Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Matthew Palmer: “Konflikti i ngrirë” Kosovë – Serbi, paraqet rrezik

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Matthew Palmer, u bëri thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të mos e humbin “mundësinë historike” për të arritur një marrëveshje nga e cila “të dyja palët do të dilnin fituese”.

“Nëse dikush është fitues dhe tjetri humbës, atëherë askush nuk fiton”, tha zoti Palmer në Beograd gjatë punimeve të Forumit të Sigurisë, me temën “Fuqizimi i vendeve të Ballkanit”, citojnë mediet në Beograd.

Zoti Palmer tha se Shtetet e Bashkuara nuk janë duke përcaktuar ndonjë rezultat të caktuar të bisedimeve.

“Ne po inkurajojmë palët të gjejnë rrugën përpara si dhe një zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme të cilën do ta pranonin dyja palët”, tha ai.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të dëgjojnë dhe ndihmojnë, por nuk mund të flasë për ndonjë hollësi lidhur me një ndryshim të mundshëm të kufirit, pasi nuk është paraqitur asnjë plan i tillë. Për Shtetet e Bashkuara, tha ai, është i kuptueshëm shqetësimi për mundësinë që ndryshimi i kufijve të nxisë krizë në vendet tjera të rajonit, mirëpo, konflikti i pazgjidhur dhe i ngrirë “po ashtu rrezikon qëndrueshmërinë e rajonit”.

Zoti Palmer, i cili u takua edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se vendi i tij e mbështetë themelimin e ushtrisë së Kosovës. “Ky është një kalim që kërkon kohë dhe ne po punojmë me kujdes me partnerët tanë në Prishtinë që ta mbështesim atë dhe të sigurohemi se kjo do të ndodhë në një atë mënyrë që të ndihmojë rajonit dhe qëndrueshmërisë së tij”, citohet të ketë thënë ai.

Beogradi reagoi me zemërim pasi që një ditë më parë parlamenti i Kosovës miratoi në parim tri projektligje që i hapin rrugë ndryshimit të mandatit të Forcës së Sigurisë dhe shndërrimit të saj në ushtri.

Presidenti serb, tha të premten se shpreson që Shtetet e Bashkuara do të kuptojnë qëndrimin e Serbisë se “formimi i ushtrisë së Kosovës mund të rrezikojë paqen e qëndrueshmërinë dhe mund të çojë në pasoja tragjike”.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve që është kusht për integrimin e të dyja palëve në Bashkimin Evropian.

VOA