28 dhe 29 Nandori – Dy ngjarje të mëdha historike dhe sherrnaja politike

Mark Bregu

Përplasjet politike, divergjencat dhe mosmarrëveshjet e klasës së politikanëve dhe qeveritarëve tanë, u reflektuan më tepër se asnjëherë tjetër në përvjetor festash.

Zanafilla fillon te data e 29 Nandorit, ku e djathta nuk don ta pranojë si ditë të fitores mbi nazifashizmin, duke pretendue, se Shqipëria u çlirua me 29 Nandor 1944. Jam i mendimit se, më mirmarkbreguë se ata që morën pjesë në luftë, askush tjetër nuk ka të drejtë morale të flasë, pra janë veteranët. Ajo që duhet të na shqetësojë të gjithëve është: Përse shqiptarët mbetën të përçarë në “Lidhjen e Prizrenit” (1878). Përse shqiptarët mbetën të përçarë edhe mbas “Lidhjes së Pejës” (1880)?! Përse shqiptarët mbetën të përçarë në “Mbledhjen e Mukjes” (1943)? Të gjitha këto pyetje janë vazhdimësi e pyetjes së madhe: Përse 28 – 29 Nandori nuk u festuan me madhështinë që meritojnë?! Sipas mendjes time, shqiptarët vazhdojnë të ecin me këmbët e tyre dhe në mendjen e të tjerëve. Mungesa e zgjedhjes, dhe njohjes së aleatëve është njëri ndër faktorët kryesorë. Këtë sugjerim nuk e bëj unë, por e kanë bërë dy, ndër figurat më të ndritura – Faik Konica dhe Fan Noli. Makiaveli ka thënë: “Çdo popull ka Qeverinë që meriton”. Ndonëse kjo thënie filozofike është cituar para disa shekujsh, për ne shqiptarët është dhe mbetet aktuale edhe në ditët e sotme (mendimi im). Për të përforcuar këtë mendim, lexuesit do t’i ofroj një fragment, se si u formua Qeveria e Vlorës me 28 Nandor 1912. Këtë fakt na e ofron njëri nga pjesëmarrësit dhe dëshmitarët okularë të këtij evenimenti madhor – Mustafa Merlika (Kruja), në korrespondencën e tij me Stavri Skendin – Profesor në Universitetin e Kolumbias në SH.B.A., dhënë me 5 tetor 1953, ku shprehimisht citon: “Në marrveshje edhe me Vjenën e Romën u zgjodh si Seli e Kuvendit Vlora. Ftesat, me nënshkrimin e Prijësit – Ismail Qemali e nën mbrojtjen e batalionit të Hamid Toptanit, u shpërndanë telegrafisht në të gjithë Shqipërinë e pa shkelur nga të huajt, që nga Durrësi.

U nisëm (unë si përfaqësues i Krujës) për Vlorë. Nga Lushnja na dolën përpara patriotë për të na lajmëruar që të mos kalonim andej, se pushtetet administrative dhe ushtarake do të na kapnin dhe na arrestonin. Ecëm drejt, pa u shmangur në Lushnjë, duke pasë ca masa rojet

