Zhgënjimet nuk i meritojnë njerëzit e mirë, njerëzit e sinqertë, ata që lidhen shpirtërisht

Nga Kristo Kauri

Në udhëtimin e jetës, në garën e jetës, secili nga ne e kemi provuar shijen e hidhur të zhgënjimit, nga njerëz që i kemi dashur sinqerisht dhe i kemi ofruar shumë pranë rreth vetes. Kjo ndjesi e hidhur na ka prishur humorin, qetësinë dhe na ka vrarë shpirtërisht. Duhet shumë kohë që të kaloj dhe të shërohesh nga këto momente të vështira.

Sa mirë do të ishte që çdo gjë në këtë rrugëtim të ishte në vendin e duhur, të shkonte sipas dëshirave dhe pretendimeve tona. Realiteti që jetojmë është krejt ndryshe dhe ne duhet ta shikojmë siç është dhe jo si duhet dhe dëshirojmë të jetë Zhgënjimet nuk i meritojnë njerëzit e mirë, njerëzit e sinqertë, ata që lidhen shpirtërisht. Por në jetë është kjo kategori njerëzish që zhgënjehen dhe bien viktima me shumë.

Në rrugëtim bëjmë dhe gabime dhe këto nuk janë të pakta në përzgjedhjet që bëjmë. Në fund të fundit jemi rezultat i gabimeve tona, ato na pjekin dhe na formojnë me shumë. Kur vrapojmë, kur rendim, kur nxitojmë për të bërë miq dhe shok, kur nuk bëjmë kujdes, nxitimi detyrimisht do të sjellë zhgënjimin.

Kur disa herët a vonë na e dëshmojnë se jemi përzgjedhja e tyre e fundit, na ofrojnë për interesat e tyre, për dëshirat dhe qëllimtë e tyre, sigurisht që do të zhgënjehemi. Nuk mund të humbasim kohë duke shpresuar dhe pretenduar për një vend me të mirë në zëmrën e tyre. Ata e kanë bërë përzgjedhjen e tyre, prandaj duhet ta bëjmë dhe ne sa nuk është vonë. Në dorën tonë është që të mos zhgënjehemi me shumë. Nuk mund të jemi pjesë e shoqërisë se njerëzve që nuk duan të jesh me ta. Ne duhet të mendojmë seriozisht dhe të vendosim se çfarë duam dhe ke duam në këtë jetë. Kjo nuk është kaq e thjeshtë, bile është gjeja me e vështirë e rrugëtimit. Janë shumë faktorë që ndikojnë , shpirti i njeriut është një labirint i vërtetë. Përzgjedhjet tona na çojnë ose në parajsën e lumturisë ,ose në ferrin e zhgënjimit.

Në rrugëtim e sipër bëhemi me të mençur, me të fortë, fitojmë përvojë dhe ecim përpara. Është një rrugëtim i vështirë, një rrugëtim në ngjitje në “malin” e jetës. Sa me lart ngjitemi aq me shumë na shtohet fushë pamja. Kur ngjitemi shpesh duhet të ndalojmë në stacionet e jetës , të hedhim vështrimin mbrapa dhe të bëjmë bilancin e rrugëtimit, çfarë bëmë mirë dhe çfarë bëmë keq. Këto bilance veçojnë miqësitë e shtirura, dashuritë e shtirura, shoqëritë e gënjeshtërta dhe të gabuara. Evidencojnë hipokritet, xhelozët, gënjeshtarët, veçojnë ata që na joshin me fjalë të bukura, plot ëmbëlsi, ata që betohen për miqësi të pastër, ata qe na dehin dhe na verbojnë dhe na bëjnë për vete, por veçojnë dhe ata që na duan me gjithë shpirt.

Shoqja apo shoku i jetës, miku, njerëzit që dëshiron të kesh pranë janë një vetvete e dytë. Këto përzgjedhje dhe këto pretendime përcaktojnë karakterin dhe shpirtin tonë. Kolosët e mendimit filozofik, që për fatin tonë nuk janë pak, kolosët qe njohën dhe shkruan për gjuhën e shpirtit, gjuhën e trupit, ata që shkruan për marrëzitë e shpirtit, për mirësinë ,ligësinë, karakteret, virtytet… na vijnë në ndihmë që këto përzgjedhje ti bëjmë me kujdes.

Nuk mund të krijohen miqësi, dashuri të frymëzuara nga bukuria fizike. Ajo nuk është e përjetshme, një ditë ajo mbaron së bashku me miqësinë.

Nuk mund të krijohen miqësi dhe dashuri mbi bazë të admirimit, të fjalëve të bukura, të përbetimeve…, zhgënjimi është i sigurt.

Nuk mund të krijohen miqësi,dashuri të frymëzuara nga interesat materiale, të çastit, nga paraja,vilat, biznesi…. Miqësitë qe në themel kanë interesin e mbushjes se stomakut, të xhepit ,të shtëpisë , thjeshtë të vegjetimit ,nuk do të mbijetojnë dhe do të na zhgënjejnë.

“SHPIRTI e mbush trupin, SHPIRTI e mban trupin “ thoshte i madhi Ciceron.

Nuk janë njerëzit që na zhgënjejnë, le ti lemë ata të qetë , të ngrohen në diellin dhe botën që u takon. Jemi ne përgjegjësit kryesor të zhgënjimeve, janë përzgjedhjet tona të gabuara, është mentaliteti ynë, shkalla e njohjes se botës ku jetojmë dhe na rrethon…. Duhet të mësojmë me shumë në përgjithësi, të mësojmë edhe nga ata që nuk na duan, të mësojmë karakteret, botën e tyre, stilin dhe mjeshtërinë e tyre, të mësojmë aktrimin e tyre…. Vetëm kështu do të jemi me efektiv në përzgjedhje dhe zhgënjimet do të jenë me të pakta. Njeriu i mençur i duruar, i sinqertë ka privilegjin që të zgjedh mikun dhe njeriun e jetës.

Miqësia dhe dashuria duhet kërkuar,duhet gjetur atje ku është dhe ndodhet vërtetë , duhet venë në provë dhe pastaj hapën portat e zëmrës. Kjo do kohë, mund, sakrifica dhe mençuri. Nuk është nevoja të pish gjithë fuçinë me verë për të gjetur cilësinë e saj,mjafton vetëm një gllënjkë dhe kalon të fuçia tjetër.

Kur e kërkojmë miqësinë , dashurinë e vërtetë, pa u nxituar, edhe ajo lëviz drejt nesh, vetë universi na dëgjon dhe na vjen në ndihmë. Duhet të bëjmë kujdes, në gjetjen e saj nuk vendos truri, ai është prezent, analizon, mediton, gjykon…. Në gjetjen e saj nuk vendos stomaku, xhepi, interesat,nevojat….. në gjetjen e saj duhet të vendos vetëm zemra, ky vendim ka rendësi, vetëm ky vendim është i sinqertë dhe i vërtetë. Ky vendim nuk do të na zhgënjej kurrë, ose do të na zhgënjej shumë pak.