A mund të jetë 5 Maji dita e të gjithë Dëshmorëve të Atdheut?!

Nga Ndue Bacaj

Që kur Krijuesi i Gjithësisë “vendosi” që “jeten” e njeriut ta “ndajë” në dy pjesë, në atë matriale (tokësore) dhe në atë shpirtërore (qiellore), njerëzimi dalëngadalë filloi të krijojë ndërgjegjen e respektit e nderimit për para-ardhësit dhe të afërmit e tyre që tashmë i përkisnin “jetës” qiellore, pra kishin vdekur materialisht. E si kujtim u kishin lënë varret ku preheshin trupat e tyre. Duke realizuar kështu “profecinë” e hershme që thoshte: “Se nga dheu na lindi trupi dhe dhe prapë do të bëhet”. Pas perqafimit dhe praktikimit të besimeve monoteiste (Kristianizmit e Islamizmit), që u perhapen e kosoliduan nga të dërguarit (e paralajmëruar) nga vetë Zoti ; mesitë Jezu Krishti e më vonë Muhameti, nderimi për të vdekurit jo vetëm u rritë, por mbi të gjitha u bë një detyrim i pashmangshëm moral e material, si nga të krishterët, muhamedanët e tjerë. E për realizimin e nderimit të të vdekurve u caktuan data fikse që respektohen nga të gjitha shtresat njerëzore, jo vetëm si detyrim i jetës tokësore, por mbi të gjitha si detyrim shpirtëror i botës qiellore, nga ku kërkohet të ndihmohet jeta e pasosur e shpirtërave të atyre brezave që janë parardhësit tanë…Nuk ka as më të voglin dyshim se nga këtu mësuan edhe shtete e qeveri, laike apo teokratike që caktuan data për të përkujtuar e nderuar dëshmorët e rënë për atdheun. Gjithsesi nëse shumë popuj kanë dhjetra data të shënuara të dëshmorëve të tyre të rënë në mbrojtje të lirisë e pavarësisë, ne shqiptarët kemi me mijëra, jo se ne donim vetë kështu të derdhim lumenj gjaku, por fatkeqësisht na e imponuan, pushtues, hileqarë e grabitqarë që shekujt na i sollën herë të afërt e herë të largët. Gjithsesi edhe ne shqiptarët me shtet apo pa shtet jo vetëm kemi respektuar dëshmorët e heronjtë tanë, duke i nderuar në data të caktuara, por mbi të gjitha i kemi përjetësuar në këngë, në legjenda, në gojdhna dhe në shkrime të ndryshme duke i transmetuar nga një brez në tjetrin, si vlera trimërie e atdhedashurie, duke u bërë burim frymëzimi për t’i dalur zot atdheut kur ai kishte nevojë, madje duke mos kursyer asgjë, as jetën… Gjithçka deri këtu mund të quhet “Normale”, por normale nuk është data e caktuar për të kujtuar e nderuar dëshmorët e atdheut tonë, pasi atdheu ka ekzistuar prej mijëra vitesh, madje si rezultat i parardhësve tanë trima që u flijuan vetë për të mbijetuar Shqipëria, e ata janë dëshmorët e të gjitha kohërave, që meritojnë përkujtim e nderim pa dallim kohe, besimi, krahine dhe ideje. Ku data pesë maj jo vetëm nuk mund të jetë data perfaqesuese e të gjithë dëshmorëve të atdheut, por përkundrazi kjo datë perfqaeson atë pjesë të dëshmorëve të “vonuar” në kohë e ide, me gjakun e të cileve “luajten” per gati një gjysem shekulli shakëllbanet e kuq të mjerimit, antinjerzimit, e antiperendimit… Data 5 maj (1942) e vendosur dhunshem nga sundimtaret komunist përkon me rënien e një dëshmori tepër të “vonë” të atdheut tonë të hershem .Vrasja e ketij deshmori ngjanë me një flijim të dyshimtë nga vetë shokët komunistë ziliqarë. Komunistin Qemal Stafa e vranë pushtuesit Italian, me (5 maj 1942) dhe sipas shumë dëshmive del se nuk është viktimë direkte e pushtuesit, por viktimë e shokëve të tij, dhe idesë komuniste-mashtruese. Gjithsesi ne nuk kemi asgjë kundër këtij dëshmori, që duhet ta