Aforizma satirike nga Ymer Minxhozi: Gomari e ndjen se ku e vret samari, por nuk e di se kush është pronari

TRANZICION (ose TRADHËTICION) kemi atëherë kur: dikush merr çiflig, dikush automatik, dikush tjetër kris e ik.

Në garën midis germave (për çudi), e para doli P-ja, si rëndësi: Pronë, Para, Pushtet – të tjerat vijnë vet.

Futbollisti zhvlerësohet kur bën autogol, shkrimtari kur vetëlëvdohet.

Dikush erdhi e na tha: “Zoti e do Shqipërinë”. Si e do dhe pse e do, akoma nuk e dimë. Ndofta Zoti nuk e kish me ne, apo me ata që u groposën nën dhe.

Koktejl kemi atëherë kur mëngjesin e ha si demokrat, drekën si republikan dhe darkën si monarkist.

Disa parti e quajnë veten elitare, sepse çdo fije skrapi dhe gur Tomorri e kthejnë në pare.

Shkenca që merret me përllogaritjen e të ardhurave mesatare për frymë të popullsisë, na thotë se të gjithë banorët e planetit jetojnë sipas parimeve të komunizmit: Të pasurit e ndajnë pasurinë me të varfrit, të varfrit e ndajnë varfërinë me të pasurit.

Kush e ka parë minierën e Bulqizës dhe Kurorën e Liqeneve të Lurës nga avioni, e kupton më mirë se ç’është Tranzicioni: Një arë e mbjellë me misër dhe që u është dhënë me koncesion derrave.

Në shtëpinë e të varurit nuk flitet për litarin. Prandaj dhe PD-ja nuk i përmend shkaqet e humbjeve radhazi, por sillet si macja rreth qullit të nxehtë.

Milioneri, kur e ndjeu se po i afrohej vdekja, shkoi për të banuar në kasollen e një fshatari të varfër, në periferi, sepse i kishin thënë se aty asnjëherë nuk kishte vdekur ndonjë milioner.

Posti i lartë, është si këmisha e zjarrtë: Të ngroh, por edhe të djeg.

Kur lartësia nuk ka edhe thellësi, nuk është gjë tjetër veçse një kullë në hi.

Në emër të demokracisë, vrasësi e ka të sigurt me ligj jetën e vet. Ndërsa viktimat nuk paraqesin asnjë kërkesë.

Deti i duartrokitjeve është si të gjitha detet: Mbi të mund të lundrosh (përkohësisht) dhe mund të mbytesh (përfundimisht).

Shembja e Murit të Berlinit u komentua si fitore historike e lëvizjes së lirë të njerëzve. Tani, pas shumë vitesh demokracie, epidemia e ngritjes së mureve që pengojnë lëvizjen e emigrantëve ka pushtuar jo vetëm Evropën, por ka kaluar edhe përtej Oqeanit.

Po të vjedhësh pak – bie në lak. Po vodhe me milion – lumin e kalon.

Gjatë Tranzicionit, të vërtetat e mëparshme shpallen gënjeshtra, gënjeshtrat e reja akoma s’janë bërë të vërteta.

Portieri i Akademisë së Shkencave dha alarmin: “Çohuni nga gjumi. Dreka është gati”.

Nuk përbën tragjedi nëse i lajthituri mban fjalime në publik. Tragjedi kemi atëherë kur atij i vihen në dispozicion foltoret e Parlamentit.

Dega e thatë mburret se ka fituar pavarësinë nga trungu.

Mopasani thoshte se “Partitë janë murtajë e kombit”. Unë marr guximin të bëj një korrigjim të vogël: Murtajës tashmë i është gjendur ilaçi i kurimit, ndërsa partitë vazhdojnë të jenë të pashërueshme.

Gomari e ndjen se ku e vret samari, por nuk e di se kush është pronari. Ndofta pronarin do ta gjejë Vettingu? Mbetet për t’u vërtetuar.

I vetmi mjet transporti që jep bileta udhëtimi falas, është Anija e Piratëve. Aty mjafton vetëm koka jote.

Disa politikanë nuk e arrijnë dot as nivelin e qenit. Ata lehin kundër të vetëve dhe iu lëpihen të tjerëve.

Demagogu është politikan i sinqertë. Gënjeshtrat më të mëdha i shpall publikisht (këtë nuk e them vetëm për kryetarin e opozitës).

Tek mendjemadhi, Thembra e Akilit nuk është tek këmba, por në kokë.

O njeri i varfër, njeri i shkretë. Të gjitha mbi ty po bëjnë rikoshetë:
Kanunet, Mafjet, Dhe… Fetë.

Sikur Shqipëria të shpallej “Shtëpi publike”, jo pak persona nga radhët e politikanëve do të vraponin për të zënë radhën tek porta për të shitur bileta.

Për atë thuhej se ka një det me mendime. Mirëpo detet kanë emra të ndryshëm: Deti i Kuq, Deti i Zi, Deti i Vdekur.

Perifrazimi i Omar Kajamit: Ma mbush bankën plot me para dhe pastaj më thua: mos e gërga. Njësoj sikur të thuash: Hape kasafortën po mos prek para.

Në Konkursin Kombëtar mbi Kujtesën, Çmimin e Madh e fitoi një mesoburrë që mbante mend autorin më të bujshëm të Tranzicionit shqiptar:
“Do t’ua ngrij buzëqeshjen në buzë”
“Do t’ua shtyp me ruspa”
“Unë ta bëj fytyrën si shollë këpuce”.

Miopi të pashërueshme kemi atëherë kur pikëpamja të errëson pamjen.

Ajo i mban sytë mbyllur kur jep vendimin sepse nuk dëshiron t’i shohë as me sy ata që iu japin zarfa gjykatësve.

Kush di të lëpijë, di edhe të kafshojë. Në prezencë – lajka. Prapa shpinës – bajga.

Mendja e madhe dhe Mendjemadh, janë dy gjëra krejt të ndryshme, prandaj edhe nuk banojnë nën të njëjtën çati.

Për t’u vetëshpallur disident, nuk duhet asnjë dokument.

Po të lexoni gazetën “Shërbese” ju do t’i vini duart kresë, nga faqet e saj rrjedh një llum i trashë, prandaj, për të mos ndotur njeri, prekeni me mashë.

Politika është teatri i pasioneve njerëzore, duke përfshirë edhe marrëzinë (nuk kam parasysh asnjërin nga themeluesit e të njëqind partive).

Kapitalizmi ka ndryshuar natyrë. Në fillim ishte shfrytëzimi i njeriut nga njeriu. Tani është e kundërta.

Pensionistëve mund t’iu premtosh gjithçka, sepse pas katër vjetëve, gjysma e tyre kanë hequr dorë vullnetarisht nga ato që ju janë premtuar, ndërsa gjysma tjetër… kanë probleme me kujtesën.

“Tersi i Pojanit” do të ishte harruar që të nesërmen e varrosjes, sikur të mos kishte lënë litarin jashtë varrit.

Prona private është e Shenjtë, prandaj edhe e ushqejnë çdo ditë me gjak të freskët.

Pasqyra është e paanshme, prandaj edhe…. e thyejnë.

Bariu i vjetër ka lënë porosinë: Mos iu besoni ujqërve, as kur flenë, as kur ulërijnë, se ujkun edhe kur e qethin që të zërë mend, ai thotë: “Shpejt, se më ikën dhentë!”

http://www.gazetadita.al/gomari-e-ndjen-se-ku-e-vret-samari-por-nuk-e-di-se-kush-eshte-pronari/