Zgjedhjet e ‘96, parashikimi për amerikanët: po vemë në diktaturë

Nga Lorenc Vangjeli

Promemoria e një liste qytetarësh të angazhuar “…Një Shqipëri diktatoriale do të shndërrohej në vatër turbullirash për krejt rajonin. Sepse diktatura në kushtet e një kapitalizmi të varfër, pa burime të mjaftueshme financiare, gjeneron trafikun e zi të armëve, të drogës apo çdo lloj trafiku tjetër të paligjshëm, gjë që tashmë i ka dhënë shenjat në Shqipëri, e cila rrezikon të bëhet kësisoj në të ardhmen një nyje e rëndësishme e kriminalitetit ndërkombëtar…”.

Dhe më tej: “…Një Shqipëri e lirë që shkon drejt Europës mund të realizohet vetëm nëpërmjet integrimit demokratik të të gjitha forcave politike ekzistuese të vendit dhe jo nëpërmjet getoizimit të tyre sipas një mentaliteti të Luftës së Ftohtë, i cili u bie ndesh proceseve integruese evropiane duke mbajtur gjallë fantazmat e së kaluarës. Ajo për të cilën shoqëria post­komuniste ka kaq shumë nevojë është paqja, mirëkuptimi dhe dialogu ndërmjet të gjitha forcave politike, dhe jo aparteidi politik…”.

Janë dy paragrafë tronditës të një letre tronditëse, shkruar në një kohë më shumë se tronditëse. Është shkruar menjëherë mbas ditëve që e rindanë edhe njëherë në dysh historinë e pluralizmit të brishtë shqiptar, tejzgjatën pa kthim tranzicionin dhe shënuan rifillimin e një kalvari të pabesueshëm vuajtjesh masive të të gjithë shqiptarëve. Që e rikthyen vendin në kohën e ankthit, depresionit, mjerimit, që shkatërruan ekonominë dhe prodhuan mijëra e mijëra drama personale në portretin dramatik të të gjithë shoqërisë shqiptare, që pësoi një nga aksidentet më të rënda historike të kohës.

Këto dy paragrafë janë shkëputur nga një Promemorie që i drejtohej faktorit ndërkombëtar menjëherë pas zgjedhjeve të vrara të 26 majit 1996. Mban datën 9 qershor 1996 dhe është një dokument që mund të gjendet në shtypin opozitar të kohës.

Kishin përfunduar zgjedhjet e 26 majit. Opozita socialiste dhe Poli i Qendrës, PAD & PSD kishin braktisur procesin e votimit dhe të numërimit. PD kishte “marrë” mbi 100 e ca vende në parlamentin me 140 deputetë. Dy ditë më pas, në 28 maj opozita demonstron në sheshin “Skënderbej”, por protesta shtypet dhunshëm dhe drejtues të saj rrihen publikisht nga forca të policisë të dala nga kontrolli dhe SHIK­u famëkeq i kohës. Dhuna ju atribuua ish­Presidentit Berisha. Situata ishte më e paqartë se, kurrë. PS, si partia më e madhe e opozitës, por që vuante trashëgiminë komuniste, ishte ende e pabesueshme në Perëndim. Me kryetarin e saj në burg dhe nën një represion të thellë nga kundërshtarët, ajo ishte e paartikuluar mirë, pa një vizion të qartë dhe përfshirë në lojëra pushteti brenda pushtetit që afronte vetë opozita.

Mendimi opozitar, në mënyrë të pabesueshme për mendësinë e sotme, ishte i përqendruar tek dy parti të vogla të opozitës, Aleanca Demokratike & PSD si dhe një grusht gazetarësh të pavarur dhe artistë, shkrimtarë, piktorë, përkthyes. Vetëm më pak se një vit më pas, me rrëzimin e piramidave financiare, vendi u rrëzua. Arkitektura shtetërore u shkërmoq dhe pushteti i kaloi anarkisë. Një marrëveshje shumë e diskutuar e marsit 1997 i hapi rrugën zgjedhjeve të parakohshme, por ishte shumë vonë për një zgjidhje politike. U hapën depot ushtarake, u krijuan banda të kriminelëve, u shënuan mijëra të vrarë dhe me pasoja edhe sot, u rrënua ekonomia, u larguan shumica e investitorëve të huaj. Të gjitha proceset integruese të vendit u stopuan. Dhe mbi të gjitha, pasojat psikologjike dhe kulturore janë ende sot shumë të pranishme në të gjithë jetën e vendit.