kujtojmë e respektojmë, por jo kurrë nuk mund ta konsiderojmë si dëshmorin më sinjifikativ që mund të simbolizojë mijëra dëshmorë të tjerë. Por për të sqaruar diçka rreth viktimizimit nga shokët e vet të idealit të Qemal Stafës po u referohemi dy burimeve të ndryshme që përshkruajnë ngjarjen (vrasjen nga fashistët italianë më 5 maj 1942). Së pari dëshmia e znj. Drita Kosturi, e cila ishte një ndër 200 komunistet e para, por edhe njeriu më i afërt i Qemalit (e fejuara), e cila ndër të tjera thotë: “…Shtëpia e Beqir Minxhozit kishte vetëm tre ditë që ishte marrë me qera dhe shokët nuk e dinin pasi ishte tepër sekret! Në mbrëmjen e 4 majit të 1942, në këtë shtëpi ndodheshin 5 vetë, Qemal Stafa, Drita Kosturi, Flora (Gjystina) Dishnica, Marija Lezha dhe i zoti i shtëpisë Beqir Minxhozi. Rreth orës 10.oo të datës 5 maj 1942 erdhi në shtëpi Kristo Themelko . Në atë kohë Beqir Minxhozi ishte i dalur për pazar… dhe pa vonuar Beqir Minxhozi vjen i lidhur duarsh nën shoqërinë e rreth 60 policëve të SIM-it. Në këtë kohë Kristo Themelkoja (Shulja) hapi derën e nevojtores dhe u zhduk. Ilegalët e mbetur u nisën me vrap për të ikur. Në krye ecte Qemali, pas tij Marija, në fund Gjystina. Ndërsa Dritën e zunë italianë tek dera e shtëpisë. Kishin kaluar tre ara me grurë duke ecur me vrap, në atë kohë gjenden para policëve. Gjystina dhe Maria u ulën në tokë për të lënë bombat. Qemali vazhdoi rrugën duke qëlluar me patllake, italianët e plagosën Qemalin dhe nuk e pamë më. Dikush tha se vdiq në spital…” (Këtë deshmi e pamë edhe njeherë në TV-KLAN të dates 05 maj 2014..) . Ndërsa burimi tjetër është një trakt i Partisë Komuniste i lëshuar në atë kohë, në të cilin, ndër të tjera shkruhej: “…Qemali u gjend i rrethuar… Qemali i përcolli me të shpejtë shokët nga një anë e shtëpisë… kur agjentët u afruan hapi zjarr duke shtrirë dy prej tyre të plasogur rëndë. Në këtë mënyrë çau rrethimin… Po në një luftë të pabarabartë, një plumb e mori Qemalin sydragua… Shoku Qemal thirri me sa fuqi që pati… Rroftë Komunizmi dhe shoku Stalin…”. Pra nga “dëshmia” e vetë komunistëve, në ato momente shokut Qemal i paska rënë ndërmend për komunizmin dhe shokun Stalin (madje një veteran me mustaqe kishte protestuar se në këtë trakt ishte censuruar pjesa që thoshte, “rrofshin” edhe mustaqet e shokut Stalinit). Gjithsesi pas kësaj, Drita, Maria dhe Flora (Gjystina) u dënuan me burg nga fashistët, ndërsa i zoti i shtëpisë Beqir Minxhozi u lirua pa pësuar asnjë dënim. Madje dhe gjatë regjimit të Enver Hoxhës, ky komunist veteran jo vetëm nuk pësoi asgjë për këtë tragjedi të heroit Qemal Stafa, por u respektua e nderua nga vetë sistemi komunist. Dhe si për të sqaruar “vrasësit” e vërtetë të Qemalit vjen momenti i rënies së komunizmit dhe fitorja e pluralizmit, ku në vitin 1992 ishin gjallë tre femrat dëshmitare të kësaj ngjarje dhe vetë Beqir Minxhozi .. Drita, Flora dhe Maria kërkuan një takim të përbashkët me B. Minxhozin për të sqaruar se kush ishte spiuni që dekonspiroi bazën më 5 Maj 1942, por z. Minxhozi nuk e pranoi gjallë këtë takim, madje më vonë ai shkroi një libër për luftën “Nacional-Çlirimtare”, ku emri i Qemalit nuk figuron fare. Ndërsa nga dëshmitë e kohës komuniste na vjen fakti se E. Hoxha në një vizitë të para vitit 1947 në shtëpinë e Qemalit, ndodhet para një të “papriture”, ku nëna e Qemalit i thotë: “…Të mos më shkelësh më në shtëpi sepse ti më ke vra djalin.” Madje E. Hoxha nuk ka asnjë fotografi me familjarët e Qemalit, duke dëshmuar se pas vitit 1947 familjen e Qemal Stafës nuk e ka vizituar kurrë më pas kësaj. Dhe si për të përforcuar këto nga dokumente të kohës sqarohet se familjarëve të heroit nuk u ishte lidhur pension deri në vitin 1950, kur ndërhyn Gogo Nushi… Pa dyshim ia vlen të ndalemi edhe në një fakt tjetër të dëshmorëve në përgjithsi të luftës Nac.