1 Maji nga dita e protestës së punëtorëve për kushte, siguri dhe 8-rësh pune, tek butaforia festive

Dita e Punës, ose Festa e Punëtorëve, që  në shumë vende të botës përkujtohet  më 1 Maj të çdo viti, synon të kujtojë angazhimin e lëvizjeve sindikale dhe vështrimin ekonomik-social të punëtorëve. Më saktësisht, ajo i referohet kujtimit të protestave të punëtorëve që synonin një të drejtë të madhe që konsistonte  në ditën e punës, 8 orë. Këto protesta çuan në nxjerrjen e një ligji që u miratua në Ilinois në SHBA. Ndërkohë, kongresi i Internacionales së parë kërkoi që ligje të ngjashme të miratohen dhe në Evropë.

Origjina e kësaj feste daton nga manifestimi i organizuar në Shtetet e Bashkuara nga Kalorësit e Punës (Knights of Labor, shoqatë e themeluar në 1869) në Nju Jork, 5 shtator 1882. Dy vjet më vonë, më 1884, një manifestim i ngjashëm i Kavalierëve të Punës miratoi një rezolutë që ngjarja të kishte bazë vjetore. Gjithashtu organizatorët sindikalistë, afër lëvizjeve socialiste dhe anarkiste, sugjeruan si datë feste: 1 Majin.

Ndërkohë, incidente të rënda ndodhën në ditët e para të majit 1886 në Çikago (SHBA) dhe që njihet si kryengritja në Haymarket në Çikago. Këto ngjarje arritën kulmin e tyre më 4 maj, kur policia qëlloi mbi demonstruesit duke shkaktuar shumë viktima. Data e 1 Majit është miratuar në Kanada në 1894 edhe pse koncepti i festës së punëtorëve këtu i referohej marshimeve të mëparshme të punëtorëve të mbajtur në Toronto dhe Otava në vitin 1872. Në Evropë 1 Maji, festa e punëtorëve është bërë zyrtare nga ana e delegatëve socialistë të kongresit të Internacionales së dytë në Paris në vitin 1889 dhe ratifikuar në Itali dy vjet më vonë.

Histori e shkurtër e Ditës së 1 Majit

Rrënjët moderne  të Ditës së 1 Majit janë në luftën për 8 orë të ditës së punës në Çikago më 1886. 1 Maji u bë ditë ndërkombëtar për të kujtuar sakrificën e tyre edhe pse shumica e njerëzve në botë dinë pak për Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, madje për shumë  prej tyre ka një supozim se kjo është një festë  e vendeve komuniste si p.sh e Kubës apo vendeve të  ish-Bashkimit Sovjetik.

Në fund të shekullit të 19-të, klasa punëtore ishte në luftë të vazhdueshme për të ulur orarin e punës.  Kushtet e punës ishin të rënda, të pasigurta, punohej nga 10-16 orë në ditë, por dhe vdekjet dhe lëndimet që shkaktoheshin në vendet e punës ishin të shpeshta. Që nga viti 1860, punëtorët kanë qenë të shqetësuar për orarin e tyre të zgjatur të punës dhe në fund të  vitit  1880 ky shqetësim mori formën e organizuar dhe qe  në gjendje të grumbullonte fuqi të mjaftueshme për të deklaruar ditën e  punës 8-orësh. Kjo proklamatë e kërkuar prej klasës punëtore nuk kishte pëlqimin e punëdhënësve.

Në  atë kohë, socializmi ishte një ide e re dhe tërheqëse për njerëzit e punës, tërhiqeshin nga ideologjia e tij për kontrollin e klasës së punës  mbi prodhimin dhe shpërndarjen e të gjitha mallrave dhe shërbimeve. Punëtorët ndërkohë  shihnin se nga kapitalizmi përfitonin vetëm bosët e tyre dhe se puna dhe jeta e punëtorëve ishte vetëm për fitim. Mijëra burra, gra dhe fëmijë  humbnin jetën pothuaj çdo vit në vendin e  punës, jetëgjatësia ishte e ulët, shpresat e pakta  dhe mjerimi ishte në rritje. Nga ana tjetër socializmi i ofronte një tjetër mundësi.

Një shumëllojshmëri organizatash socialiste ishin krijuar deri në gjysmën e dytë të shekullit të 19, duke filluar nga partitë politike. Ndërkohë në fakt, shumë socialistë u zgjodhën në zyrat qeveritare në zonat e tyre, por dhjetëra mijëra prej tyre refuzuan procesin politik, i cili u pa si asgjë më shumë se sa mbrojtje për të pasurit dhe kështu në të gjithë vendin u krijuan grupet anarkiste. Që do të thotë se mijëra njerëz që punonin përqafuan idealet e anarkizmit, që kërkonin t’i jepnin fund të gjitha strukturave hierarkike (duke përfshirë qeverinë) dhe t’i jepnin theksin punëtor  kontrollit të industrisë dhe veprimit  të drejtpërdrejtë procesit politik burokratik. Megjithëse është e pasaktë të thuhet se sindikatat e punës “u morën përsipër” nga anarkistët dhe socialistët, por në fakt nga ana tjetër anarkistët dhe socialist në atë kohë përbënin sindikatat.

