Agjentura dhe atentate. Dy dëshmi interesante nga Shqipëria komuniste

Shkallëzimi i protestës ndaj Rusisë nën akuzë për vdekjen e një ish-agjenti, vjen pas shumë rasteve të dyshuara kur armiq të Kremlinit kanë vdekur njëri pas tjetrit në rrethana të pasqaruara. Shumë njerëzve normalë këto u duken ngjarje të një kohe tjetër, por bota e shërbimeve sekrete funksionon ndryshe nga sa mendon shumica.

A kryejnë shërbimet sekrete atentate? Edhe ndaj njerëzve me mbrojtje, që jetojnë në qytetet e Europës Perëndimore? Sigurisht që po. Edhe Shqipëria komuniste njeh raste të tilla, një ndër të cilët ka qenë rasti i Sadik Premtes.

Sadik Premtja (në qendër foto lart) është një emër shumë i njohur i historisë së lëvizjes komuniste në Shqipëri. I lindur në Gjorm të Vlorës dhe i njohur me pseudonimin ‘Xhepi’, ai ka qenë një nga pjesëmarrësit e paktë në mbledhjen e themelimit të PKSH më 8 Nëntor të vitit 1941.

Por disa muaj më vonë, së bashku me ‘Qorrin’, alias Anastas Lulon, do të përjashtoheshin nga PKSH dhe do të eliminoheshin si fraksionistë. Ndërsa Qorri u vra, Sadik Premtja mundi të shpëtonte gjallë dhe të arratisej në Francë në vitin 1944, ku jetoi deri sa vdiq në prill të vitit 1991.

Idajet Hoxha, ish-Sekretar i Parë dhe Konsull në Ambasadën e RPSH në Francë në gjysmën e dytë të viteve 1970 dhe në fillim të viteve 1980 në një rrëfim për gazetën DITA, e përshkruan kështu Sadik Premten:

Sadik Premtja i moshuar

Sadik Premtja ishte emigrant politik ndër më të vjetrit në Francë. Pothuaj gjatë gjithë kohës ka punuar nëpunës, ekonomist në një shoqëri multinacionale. Gjatë gjithë kohës në Paris, nuk iu afrua ndonjë fuqie apo partie politike kundër regjimit në Shqipëri. Nuk u largua kurrë nga Parisi dhe kishte zgjedhur për të kaluar ditët e pleqërisë në një kafene në Bulevardin Saint Michel, afër së cilës ishte ishte një librari që kishte libra shqip dhe sillte shtypin shqiptar.

Ai i ishte nënshtruar fatit. Fati e hodhi në anën e të mundurve. Me Hasan Lepenicën, kryetar i Ballit Agrar në mërgim, shijonin misrat apo gështenjat që piqeshin në një nga rrugët që të çonin te porta kryesore e Luvrit.  

U ruhej grumbullimeve të shqiptarëve. Nuk shkonte as në festat e Pavarësisë, as në ndonjë aktivitet të shoqatës së miqësisë Francë-Shqipëri.  Numëronte muajt kur do dilte në pension. Nuk dihet se çfarë kishte Sadiku në mendje, por nuk ishte vënë re as një tentativë për të dalë nga gjendja që iu krijua qysh kur iku nga Shqipëria. 

Në arkivat shqiptare kishte një dosje me kapakë të vjetër, në brendësi të së cilës përshkruhej aktiviteti i Sadik Premtes si fraksionist në Partinë Komuniste. Më ka bërë përshtypje së në atë dosje nuk ndodhej asnjë e dhënë që ta komprometonte në veprimtari antishqiptare. Unë jam kthyer nga Franca në nëntor 1982. Pas 1990, janë bërë disa shkrime nga të afërm të Sadik Premtes, ku bëhet fjalë se i kanë bërë atentat me anë të Sigurimit të Shtetit”.

Po a ka tentuar Sigurimi ta vrasë Sadik Premten siç përflitet?

Një dëshmi interesante për këtë sjell procesverbali i gjyqit ndaj Kadri Hazbiut që e dënoi këtë të fundit me vdekje. Pjesë nga dosja e këtij gjyqi janë botuar disa vite më parë nga DITA.

Peçini në gjyq

Në procesverbalin e 2 Tetor 1982, Llambi Peçini, i gjykuar dhe i dënuar bashkë me Hazbiun u ka thënë hetuesve se “në 1951 një agjenti ynë në Paris kishte tentuar të vriste Sadik Premten”. Peçini thotë se këshilltari rus Sahapov kishte kërkuar asokohe dosjen e agjentit. “E kërkova, por Zoi Themeli më tha se e ka marrë Mehmet Shehu” – ka thënë Peçini.

Interesant është që në këtë gjyq del se qëndrimi i Tiranës zyrtare ndaj këtij akti ka qenë disaprovues madje është quajtur edhe “akt terrori”.

Të paktën kështu del nëse lexon materialet e këtij procesi gjyqësor nga më të bujshmit e Shqipërisë komuniste.