-Çl., ku ky fakt vjen nga një gazetë shumë e afert me trashigimtaret e komunisteve (atëhere kur e shkruan 2002 dhe sot 2014) , nga e cila po citojmë : “…Numri i brigadave partizane ka qenë 28, por në fakt ka pasur 25 brigada, se tre prej tyre nuk u krijuan fare. Po të kihet parasysh numri i përafërt prej 1000 partizanësh që ka pasur çdo brigadë dhe po t’i shtojmë edhe 3000 të tjerë që kanë qenë pjesëmarrës në çetat territoriale, numri arrin në 28 mijë partizanë. Në këtë kontekst dhe po të merret si e vëretë shifra e 28 mijë dëshmorëve, del se duhet të figuronin të vrarë të gjithë ata që u radhitën nëpër brigadat partizane… dhe larg qoftë, sot s’do të kishim gjallë asnjë veteran…” (Gazeta Shqiptare më 5 maj 2002, shkruar nga Dashnor Kaloçi).Sipas statestikave shtetrore kurrë nuk u gjetën të shkruar emrat e 28 mijë dëshmorëve .(Gjatë viteve të komunizmit ky numer dëshmoresh ishte një tabu, që nuk guxonte burr nane ta “prekte”..) Ish Zv/kryeministri dhe ish ministri Dashamir Shehu, që ishte marrur me ketë problem (gjatë viteve të demokracisë 1992-1996) kishte arritur të siguronte vetem rreth katër-mijë emra, ku në mes ketyre emrave ekzitonin edhe emrat e atyre që mund të quhen gjithshka, por kurr deshmor të atdheut, si p.sh. : “Partizanë” të vrarë duke luftuar në krah të pushtuesve Serbo-Jugosllav-komunist, kunder nacionalisteve Kosovar, që mbronin trojet e tyre me të drejten e Zotit e autoktonisë, por edhe me konventat nderkombetare të vetvendosjes… Ndersa shovenet e vjeter serbo-sllav, me prapashtesen e re komunist, të ndihmuar nga PKSH që kishin krijuar vetë (1941), luftuan së bashku per ripushtimin e Kosoves nga dhjetori i vitit 1944 deri në prill 1945…(Siç dihet që nga fundi i muajit tetor 1944, nuk kishte këmbë pushtuesi gjerman në trojet e kosoves që në shumicen e teritoreve të saj qeverisej nga nacionalistet shqiptar..).Gjithashtu në ketë listë figurojnë emra “dëshmoresh” të vrarë pas çlirimit të Shqiperisë, pra gjatë ekspeditave ndeshkimore të ushtrisë komuniste ndaj nacionalisteve shqiptar që nuk e donin komunizmin e pa FE dhe pa ATDHE.. E keta siç dihet mund të quhen deshmoret e partisë (komuniste të punes apo….), por jo të Shqiperisë, e aq më pak të asaj demokratike- Europiane…
Gjithsesi Shqipëria dhe shqiptarët kanë ekzistuar e sakrifikuar për atdheun, madje për një atdhe entiko-nacionalist dhe jo internacionalist të shkarravitur nga ideologji e sundime çnjerëzore, e ky atdhe që quhet Shqipëri, ka me mijëra data më sinjifikative që mund të përfaqësonin vërtetë në një datë të vetme ditën e dëshmorëve të të gjitha kohërave, pa dallim besimi, krahine apo ideje, por me një qëllim të vetëm, shpëtimin e Shqipërisë, duke e dëshiruar siç e ka falur Zoti, të bukur, të lirë e të pavarur. Dhe data të tilla mund të gjinden me mijëra të paktën tash qindra vjet, por unë për ta bërë sa më “konkrete” po kujtoj vetem ato që i përkasin shekullit XX, që në fakt është edhe shekulli i