhës?!
M’u kujtua një armiqësi e lashtë e parardhësve tonë antikë e cila ishte aq e madhe sa që ishte bërë proverbiale në të gjithë botën mesdhetare. Te autorët antikë Tuqididi, Straboni, Apiani, flitej etj, për disa luftëra të brendëshme midis vetë fiseve ilire, simbolizuar mitologjikisht si “lufta e vëllezërve ilirë të Dyrrahut”. Straboni, shkruante: “Fiset ilire, qysh në fillim u dobësuan në luftëra me njeri tjetrin, më vonë nga kjo përfituan dhe i shkatërruan ata maqedonët dhe romakët”…
(Straboni, Geographica, VII, 6; cit., nga “Ilirët dhe Iliria…” bot. 1965, f 155)
Autori antik Diodori, e shkruante dhe e zbërthente këtë ish realitet lufte dhe gjakmarrje, ku ilirët epidamnas i shkonin urrejtjes dhe hakmarrjes deri në pikën e fundit të teprimit, duke shkruar më konkretisht kështu: “…Fjala e urtë “Mos e tepro”, do të thotë që duhet të keshë masë në çdo gjë dhe sidomos që në çështjet njerëzore nuk duhet të shkosh deri në pikën e fundit, sikurse e bën epidamnasit. Këta, epidamnasit ilirë, banonin në brigjet e Adriatikut dhe ishin në luftë të përhershme me njeri tjetrin; ata hodhën në det një tok me hekura të skuqura dhe u betuan se, nuk do t’i jepnin fund armiqësive të tyre për deri sa t’i nxirrnin nga deti akoma të skuqura hekurat. Betim i kotë dhe në kundërshtim me fjalën e urtë “Mos e tepro”. Rrethanat i detyruan më vonë epidamnasit të arrijnë në një marrëveshje dhe t’i lënë hekurat të ftohen në thellësitë e humnerës”. (“Ilirët dhe Iliria te autorët antikë”, bot. 1965, “Diodori, f 144, cit., nga Fragmente, Excerpt. Vatican. f 17-18)
Shikoni: edhe kur një popull harron, del kurdoherë diçka që ta kujton, siç ai kallami që mbiu dhe kur e bënë fyell, tregonte se, “i biri mbretit ka veshë gomari”!
Aty nga shek III p.e.r., ilirët kishin guxuar të vidhnin e grabitnin si robë e plaçkë edhe vetë Faltoren e Zeusit të Dodonës dhe me atë rast edhe vetë Zeusi ishte interesuar të informohej nëse ishin kapur dhe ndëshkuar këta hajdutë? (Lukiani, “Vepra të Zgjedhura”, bot. 1979, f 51)
Morali i kësaj “shembëlltyre”, me ironinë e Lukianit ateist, shkonte pak a shumë si: “hajduti që thërret kapeni hajdutin”…
Një Anonim i vitit 1308, shkruante: “Mbretëria e sipërpërmendur e Albanisë (dictum Albanie regnum) tani nuk një mbret, por vendi është i ndarë ndërmejt princave vendorë, të cilët e sundojnë e qeverisin vetë pa iu nënështruar kurrkujt. Kjo provincë quhet Albania, sepse njerëzit e këtij vendi lindin me leshra të bardha (albo crine)… Këta banorët sytë i kanë të shkruar dhe të kaltërt në bebe, kështu që shohin më mirë natën se ditën dhe prandaj janë kusarë – hajdutë të mëdhenj…” (Dokumente të Zgjedhura për Hist. Shqip., shek VIII-XV, vëll. II, bot., 1962, Dok. Nr. 67, f 110-111)
Thuhet se Konica kishte shkruar: “Në qoftë se e papritura ngjet, në qoftë se Shqipëria-fjalë fatale vdes, atëhere pa çpifje mund të shkruajmë këto fjalë në gurin e varrit të saj:
“U ngjall nga idealistët! U ruajt nga rastet! U vra nga politikanët!”
