Zëri i Kjara Pepushaj “përkund” në Kelmend “Djep kreshnikesh”

Nga Albert Vataj

Muzika shqiptare, në përgjithësi, ajo në malësore në veçanti, sa vjen dhe pasurohet me emra dhe zëra, me forca të reja përtëritëse të atij repertori që u ndez nga vibrimi i melodive të lahutës, gjëmoi nga tërbimi i tupanave, rrebeshi nga ritmi i çiftelive, e pikoi me zërin prej qielli të fyellit.  Muzika, kjo shprehi shpirti gufoi në flakën e barutit dhe vetëtiu në gjëmimin e zemrave malësore, për t’i kënduar; gëzimeve dhe hidhërimeve, trimave që dhanë jetën për liri, bukurisë dhe traditës, vlerave dhe virtyteve. Kënga lindi dhe jetoi me njerëzit, shpalosi pasurinë shpirtërore dhe ngriti urat e larta të komunikimit ndërmjet brezave. Pa këngën malësore; melodinë e saj, ngjyrën dhe ritmin, pastërtinë dhe përshkueshmërinë, ndjeshmërinë dhe grishjen, ne ndahemi me të shkuarën, na mbeten peng amanetet, na shuhet zjarri në vatër e na fiket gjaku në deje. E trashëguam atë dhe do ta pasojmë brezave si në visar i çmuar i asaj pasurie që na jep emrin malësor. Ky amanet, ky premtim, kjo thirrje e gjakut dhe e jehonave, kjo gurgullimë bjeshkësh e ai tufan zemëratash dimri, ajo krenari trimërie e ai zë i lartë kushtrimi, ajo urtësi e kulluar dhe ai pasion i ndezur në gjak, ka thirrur vajzën malësore, Kjara Pepushaj, t’i këndojë Kelmendit dhe Malësisë, ti këndojë trimave dhe bukurisë, t’i këndojë vendorigjinës dhe zemrës që ndjen ajo.

“Djep kreshnikesh”, e cila ka pak kohë që është lançuar nga TV Blue Sky në YouTube dhe në kaq pak ajo ka mundur të rrëmbejë interesimin dhe të marrë vlerësime maksimale nga dëgjuesit e shumtë që e kanë ndjekur dhe e klikojnë për ta dëgjuar dhe për ta parë këtë interpretim të Kjara Pepushaj.

“DJEP KRESHNIKESH” është një shkrëndi e dritës dhe flakërim e asaj pasurie shpirtërore që vjen nëpërmjet një vikali të fuqishëm, një interpretimi virtuoz nga Kjara Pepushaj, bijë e malësisë, vazhdim i traditës dhe manifestim i asaj dashurie që i këndohet vendit të origjinës, vendit të kreshnikëve, vendit të trimave dhe urtësisë, vendit të historive të lavdishme për liri, dinjitet dhe atdhetarizëm.  Kjara Pepushaj, vajza e Vera dhe Sokol Pepushaj, promovohet me këtë këngë, si një zë premtues i varganit të gjatë të këngëtarëve, instrumentistëve dhe muzikantëve të talentuar që nxori kjo trevë. Kjara Pepushaj është një zë i ri dhe një ngulm fillues në botën e madhe të muzikës shqiptare, kësaj tradite e cila ka pranuar në gjirin e saj rryma të ndryshme dhe risi artistike. Por duhet theksuar se kënga shqiptare, kënga e traditës dhe e asaj pasurie shpirtërore prej edhe nga e ka origjinën muzika jonë, është ajo e cila duhet mbështetur dhe promovuar, si një ruajtëse dhe promovuese e atyre vlerave, pa të cilët nuk mund të kuptohet identiteti ynë krijues.

Kjara Pepushaj me “Djep kreshnikesh” fillon rrugën e saj të këngës dhe i bashkëngjitet një sfide e cila sa vjen dhe bëhet edhe më e ashpër, e një ballafaqimi, që sa vjen dhe vë në provë energjinë shpirtërore me të cilën përfaqësohet në këtë ndeshje. Vajza e re malësore, Kjara Pepushaj, i bashkohet zërave dhe personaliteteve të shumë të këngës, për të dëshmuar jo vetëm pasionin e saj për muzikën, por edhe egon artistike dhe ambicien për të pretenduar një vend të privilegjuar në panteonin e këngës. Ndoshta është ende herët për të parathënë cakun që ajo pretendon se do të arrijë, por një fillim i mbarë është premtues për këngëtaren e talentuar, Kjara Pepushaj. Suksesi me “Djep kreshnikesh” është nxitës i fuqishëm për të vazhduar dhe besuar në ëndrrën e saj të këngës.