Zjarr në kishën e dominikanëve në Durrës, policia po punon për gjetjen e autorit

Kishës së shën Dominikut në Durrës iu vu zjarri në të zbardhur të ditës së sotme, për arsye që nuk dihen. Janë dëmtuar dera dhe objekte të tjera, por, fatmirësisht, zjarrfikësit arritën ta shuajnë zjarrin në kohë. Në vend, kryeipeshkvi metropolit i Tiranë-Durrësit, imzot George Frendo.

R. SH. – Vatikan

Ngjarje e rëndë për bashkësinë katolike të Durrësit. Në të zbardhur të ditës është vënë re zjarri në dyert kryesore të kishës famullitare të Shën Dominikut, në zonën e Unazës së qytetit bregdetar të Shqipërisë. Siç njofton Karitasi dioqezan Tiranë-Durrës, nuk dihet as arsyeja dhe as autori i vënies së zjarrit, që është shuar menjëherë nga zjarrfikësit.

Policia po punon për gjetjen e autorit

Famullia Shën Dominikut bën pjesë në zonën baritore të Etërve Dominikanë, që veprojnë në Shqipëri prej më shumë se 20 vitesh. Policia është në kërkim të autorëve. Në komunikatën e vet, Karitasi falënderon Zotin, që nuk pati viktima dhe “punonjësit e zjarrfikësve për gatishmërinë në kohë reale”. Shpresohet “se Policia e Shtetit do të punojë për identifikimin e personave dhe të shkaqeve te ngjarjes”.

Akti mund të jetë edhe thjesht akt i izoluar e vetëm një akt vandalizmi, siç thekson në mikrofonin e dom David Gjugjës Vikari i Përgjithshëm i kryeidoqezës Tiranë-Durrës, dom Arjan Dodaj…

Në mikrofonin e dom David Gjugjës Vikari i Përgjithshëm i kryeidoqezës Tiranë-Durrës, dom Arjan Dodaj.

Në vend, kryeipeshkvi metropolit i Tiranë-Durrësit, imzot George Frendo

Menjëherë, kryeipeshkvi metropolit i Tiranë-Durrësit, imzot George Frendo, edhe ai dominikan nga Malta si bashkëvëllezërit e tij, që shërbejnë në qytetin bregdetar shqiptar, shkoi personalisht për të parë dëmet dhe për t’i ngushëlluar etërit dominikanë me praninë e tij si bari i dioqezës, si edhe për t’u shprehur solidaritetin e gjithë Konferencës Ipeshkëvnore të Shqipërisë, kryetar i së cilës është.

Kujtojmë se Durrësi është qendra më e lashtë e krishterimit në trevat shqiptare. Kisha, si tempull i Zotit, është vend ku adhurojmë Hyjin e nga dalim për të dashur të afërmin tonë.