19 vjet nga vdekja e Azemit, betimi i Rudinës krah Berishës dhe Bashës: Do jem zë i fortë i opozitës

Dita e djeshme shënoi 19 vjetori i vdekjes së Azem Hajdarit, i cili u vra më 12 shtator të 98-ës. Pas ndërprerjes së seancës plenare maratonë ku po diskutohej programi qeverisës nga kryetari i ri i Kuvendit, Gramoz Ruçi për të rifilluar një orë më vonë, deputetët e Partisë Demokratike do të përkujtonin dje ish-liderin Azem Hajdari. Me të dalë nga salla e seancave plenare, demokratët i janë drejtuar memorialit të Hajdarit, i cili ndodhet shumë pranë ish-selisë së PD-së, tashmë godina e FRD-së së Bamir Topit, ku do të vendosnin dhe tufa me lule në shenjë mirënjohje dhe solidariteti ndaj kontributit të figurës së tij. Pasi kënduan të gjithë Himin kombëtar, i pari që mori fjalën para memorialit ishte vet kryetari i demokratëve, Lulzim Basha. “Sot jemi i mbledhur për të kujtuar tribunin e demokracisë. Nëse dielli i demokracisë shndrit siç ka shndritur, apo fshihet pas reve të zeza të krimit dhe korrupsionit, ne vijmë këtu për të nderuar dhe ndarë sëbashku dramën e 12 shtatorit. Ne vijmë këtu për të celebruar kujtimin, kurajon dhe mirënjohjen e Azem Hajdarit. Luftën e pa kompromis për demokraci dhe qëndrimin titanik kundër vesit dhe drogës në pushtet. S’do i tradhtojmë kurrë vlerat e tij”, tha Basha. Plot 19 vite më parë, në një atentat mafioz të cilit kurrë nuk iu provua prapavija politike, u vra tribuni i demokracisë dhe udhëheqësi i dhjetorit, Azem Hajdari. “Ne vijmë këtu jo thjesht për të nderuar e për të ndarë së bashku dramën e 12 shtatorit të përpara 19 viteve. Por ne vijmë këtu për të celebruar kujtimin, forcën, kurajon dhe mirënjohjen ndaj Azem Hajdarit dhe atë që ai përfaqëson përjetësisht”, u shpreh Lulzim Basha. Për Lulzim Bashën, i cili Azemin nuk e njohu, frymëzimi i kreut të “Lëvizjes së dhjetorit” është aktual edhe sot. Aq sa ai kandidoi të dytën pas tij, në Tiranë, vajzën e tij.

Për një lojë të fatit, apo historisë, deputetja Rudina Hajdari, fjalimin e saj të parë në Parlament e mbajti në këtë ditë të paharrueshme, për të, por edhe për të gjithë shqiptarët. “Unë sot do të flas në Kuvendin e Shqipërisë si deputete e Partisë Demokratike. Dhe do të flas pikërisht në këtë ditë. Kjo ishte një koinçidencë, por është besoj dhe një dëshirë e tij dhe unë ju siguroj se do të jem një zë i fortë i opozitës shqiptare, do të mbroj interesat e Shqipërisë dhe kombit tim!”, premtoi Rudina nga memoriali i të atit. E pak minuta më vonë vajza e Azem Hajdarit, do të mbante fjalën e parë në sallën e Kuvendit si deputete e PD-së, aty ku i ati i saj u plagos më 16 shtator të vitit 1997 nga deputeti socialist Gafurr Mazreku dhe pak metra nga vendi ku u vra nga një bandë e lidhur me qeverinë socialiste më 12 shtator të vitit 1998. Rudina Hajdari foli sot kundër shkrirjes së Ministrisë së Integrimit. Sipas saj, shkrirja ishte një gabim fatal. Sipas saj ministria e Integrimit që u shkri do të ndihmonte në përshpejtimin e procesit të integrimit të vendit. Ndryshe nga rastet e diskutimeve të deputetëve të tjerë, fjala e saj edhe pse e shkurtër u duartrokit nga deputetët e pranishëm në sallë.

 

Lideri historik i PD-së, Berisha thirrje demokratëve: Realizoni idealet e Azem Hajdarit

Ish-kryeministri Sali Berisha ishte dje i pranishëm në homazhet e kryera pranë memorialit të Azem Hajdarit, me rastin e 19-vjetorit të ndarjes së tij nga jeta. Në fjalën e tij, Berisha e quajti Azem Hajdarin njeriun që ka bërë më shumë se kushdo tjetër për lirinë e shqiptarëve. Më tej, ai shtoi se Azem Hajdari nuk është thjesht një lider i historisë, por edhe burim frymëzimi për çdo shqiptar, çdo të ri e të re. Ndër të tjera, ish-kryeministri deklaroi se duhen realizuar shpejt dhe me vendosmëri idealet për të cilat ra Azem Hajdari dhe që sot janë në një vështirësi shumë të madhe. “Sot për ne është një ditë që ne kujtojmë me dhimbje të madhe aktin barbar të kryer nga regjimi ekzekutimin para selisë së PD të tribunit të lirisë, Azem Hajdarit. Njeriut që ka bërë si individ më shumë se kushdo tjetër për lirinë e shqiptarëve. Ishte gjoksi i tij që ngrihej me 8 dhjetor në rrugët e Tiranës përballë barrikadave e autoblindave të babagjozëve të policisë, ushtrisë, që solli çeljen e dyerve bashkë me studentë të tjerë të lirisë për shqiptarët. Por, Azem Hajdari nuk është vetëm një lider i historisë, ai është një burim i madh frymëzimi për çdo shqiptar, për çdo të ri e të re. Frymëzimi i tij është të qëndrojmë të pamposhtur, të ngrihemi sa herë që rrëzohemi, është të vazhdojmë betejën dhe sot më të vendosur se kurrë për ideale për të cilat ai flijoi jetën e tij. Ndaj dhe njëherë thirrja ime është: le të na frymëzojë guximi, vizioni, trimëria e tribunit tonë legjendar për të realizuar sa më shpejt, sa më të vendosur, idealet për të cilat ai ra dhe që sot janë në një vështirësi shumë të madhe. Unë kam besim se ne do të ia dalim. I përjetshëm kujtimi i Azem Hajdarit, tribunit të lirisë së shqiptarët”, tha liderik historik i PD-së, Sali Berisha.