“U informua Enver Hoxha për këtë. E dënoi si veprim terrorist. Ai agjenti nuk e vrau se mbeti në tentativë ajo, sepse agjenti u kthye në Durrës. Unë mora gjithë dosjet e agjentëve të tjerë, u dhashë një sy shpejt e shpejt detyrave që kishin dhe nuk kishte një detyrë të tillë. Vajta ta informoj këtë. I gjej poshtë, ishin në paradhomën e zyrës se Mehmet Shehut, që ishte ministër atëherë. Aty gjej kryekëshilltarin Gllaskov, gjej Kadri Hazbiun, gjej edhe Zoi Themelin.

Dëgjova që kryekëshilltari Gllaskov, duke biseduar me Kadriun edhe Zoin, po i thoshte: ‘Eto pahijet turjeckaja ragjetka’, domethënë, bie erë zbulimi turk, dhe nuk është mirë, domethënë, nuk janë mirë këto veprime. Edhe më thotë mua kryekëshilltari, shiko, na sill atë dosjen thotë, të agjentit. Zoi ishte aty. Them unë e ka marrë Zoi. Nuk di gjë më për këtë punë”.

Rusët që asistonin atëherë institucionet e sigurisë në Tiranë e kërkuan me ngulm atë dosje.

“Sahapovi më tha që ky atentat është bërë me urdhër të ministrit, të Mehmet Shehut” – dëshmon Peçini ,  i cili këmbëngul se dosjen që kërkonin rusët dhe që nuk gjendej e kishte zhdukur pikërisht Mehmet Shehu.

Hazbiu në gjyq

Por pas replikave të Peçinit  me kreun e gjykatës në seancë, në procesverbalin e publikuar nga DITA shënohet një ndërhyrje e të pandehurit Kadri Hazbiu, i cili merr përsipër atentatin ndaj Sadik Premtes:

“Është bërë me urdhrin tim kjo, jo të Mehmet Shehut. Për këtë jam kritikuar unë nga Udhëheqësi. E para, dhe e fundit herë, tha sepse terror Zbulimi s’duhet të bëje. Si është dhënë urdhri unë s’e kam parasysh, mund të jetë thirrur këtu punëtori operativ dhe i është thënë si duhet të veproje, mundet me radiogram, nuk e di.

Por para drejtësisë së Partisë, them hapur, këtë urdhër e kam dhënë unë. Mundësitë që ishin krijuar kërkonin një përgjigje të shpejtë. Unë i thashë bëjeni. E kam dhënë unë këtë urdhër, jo Mehmet Shehu. Mehmet Shehu, nuk e di ku ka qenë në atë kohë, a ka qenë i sëmurë, nuk më kujtohet. Kur ka ardhur është vënë në dijeni”.

Përballë habisë së trupit gjykues se si kishte marrë përsipër vetë një vendim të tillë për të vrarë Sadik Premten në mes të Parisit, Hazbiu thotë:

“Nuk ishte atentat, është një version likuidimi. Edhe në procesverbal e kam dhënë kështu si e po e them këtu. Ishte një agjent turbekuloz që përpara vdekjes propozoi që para se të vijë në Shqipëri të vdes, tha, më lejoni të vras këtë tradhtar. Ishte propozimi i tij. Unë u thashë atyre, kërkova, nuk gjeta ministrin. E mora vendimin me kokën time, me bindje të plotë dhe përgjegjësi të plotë… Nuk është e çuditshme, është përgjegjësia ime”.

Këto dëshmi vijnë nga gjyqi i Hazbiut dhe Peçinit, ish-zyrtarë të lartë komunistë të ekzekutuar pas gjyqit “për tradhëti të lartë ndaj atdheut” në shtatorin e vitit 1983.

Idajet Hoxha

Por diplomati Idajet Hoxha thotë se nuk e beson që Premte të jetë goditur seriozisht dhe se personi që pretendon se e shpëtoi nga atentati ishte një mashtrues.

“Sipas mendimit tim dhe si njeri i fushës së shërbimeve inteligjente, shpreh mendimin se “plagosja” e Sadik Premtes apo tentativa për ta vrarë me kacave (spatë e vogël) të cilës i u thye bishti, është pjesë e skenarit të Grushtit të Bardhë, të zhvilluar në Tiranë në vitet 1981-1983.

Pretendohet se Sadikun e ka shpëtuar nga atentati një person, fis i Avni Rustemit. Ai që pretendohet se është fis i Avni Rustemit quhet Sabaudin Dino. Është libohovit por jo fis i Avni Rustemit. Sabaudini punonte kamarier te kafja Les Balcanes në Lagjen Latine të Parisit, nuk kishte nivelin t’i bënte shoqëri Sadik Premtes.  

Të vërtetën e zgjidh ditari i Sadik Premtes.  Duhej të dorëzohej e të ruhej në një muze, për arsye se ka brenda konfliktet e kohës, ka vlera për ata që kanë dhe s’kanë afri shpirtërore me të” – thotë diplomati Hoxha për DITA.

*****

Rreth citimeve nga gjyqi i K.Hazbiut dhe Ll.Peçinit mund të klikoni KËTU

Rreth dëshmisë së ish-diplomatit I.Hoxha mund të klikoni KËTU

b.m. / dita

http://www.gazetadita.al/agjentura-dhe-atentate-dy-deshmi-interesante-nga-shqiperia-komuniste/