60 vjetori i Ansamblit Popullor rikthen në skenë artistët e njohur ndër vite

Skena shqiptare është “pushtuar”, për 60 vite me radhë nga këngët dhe vallet popullore shqiptare, të cilësuara një thesar i paçmueshëm i pasurisë kombëtare. Me një koncert madhështor, që është mbajtur mbrëmë dhe do të jepet sonte në Teatrin Kombëtar, nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore, për të festuar këtë jubile, artistët sollën repertorin më të bukur të këtij ansambli në vite.
Një nga ikonat e këtij ansambli Rexhep Çeliku, i cili është kujdesur edhe për përzgjedhjen e repertorit, është shprehur se, “do të jetë një festë e madhe, një gala. Në këtë 60 vjetor do të përshëndes me vallen e “Luftëtarëve të lirisë”. Në dy koncertet, përveç trupës aktuale këtë përvjetor marrin pjesë jo vetëm artistët aktualë të ansamblit, por edhe këngëtarë dhe valltarë të njohur të viteve ’80-’90.
Pjesë e koncertit janë Besim Zekthi, Lili Cingu, Agim Krajka, Merita Halili, Rexhep Celiku, Hysni Zela, Lulzim Cara, Irma Libohova, Irini Qirjako, Valdete Hoxha, Sabahet Vishnja, Brikena Jaupaj, Genc Kastrati, Vladimir Hasimi, Skënder Gurra, etj., por edhe artistët e rinj të ansamblit, si dhe balerinë, solistë dhe kori i trupës së TKOB. Dashuria dhe pasioni për muzikën mblodhi bashkë një grup artistësh që në fillim të viteve 1950, krijuan një grup të vogël atë kohë të quajtur filarmonia shqiptare. Pasioni, dëshira dhe puna e palodhur bëri që në vjeshtën e 1957 të krijohet ansambli i parë i këngëve dhe valleve popullore.
Me udhëheqës artistik Cesk Zadeja dhe koreograf Gëzim Kaceli si drejtuesi i grupit te valleve, Ansambli numëron 140 premiera me repertor me një gamë të zgjedhur ku mbi 130 janë vënë edhe të reja, me motive e muzikë nga të gjitha trevat. Ansambli është nderuar me Gjerdanin e Artë në (Dijon, Francë-1970). Me tematikë të larmishme e koreografi origjinale, emra te njohur si Luçie Miloti, Fitnete Rexha, Enver Birko, Ëngjëll Tërshana, Lili Cingu, Tomë Nikolli, etj. do të bëheshin në vite pjesë e suksesit të tij. Ansambli që prej krijimit të tij vazhdon të jetë arteria kryesore e përcjelljes së folklorit shqiptar me koncerte të shumta jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botë.
Drejtoresha e TKOB, Zana Çela është shprehur se pas këtij koncerti ansambli do të jetë në qytetet e ndryshme te Shqipërisë, në Kosovë, Maqedoni dhe në 2018 në një tur në Evropë, ku do të performojë jo vetëm për shqiptarët, por edhe për qytetarët e atyre vende.
Krijimi i Ansamblit i Këngëve dhe Valleve Popullore
Ansambli i Këngëve e Valleve Popullore (AKVP) ose Ansambli Shtetëror është krijuar në vitin 1957 si ansambël profesionist. Ky Ansambël përbëhet nga solistët këngëtarë, orkestrina, grupi i valleve dhe kori. Qëllimi i AKVP-së është në përpunimin, zhvillimin dhe përhapjen e thesarit folklorik të Shqipërisë.
Këtu përfshihen pasuritë e mëdha folklorike vokale, instrumentale, koreografike dhe kostumografike, që variojnë nga zona në zonë, duke krijuar një koloritet motivesh. Folklori shqiptar shquhet për origjinalitetin, lashtësinë dhe shumëllojshmërinë e gjinive artistike. Zonat e shumta etnografike kanë veçantitë e veta në këngët, vallet, kostumet, ritet e zakonet. Mbështetja e AKVP-së tek kjo pasuri burimore dhe ekspeditat e ndryshme të zhvilluara në të gjitha zonat kanë bërë që AKVP-ja të jetë jo vetëm krenaria e kulturës tradicionale shqiptare, por edhe të mahnisë me vlerat e tij studiues e folkloristë nga e gjithë bota. AKVP-ja prej dekadash është kthyer në një laborator për përpunimin dhe intepretimin me kërkesa mjaft të larta artistike të thesarit të madh burimor folklorik duke bërë të mundur transmetimin e tij brez mbas brezi. AKVP-ja ka mbledhur artistët më të talentuar në këtë drejtim, që të pasqyrojë sa më denjësisht kulturën shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Në jetën e tij artistike, AKVP-ja ka rreth 140 premiera, me repertorë të zgjedhur.
