Zef Çoba: Këndimi koral, integritet me vlera universale e ndërkulturore

Nga Prof. Zef Çoba

Në tërësi arti muzikor, e në veçanti arti i këndimit koral si produkt kolektiv i realizuar krejtësisht nga trupi njerëzor, mbart mundësi të jashtëzakonshme me karakter social kulturor, për të luajtur një rol pozitiv në proceset që kalon shoqëria e jonë.
Sfida në shoqërinë e kohës së sotme mban vetëm një emër: integritet. Integritet me vlerat universale, me vetveten, me mjedisin (natyrë), integritet për partneritet me të afërmit e në tërësi në jetën shoqërore. Integritet me epokat historike të shoqërisë sonë njerëzore, integritet ndërkulturor, nder-rajonal, integritet global etj. E kush më mirë se këndimi në kor ushqen njeriun me ligjet universale, me anë të ritmit e të intonacionit bashkon e vëllazëron njerëzimin, me forcën e përmbajtjes së tingujve muzikorë e të fjalës poetike e me ligjet e artit të tingujve, ushqen e pasuron botën e ndjenjave paqësore e të harmonisë? Modeli i eksperiencës njerëzore i këndimit koral në sfidën e integritetit, është një potencial e mundësi për lartësimin e vlerave shoqërore e përparim kulturor. Edukimi muzikor e në veçanti këndimi koral, është një terapi me vlera të larta hyjnore, që jep mundësi të jashtëzakonshme për një jetë të shëndetshme shoqërore, për pastrimin e kurimin e rrezikut të sëmundjeve që mund të mbartë një ambient shoqëror i mpleksur. Me vlerat e larta të dijes së shkollës globale dhe me botën vizionare që ushqen arti i këndimit koral shumë shekullor, shoqëria jonë mund të arrijë më shpejt, më mirë dhe e ekuilibruar, të dalë mbi pasiguritë e tensionet e periudhës së tranzicionit.
Vite ma parë, kur mu paraqit një kërkesë për të përgatitur një studim në lidhje me problemet e muzikës në periudhën e tranzicionit (në Shqipëri), në krye të fletës së bardhë shënova fjalët “Tranzicion = me kalimin nga një sistem shoqëror në një sistem tjetër, duke i ruajtur vlerat”, e pastaj vazhdova shtjellimin e mendimit në lidhje me problematikën. Përsëri, në këtë kontekst mendoj se do të ishte me vend që fjala “tranzicion” të përligjë kuptimin konstruktiv të vetë qëllimit të procesit. Me pak fjalë, përveç funksionit zbavitës, ky është misioni i Artit të Këndimit Koral në funksion të zhvillimit të vlerave njerëzore, në rastin konkret në rajonin tonë ballkanik.
Cili është realiteti apo statusi sot?
Lëvizja e këndimit koral aplikohet kryesisht në shkolla me profil artistik muzikor, në disa shkolla të formimit të përgjithshëm, në disa Qendra Kulture për Fëmijë e për të rritur dhe në disa Institucione të Kultit Fetar. Në disa Qendra Urbane me tradita muzikore janë ngritur Shoqata Kulturore Artistike me profil koral. Pothuajse në të gjitha trevat, ka një trashëgimi folklorike apo këngësh popullore që këndohet në grup.
Shtrohen disa pyetje: (1) Cila është cilësia dhe cili është niveli artistik i këtyre grupeve vokale? (2) Sa e kryen funksionin që shënova më sipër kjo lëvizje e këndimit në kor? (3) Çfarë bëhet për ta inkurajuar e ngritur cilësisht atë?
Në qoftë se këndimi në kor nuk realizohet si duhet si eksperiencë e rëndësishme komunikimi, ka rrezik të marrë karakter formal dhe të dështojë. Për ta ngritur në standarde më të mira që të mund t’i shërbejë më mirë shoqërisë për edukimin artistik e estetik, jam i mendimit se pesë janë faktorët kryesor që duhen vlerësuar:
1. Të ngrihet cilësia e punës për edukimin dhe përdorimin e drejtë të zërit, në këndimin koral.
2. Përmbajtja artistike e estetike e repertorit të bëhet me pjekuri, profesionalizëm, e mesazhe të qarta vizionare social kulturore.
3. Të organizohen e të zhvillohen sa më shumë aktivitete lokale, kombëtare e ndërkombëtare, për stimulimin e punës me korin dhe ngritjen e nivelit artistik të këndimit koral. Në këtë kuadër në faza të ndryshme përgatitore, të zhvillohen laboratorë me karakter teorik e praktik.
4. Të reagojmë, të vëmë në lëvizje e të sensibilizojmë strukturat e rëndësishme të institucioneve tona përgjegjëse për kulturën, artin e edukimin, që të kenë politika të veçanta për Këndimin Koral. Të përkrahin e të shpallin projekte në këtë drejtim.
5. Të ndërtojmë një dialog me forumet e institucionet e rëndësishme kulturore e artistike europiane e më gjerë.
Komunikimi me publikun Më rastis ndonjëherë në takime të lira kur bisedoj me njerëz të thjeshtë, të dëgjoj të thonë për artin e këndimit koral: “Bukur, bukur, por nuk e marrim vesh, sepse nuk jemi profesionistë”. Unë i them: “po arti është për ju, ne profesionistët jemi për të bërë atë”. Me keqardhje mendoj se konstatimi që thashë më sipër i shprehur nga opinioni, tregon se në ato raste, arti nuk e ka kryer misionin e vet si gjuhë e shpirtit, pavarësisht nga mjeti që artisti ka përdorur për të komunikuar me publikun. Ngandonjëherë, gabimisht gjykohet formimi i publikut, ndaj të cilit si misionarë ne jemi gjithnjë të detyruar. Eksperienca njerëzore na vjen e madhe me përvoja pune e literaturë, repertor të pasur, e plot fryte. Kudo njerëz të qytetëruar që janë rritur me edukatë, kulturë e art, bukuritë e botës së tyre shpirtërore e mendore, i shfaqin me sjelljet e me veprat e tyre. Shkëmbimet kulturore artistike me ansamble vokale ndërmjet vendeve tona, krijojnë një tjetër dimension të rëndësishëm për integrimin.
*Pedagog në Universitetin e Arteve Tiranë