Zef Bushati: Bashkimi i njerëzve të ndershëm dhe intelektualë, nxjerr Shqipërinë nga kriza

Politika shqiptare, është pa një alternativë të re qeverisëse. Në këtë kaos informativ, ku politikanët e dy forcave kryesore PS-ja dhe PD-ja po akuzojnë reciprokisht njëri-tjetrin, ka lindur natyrshëm pyetja: politika shqiptare, a ka një alternativë tjetër që të udhëheqë qytetarët e dëshpëruar, të varfër e të zhgënjyer, drejt zgjedhjeve të reja dhe një zgjidhjeje të re qeverisëse? Kësaj pyetje menjëherë i përgjigjen politikanët dhe militantët socialistë, duke nxituar të thonë se vendi e ka qeverinë, e cila ka dalë nga zgjedhjet e fundit parlamentare me votën e qytetarëve dhe që i dhanë PS-së “timonin” me 74 deputetë në parlament për të qeverisur e për ta ndarë të vetëm “tepsinë” e pushtetit. Por nga ana tjetër, politikanët dhe militantët e PD-së e akuzojnë PS-në se fitoi zgjedhjet nga që bleu votat e qytetarëve me paratë e pista të korrupsionit dhe kontrabandës së drogës si dhe nga lidhjet e tyre me bandat e krimit të organizuar. Menjëherë kundërpërgjigjen politikanët socialistë duke akuzuar politikanët e PD-së për korrupsion dhe pagesa miliona dollarë të pa deklaruar për lobingje në SHBA. Akuza e kundërakuza.

Ndërsa policët italianë dhe grekë vijojnë të ndalojnë në territoret e tyre tonelata kanabis të ardhura nga Shqipëria që përkthehen në miliona euro dhe që askush nuk interesohet se në xhep të kujt përfundojnë. Policia Shqiptare nuk arrin të ndalojë kanabisin por sidoqoftë arreston zyrtarë të vegjël për korrupsion. Përballë kësaj situate politikanët e PD-së, të akuzuar nga politikanët e PS-së, që mbartin mëkate nga periudha 8-vjeçare në ish-qeverisjen e vendit, nuk i kanë kapacitetet morale t’i përgjigjen me forcë akuzave të faktuara. Në këtë kaos akuzash, shpesh herë propagandistike dhe mediative, përfshihen gjyqtarë, prokurorë, policë, zyrtarë, politikanë, gazetarë, kryebashkiakë,..dhe së bashku me bëmat e tyre, turullosin e rrumpallosin mendjet e qytetarëve të Shqipërisë, të cilët nëpër kafene pyesin të shqetësuar njëri-tjetrin, nëse ka ndonjë alternativë të re politike që mund ta shpëtojë vendin nga kjo situatë kaotike që ka hyrë? Kur ndonjëri përmend LSI-në, ndesh menjëherë reagimin e ashpër kundërshtues të shokëve të tavolinës së kafesë. Dikush, duke shpresuar tek “veza” e Kolombit, përmend ndonjë parti të vogël. Por si përgjigje i vjen një jooooo e zgjatur në infinit. Atëherë çfarë do bëhet? Si do dalë vendi nga kjo situatë e vështirë që po kalon e mbarsur me kanabis, kontrabandë droge, korrupsion e kriminalitet ? Këtyre pyetjeve i vjen në ndihmë zëri i një babaxhani që thotë se: “nuk duhet të mërziteni, mbasi Amerika do i zgjidhë problemet tona”. “Po si more psikopat, se na çmende”-i ulerët një nevrik-“do vinë amerikanët në parlament, në qeveri, në prokurori, në mjekësi, në bujqësi, në shtëpi, në tepsi, ….do marrin timonin!!!??”. Një zë i ftohtë ndërhyn nga qoshja e lokalit: “nuk ka ore,..jo more jo, nuk ka një alternativë të re politike, mbajeni me shëndet këtë qeveri që e keni votuar, se vetë e votuat, se unë për vete nuk kam votuar asnjëherë”. Indiferenti nihilist me zë të ftohtë, e zhyti në mendime tavolinën e lokalit. “Ku ta gjesh sot një zgjidhje? Nuk ka asnjë bir k*** ti japi një përgjigje këtyre pyetjeve të vështira”,-shpërtheu nevriku dhe u largua nga mejhana. …Kështu nisin e përfundojnë çdo ditë, nga mëngjesi e deri në darkë bisedat dhe debatet e kafeneve, të gjitha mbyllen pa shpresë. Shpresa është plagosur rëndë. Rruga e shkurtër është largimi nga Shqipëria për një jetë më të mirë. Por kjo nuk është zgjidhje. Zgjidhjen nuk e gjen injoranca, injoranca është armiku më i madh i qyteterimit, emancipimit. Zgjidhjen e gjejnë intelektualët, njerëzit e shkolluar, të ditur, të kulturuar, të qyteruar, të emancipuar, elita e qytetit dhe e shtetit. Heshtja, indiferenca e elitës intelektuale është një krim i rëndë që kjo elitë bën kundër popullit të vet. Kjo elitë intelektuale duhet sa më shpejt të dalë mbi interesat meskine dhe të bashkohet me konkluzionin se kjo situatë e vështirë kërkon një alternative të re, që nuk lind nëpër kafene, në facebook, nëpër TV, nëpër gazeta, por nëpërmjet “Bashkimit të Njerëzve të Ndershëm”, të elitareve të ndershëm intelektuale të vendit, në tryeza e salla, ku diskutohet, debatohet, ku evidentohen edhe liderët e rinj politikë dhe ku gjenden zgjidhjet e reja për nxjerrjen e Shqipërisë nga kriza.