konsolidimit të vetë shtetit dhe sovranitetit të kombit tonë (ndonëse të ndarë). Si fillim po kujtoj kryengritjen anti-osmane të vitit 1911, e cila zgjati nga 24 marsi (1911) deri më 4 gusht (1911). Ku nga kjo kryengritje iu dhanë kombit qindra dëshmorë. Dhe vetëm më 6 prill (1911), dita kur u ngrit flamuri shqiptar i Gjergj Kastriotit, për herë të parë pas rreth katër shekujsh e gjysëm robërie otomane i dha shqiptarizmës 7 dëshmorë. Madje data 6 prill mund të ishte data që duhej të nderoheshin e kujtoheshin në përjetësi dëshmorët e atdheut. Dhe si për t’u bërë qejfin veteranëve me sy e mendje vetëm nga jugu, u kujtoj se data dëshmorësh mund të gjinden edhe në vitet 1912-1913 në Qafën e Llogorasë, ku kanë rënë dëshmorët e parë për të mbrojtur shtetin e parë shqiptar të krijuar që më 28 Nëntor 1912. Po në këto vite ka edhe dhjetra data e dëshmorë të rënë në Veri të Shqipërisë në mbrojtje të shtetit e trojeve tona nga lakmitë serbo-malazeze. Në vitin 1914 ka dhjetra data e dëshmorë që simbolizojnë luftën e shqiptarëve të jugut për të mbrojtur trojet tona nga Andartet grekë, ku vlen të shënohet data 23 mars 1914 ku kanë rënë dëshmorët Ceno Sharra, Haki Glina e tjerë, këta dëshmorë ranë edhe për mbrojtjen e shtetit shqiptar që rrezikohej edhe nga bandat e Haxhi Qamilit që kërkonte baba sulltanin.
Po në viset jugore të Shqipërisë, në Vlorën heroike më 1920 u zhvillua një luftë titanike për shporrjen e pushtuesve italianë, ku dhanë jetën dhjetra dëshmorë, dhe shumë mirë mund të zgjedhej një datë e kësaj epopeje.
Po brenda vitit 1920 mund të zgjedheshin data të tjera dëshmorësh të panumërta në luftën e shqiptarëve të Veriut kundër pushtuesve serbo-sllavë. Ku kulmi arrin me atë që tashmë njihet në histori si “Lufta e Koplikut”, e cila zgjati nga 26 korriku 1920 deri 14 shkurt 1921, ku edhe nga kjo luftë mbrojtese, ju shtuan atdheun tonë edhe dhjetra dëshmorë, të tjer të lirisë ku nga kjo epope lavdiplotë po veçojmë daten 20 shtator 1920, kur në Fushën e Koplikut ra heroikisht dëshmori trim Zef Prel Martini, i përjetësuar në këngë e legjendë nga populli i trevave tona. E mos të harrojmë se kjo luftë nuk ishte luftë spontane, por një luftë e organizuar dhe drejtuar nga qeveria shqiptare e dalë nga Kongresi i Lushnjes. Por data dëshmorësh mund të gjinden në pafundësi edhe në vitet 1921, si vazhdim i luftës mbrojtëse nga lakmitë e shtuara shovene. Ndërsa në vitin 1923 përsëri ka dëshmorë të rënë në Gjirokastër, për të mbrojtur trojet shqiptare nga lakmitë shovene greke. Gjithashtu mund të vazhdohet deri në ditën e zezë të pushtimit fashist më 7 prill 1939. Vetëm në këtë datë në Durrës u zhvillua një betejë legjendare në mes nacionalistëve shqiptarë e pushtuesve italianë, ku dhanë jetën dëshmorët Mujo Ulqinaku, Haxhi Tabaku, Isa Metalia, Hamit Dollari e tjerë, gjaku i të cilëve nuk do të “thahet” kurrë, pasi ata ishin dëshmorët e parë kundër bishës fashiste që kërkonte të gllabëronte atdheun tonë. Padyshim nga këto kohë heroike dhe historike, por edhe të tjera që nuk u shënuan në këtë shkrim (të shkurter memorativ) mund të gjenden data të pranueshme nga gjithë shqiptarët, jo vetëm të Shqipërisë “Londineze”, por edhe viseve të tjera jashtë kufijve politikë të Shqiperisë, si nga Kosova tashma e lirë dhe e pavarur, apo nga troje të tjera shqiptare si Çamëria, Maqedonia Perëndimore e deri trojet shqiptare nën Malin e Zi etj.