Arritëm në Vlorë e s’mbaj mend sa ditë na u deshën të prisnim gjersa u mblodh shumica e delegatëve. Për historianin janë tepër të interesueshme verbalet e atij kuvendi të shkruara shkurtazi, se natyrisht pa stenograf. Po ç’i do verbalet? Mjaftojnë edhe ato dy radhë të vendimit, shkruar dhe përgatitur që përpara shqip, nga dora e Luigj Gurakuqit, dhe turqisht nga dora e Ismail Kemalit, për të kuptuar se në ç’atmosferë kombëtare u shpall Indipendanca jonë. I ka botuar edhe një gazetë shqipe jashtë Shqipërisë vjet, me rastin e 40 vjetorit (1952). Unë çuditem si nuk i ka shkuar në mendje ndonjë armiku tonë të jashtëm t’i analizojë e t’i komentojë ato dy radhë historike. Gazeta e sipërpërmendur ka qenë – “Shqipëria” më duket. Do të formohej Qeveria e parë e Shqipërisë Indipendente. Iu la në dorë kryetarit, natyrisht, zgjedhja e ministrave. Kur u paraqit prej tij lista, ne të rijtë shtangëm fare, na u duk vetja para një kuvendi turqish, asnjë i krishterë me përjashtim të Priftit Katolik të Lurës, patriotit dhe atdhetarit të vërtetë – Dom Nikollë Kaçorri, pranë një hoxhe, – Myftiut të Dibrës. Të gjithë të tjerët, emra bejlerësh, dhe ndonjë pashallar mbrenda. Protestimet qenë të forta dhe të pahijshme para plakut të Vlorës. Por s’kishim si të bënim ndryshe, s’e përmbajtëm dot veten na të rijtë, muslimanë e të krishterë, pa bërtitur: “Ç’bëjmë këtu, një Turqi të dytë?! E kuptoi menjëherë i gjori plak – Ismail Beu gabimin e randë që kishte bërë, sigurisht nën ndikimin e një mendësie të formuar prej një trashëgimi të gjatë politik e familjar, nga një anë, dhe nga tjetra në atmosferën psikologjike të mbretëronte aso kohe mbi popullin shqiptar. Plaku e tërhoqi listën e tij dhe iu lut Kuvendit që t’i propozonte ai vetë kandidatët për ministra. Kështu u vunë në atë listë edhe tre patriotë të tjerë të mëdhenj si – Luigj Gurakuqi, Lef Nosi dhe Pandeli Calja. Tashti Shqipëria ishte më vete, për të parën herë mbas Skënderbeut. Flamuri i këtij Fatosi valonte ditë e natë mbi Selinë e Qeverisë ndër sytë e patriotëve të mallëngjyer, ndër zemrat e të cilëve nuk duhej të zinte vend tjetër gjë veç dashurisë e vllazërisë me shoqi – shoqin dhe kujdesit për Atdheun e fituar. Duhet theksue se Shpallja e Pavarësisë u krye në një kohë kur tri të katërtat e Atdheut ishin të pushtuara nga, turqët, serbët dhe grekët. Shpallja e Pavarësisë ishte një akt Ndërkombëtar i diplomacisë Europiane, ndaj dhe caktimi i Ismail Qemalit si kryeministër i Qeverisë Provizore ishte pjesë e diplomacisë Europiane. Me sa kuptohet, Ismail Qemali u vu në “Bankëprovë” për të parë sensin e tij Europian, meqë ai i kishte shërbyer Turqisë më shumë se katër dekada.

Dhe natyrisht, ngjarjet e më vonshme e zbardhën qëllimin. Pyetja e parë që mund të shtrojë çdo shqiptar është kjo: Si ka mundësii që Ismail Qemali harroi të vendosë në listën e ministrave “krahun e tij të djathtë” – Luigj Gurakuqin?! Ndërsa unë personalisht shtroj pyetjen: Si mund të vendoset në krye të Qeverisë së një Shteti një person i cili nuk di të shkruajë, as emrin e tij në Gjuhën amtare?! Për këtë mendoj se është detyrë e historianë që ta ndriçojnë këtë periudhë dhe të mos merren me “baltosjen” e Heroit tonë Kombëtar – Gjergj Kastrioti.

Në vazhdimësinë e “harresave” edhe kur ngrihet Monumenti i Pavarësisë në Vlorë 28 Nandor 1972, harrohen dy figurat ma kontributore të këtij akti madhor – Luigj Gurakuqi dhe Dom Nikollë Kaçorri!?… Po i rikthehemi edhe një herë, Shpalljes së Pavarësisë. Thuhet se, Flamuri i Skënderbeut, për të parën herë u ngrit në Vlorë, dhe ishte qëndisur nga Vlonjatja – Marigo. Historikisht, dihet se ky Flamur për të parën herë u ngrit mbi Bratile të Deçiqit, i ngjyer me gjakun e gjashtë trimave të Dedë Gjon Lulit. Dihet se kjo ngjarje ka ndodhë me 6 Prill 1911, dhe padyshim atë Flamur nuk e pati qëndisur Marigoja, por Vajzat shkodrane – motrat Marubi…

Për të vërtetuar se sa me dhimbje e përjetoi Ismail Qemali humbjen e Perandorisë Osmane, po paraqesim vetëm një fragment marrë nga kujtimet e tij: “Pasi humba çdo shpresë se do t’ia dilja të bëja diçka për shpëtimin e Turqisë, – pohon me sinqeritet Ismail Qemali në kujtimet e tij – atëherë ia kushtova të gjitha përpjekjet e mija, detyrës së shpëtimit të Shqipërisë nga kjo katastrofë që tanimë e kuptonim se s’mund të shmangej dot.”

Ndërsa për 29 Nandorin kam këtë mendim: Asht, apo nuk asht data e vërtetë e çlirimit, këtë, ma mirë se kushdo tjetër, e dinë ata që morën pjesë në luftë – veteranët.

28 Nandori shënon ditën e daljes nga pushtimi pesëshekullor – osman; 29 Nandori çlirimin nga pushtimi afro pesëvjaçar – nazifashist.

Në përfundim: Uroj që këto festa të na bashkojnë, dhe jo të na ndajnë “siç ndodhi këtë vit”.

Politikanët duhet të jenë të kujdesshëm se Historia nuk e njeh “lojalizmin”… Historia nuk të falë.

Ref: “Ismail Qemali – The memories of Ismail Kemal Bey – Constable – ad Company Ltd. London, 1920, f. 262”.