Zëri i Amerikës: Shqipëri, parlamenti voton në favor të ndryshimeve kushtetuese

Në Shqipëri, parlamenti votoi sot në favor të ndryshimeve kushtetuese të cilat prekin elementë të rëndësishëm të procesit zgjedhor, duke hapur listat dhe duke shmangur organizimin e koalicioneve parazgjedhore në mënyrën se si ato kanë funksionuar deri tani. Nisma u votua nga 106 deputetë. Kryeministri Edi Rama deklaroi sërish se ky është një vendim sovran i parlamentit, të cilin nuk ka pse ta ndajë me ambasadorët e huaj në Tiranë. Opozita jashtëparlamentare e ka kundërshtuar me forcë dhe sot deklaroi se ky akt i njëanshëm nuk është i detyrueshëm për të dhe as për qytetarët. Ndërsa Komisioni europian u shpreh i keqardhur që nuk ju dha kohë mundësisë për gjetjen e konsensusit mes palëve

Nisma për ndryshimet kushtetuese u nxit nga përfaqësuesit e opozitës parlamentare të cilët e kthyen çështjen e listave të hapura në një kalë të betejës së tyre në sallën e parlamentit. Të gjendur në mënyrë të përsëritur nën akuzë se thyen vendimin e partive të tyre mëma për bojkot, ata e cilësuan vendimin e sotëm si një fitore tyren

Ne që na nënqeshën, ne të cilëve nuk lanë gjë pa na thënë në çdo studio, erdhëm në një seancë të 30 korrikut të 2020-ës, mund të na shajnë dhe 6 muaj të tjerë, por do të mbahet mend që u hoqëm nga fyti shqiptarëve, lakun e kapove të partive dhe shqiptarët do të kenë të drejtën e tyre të ndëshkojnë me votë në kutinë e votimit në 2021, çdo klloun, çdo hajdut tenderash, çdo njeri që ka abuzuar me pushtetin”, deklaroi Myslym Murrizi, kryetar i grupit demokrat.

Partia socialiste e mbështeti idenë e listave të hapura papritur, vetëm pak javë më parë duke këmbëngulur më pas më forcë në mbrojtje të saj. Duke folur sot në sallën e parlamentit, kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk po preket sistemi zgjedhor, dhe se ndryshimet kushtetutese lënë hapësirë për një hapje të plotë të listave.

Megjithatë ai e ndërtoi fjalën e tij më tepër si një përgjigje ndaj trysnisë së vazhdueshme të parterëve ndërkombëtarë, për një konsensus dhe me opozitën jashtëparlamentare. Për kryeministrin Rama, ky ishte një vendim i një parlamenti dhe një qeverie sovrane. “Miqtë dhe partnerët tanë duhet ta dëgjojnë mirë se ky është vendim i parlamentit të Republikës së Shqipërisë dhe i takon shtetit shqiptar të vendosë përmes parlamentit të vet, se çfarë bën me sistemin zgjedhor. Nuk është një zgjedhje që kemi detyrimin ta ndajmë as me ambasadoren amerikane, as me ambasadorin e Bashkimit europian, dhe me askënd tjetër, duke i respektuar ata maksimalisht”, deklaroi zoti Rama.

Në reagimin pas votimit të sotëm zëdhënësja e Komisionit europian Ana Pisonero, në një status në Twitter u shpreh se “ndërsa Komisioni njeh miratimin e këtyre ndryshimeve kushtetuese, është për të ardhur keq që nuk ju dha më shumë kohë fazës përgatitore për të gjetur konsensusin mes palëve në Këshillin politik”.

Ajo shpjegoi më tej se “me miratimin e Marrëveshjes së 5 qershorit u përmbush kushti I vendosur për hapjen e bisedimeve”, dhe se tani, “ndërhyrjet e tjera në Kodin zgjedhor që do duhet të reflektojnë ndryshimet kushtetuese, në vecanti listat e hapura dhe roli i koalicioneve parazgjedhore, të diskutohen në mënyrën e duhur me të gjithë aktorët politikë në Këshillin Politik, në frymë bashkëpunuese dhe gjithëpërfshirëse përpara se të votohen”.

Opozita jashtëparlamentare i ka kundërshtuar haptazi ndryshimet kushtetuese, duke i cilësuar ato si një ndërhyrje të njëanshme. Javën e shkuar, partitë kryesore të opozitës, u deklaruan në favor të hapjes së listave 100 përqind, por mos prekjen e mënyrës së organizimit të koalicioneve.

Sipas zotit Rama, me ndryshimet kushtetuese, koalicionet nuk mund të organizohen në formën që kanë qenë deri më tani, por nuk ndalohen. “Ne nuk po heqim të drejtën për t’u bashkuar Luli me Monën. Ne nuk kemi asnjë interes për të ndërhyrë te ai çift. Ai çift ne na duhet bashkë. Dhe duke patur Lulin me Monën bashkë, kemi dhe Baba Xhiken bashkë, kemi dhe atë dixhitalin e Lalzit. Dhe e kemi gati bandën e të katërve që do t’ua tregojmë shqiptarëve mirë”, u shpreh zoti Rama.

Pas votimit të parlamentit drejtuesit e opozitës së Bashkuar reaguan duke folur për makinacione të kryeministrit në përpjekje për të ndalur rotacionin politik. “Ndryshimet e njëanshme pa konsensus me opozitën dhe në shkelje të marrëveshjes së 5 qershorit dhe 14 janarit janë të papranueshme, nuk janë të detyrueshme për Opozitën, dhe aq më pak për qytetarët. Akti i sotëm nuk e ndal dot ndryshimin, ai thjesht tregoi para shqiptarëve dhe partnerëve tanë edhe njëherë fytyrën e autokratit të tmerruar nga ndëshkimi që e pret. Makinacionet e kryeministrit në ikje, që ka frikë të përballet me qytetarët, nuk kanë për ta ndalur rotacionin politik. Ndryshimi është i pashmangshëm”, deklaroi kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ndërsa në krah kishte aleatët e tij.

Edhe presidenti Ilir Meta e konsideroi vendiin e sotëm të parlamentit një akt “antikushtetues dhe të papranueshëm”, i cili sipas tij “hodhi përsëri në erë mirëbesimin ndërmjet palëve, paqen sociale në vend dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë”.