Gjatë regjimit diktatorial primare në gjithçka ishte partishmëria (komunizmi) dhe data 5 Maj ishte e “padiskutueshme”, por me rënien e komunizmit, duhej të binte edhe ky simbol me aromë të dukshme komuniste.. Kjo do të realizohej duke bërë një studim serioz për të përcaktuar datën e vërtetë në të cilën duhet të përkujtohen e nderohen ata që janë themeli i Shqipërisë së vërtetë, por mjerisht kjo deri sot nuk është bërë… E kështu më 5 maj nderohen njëlloj, si dëshmorët e vërtetë që i falën shpirtin e jetën atdheut, ashtu edhe ata që janë bërë dëshmor e heronj per qellime politike nga klika anadollake komuniste. Për ta ilustruar këtë unë si fillim do të shkruaj për kriminelin e njohur në Veri të Shqipërisë me “nofkën” Toger Baba, që në të vërtetë e kishte emrin Hodo Habibi, dhe ishte një analfabet nga Kurveleshi. Ky komunist kur ia mujti zollumi, vetë komunistët e arrestuan dhe nxorën në gjyq, ku u vërtetua se kishte pushkatuar mbi 100 vetë pa gjyq, kishte dhunuar seksualisht mbi 50 femra të pafajshme, kishte kryer mbi 24 tortura çnjerëzore vetëm tek gratë, ku 12 gra i kishte zhveshur lakuriq në sy të gjithë partizanëve, por edhe të tjera që gjenden në dosjen e tij të vitit 1947. Madje Toger Baba ishte arrestuar vetëm kur kishte përdhunuar një partizane që ishte dashnorja e Zoi Themelit. Nga gjyqi u dënua me vdekje, por më vonë, me propozim të Hysni Kapos, Enver Hoxha e shpalli dëshmor, nga ku edhe sot figuron si i tillë, duke u “nderuar”çdo 5 maj…
Ndërsa në zonën veriore të Shqipërisë në një fshat ndodhen disa varreza që nderohen si varrezat e dëshmorëve, kur në fakt ata jo vetëm nuk shprazën asnjë pushkë kundër pushtuesit, por u bënë viktimë e një krimi çnjerëzor të disa bashkëfshatarëve të tyre, pasi tre gjermanë të paarmatosur po ktheheshin në punë të tyre, këta fshatarë u dolën përpara dhe pasi i vranë, i zhveshën lakuriq, duke i marrë të gjitha rrobat e shtatit dhe sendet me vlerë që kishin, dhe kur pas disa orësh kalon andej një batalion gjerman që po kthehej për t’u larguar në “punë të vet” (nga Shqipëria) dhe gjejnë shokët e tyre të masakruar, ndërmarrin një raprezalje të tillë që sot këto viktima të vetvetes i nderojmë si dëshmorë. Gjithashtu si dëshmor nderohen e perkujtohen edhe ata shqiptar që u vranë gjatë luftes civile (në mes komunisteve e nacionalisteve), të inskenuar nga partia komuniste (e më vonë e Punes),per të marrë e ruajtur pushtetin e tyre absolut e tjer, kur në Shqiperi nuk kishte “kokerr” italiani apo gjermani.. Por gjatë sundimit komunist u krijuan edhe qindra dëshmorë të tjerë që nuk ishin asgjë tjetër vetëm viktimë e kushteve teknike të punës apo stërvitjeve ushtarake, madje ka nga ata dëshmorë që ishin viktimë e cjapit që printe tufën e dhive (që e goditi se iu kruan brirët dhe e hodhi në humnerë) dhe e shpallën dëshmor, sikur u përlesh me agjentë të ndryshëm antishqiptarë. Gjithsesi sot duhej të ndaheshin dëshmorët e vërtetë, nga ata që krijoi vetë regjimi për qëllimet e veta mashtruese e nënshtruese. Deri tani, megjithëse kanë kaluar kaq vite nga rënia e sistemit komunist, njerëzit ende janë të “detyruar” të nderojnë data e simbole aspak perfaqësuese siç është edhe data 5 Maji që quhet “Dita e Dëshmorëve”. E ndonëse për këtë datë