Konventa Kombëtare në Çikago, e mbajtur në tetor të vitit 1884, organizuar  nga Federata e Sindikatave dhe e Punëtorëve, (më vonë  Federata Amerikane e Punës) caktoi 1 Majin e 1886-ës si datë kufi, përtej së cilës punëtorët amerikanë do të refuzonin të punonin më shumë se tetë orë në ditë, “8 orë përbënin punën e një dite juridike nga dhe pas 1 Majit 1886”.  Në muajt përpara kësaj date, mijëra punëtorë ishin përpjekur në kërkesën e tyre për shkurtimin e ditës  së punës, por vetëm pas kësaj date punëtorë  të kualifikuar dhe të pakualifikuar, të zinj dhe të bardhë, burra dhe gra, vendas dhe emigrantë, të gjithë, tashmë ishin të përfshirë.

Një vit para se të ndodhte masakra  në Haymarket, theksohej në gazetën anarkiste, Alarm, se “nëse një njeri punon më shumë se 8 orë në ditë, ose 10 orë në ditë, ai është ende një rob”. Rreth çerek milioni punëtorë në zonën e Çikagos “u përfshinë drejtpërsëdrejti në kryqëzatën”  e zbatimit të ditës së punës 8 orësh, që nuk rriti ndjenjën e një kërkese më të madhe sociale përtej fitimit të menjëhershëm të orëve të shkurtuara,  por që ishte një ndryshim drastik në strukturën ekonomike të kapitalizmit. Vetëm një shpallje e shtypur përpara 1 majit 1886, nga një botues i bënte thirrje njerëzve që punonin,  “…. sistemi i pagave është shkaku i vetëm i mjerimit botëror.

Ajo mbështetet nga klasat e pasura….”.  Më 1 maj 1886, më shumë se 300.000 punëtorë nga 13.000 biznese në të gjithë Shtetet e Bashkuara lanë punët e tyre në festimin e parë të Ditës së 1 Majit në histori. Çikago, ishte epiqendra  e kërkesë së ditës 8-orësh të punës, 40.000 punonjës dolën si fillim në grevë me anarkistët në ballë e  në sytë e publikut. Me fjalimet e tyre të zjarrta dhe ideologjinë revolucionare të veprimit të drejtpërdrejtë, anarkistët dhe anarkizmi u bënë të respektuar dhe u përqafuan nga njerëzit  e  punës. Paradat, bandat dhe dhjetëra mijëra demonstrues në rrugë ilustruan fuqinë dhe unitetin e punëtorëve, por që “ende nuk ishin të dhunshme”, siç parashikonin  gazetat e kohës dhe  autoritetet.

Punëtorët lanë punët e tyre derisa numri u rrit në gati 100.000  dhe që demonstronin paqësisht, por pas dy ditëve, më 3 maj 1886, gjendja ndryshoi  në afërsi të uzinës McCormick, gjatë një fjalimi ku rreth dyqind demonstrues u bashkuan me punonjësit e çelikut dhe ku më pas situata u përshkallëzua me hedhjen e gurëve nga ana e grevistëve dhe me të shtëna si përgjigje e policisë. Ngjarjet një ditë më vonë në sheshin Haymarket dhe hedhja e një bombe në radhët e policisë sollën ndryshimin që do të hynte në histori. Numri i policëve të vrarë ishte 7-8 dhe më shumë se gjashtëdhjetë të tjerë u plagosën. Tetë anarkistë u arrestuan dhe u dënuan me vdekje, 4 nga të cilët më 11 nëntor 1887 u ekzekutuan, njëri u vetëvra dhe  tre të tjerët u falën  më vonë, pas gjashtë vjetëve burg nga Guvernatori Altgeld.  Që nga ajo ditë 1 Maji është festë zyrtare në 66 vende dhe  festë jozyrtare e njohur në shumë më tepër vende.

Kanë kaluar mbi njëqind vjet që prej asaj dite kur Çikago me grevën e punëtorëve u bë  qendra kryesore e agjitacionit me anarkistët në ballë të lëvizjes punëtore dhe sindikatave në  kontributin më të madh në lëvizjen 8 orësh. Lëvizja e Çikagos në 1884, prodhoi gazetën e parë  të përditshme anarkiste në botë,  të Chicagoer Arbeiter-Zeitung, gazetën javore Fackel dhe botimin e së dielës, Vorbote. Në 1886, këto gazeta kishin një tirazh prej mbi 26.000 kopjesh, lexoheshin nga ana e komunitetit më të madh të klasës punëtore emigrante gjermane të qytetit së bashku me gazetat anglisht, bohem dhe skandinave. Përveç këtyre, anarkistët e Çikagos ishin aktivë në organizimin e pikniqeve, ligjëratave, valleve, bibliotekave dhe ngjarjeve të tjera për punëtorët. Këto ndihmonin  në krijimin e  lidhjeve  të forta të solidaritetit të klasës së punëtorëve.

