100-VJETORI I VDEKJES SE KLERIKUT/ Dom Nikoll Kaçorri, portret i një meshtari të Pavarësisë Kombëtare

Me emrin e Dom Nikoll Kaçorrit, meshtarit të Pavarësisë, zv/kryeministrit të qeverisë së Vlorës, lidhte një nga epokat më të ndritura dhe më të vështira njëherësh të historisë sonë kombëtare. Megjithë kontributin e madh në shpalljen e Pavarësisë dhe funksionimin e të parës qeveri shqiptare, emri i tij është lënë në gjysmëharresë dhe nuk i është dhënë merita që i takon. Në Diktaturë emri i tij përmendej, por me një lloj ndrojtje, ndërsa në këto vite të hapjes së Shqipërisë, figura e tij e plotë nuk ka dalë në pah, siç i takon në panteonin e lavdisë kombëtare.

Dom Nikoll Kaçorri u lind në fshatin Krej- Lurë më 21 shkurt të vitin 1862, fshat ky që ndan dy krahina të mëdha: atë të Dibrës e Mirditës, me një histori të denjë si gjithë Lura, Dibra e shqiptaria. Ai rridhte nga një familje, me babain katolik, ndërsa nëna me besim mysliman, duke promovuar atë që jo vetëm në Lurë por në të gjithë Shqipërinë është modeli i bashkëjetesës fetare. Falë zgjuarsisë dhe dëshirës për t’u shkolluar, djaloshi ra në sy t’arkipeshkvit të Durrësit n’atë kohë, imzot Ambrosio, i cili gjatë një vizite në Lurë, duke parë shkathtësinë, inteligjencën dhe zgjuarsinë natyrale të tij, u kujdes që ta shkollonte dhe ta bënte meshtar.

Më 1884 mbaroi studimet filozofiko – teologjike për meshtar dhe u shugurua në Shkodër. Me kalimin e kohës kompletohet me shkollë të rregullt, kulturë të lartë, duke mbaruar në vitin 1890 në Zvicër për teologji, politikë, filozofi e magjistraturë me nota të shkëlqyera. Gjithë shpenzimet për shkollimin e tij i kreu te kisha e priftërinjve. Ai ishte sekretar i Arqipeshkëvisë së Durrësit me qendër asokohe në Delmnisht të Kurbinit, ku shërbeu për njëzet vjet, duke pasur në administrim edhe kishat dhe famullitë e Kthellës, Selitës dhe Lurës. Pastaj u emërua famullitar në Durrës.

Për veprimtarinë frytshme kishtare, Papa i asaj kohe e nderoi me “Kryqin e artë”, “Për Kishë dhe Papë”. Emërohet Ipeshkv dhe niset me shpejtësi për të kryer me përkushtim detyrën e lartë ipeshkvnore. Shpejt avancon, ishte ndër të parët në organizimin e shoqërive patriotike “Vllaznia”, “Bashkimi” Durrës (1907 -1909), mjedise këto ku takoheshin intelektualët më me zë duke veçuar bashkëpunimin e ngushtë me Abdi Toptanin dhe Mustafa Merlikën, duke patur si problem primar dhe imediat – rilindjen e Shqipërisë, arsimimin dhe gjuha shqipe. Gjatë 1905 – 1907 drejtoi kryengritjen e armatosur kundër turqve në Kurbin. Pajis popullin me 500 armë, armë që u shpërndanë në Kthellë të Mirditës. Në bashkërendim me Gjin Pjetrin e Skurajve, i paraprin shpalljes së pavarësisë, duke udhëhequr me pushkë e penë kryengritjen mbarëkombëtare nga veriu në jug, në gjithë Shqipërinë etnike. Më 1908, Kaçorri mori pjesë në Kongresin e Manastirit.

Në vitin 1909 mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Elbasanit, Edhe pse i ndjekur e i përndjekur, Imzot Kaçorri nuk i shkëputi asnjëherë lidhjet me çetat kryengritëse, sidomos ato që vepronin në zonën e Kurbinit dhe në Malësitë e Kthellës, ku përfshihej edhe vendlindja e tij, Lura. Në momentin kur ishte përfshirë për një kryengritje të armatosur në gjithë Shqipërinë. Për gjyqin dhe dënimin me disa vjet burg dhe gjobë në të holla boton gazeta “Dielli”. Gazeta “Dielli” e datës 8 Nëntor 1911 shkruan:

“Me 15 të Dhjetorit u knduen në gjykatore të Durrësit letrat që paten ardh të prishuna preji temizit të Stambollit, me 17 vazhdoi gjygji përsëri porë pa lën shum me folë të ndershmin prift atdhetar, dhe pa thirr njeri si dëshmitar. E dënuan përsëri me dy vjet burg e 25 lira gjobe. Avokati mbrojtës, zoti Talib Efendiu nga Gjirokastra kërkoji të zburgosurit e Don Nikoll Kaqorrit, dhe e bâni temiz (apel) për së dyti por gjygji nuk e liroji.”

