103 VITE NGA ATENTATI QE PROVOKOI LUFTEN E PARE BOTERORE/ Plumbat që vranë një arkidukë dhe shpërbënë katër perandori

Nga Albert Vataj

Më shumë se 20 milionë njerëz u desh t’i paguajnë me jetën e tyre dy të shtënat e një nacionalisti serb në mesditën e 28 qershorit të 1914-ës, tash 101 vite më parë. Plumbat që qëlluan për vdekje princin trashëgimtar austro-hungarez, Franz Ferdinand, çuan botën në Luftën e Parë Botërore, që do të rezultonte më e përgjakshmja kacafytje e përbotshme. “Lufta e Madhe”, me shkëndijën e Sarajevës, do të përfshinte në flakadanin e saj gjakues dhe transformues, gjashtë kontinente: Evropën, Azinë, Afrikën, Amerikën e Jugut, Amerikën e Veriut dhe Australinë. Edhe pse kjo katrahurë e përgjakshme ishte kryesisht e përqendruar në Gjermani dhe Francë, mbolli tmerr dhe vdekje krejt ku ajo kaloi.

As vetë studenti serbo-boshnjak, Gavril Princip, nuk do të ishte i bindur, se të shtënat e tij nuk do të shtrinin përdhe vetëm arkidukën Franz Ferdinand dhe bashkëshorten e tij Sofi, por dhe katër perandoritë e botës; atë Austro-Hungareze, Prusinë, Perandorinë Osmane dhe Ruse. Asnjë shkëndijë e këtillë nuk do të kishte një reaksion kaq të fuqishëm. Njerëzimi përgjatë gjithë ekzistencës së vet të deriatëhershme i kishte ushqyer me gjak dhe jetë orekset e luftrave. Sot pas 101 vitesh, çdo ndërmendje do të shtangej para kësaj fuqie transformuese, kësaj ndryshese që solli dalldia e kësaj katrahure. Me Luftën e Parë Botërore, e cila zgjatoi kujën dhe kortezhin e vet, nga 28 korriku 1914 deri më 11 nëntor 1918, e ndryshoi përgjithmonë botën, historikisht, gjeografikisht dhe politikisht, por pa mundur ta evoluojë në mendësi.

Gavril Princip, një hero apo terrorist?

Paradoksalisht, është kjo pikëpyetja që ka mbërthyer në mëdyshje mendësinë e gjeneratës së sotme, e cila e njeh dhe e ka përcjellë këtë ngjarje vetëm nëpërmjet historisë dhe rrëfenjave që dergjen në kujtime, por edhe në paranojat nacionaliste, bimë të cilën nuk po mund ta shkulë as globalizmi, as politikat integruese të tolerancës dhe bashkëjetesës. 101 vite pas atentatit ndaj princit trashëgimtar austro-hungarez në Sarajevë, që pasoi me Luftën e Parë Botërore, opinionet në Bosnjë-Hercegovinë për Gavril Princip janë ende të ndara. Bota dhe mendësitë e njerëzve duket se kanë ndryshuar fare pak, ose kanë mbetur në ato ujëra, turbullimi i të cilave gjeneroi kapërcyellin historik të njerëzimit.

Në kremten e 101-vjetorit të atentatit të Sarajevës, rimishëron këtë gjeneratë ajo ndjenjë nacionaliste, shkulmon ajo shpuzë, e cila i vuri zjarrin barutit të një lufte. “Kjo nuk është për t’u çuditur, sepse në vendin që ende vuan pasojat e luftës 1992-1995, boshnjakët, siç emërtohen myslimanët boshnjako-hercegovinas, serbët dhe kroatët, në mos me urrejtje, ende e shohin me dyshim njëri-tjetrin”, shkruan agjencia gjermane e lajmeve “Deutsche Velle”. I tillë është edhe vështrimi në histori. Varësisht se cilën anë përkrah dikush, ashtu edhe interpretohet atentati i 28 qeshorit 1914, ndaj princit trashëgimtar austro-hungarez Franz Ferdinandit në Sarajevë.

Gavril Princip, kjo “Nyjë Gordiane”

Politika e këtij pellgu luftënxitës e ka katandisur fenomenin Gavril Princip në një “Nyjë Gordiane”. Kjo “Nyjë” jo vetëm që ka përjashtuar qasjet për ta zgjidhur, por ka yshtur për më keq lidhjen e saj, duke nxjerrë në pah gjallimin e asaj mendësie ekspansioni nacionalist, i cili për fatin, e keq i shtyu urët e zjarrit gjatë luftës 1992-1995, për ta mbajtur të ndezur pamjaftueshmërinë e bashkëjetesës. Jo vetëm mes etnive të ndryshme ekzistojnë qëndrime të kundërta për atentatin. Një shekull më pas, liderët nacionalistë në Bosnjë përpiqen të nxjerrin kapital politik nga debati për rolin e atentatorit. Disa politikanë serbë kanë bërë të ditur se duan t’i ngrenë Gavril Principit një përmendore në Beograd dhe në pjesën lindore të Sarajevës. Ndërsa politikanët boshnjakë duan t’i ngrenë një përmendore princit trashëgimtar të vrarë, Franz Ferdinand në Sarajevë. Të dyja palët i referohen historisë, por shpesh në mënyrë të njëanshme dhe selektive. Faktet historike dhe të vërtetat nxirren nga konteksti i duhur dhe përdoren për qëllime të caktuara. “Për shkak se elita boshnjake është e paaftë të përmirësojë gjendjen aktuale ekonomike dhe politike të qytetarëve të saj, ata konkurrojnë tani të ndryshojnë historinë e përbashkët. Atentati është vetëm një element i deformimeve dhe manipulimeve që i bëhet historisë së Bosnjës, me të cilën oligarkia sunduese nacionaliste legjitimon vetveten”, interpreton debatin aktual gazetari i Sarajevës, Senad Peçanin. Në një intervistë me “Deutsche Velle”-n, analisti thekson se “ata që himnizojnë sundimin otoman, shohin tek Gavril Princip paraardhësin e drejtpërdrejtë të Radovan Karaxhiçit dhe Ratko Mladiçit. Të tjerët, që kujtojnë idealizmin tragjik të atentatorit, harrojnë që grupi “Dora e Zezë” ka qenë një instrument i realizimit të hegjemonisë serbe. Në grindjen mes dy kampeve, Gavrip Princip përdoret nga dy palët e me këtë, edhe mundësia për të vëzhguar me kthjelltësi faktet e historisë.” Principi portretizohet në librat e historisë së shteteve të ish-Jugosllavisë si terrorist, ose si rebel me një kauzë, perceptime këto që pasqyrojnë ndarjet bashkëkohore në rajonin, i cili akoma po rimëkëmbet nga luftërat e përgjakshme të viteve ‘90. Duket se historia e atentatit të Sarajvës, ende nuk ka marrë fund. Dhe se hendeku mes etnive të ndryshme lidhur me aktin e kryer nga Gavril Princip, sot është më i thellë se para 101 vjetësh.