Pak a shumë edhe Fishta, kishte shkruar: “Më sa bahen bashkë një grusht pleshtash, aq bahen bashkë me një mendim një grusht shqiptarësh”…
Dhe nuk po flasim më për ata hajdutët që shihnin natën edhe më mirë se macet, që nuk lanë gjë pa plaçkitur e vjedhur në kohën e Trazirave Piramidale…
Në Kuvendin ose Folëtoren e Shqipërisë së shek XXI, në realitet hekurat ishin të ftohtë akull, ndërsa deputetët ishin të skuqur, sidomos ish Presidenti e Kryeministri, që i jep Fetva, replika e polemika gjithkujt! Kohë e fundit ky po i fryn vazhdimisht forxhës për të ndezur revolucione e mosbindie civile ciklike, si dikur ai Citati i Maos, që kishte shpikur se, Revolucioni duhej ndezur një herë në dhjetë vjet! Më duke se edhe ky Plaku i Viqidol Tropojës, ja ka hipur demit apo mushkës së prapthi…
E kështu, që ta ngasim pak më tej me modën e qyfyreve mitologjike, kemi edhe nja dy legjenda mitologjike me Zeusin, kryeperendinë:
I buti Krye Zeus (jo hajdut dhe jo seksoman), i metamorfizuar si dem i bardhë, e mashtron dhe e vjedh Evropën, vajzuken e bukur Feniçka të Feniks Agenorit. E çon në Kretë dhe në një shpellë, ia bën atë punën virgjëreshës Evropë: “U mbars vajza Evropë dhe polli tre djemë heronj me brirë”. Aso kohe të kishe brirë ishte shenjë hyjnore dhe e moralshme… Një varjante e mitologjike thoshte se demi Zeus u shndrrua si shqiponjë, ku mbasi e kishte shndrruar edhe Evropën si shqiponjeshë ia kishte bërë atë punën e shtatzanisë… ndryshe i binte “t’ia fuste si kau pelës”…
Zeusi (edhe Kryetrim kushtrimtar…), në kohën kur i hypte ethshmëria seksuale hynore, tines Herës, kishte patur një bashkim seksual me vajzën priftëreshë-virgjëreshën Io/Jona dhe e kishte lënë këtë shtatzanë. Për ta mbrojtur nga xhelozia e tmershme e Herës, Zeusi eshndërroi/metamorfizoi vajzën në një mështjerrë të bardhë. Hera, megjithatë e gjeti zgjidhjen, I lëshoi mështjerrës një zekth/zagal që e pickonte në organet gjenitale e të jashtëqitjes. Jona hidhet në det shkon në Kaukaz për t’u këshilluar me Prometeun. Kthehet dhe shkon në Egjipt për të lindur birin e Zeusit, Hyun Kokëdem me brirë Epafin etj.
Siç po e shohim, KryeZoti Zeus i kohës pellazgo-ilirishte mund të merrte gjithfarë trajtash mbase edhe trajta të kombinuara, por kryesisht si më të parapëlqyera edhe nga ana e kënaqësisë seksuale, kishte formën e shkiponjit/shqiponjit, të skjap/sqapit, të demit/taroç ose edhe të mjellmit mashkull… Në një rast kur Zeusi mbarsi Olimpinë e Epirit dhe ngjizi Aleksandrin e Madh, thuhet se kishte formën e një gjarpëri laraman ose si gjysëm njeri e gjysëm gjarpër bollë…
Më vonë, ndryshoi puna dhe morali fetar, po të kishte burri brirë, do të thoshte se ja luante gruaja dhe ishte ajo që ia kish ngjeshur ato brirë, edhe si simbolizim i një budallai e budallallëku me brirë… Koha mitologjike e Evropës ose Jonës së humbur dhe shprehja e lashtë, proverbiale: “Na ka tretë lopa me gjith viç”, ka mbaruar.
Atëhere, cili dreq a zekthi i vockël e ka pickuar kastën e lartë politike-ideologjike shqipëtare që po e stërvonon tranzicionin?! Mos, ata, janë bërë pishman e shadetlli dhe nuk duan të antarësohemi e të integrohemi në Evropë, por duan të rrijmë në Konferencën/Mexhlisin e Vendeve Islame, aty ku na antarësoi qysh në krye të herës, tinëzisht natën e pa asnjë lloj ligji e aprovimi të Kuvendit, ai burri që kish i hipur sëprapthi Gomarit të Nastradinit, siç edhe Dionizi mushkut?!
Besoj se ne kemi rrënjët, i përkasim rracës evropoide, kemi qytetërimin antik, mesjetar dhe modern evropian e botëror, na takon të antarësohemi dhe integrohemi fillimisht në Komunitetin dhe Kontinentin Evropian. Ndryshe me zekthin dhe bishtin përpjetë, rrezikohemi të bëhemi si Qiproja a si Libani …