29 nëntor 1962, Xhon Kenedi: “Nëse Bashkimi Sovjetik do të pushtojë Shqipërinë, pasojat ndërkombëtare do të jenë shumë të rënda”

Nga Thanas Mustaqi
“Nëse Bashkimi Sovjetik do të pushtojë Shqipërinë, pasojat ndërkombëtare do të jenë shumë të rënda”, kjo deklaratë e panjohur është bërë, më 29 nëntor 1962, nga Presidenti amerikan Xhon Kenedi. Shefi i Shtëpisë së Bardhë paralajmëroi Moskën gjatë bisedimeve për zgjidhjen e krizës së raketave kubane. Ishte një moment i rrallë kur konflikti midis dy superfuqive u mahis deri në kufijtë e një luftë bërthamore botërore. Fakti i bujshëm dhe i panjohur në vendin tonë ka të bëjë dhe më një moment delikat që kalonte Shqipëria. Ishte koha kur Tirana sapo ishte prishur me Kremlinin dhe kishte dëbuar Traktatin e Varshavës nga Pashalimani, kurse Kenedi kishte anuluar goditjen atomike kundër Sazanit. Pikërisht në nëntor 1961, një vit më parë, BRSS ndërpreu në mënyrë të njëanshme marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë. Në shtypin rus ka qarkulluar informacioni se lideri i Moskës Nikita Hrushov i ka kërkuar Beogradit të hapte një korridor për trupat e Ushtrisë së Kuqe për të pushtuar Shqipërinë. Titoja kishte refuzuar dhe thuhet se njoftoi Enver Hoxhën për qëllimin e Moskës. Siç duket, Titoja mund të ketë njoftuar dhe Uashingtonin për kërkesën e Moskës, që gjithsesi prekte potencialisht dhe pavarësinë e Federatës Jugosllave. Nga ana tjetër, Moskës i plasi në dorë çështja kubane, duke e detyrua të heqë dorë përkohësisht nga planet për pushtimin e Shqipërisë kryeneçe. Por nuk dihej fakti se në këtë aventurë e kishte ndaluar Amerika. Dhe kjo pëkon me atë se kërcënimi i “Dajë Samit” jepej në ditën e 50-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Fragment nga biseda Xhon Kenedi-Anastas Mikojan (sipas regjistrimit sovjetik):

“Jo Kuba, – se ajo vërtet mund të bëjë kundër nesh, – por veprimet e Bashkimit Sovjetik – ja çfarë ka rëndësi për ne, thotë Kenedi. Ashtu si Bashkimi Sovjetik nuk dëshiron të sulmojë Shqipërinë [sipas versionit të arkivave amerikane në anglisht të regjistrimit të bisedës, Kenedi është shprehur kështu: “After all, the Soviet Government does not like the present Government of Albania. This does not mean that the Soviet Union will invade Albania, as in such a case as well as in that of a hypothetical invasion of Cuba, international consequences could be very grave” – “Megjithatë, qeveria sovjetike nuk bën si qeveria e sotme shqiptare. Kjo nuk do të thotë se Bashkimi Sovjetik do të pushtojë Shqipërinë, pasi në një rast të tillë, si në atë të pushtimi hipotetik të Kubës, konsekuencat ndërkombëtare do të ishin shumë të rënda”, shih: Department of State, S/S Presidential Memoranda of Conversations: Lot 66 D 149. Secret; Limit Distribution. Drafted by Edmund S. Glenn of Language Services and approved by the White House on December 13)] ashtu dhe ne nuk duam të sulmojmë Kubën. Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara kanë forca për të asgjësuar njeri tjetrin dhe po nuk kuptuam njeri tjetrin për lloj-lloj çështjesh, kjo mund të çojë në një shpërthim gjigant. Shpresoj se do të vijë koha që Bashkimi Sovjetik do ta kuptojë këtë dhe do të qëndrojë brenda vetëm kornizave të vendit, do të merret me ndërtimin dhe do të na lejë të qetë. Atëherë dhe Amerika është e gatshme të bëjë të njëjtën gjë. Kurse tani, tha presidenti, u krijua një situatë e tillë, kur, dhe pse të dy vendet tona nuk kanë kurrfarë pretendimesh territoriale, ne përplasemi me ju pothuajse kudo, se në shekullin tonë të raketave dhe atomit lidhet me rreziqe të mëdha për paqen universale. Sapo diku ndizet një shkëndijë revolucioni, vërehet prania juaj. Ju sikur mbini nga dheu. Duhet të shmangim reciprokisht acarimet e situatës në pjesë të ndryshme të botës”.

Marrë nga Fondi 3, regjistrimi 65, çështja 913, ff. 33-46, Arkivi i Presidentit të Federatës Ruse.

Poshtë fotoja pas takimit të Preidentit amerikan Xhon Kenedi (majtas) dhe zëvendëskryeminitrit sovjetik Anastas Mikojan, më 29 nëntor 1962).
Faksimilet e dokumenteve në anglisht dhe rusisht (faqet 1 dhe faqet 7 ku citohet Kenedi, pjesa e mbuluar me ngjyrë blu)