Kush fshihet pas atentatorit të arkidukës?

Vrasja ishte një akt i mirëmenduar dhe rrjedhonte në dinamikë të zhvillimeve të grupeve që dirigjonin në atëkohje orkestrën e një nacionalizmi, i cili kishte synime të qarta. “Bosnja e re” përshkruhet si një grup, i cili ka kryer “aksione ilegale terroriste” në shërbim të Serbisë, për të marrë nën kontroll Bosnjën dhe Hercegovinën dhe krijuar “Serbinë e Madhe”. “Një organizatë sekrete e njohur si “Bashkim ose Vdekje”, gjithashtu e njohur edhe si ‘Dora e Zezë’, e formuar në Serbi në vitin 1911, kishte mision jetësimin e ëndrrës së Serbisë së Madhen përmes aktiviteteve terroriste”.

Lufta e Parë Botërore, sebep apo shtysë nga atentati

Vrasja e trashëgimtarit të fronit austro-hungarez, Franz Ferdinand, arkidukës së Austrisë, në Sarajevë më 28 qershorit të vitit 1914, çoi në fiillimin e manovrave diplomatike ku u përfshinë Austro-Hungaria, Gjermania, Rusia, Franca dhe Britania, të cilat “nënshkruan” dështimin në korrikun e atij viti. Autoritetet austro-hungareze ishin të bindura se “Dora e Zezë” ishte ajo që zgjatej pas serbo-boshnjakut Gavril Princip dhe grupit që organizoi atentatin, pas të cilit ishin të përfshirë zyrtarë serbë. Në një ultimatum prej 10 pikash, Austro-Hungaria i dorëzon Serbisë aktakuzën e përfshirjes në këtë vrasje. Vetëm për tetë pika do të dakordësohej pala serbe, por pa mundur të zmbrapsë hakërrinë e një perandorie, e cila kishte të vrarë në mes të Sarajevës një arkidukë dhe nderin e saj. Gjithçka merr fund më 28 korrik 1914 kur Austro-Hungaria i shpall luftë Serbisë. Perandoria Ruse, e gatshme për të mos lejuar Austro-Hungarinë për të ekzekutuar ndikimin e saj në Ballkan dhe në mbështetje të serbëve, ka urdhëruar një mobilizim të pjesshëm një ditë më vonë. Perandoria Gjermane më 30 korrik 1914 kurorëzon mobilizimin e saj, e gatshme për të aplikuar “Planin Schlieffen”, i cili ka për qëllim një pushtim të shpejtë të Francës, një dërrmë ushtrisë franeze, pastaj të kthehet kundër Rusisë në lindje. Kabineti francez i rezistoi presionit ushtarak për të filluar një mobilizim të tërhequr 10 km nga kufiri. Franca e gjen veten të kapluar nga flaka e luftës në mbrëmjen e 2 gushtit, kur Gjermania pushtoi Belgjikën dhe sulmon trupat franceze. Gjermania i shpalli luftë Rusisë, në të njëjtën ditë. Nga ana e saj, Mbretëria e Bashkuar i shpalli luftë Gjermanisë më 4 gusht 1914, pas një “përgjigjie të pakënaqshme” të ultimatumit britanik se Belgjika duhej të mbahej neutrale. Dhe kështu u ndez, ajo që do të quhej “Lufta e Madhe”.

Lufta, që erdhi nga lufta dhe polli luftën

Në këtë konflikt mbarëbotëror u vunë përballë njëra-tjetrës dy fuqi të mëdha, perandoritë qendrore, që përbëhej nga Perandoria gjermanike dhe ajo Austro-Hungareze. Nga ana tjetër, Pakti i Trefishtë, ku rreshtoheshin, Mbretëritë e Bashkuara, Franca dhe Rusia. Lufta e Madhe filloi më 28 korrik 1914 dhe përfundoi më 11 nëntor 1918 me fitoren e Paktit të Trefishtë.

Lufta shkaktoi shpërbërjen e katër perandorive: Perandorisë Austro-Hungareze, Prusisë, Perandorisë Osmane dhe Rusisë. Gjermania humbi perandoritë koloniale dhe shtetet evropiane të Çekosllovakisë, Estonisë, Finlandës, Letonisë, Lituanisë, Polonisë dhe Jugosllavisë që fituan pavarësinë. Lufta e Parë Botërore shënoi mbarimin e rendit botëror që u vendos pas luftrave napoleoniane dhe ishte një shkaktare e rëndësishme për shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore.