Zef Bushati: Shqiptarët janë europianë dhe vetëm europianë!

Shqipëria është shtet që ndodhet në Juglindje të Kontinentit Europian. Kohët e fundit po bëhen përpjekje të reja që Shqipërinë ta rikthejnë në kohët e shkuara. Sajesa e fundit e zonjës Merkel në gjeopolitikë quhet “Ballkani Perëndimor”. Në këtë sajesë Merkel përpiqet të grupojë: Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Kosovën dhe Shqipërinë. Shteti i parë që deklaroi se nuk i përket vendeve të gadishullit Ballkanik është Sllovenia, më pas as Hungaria, Polonia, Çekia e Sllovakia nuk i quajtën shtetet e tyre ballkanike por deklaruan se janë shtete europiane.

Grekët asnjëherë nuk e kanë quajtur veten ballkanas por Europiane. Rrugën e Europës e ndoqën edhe Kroatët. Pse? Natyrisht që motivet e këtyre shteteve e kanë një element të rëndësishëm dhe të përbashkët: Europa, kontinenti Europian, BE-së. Drejt BE-së udhëtuan edhe Rumunët, Bullgarët e Bosnja Hercegovina. Shprehja gjeografike “Ballkan” nuk përmblidhte me kuptimin e një grupi shtetesh në gadishullin Ballkanik. Kjo pjesë e Kontinentit Europian filloi të quhej Europa jug lindore, që natyrshëm i bashkohej Europës Perëndimore dhe Lindore. Papritur nga Kancelaria Merkel u dëgjua një emërtesë e re e quajtur “Ballkani Perëndimor”.

Çfarë interesi gjeopolitik ka Merkel nga kjo sajesë? Për realizimin e interesave të saj politike, Merkel filloi të “përkëdhelë” Ramën dhe Vuçiç duke i konsideruar si dy liderët që do integrojnë në BE-në “Ballkanin Perendimor”. Por Shqipëria me kohë i kishte ngjitur dy shkallët e para drejt BE-së dhe i kishte mbetur vetëm shkalla e tretë për të marrë statusin e vendit anëtar në BE. Po kështu edhe Serbia e Maqedonia. Shqipëria me kohë ishte antarësuar në NATO. Këtë rrugë kishte nisur edhe Mali i Zi. Të gjitha këto veprime u kryen pa qenë pjesë e “Ballkanit Perëndimor”. Natyrshëm ka lindur pyetja: Pse duhet një grupim shtetesh brenda BE-së me emrin “Ballkani Perëndimor”? Çfarë i sjell BE-ja ky grupim?

Shqiptarët dolën në protesta për të rrëzuar sistemin komunist me thirrjen: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Askush nuk thërriti e duam si i gjithë Ballkani. Shqiptarët ja kishin pirë me kohë lëngut Ballkanit dhe e duan Shqipërinë si Europa. Shqiptarët janë europiane dhe vetëm europiane. Integrimi i shqiptarëve në Europë nuk kalon nëpërmjet Ballkanit e aq më pak nëpërmjet “Ballkanit Perëndimor”.

Cila është e mira e parë që shqiptarët po përfitojnë nga ideja e Merkel për një “Ballkan Perëndimor”? Vendimi për kufizimin e lëvizjes pa viza i shteteve të “Ballkanit Perëndimor”. Kjo nuk duhet të ndodhë. Shqiptarët janë europiane e aspak ballkanas. Këtë shqiptarët e kanë të gdhendur në historinë e lashtë europiane me gjuhën e tyre dhe kontributin e pamohueshëm si “Europianë Perëndimorë”.