Askush nuk është ndëshkuar penalisht apo dhe moralisht për këtë dramë që prodhoi etja për pushtet dhe mungesa e kulturës së dialogut politik në vend. Në qershor 1997 PS erdhi në pushtet në krye të një koalicioni të gjerë politik. Një vit më pas, vendi përfshihet nga akuzat për keqqeverisje e korrupsion dhe në shtator, me armët e 97­ës, tanket kinezë të ish­miqësisë me Kinën e largët, funerali i Azem Hajdarit, vrarë në atentat, u shndërruan në një grusht të mirëfilltë shteti. 1997, por dhe 1998 është çmimi pafund i lartë që Shqipëria ka paguar, fatkeqësisht, pa mësuar asgjë!

Krimi i organizuar u bë realitet dominues në Shqipëri. Më shumë se me kallashnikov në rrugët e vendit, ai binte në sy me kostum e kravatë në politikën arkaike e parapolitike që drejtonte në  Tiranë segmente të rëndësishëm të pozitave dhe të opozitave të radhës. Në 1999 drejtimin e vendit e morri dyshja Majko­Meta, dy të rinj që nuk kishin të bënin me trashëgiminë e komunizmit të partisë së tyre dhe kishin qenë aktivë në rrëzimin e sistemit. Ai vit ishte dhjetë minutëshi i lavdisë në histori i një kombi të vogël, që u rreshtua në krah të Aleancës më të madhe politike e ushtarake të botës, NATO­s, në luftën e Kosovës.

Duke ju rikthyer dhe njëherë paralajmërimit të bërë në Promemorien e 25 qytetarëve të angazhuar shqiptarë. Ajo kishte disa bashkautorë; ishte formuluar më së shumti nga Fatos Lubonja e Bashkim Shehu, Edi Rama e Ardian Klosi, Fron Nazi e të tjerë që dhanë mendime, ide apo dhe shtuan e refuzuan ndonjë të tillë, letra është një parashikim ogurzi se çfarë do të ndodhte me Shqipërinë mbas zgjedhjeve të manipuluara të 26 majit. Fatkeqësisht, realiteti që projektohej në të ardhme nga fantazia politike e nënshkruesve të Promemories, ishte madje shumë më rozë në krahasim me tragjedinë kombëtare që pasoi në vitin 97’.

Promemoria është firmosur nga vetëm 25 vetë dhe marrja e firmave atëherë ishte një kalvar i vërtetë, që dëshmon kohën tërësisht atipike që jetonte vendi që po rrëshqiste nën diktaturën e një partie të vetme të ardhur në pushtet me flamurin e luftës kundër diktaturës dhe po rifutej nën pushtetin e anarkisë. Edhe pse në momentin e parë mendohej se lista do të ishte e pafundme, njëlloj siç mendohej se ishin kundërshtarët racionalë e logjikë të ish­Presidentit Berisha, më e shumtë ishte frika që frymëzonte regjimi që bënte që firmëtarët potencialë të stepeshin. Dhe që ishin në atë kohë, pothuaj të gjithë, klientët e barit të famshëm të gazetarëve “Bar Ëest”, apo siç njihej më shumë me emrin e pronarit, Fidelit.

Është interesante të shihet fati personal i të gjithë personave që firmosën promemorien. Njëri nga ta, Edi Rama është kryeministër i vendit dhe Kryetar i PS­së. Ben Blushi, deputet socialist dhe kritiku më i ashpër dhe i vetëm në PS, i Kryeministrit Rama. Fatos Lubonja, Andi Bejtja e Armand Shkullaku, kritikë të paepur të Kryeministrit Rama, Ardian Klosi, vdekur, Daut Gumeni, Virgjil Muçi, Ilirian Zhupa, diplomatë, Mirela Furxhi, ministre kulture, Petrit Ruka, i papunë prej më shumë se, dhjetë vjetësh, Bashkim Shehu, në profesionin e tij si shkrimtar, jeton jashtë Shqipërisë, në Spanjë, Fatos Baxhaku, Lorenc Vangjeli, gazetar, Delina Fico, Brikena Çabej, Pëllumb Xhufi, Gjergj Peçi, Vladimir Myrtezai, Artan Imami, Arben Kumbaro, Luan Rama, Vjollca Mici, në aktivitetet e tyre vetjake, në profesionet që kanë pasur Fron Nazi, në SHBA, Jorgo Bulo, vdekur.

PROMEMORIE

Drejtuar: Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, Bashkimit Europian, Përfaqësive diplomatike të vendeve anëtare të Këshillit të Europës

Për dijeni:Organizatave joqeveritare kombëtare dhe ndërkombëtare ;Opinionit demokratik shqiptar dhe botëror

Nga: Një grup shkrimtarësh, shkencëtarësh, artistësh, gazetarësh, përkthyesish, botuesish, të pavarur nga partitë politike.

Duke qenë se institucionet e demokracisë në Shqipëri janë në gjendje kolapsi, në kushtet kur, me zgjedhjet 26 Majit 1996 për Parlamentin e Republikës së Shqipërisë, vota e lirë e sovranit u grabit e u dhunua dhe nuk ekziston një parlament me legjitimitet demokratik; në këto kushte kur, në sajë të grabitjes dhe dhunimit të votës së lirë në vend të sistemit shumëpartiak, kemi praktikisht një parlament kukull, me një parti të vetme; dhe kur dialogu ndërmjet kësaj partie , përkatësisht Presidentit të Republikës, nga njëra anë dhe gjithë partive të tjera, brutalisht të diskriminuara e të demonizuara nga ana tjetër, kanë ngrirë në gjendje paralize nga e cila vështirë të ketë rrugëdalje; ndërsa shteti ligjor tashmë u shndërrua në fiksion dhe qytetari është krejt i pambrojtur përballë pushtetit policor, përderisa edhe persona me imunitet parlamentar janë rrahur në mënyrën më të egër nga policia, madje edhe para kamerave të kanaleve televizive nga mbarë bota; ne, nënshkruesit e kësaj promemorie, u drejtojmë këtë apel qeverive të shteteve demokratike të Botës së Lirë, organizmave të saj ndërkombëtarë, si dhe opinionit demokratik shqiptar e botëror, për t’iu tërhequr vëmendje mbi pasojat e pritshme e të kobshme të kësaj gjendje dhe t’iu bëjmë thirrje të angazhohen seriozisht me ndikimin e tyre që kjo gjendje të ndryshojë. Në sytë e opinionit shqiptar dhe atij ndërkombëtar duket qartë që, mbas farsës elektorale të 26 Majit, Shqipëria është në hapat e para të rivendosjes së një diktature. Ato pak liri që kanë mbetur nga sa u fitua me përpjekje të mëdha nga populli shqiptar mbas përmbysjes së totalitarizmit komunist, dhe që na e bëjnë ende të mundur shprehjen e këtij apeli, nesër do të zhduken.

Nesër do të jetë vonë. Nesër, përballë një pushteti arbitrar që nuk është i përgjegjshëm para asnjë instance, para asnjë ligji, dhe përballë shërbëtorëve të babëzitur dhe të pamoralshëm të këtij pushteti, siguria e çdo personi do të jetë e kërcënuar. Frikërat e vjetra ndaj pushtetit tashmë janë ringjallur e po përhapen kudo. Liria më elementare e çdo qytetari, siç është liria e fjalës, qysh sot gjendjet e kërcënuar ndërsa nesër do të jetë pa aq e papërfytyrueshme për ne sa edhe në epokën e errët nga e cila mezi u shkëputëm. Përballë rivendosjes së një diktature të tillë në zemër të Europës, Bota e Lirë nuk duhet të tregohet edhe një herë e papërgjegjshme siç u tregua ndaj asaj situate të ish-Jugosllavisë që çoi në tragjedinë e miliona njerëzve.