Dielli nr. 89 shkruan,

“Nga gazetat e huaja mësuam sihariqin se të ndershmit prift katolik nga Durrësi z. Don Nikoll Kaqorrit ju dha falje preji sulltanit për dënimin që kishte dhën gjykatorja ushtarake. Përgëzojm nga thelbi i zemrës të shkëlqyerin atdhetar dhe i lutemi Zotit t’i falë pas këteji shëndet dhe prehje për të mirën e atdheut.”

“Në korrik të vitit 1911 ushtria turke zuni në Shijak rrogtarin e imzot Nikoll Kaqorrit me tri manxerrë e do fishekë e letra poste, që po i qonte në Delbnisht te Arqipeshkvi i Durrësit imzot Bianki. Imzot Nikoll Kaqorri kjé qitë në gjygjin ushtarak e kjé dënue me burg e sidomos për shkak të një letre ku jepte drejtime për një kryengritje kombëtare.”

Përndjekjet, gjyqet, kërcënimet kundër tij nuk pushuen një çast, aq sa gjendjen e tij e përcollën jo vetëm gazetat shqiptare të mërgimit, si gazeta “Dielli”, por edhe gazetat e huaja si “Corriere di Trieste” apo edhe shtypi austriak me të cilin ishte i lidhur posaçërisht, edhe për shkak të njohjes së gjuhës, pse atje kishte krye studimit. Ai me një zgjuarsi të rrallë, në polemika me klerikë myslimanë dhe ortodoksë, – të cilët predikonin, të parët gjuhën arabisht dhe turqisht, të dytët greqisht, – porosiste: “Të predikojmë në gjuhën shqipe, se Zoti na ndigjon edhe shqip!”. Në Durrës gjendja e tij bëhej gjithmonë e më e vështirë: Ishte një paradoks, po ai u gjend në mes dy zjarreve, pushtetarëve otoman, që e kishin përherë nën mbikëqyrje, e në bashkëpunim me ta edhe nga dhespoti i Kishës Ortodokse, Jakovi. Popullsia myslimane e Durrësit dhe e Shijakut, edhe pse e ndërsyer kundër tij nga turqit, nuk e tradhtoi kurrë, po përkundrazi, e mbështeti, e mbrojti, shpesh herë edhe me armë.

Ishte Imzot Kaçorri ai që priti delegacionin e mërgatës, që arriti nga Trieste me datë 22 Nëntor 1912. Durrësi ishte parashikuar nga atdhetarët si qyteti ku do të bëhej Shpallja e Pavarësisë. Por trazirat dhe trupat serbe n’afrim nuk lejonin qetësi. Bashkëkohësit e përshkruajnë si një klerik jo fort paqësor: Ishte kohë kryengritjesh për liri dhe meshtari nuk i shmangej as luftës së armatosun[4]. Në nëntor të vitit 1912, si delegat i Durrësit, mori pjesë në kuvendin e Vlorës dhe firmosi dokumentin e Pavarësisë me siglën “Kaçorri”. Në mbledhjen e 41 delegatëve që kishin mbërritur në Vlorë, atdhetari Nikollë Kaçorri ngrihet e thotë:

“Në qoftë për nesër, vdesim sot, o flamur o dekë!”. Kjo ishte një postulat i lirisë dhe dinjitetit shoqëror të shqiptarisë. Këto thirrje u bënë himn për të gjithë pjesëmarrësit. Në këtë moment mund të themi se del si figurë më lart se bashkëpunëtorët e tij dhe ka plotësisht të drejtë historiani dhe studiuesi i mirëfilltë, lurasi Sali Ajazi që e ka përcaktuar si “politikan të nxehtë”, por rezultativ në momente sfide dhe kritike. “Sot, – përgjigjet me lot në sy plaku i nderuar Ismail Bej Vlora, – në mes të një gëzimi të papërshkruar shpallet pavarësia e Shqipërisë”. Dom Nikoll Kaçorri ishte në krah të plakut legjendar jo vetëm me penë e dituri, por dhe me armë në dorë. Ai u zgjodh nënkryetar i qeverisë shqiptare. Kuvendi i Vlonës, i çelun në orën 14°° të datës 28 Nandor 1912, miratoi Shpalljen e Pavarësisë. Firmë e dytë, mbas Ismail Qemalit, ishte Imzot Nikollë Kaçorri. Valëvitja e flamurit të Kastriotit atë ditë të shenjtë, siç e dëshmon një fotografi e vjetër, e paretushuar nga komunistët, u ba pikërisht nga Imazot Noli, Luigj Gurakuqi, Imzot Nikollë Kaçorri e Aqif Pashë Elbasani