sot shumica e popullit nuk ka “interes”, është një pjesë që ka marrë flamurin e veteranëve që “luftuan” gjoja për Shqipërinë dhe në këtë ditë simbol trimërohen, por edhe gëzohen, se shpresojnë se pas këtij simboli, simbole të tjera do të vijnë, ndonëse ngadalë e disi pa u ndjerë. Në ketë ditë gjallojnë fotografit e kriminelit Enver Hoxha, mbahen fjalime glorifikuese per diktatorin e diktaturen, si dhe nderohet si dikur me grusht, por kjo faqe e zezë nuk ka mbetur vetem në kuader të disa “veteranve” të matufepsur, por ky manifestin enveristçe është shoqeruar edhe nga deputet e ministra të qeverisë së “rilindjes”..Vlenë të kujtohet se shimica e atyre që ranë vertet në luftë kunder nazifashizmit nuk kishin qënë kurr komunist sa ishin gjallë ( ndersa një pjesë të ketyre dëshmoreve PKSH i “bëri” komunist pas vdekjes…). Gjithsesi edhe ata që e derdhen gjakun për një ideal të gabuar në këtë truall të vertet, patjetër e mendonin më mirë seç ishte atëherë, madje ata nuk mund të parashikonin gjëmën që mund t’i bënin atdheut shokët e tyre që mbetën gjallë. Per këtë luftë që fillojë si luftë antifashiste e perfundoi në luftë civile në mes shqiptarëve kanë shkruar shumë autor , por nga keto libra mendova të perzgjedhë diçka nga libri më i “bujshem” i asaj kohe e sot me titull “REFLEKSIONE”, i publikuar në vitin 1992 me autor kryeministrin e sotem zotin Edi Rama (dhe bashkeautor të ndjerin Ardian Klosi). Edi Rama dhe Ardian Klosi nuk ishin intelektual të çfardoshem, por të lindur, rritur, shkolluar e kalitur në gjirin e nënës Parti… Me ketë “rast” nga libri “Refleksione” po citojmë : ”..Historia e luftes per pushtet që kishte projektuar gjeneral Enver Hoxha, dhe marrja e pushtetit me dhunë, që ka qenë thelbi i çdo levizje komuniste, është shkaku i vetem që ajo luftë kunder okupatorit degjeneroi në luftë civile. Pra çeshtja e pushtetit është argumenti që zbulon edhe shkakun e tradhtisë që komunistet i bënë demokracisë dhe kombit shqiptar…Shifrat e terrorit komunist janë jashtëzakonisht të mëdha në krahasim me popullaten e Shqiperisë dhe në krahasim me vende të tjera ish-komuniste të Europës, prandaj edhe më e pamundur është harresa tek ne….E kaluara do të na mbajë të gozhduar në rrethin e saj vicioz per sa kohë nuk kemi bërë katarsisin e vertet historik…”. Duke dashur ti besojmë me sinqeritet librit “Refleksione” per nevojen e katarsisit historik, neve na mbetet veçse të urojmë që autori kryesor i “Refleksioneve” zoti Edi Rama të kenë ato mend që kishte rrreth njëçerek shekulli më perpara per të berë katarsisisn historik , që sot e ka më të nevojshem dhe mundëshem se kurr, pasi ai është kryeminister i Shqiperisë…(Por siç duken” bathët” deri tani kjo ska per të ndodhur..)
Duke dashur të perfundoj këtë shkrim dua të “garantoj” adhuruesit e kesaj dite plot grushte, yje dhe enver, se unë nuk kam pasur qellim të shpreh asnjë mllef apo inat me askënd , madje as nuk “ pretendoj” të kerkoj ndryshimin e kesaj historie që tashma ka “marrë” para edhe opoziten, e cila “noton” në ketë ditë në mes valëve të shkumbëzuara të 5 majit…”. Gjithsesi dëshmorët e vertet që u flijuan për Shqiperinë pushofshin në paqe…

Watch Fifty Shades Darker (2017) Full Movie Online Streaming Online and Download