AFRIMI I DITES SE ZGJEDHJEVE/ Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit priti në një takim Shefin e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve në Shqipëri Peter Tejler

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit priti në një takim Shefin e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve në Shqipëri Peter Tejler, i cili shoqërohej nga Zëvendës Shefi i Misionit Polyna Lemos dhe Eksperti i Sigurisë Laszlo Belagyi.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako e ka njohur Tejler me masat e Policisë së Shtetit për menaxhimin e procesit zgjedhor. Çako ka theksuar se janë trajnuar të gjithë punonjësit e Policisë që janë të ngarkuar me detyra gjatë procesit zgjedhor.

“Janë ngritur grupet e drejtimit në çdo qark. Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është ngritur grupi i drejtim – komandimit i pajisur me gjithë infrastrukturën dhe bazën logjistike për të marrë, përpunuar dhe përcjellë në kohë reale çdo informacion. Është duke përfunduar programi për menaxhimin e masave të sigurisë gjatë procesit që nga marrja në dorëzim për ruajtjen e qendrave të votimit e deri në përfundim të gjithë procesit , ku çdo punonjës Policie do raportojë online nëpërmjet këtij programi. Është caktuar koordinatori me KQZ si dhe koordinatori për informim për partnerët ndërkombëtar. Kemi bashkëpunim shumë të mirë me Prokuroritë në Rrethe për trajtimin ligjor të çdo incidenti”, tha Kreu i Policisë.

Më tej, Çako i ka bërë prezent Shefit të Misionit sulmet politike tërësisht të pabaza në adresë të tij dhe të Policisë së Shtetit.

Shefi i Misionit Ambasadori Peter Tejler ka falënderuar Z.Çako për pritjen si dhe për bashkëpunimin mjaft të mirë të vendosur mes Policisë së Shtetit dhe Misionit të Vëzhgimit të zgjedhjeve.

Ambasadori theksoi se Misioni është tërësisht i pavarur nga prezenca e OSCE-së, është i paanshëm dhe i hapur për çdo informacion nga të gjithë faktorët dhe aktorët në zgjedhje.

 Tejler theksoi se “ne dëgjojmë dhe grumbullojmë çdo informacion por sigurisht që çdo informacion do trajtohet dhe do verifikohet nga ana jonë për vërtetësinë e tij”.

Më pas Çako dhe Tejler inspektuan Sallën e Komandimit që është ngritur dhe funksionon që prej fillimit të muajit Maj.

Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike Drejtues i Lartë Altin Qato ka shpjeguar sistemin e menaxhimit të masave të sigurisë për procesin zgjedhor. Tejler ka vlerësuar si mjaft efikase ngritjen e sallës së komandimit si dhe shumë të vlefshëm krijimin e këtij programi për menaxhimin e masave të sigurisë për procesin zgjedhor./a.f/ /a.g/