Zbardhen propozimet e PS-së: Partitë të mos bëjnë reklama politike kundrejt pagesës 3 muajt e fundit para datës së zgjedhjeve

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, PS propozon censurë financiare ndaj medias

Reforma zgjedhore nuk do të ndryshojë sistemin zgjedhor në Shqipëri, por do të ndërhyjë në çështjet kryesore të fushatës elektorale dhe zhvillimit të zgjedhjeve. Është ky vlerësimi i socialistëve të cilët ka hartuar draftin e amendimeve të Kodit Zgjedhor të bërë nga ekspertët e Partisë Socialiste, të cilët kanë ecur përpara pa opozitën e cila ka bojkotuar jo vetëm komisionin, por edhe punimet e Kuvendit në tërësi që prej nisjes së sesionit të ri parlamentar. Në draftin e socialistëve nuk gjendet e përkthyer as kërkesa e vetë PS-së për votimin e emigrantëve. Burime pranë selisë rozë shpjeguan se ky draft është vetëm detyrimi që Shqipëria ka ndaj organizatave ku është partnere, dhe reflekton ato që ODIHR kërkon e po ashtu ato që Komisioni Evropian ka rekomanduar. Të njëjtat burime thonë se PS i ka gati edhe variantet për çështjet që janë në diskutim në tryezë me PD, por nuk mund t’i parashtrojë ato pa konsensusin e opozitës. Në fakt i gjithë dokumenti që të miratohet kërkon konsensusin e opozitës, sepse propozimet për ndryshimin e Kodit Zgjedhor kërkon 84 vota në parlament, pra domosdoshëmrisht duhet kërkuar edhe kontributi i opozitës, e cila deri tani nuk është shprehur dhe ka bojkotuar komisionin e reformës zgjedhore.

Fushata në media

Partia Socialiste, një lloj si Partia Demokratike një vit më parë, propozon ndryshime në Kodin Zgjedhor për të penguar median të transmetojnë reklama të partive apo të enteve shtetërore. Në draftin e socialistëve për reformën zgjedhore, propozohet që partitë të mos bëjnë reklama politike kundrejt pagesës 3 muajt e fundit para datës së zgjedhjeve. Po kështu edhe institucioneve shtetërore dhe enteve publike nuk u lejohen gjatë kësaj periudhe të transmetojnë reklama të paguara apo financuara prej tyre. Kjo tentativë për të dëmtuar financiarisht median nuk është e para. Në paktin politik të 18 majit, Rama dhe Basha ranë dakord të detyrojnë mediat të transmetojnë pa pagesë reklamat e partive. Asokohe kjo u sanksionua në ligjin për financimin e partive politike, ndërsa kësaj radhe, socialistët kërkojnë që kjo të vendoset në Kodin Zgjedhor, një dokument më i lartë shtetëror. Kufizime parashikohen edhe për shpenzimet në fushatë, ku shuma e shpenzuar nga një parti politike, përfshirë kandidatët e saj, nuk duhet të jetë m,ë e madhe se 2 fishi i parave që  subjekti zgjedhor ka marrë nga fondet publike për ato zgjedhje. Për afishimin materialet zgjedhore propagandistike, kryetari i Bashkisë vendos hapësira të caktuara për të gjithë, ndërsa lejohet thyerja e këtij rregulli vetëm në një largësi prej deri 5 metrash nga zyrat elektorale. Shkelja e këtyre rregullave dënohet me gjoba të rënda.