Por, pasojat e gjendjes së tanishme shqiptare, nëse ajo nuk ndryshon, mesa duket, nuk mbarojnë me kaq. Një Shqipëri diktatoriale do të shndërrohej në vatër turbullirash për krejt rajonin. Sepse diktatura në kushtet e një kapitalizmi të varfër, pa burime të mjaftueshme financiare, gjeneron trafikun e zi të armëve, të drogës apo çdo lloj trafiku tjetër të paligjshëm, gjë që tashmë i ka dhënë shenjat në Shqipëri, e cila rrezikon të bëhet kësisoj në të ardhmen një nyje e rëndësishme e kriminalitetit ndërkombëtar, ashtu si të tjera diktatura në Amerikën Latine. Këtë do ta favorizonte veçanërisht pozicioni i saj gjeografik dhe konfiguracioni orografik. Për më tepër, shtohen gjasat që Shqipëria të shndërrohet në një vatër turbullirash dhe në një plagë të rëndë që do ta molepste rajonin, po të kemi parasysh që një pushtet i pakufizuar i Presidentit Berisha, jashtë çdo kontrolli demokratik, ashtu sikurse po i shkel të gjitha standardet e pranuara të OSBE­së dhe premtimet e dhëna për t’iu përmbajtur atyre, nuk ka pse të mos i shkelë edhe premtimet e tij me dy fytyra lidhur me politikën ndërkombëtare dhe rajonale. Ashtu sikurse për hir të pushtetit personal ai po flijon të drejtat dhe liritë e shtetasve të Republikës së Shqipërisë, nesër, për të njëjtat motive mund të luajë edhe më keq me fatet e shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve. Bota e Lirë nuk duhet të tregohet miope ose të shtiret si naive as për këto rreziqe me përmasa të pakontrollueshme.

Gjithashtu, qarqet politike të Botës së Lirë nuk duhet të mashtrojnë veten duke e përligjur autoritarizmin e Berishës me rrezikun e kthimit të komunizmit në Shqipëri. Bastioni i fundit i komunizmit në Shqipëri është vetë pushteti personal i Presidentit Berisha. Një Shqipëri e lirë që shkon drejt Europës mund të realizohet vetëm nëpërmjet integrimit demokratik të të gjitha forcave politike ekzistuese të vendit dhe jo nëpërmjet getoizimit të tyre sipas një mentaliteti të Luftës së Ftohtë, i cili u bie ndesh proceseve integruese evropiane duke mbajtur gjallë fantazmat e së kaluarës. Ajo për të cilën shoqëria post­komuniste ka kaq shumë nevojë është paqja, mirëkuptimi dhe dialogu ndërmjet të gjitha forcave politike, dhe jo aparteidi politik; është toleranca dhe respektimi i ndërsjellë, jo revanshi e diskriminimi. Demokracinë, ose ta bëjmë të gjithë së bashku, duke pasur secili hapësirën e nevojshme të diversitetit dhe duke kultivuar së bashku këtë diversitet, ose përndryshe kurrë nuk do të mund të bëhet. Kjo aspiratë mbarëpopullore nuk duhet të bjerë pre as e dhunës dhe as e mashtrimeve të një pushteti autoritarist. Përndryshe, kjo do të jetë fatkeqësia jonë e përbashkët dhe barrë turpi në ndërgjegjen e secilit, që ka mundësi të bëjë diçka për të ndihmuar që demokracia e re shqiptare të çlirohet nga kthetrat e së kaluarës.

Tiranë, 9 qershor 1996

Lista e plotë e firmëtarëve

Andi Bejtja, shkrimtar dhe publicist

Arben Kumbaro drejtor teatri, profesor në Akademinë e Arteve

Dr. Ardian Klosi shkrimtar, profesor në Universitetin e Mynihut, editor

Armand Shkullaku, publicist

Artan Imami, aktor

Bashkim Shehu shkrimtar, ish i dënuar politik

Ben Blushi, shkrimtar dhe gazetar

Brikena Çabej, përkthyese dhe editore

Delina Fico, aktiviste e të drejtave të grave

Daut Gumeni poet, ish i burgosur politik

Edi Rama piktor, publicist, profesor në Akademinë e Arteve

Fatos Baxhaku, historian dhe gazetar

Fatos Lubonja, shkrimtar, editor, ish i burgosur politik

Fron Nazi, shkrimtar

Gjergj Peçi, poet, ish i burgosur politik

Ilirjan Zhupa, poet, publicist dhe editor

As. Prof. Jorgo Bulo, historian i letërsisë

Lorenc Vangjeli shkrimtar dhe gazetar

Luan Rama, prodhues filmash

Mirela Furxhi, lektore në Universitetin e Tiranës, përkthyese

Petrit Ruka, shkrimtar

As. Prof. Pëllumb Xhufi, historian

Vladimir Myrtezai piktor, profesor në Akademinë e Arteve

Virgjil Muçi, shkrimtar dhe përkthyes

Vjollca Mici, përkthyese