Zyrtari shqiptar i Malit të Zi thotë se në vend vazhdon diskriminimi

Nënkryetari i parlamentit thotë se shqiptarët etnikë nuk kanë vende pune në disa zyra në dy komunat ku ata përbëjnë një pjesë të madhe të popullsisë.

Nënkryetari shqiptar i parlamentit malazez, Genci Nimanbegu, ka pohuar se shqiptarët, të cilët përbëjnë rreth 5 për qind të popullsisë së vendit, mbeten të diskriminuar në sektorin publik, duke treguar si shembull komunat e Plavës dhe Gucisë.

Zyrtari i partisë Forca Shqiptare, që është pjesë e koalicionit qeverisës të nivelit shtetëror, thotë se në disa institucione në të dyja komunat nuk ka të punësuar shqiptarë etnikë, pavarësisht se shqiptarët përbëjnë një përqindje të konsiderueshme të popullsisë vendase.

“Deri më tani, këto institucione nuk kanë ndonjë plan apo një propozim se si të përmirësojnë diskriminimin e qartë ndaj shqiptarëve në Plavë dhe Guci. Ky diskriminim duhet të eliminohet dhe ne do t’ua japim informacionet ministrave dhe drejtorëve të administratave,” tha Nimanbegu të hënën.

Nimanbegu tha se asnjë shqiptar etnik nuk ka punuar për Policinë Kufitare lokale, Gjykatën Themelore, Zyrën e Prokurorisë, Shërbimin e Punësimit, Qendrën për Punë Sociale, Administratën e Taksave, Drejtorinë e Pasurive të Patundshme, Zyrën Postare ose parkun kombëtar Prokletije.

Nimanbegu përmendi një studim të Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe të Minoriteteve nga viti 2015, i cili tha se shqiptarët etnikë përbëjnë vetëm 1.8 për qind të fuqisë punëtore në administratën shtetërore në vend, shumë më poshtë sesa përqindja e tyre në popullatë.

“Po kërkoj një marrëveshje institucionale për problemin, jo një marrëveshje që do të punësojë disa shqiptarë bazuar në një marrëveshje politike,” tha Nimanbegu.

Shqiptarët nuk janë pakica e vetme në vend që ndihen të zemëruar. Kryetari i Këshillit Kombëtar Serb, SNS, Momcilo Vukasnoviç, tha në maj se serbët gjithashtu janë të nën-përfaqësuar në administratën shtetërore. Sipas kushtetutës malazeze, pakicat kanë të drejtë në përfaqësim proporcional në shërbimet publike, autoritetet shtetërore dhe vetëqeverisjen lokale.

Por Vuksanoviç tha se kjo nuk ishte zbatuar në praktikë. “Unë nuk njoh asnjë qytetar serb që ka qenë i punësuar në një institucion shtetëror për pesë vitet e fundit pa pasur nevojë të heqë dorë nga identiteti i tij.”

Sondazhi i vitit 2015 nga Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe të Minoriteteve i kryer në 51 organe shtetërore zbuloi se pakicat në Mal të Zi mbetën shumë të nën-përfaqësuara në punësimin në sektorin publik.

Ai tregoi se malazezët etnikë përbëjnë 45 për qind të popullsisë së vendit, por kanë pak më shumë se 82 për qind të vendeve të punës në administratën publike. Serbët etnikë përbëjnë 28 për qind të popullsisë, por kanë vetëm 7.3 për qind të vendeve të punës në listën e pagave shtetërore.

Shqiptarët etnikë, që përbëjnë 5 për qind të popullsisë, zënë vetëm 1.8 për qind të punëve në sektorin publik. Boshnjakët, romët, kroatët dhe myslimanët janë pakica më të vogla, por gjithashtu kanë shifra akoma më të ulëta në punësimin në administratën shtetërore.

Ligji malazez mbi punësimin garanton barazinë e të gjithë punonjësve ndërsa ligji për nëpunësit civilë ndalon mohimin e të drejtave ose privilegjimit të njerëzve mbi baza politike, etnike, racore ose fetare.

Partitë dhe organizatat serbe dhe shqiptare vazhdimisht pretendojnë se vendet e punës në sektorin publik ende përcaktohen nga kriteret etnike dhe politike dhe se të ashtuquajturat konkurse të hapura janë të pakuptimta.

Sipas raportit të Grupit Ndërkombëtar të të Drejtave të Minoriteteve, pakicat etnike në Mal të Zi përballen me përjashtim ekonomik si rezultat i vështirësive në qasjen në punët e sektorit publik.

https://www.reporter.al/zyrtari-shqiptar-i-malit-te-zi-thote-se-ne-vend-vazhdon-diskriminimi/