Propozimet e PS-së

Partia Socialiste po ashtu kërkon depolitizimin e tre niveleve të administratës zgjedhore. Në draft bie në sy zgjedhja jo më nga partitë, por me short e anëtarëve të të KZAZ-së, Komisionit të Qendrës së Votimit dhe anëtarëve të Grupeve të Numërimit të Votave. Në dokumentin e socialistëve vihet re një revolucion në numrin e trupës së administrimit zgjedhor dhe në mënyrën se si do të përzgjidhen njerëzit që do të përbëjnë KZAZ, KQV dhe grupet e numërimit. Nga 8 anëtarë që Komisioni Zonal i Administrimit Zgjedhor ka aktualisht, kodi i ri propozon të jenë vetëm 4. Nga 7 anëtarë që ka aktualisht Komisioni i Qendrave të Votimit, kodi i ri parashikon 3 anëtarë. Pra nga 38254 persona që administronin zgjedhjet në qershorin e vitit 2017, do të jenë 16 446 persona. Risia tjetër është se kjo trupë nuk do të zgjidhet më nga partitë politike por nga individë që do të trajnohen nga KQZ dhe do të marrin titullin administrator zgjedhor, duke e depolitizuar kështu administratën zgjedhore. Kryetari do të jetë anëtari më i vjetër në moshë dhe sekretari, personi i dytë më i vjetër në moshe. Ndryshim kanë pësuar edhe grupet e numërimit të cilat nga 4 anëtarë do të reduktohet në 2 anëtarë. Për sa i përket shitblerjes së votës, kodi i ri parashikon vetëm një deklaratë të firmosur nga kryetari i Partisë që merr pjesë në zgjedhje ku zotohet solemnisht të nuk do të përfshihet në një veprim të tillë. Sa për financimin e partive politike, kodi ndalon financimin me para në dorë për një subjekt më shumë se 30 mijë lek të reja nga 100 mijë që ishte më parë. Njëkohësisht një tjetër masë e re është se partitë nuk do të lejohen të marrin fonde nga persona juridikë apo kompanitë të cilat kanë përfituar koncesione apo PPP në 3 vitet përpara zgjedhjeve. Po ashtu personat juridikë dhe kompanitë që financojnë një subjekt politik do të ndalohen të marrin koncesione dhe PPP me më shumë se 10 milionë lek për 3 vite pas zgjedhjeve. Megjithatë për të ndaluar abuzimet, kodi ndalon që një subjekt zgjedhor të shpenzojë gjatë fushatës më shumë para se sa 2 fishi i shumës më të madhe që KQZ akordon për një parti politike. Për të denoncuar shkeljet me financimet e partive, KQZ do të krijojë edhe një portal online gjatë periudhës së zgjedhjeve. Në lidhje me monitorimin e fushatës zgjedhore, televizioneve do të vijojë t’i serviren materiale të gatshme nga partitë politike për në edicionet informative por do të ndalohen reklamat politike me pagesë deri në 3 muaj përpara fillimit të fushatës zgjedhore. Ndërkohë që nga përvoja e fushatës së vitit 2017, do të ndalohen edhe materialet propagandistike si postera flamuj etj, jashtë ambienteve të përcaktuara nga Bashkia dhe do të lejohen vetëm në distancë deri në 5 metër larg zyrave elektorale. Barazia gjinore është theksuar ndjeshëm në kodin e ri duke detyruar partitë të kenë në listën e tyre një në 3 emrat e njëpasnjëshëm përfaqësëues të secilës gjini. Për këshillat bashkiakë, ky raport do të jetë një në 2 emra, pra 50%. Raporti i përfaqësimit tre gjinive do të shtrihet nga partitë politike deri në trupën e administrimit zgejdhor, KQZ, KZAZ dhe KQV.

Ndërprerja e mandateve

Dispozita e zëvendësimit të mandatit të ndërprerë të deputetit do të ndryshojë në favor të përfaqësimit të gjinive. Nëse një deputet largohet para kohe nga detyra, ai zëvendësohet nga e njëjta gjini në listën shumëemërore të caktuar nga subjekti zgjedhor dhe nëse kjo listë nuk ka më përfaqësues të së njëjtës gjini me deputetin e larguar, atëherë të drejtën për të marrë mandatin e ka një përfaqësues i së njëjtës gjini të partisë së dytë të koalicionit.

Neni 90/3

Portali për denoncime në lidhje me financimet

  1. KQZ-ja krijon dhe mirëmban për periudhën 3 muaj para datës së zgjedhjeve deri në gjashtë muaj pas datës së zgjedhjeve portalin në internet, me akses të lirë, për të denoncuar prej kujtdo shkeljet e mundshme të këtij Kodi nga subjektet zgjedhore dhe kandidatët në lidhje me financimin e fushatës.
  2. Kriteret dhe procedurat e hollësishme për funksionimin dhe mirëmbajtjen e portalit, procedurat e hetimit administrativ dhe afatet e tij, si dhe konkluzionet qe duhet të arrihen në përfundim të tij përcaktohen me vendim të KQZ-së.”

 

Neni 48

Neni 173 ndryshohet si vijon:

“Neni 173 Sanksione në lidhje me financimin e fushatës

  1. Shkelja e dispozitave për financimin e fushatës zgjedhore nga personi përgjegjës i financës së një partie politike dënohet me një gjobë nga 100 000 deri 200 000 lekë.
  2. Pengimi ose mosbashkëpunimi i subjektit zgjedhor me audituesin e KQZ-së dënohet me një gjobë nga 2 000 000 deri 3 000 000 lekë, si dhe me pezullim të financimit publik të partisë politike për deri në 5 vjet.
  3. Mosparaqitja e një raporti financiar për fushatën brenda afatit ligjor dënohet me një gjobë prej 2 000 000 lekë. Paraqitja e raporteve në shkelje të formateve të standardizuara të miratuara nga KQZ-ja dënohet me gjobë prej 500 000 deri 1 000 000 lekë.
  4. Fondet jopublike të përftuara nga një parti politike, identiteti i dhuruesit të të cilave nuk dihet ose nuk përcaktohet qartësisht, transferohen në llogarinë e KQZ-së. Moskalimi çon në konfiskimin e fondeve të marra dhe në një gjobë të barabartë me shumën e fondeve të marra.
  5. Pranimi i fondeve private më vlerë më të madhe se 30 mijë lekë dhe kur transaksioni nuk është bërë përmes llogarive bankare dënohet me një gjobë të barabartë me shumën e dhuruar dhe në kalimin e fondeve të marra për llogari të KQZ-së