Në harkun kohor prej 50 vjetësh, ka rreth 10.000 shfaqje të dhëna në të gjitha skenat e Shqipërisë. Në repertorin e tij janë mbi 100 valle me motive nga të gjitha trevat shqiptare, me tematikë të larmishme e koreografi të spikatur. Repertori muzikor ka luajtur një rol të fuqishëm dhe mjaft të suksesshëm në jetën e Ansamblit. Vlera të mëdha artistike ka orkestra me instrumentistë nga më të zgjedhurit. Këngëtarët interpretues kanë qenë dhe janë krenaria e vokalit shqiptar. Edhe kori me përpunimet dhe harmonizimet e këngëve burimore dhe të krijuara, ka dhënë një kontribut shumë të vlefshëm si pjesë e domosdoshme dhe e rëndësishme e Ansamblit.
Kush ishin personalitetet më të shquara të Ansamblit
Personalitetet më të shquara të Ansamblit kanë qenë udhëheqësit artistikë Çesk Zadeja (Artisti i Popullit) e Tish Daija (Aartisti i Popullit), koreografët Gëzim Kaceli (Artist i Merituar) e Panajot Kanaçi (Artist i Popullit), drejtuesi i orkestrës Agim Krajka (Artist i Merituar dhe Mjeshtër i Madh), dirigjenti i korit Xhemal Laci (Artist i Merituar), solistët Vaçe Zela (Artiste e Popullit), Ibrahim Tukiqi (Artist i Merituar dhe Artist i Popullit), Fitnete Rexha (Artiste e Popullit), Luçie Miloti (AM dhe Mjeshtër i Madh), Merita Halili, valltarët Besim Zekthi (AM e Mjeshter i Madh), Lili Cingu (Artiste e Merituar), Rexhep Çeliku (Mjeshtër i Madh) Personalitete të tjerë: Aleksander Peçi, Milto Vako, Ermir Dizdari, Besim Petrela, Besim Jazexhiu (Udhëheqës Artistikë) Besim Zekthi, Agron Aliaj, Besim Jazexhiu (Koreografë) Astrit Dalipi, Agim Kola, Edmond Xhani, Vladimir Hasimi (Drejtues të Orkestrës) Milto Vako (Dirigjent Kori) Sali Brari, Naile Hoxha, Hysni Zela, Zeliha Sina, Valdete Hoxha, Sabahet Vishnja (Solistë Këngetarë) Mediha Lubonja, Besim Jazexhiu, Bashkim Braho, Lili Këlliçi, Veronika Mano, Lefta Mullisi, Pëllumb Memisharaj, Fuat Hyseneshi, Brikena Kurti, Genc Kastrati (Valltarë)
Aktivitetet ndërkombëtare: 1963: Algjeri, Marok 1966: Kine 1969: Turqi 1970: Francë 1974: Turqi, Kinë, Vietnam, Rumani 1976: Suedi, Norvegji 1977: Greqi 1978: Itali, Greqi 1979: Turqi, Greqi 1981: Turqi, Greqi, Francë, Austri, Tunizi 1983: Gjermani, Egjipt 1984: Zvicër 1985: Turqi, Itali, 1987: Turqi 1988: Itali 1989: Suedi, Norvegji, Finlandë, Danimarkë 1992: Australi, Maqedoni, Libi, Turqi 1993: Francë, Itali 1994: Amerikë, Kanada, Kroaci 1995: Belgjikë, Francë, Gjermani 1996: Kanada 1997: Greqi 1998: Greqi, Itali, Spanjë, Portugali 1999: Francë, Itali, Zvicër Çmimet e medaljet: 1. Gjerdani i Artë (Dijon, France-1970).