Ismail Qemali vinte pas një kohë te gjatë mërgimi dhe vinte në një terren të përgatitur sigurisht nga pjesa e atdhetarëve të shquar të cilët për një ngjarje të tillë të madhe kishin bërë një punë kolosale, dhe në krye të këtyre punëve ishte Dom Nikoll Kaçorri, ku në këtë rast mund të themi pa mëdyshje se ky post i rëndësishëm iu dha edhe si një lloj shpërblimi për punën qe kishte bërë në përgatitjen e situatës se brendshme përfshirë këtu edhe atë të sigurisë, për shpalljen e Pavarësisë Kombëtare[1]. Pas rënies së kësaj qeverie, u tërhoq në Durrës. Me shpërthimin e kryengritjes së Shqipërisë së mesme me kryetar Haxhi Qamilin, i cili do t’i digjte qelën, ku banonte dhe t’i shkatërronte bibliotekën e tij personale, ndër ma të pasunat në Shqipni në atë kohë[4]. emigroi jashtë atdheut, ku vazhdoi veprimtarinë e vet politike e patriotike. Pas dështimit të Qeverisë së Ismail Qemalit imzot Nikollë Kaçorri së bashku me Mustafa Krujën, Luigj Gurakuqin, Themistokli Gërmenjin themeloi lidhjen “Për atdheun e për Thronin” për shpëtimin e atdheut nga trazirat e ndryshme antikombëtare. Me dekret të 28 janarit 1916, Franc Jozefi – perandori i Austro-Hungarisë dekoroi me Kryqin e Konturës (Kommtur Kreuz) të Urdhrit të Franc Jozefit. Pas gjithë kësaj së bashku me shumë atdhetarë të tjerë imzot Nikollë Kaçorri emigroi në Austri, ku qëndroi tri vjet në Vjenë derisa vdiq me 29 maj 1917, nga një sëmundje e pashërueshme. Ai ishte i sëmurë nga mushkëritë dhe erdhi në Vjenë për ekzaminim e mjekim, por sëmundja kishte përparuar aq shumë sa edhe mjekësia e përparuar austriake nuk kishte çfarë të bënte më tepër. Vdiq në sanatoriumin Vvürth, pasi vuajti tre-katër muaj, më 29 maj 1917. Varrimi i tij u bë më 1 qershor 1917 në Zentralfriedhof. Në varrim morën pjesë komandanti i krahinës së Tiranës, Feldmarschall Braun, kryekonsulli i Shkodrës, Rappaport, Kviatorsski, Vinter si dhe e veja e konsullit austro-hungarez në Durrës, baronesha Lovontal-Linau, si dhe shumë diplomatë të tjerë. Më 2 qershor u mbajt një meshë nderimi për të në kishën Maria Treu në Vjenë. Varri i Dom Nikollë Kaçorrit gjendet në “Central Cementery” në grupin 84, rreshtin 32, numër 19. Varri në këtë vendndodhje nuk ka asnjë shenjë guri, apo pllake, për shkak se në të gjendet aktualisht një pemë shumëvjeçare. Fakti që ai mbajti petkun e meshtarit, mbase u bë shkak që gjatë gjithë regjimit komunist portreti i tij patriotik dhe roli i tij në formimin e shtetit shqiptar u kalua mjaft tangent, duke u eklipsuar nga figura të tjera[.

Pas një ekzili të gjatë në dhe të huaj, eshtrat e këtij meshtari të lirisë e Pavarësisë, më në fund, u kthyen në atdhe, në tokën e premtuar, me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.

Të qenit e tij në gjysmëhije erdhi për shkak jo vetëm të rrobës së tij klerikale, por dhe për atë rol parësor që ai kishte në aktin e Pavarësisë, por për shkak të konjukturave të kohës, të vjetra e të reja, ky rol nuk është nxjerrë në pah aq sa duhet, pasi emir i tij nuk meriton të jetë vetëm në një shkollë të thjeshtë fshati në Lurë, por në rrugë e sheshe në Tiranë, Vlorë e kudo në shqiptari, ku pritet me dashuri e fisnikëri emir dhe vepra e paharruar e Dom Nikoll Kaçorrit.

Në kuadër të këtij përvjetori, si të lindjes ashtu edhe të vdekjes, nuk është organizuar asnjë event festiv ose përkujtimor në nder të tij nga asnjë institucion shtetëror i Republikës së Shqipërisë duke filluar që nga Kreu i Shtetit, Kryeministri, apo ministra të ndryshëm; bashkia Dibër, Durrës ose ajo e Vlorës; Akademia e Shkencës; Muzeu Kombëtar; Instituti i Historisë; apo shkolla në Lurë që mban emrin e tij. Ky gjest është një shenjë që lë akoma më në hije figurën dhe vlerat e tij në shtetformimin e vendit tonë. U bëj thirrje të gjitha instancave që lartpërmenda t’u kushtojnë pak më tepër kujdes elitës që ka ndihmuar në të mirë të vendit tonë, duke mos i harruar e injoruar në vijimësi siç është duke u bërë deri më tani, duke i kujtuar dhe i vënë në vendin e tyre të merituar. Kjo figurë është përkujtuar gjithmonë vetëm nga lurjanët ose elita e tyre, si nderi dhe krenaria e një krahine të tërë.

Gëzim LOKA