Dita e Punës si festë publike

Data 1 Maj për Ditën Ndërkombëtare  të Punëtorëve është zgjedhur nga Internacionalja e Dytë për të përkujtuar ngjarjen në Haymarket më 4 maj 1886 në Çikago. Duke qenë në  pranverë ajo festohet si një festë kombëtare publik në shumë vende, por në vetëm disa prej këtyre vendeve ajo festohet në mënyrë specifike si “Dita e Punës” ose “Dita e Ndërkombëtar e Punëtorëve”.

Në 1904, takimi i Konferencës Ndërkombëtare Socialiste në Amsterdam u bëri thirrje “të gjitha organizatave të Partisë Social Demokratike dhe sindikatave të të gjitha vendeve për të demonstruar energjikisht në maj për krijimin ligjor të ditës  8-orësh, për kërkesat e klasës së proletariatit, dhe për paqen universale”. Kongresi e bëri atë “të detyrueshme për të gjitha organizatat proletare të të gjitha vendeve për të ndaluar punën më 1 maj, kudo që është e mundur pa lëndimin e punëtorëve”.  Në shumë vende, klasat punëtore kanë kërkuar ta bëjnë Ditën e 1 Majit festë zyrtare dhe përpjekja e tyre e  arriti këtë në një masë të madhe. Dita e 1 Majit ka qenë prej kohësh si një ditë e demonstratave për grupe të ndryshme socialiste, komuniste dhe anarkiste.

Në të gjithë globin, aktivistët e punës kërkuan  që të bënin Ditën e 1 Majit festë zyrtare në nder të punës dhe shumë vende e kanë bërë këtë. Dita e 1 Majit ka qenë një festë e rëndësishme zyrtare në vende të tilla si Republika Popullore  e  Kinës, Koreja e Veriut, Kuba dhe ish-Bashkimi Sovjetik. Bashkimi Sovjetik dhe vendet e tjera komuniste  e miratuan zyrtarisht atë në shekullin e njëzetë. Festimet zakonisht funksionin si parada të përpunuara  popullore dhe ushtarake në këto vende. Madje gjatë Luftës së Ftohtë, Dita e 1 Majit u bë rasti i paradave të mëdha ushtarake në Sheshin e Kuq në Bashkimin Sovjetik  ku merrnin pjesë udhëheqësit më të lartë të Kremlinit, sidomos të Byrosë Politike. Lenini ishte simboli i qëndrueshëm i asaj periudhe.

Por disa vende Ditën e Punës e festojnë në data të tjera të rëndësishme të tyre.  Meqenëse në fund të shekullit 19, u rritën lëvizjet e sindikatave dhe të punës  janë zgjedhur një shumëllojshmëri ditësh nga sindikalistët për të festuar ditën e punës. Në Shtetet e Bashkuara për shembull dhe Kanadaja, kjo festë është në shtator,  e quajtur Dita e Punës, e propozuar për herë të parë në vitin 1880. Në vitin  1882, ishte Mateu Maguire, një mekanik, që propozoi së pari  festën si  Dita e Punës, ai shërbente atëherë  si sekretar i Bashkimit Qendror të Punës të Nju Jorkut.

Por ka dhe argumente të tjera  se ajo është propozuar së pari nga Peter J. McGuire  nga  Federata e Punës  e Amerikës në maj të vitit 1882.  Në 1887, Oregon ishte shteti i parë i Shteteve të Bashkuara që do ta bënte Ditën e Punës një festë zyrtare publike. Deri në kohën që ajo u bë festë zyrtare federale në vitin 1894, tridhjetë  shtete të SHBA zyrtarisht festonin Ditën e Punës. Kështu  që nga 1887 në Amerikën e Veriut, Dita e Punës  është caktuar festë zyrtare në shtator.

Tragjedia në Haymarket mbahet mend në të gjithë botën nga fjalimet, muralet dhe monumentet. Respektimi amerikan i ngjarjes në Haymarket i ka kushtuar një monument në përkujtim të “dëshmorët  e Haymarket”  e ndërtuar në varrezat Waldheim në vitin 1893 dhe në vitin 1889 një statujë në Haymarket e ndërtuar për të nderuar policit e rënë, e cila pas viteve 1969 – 1970 u zhvendos në Akademinë e Policisë në Çikago.