“Zani i Malësisë”: Lamtumirë koleg i çmuar, Esat Ymeri!

Lajmi për ndarjen nga jeta të kolegut Esat Ymeri erdhi në redaksinë e gazetës, “Zani i Malësisë” nëpërmjet të birit, i cili njoftonte se babai i tij, pas një sëmundje të rëndë, ndërroi jetë. Gazeta “Zani i Malësisë” i gjindet pranë në këto momente të vështira, familjes dhe njerëzve të shtrenjtë të mikut dhe kolegut Esat Ymerit, i cili u shua duke lënë pas dhimbje dhe trishtim por dhe dritën e shpirtit të njeriut të mirë. Ikja e tij është një humbje e madhe për fjalën e lirë, për profesionin vetmohues të gazetarit, por edhe për të gjithë admiruesit e shumtë, të cilët e kanë ndjekur për vite e vite me radhë në punën dhe pasionin e tij.

Esat Ymeri ishte nga ata që dha një kontribut të çmuar në vlerësimin dhe atributet që barti në vetvete gazetaria. Ai ishte një ndër intelektualët e Malësisë së Madhe, të cilët në vitin 1995 themeluan gazetën “Malësia”.  Angazhimi i Esat Ymerit si kryeredaktori i parë i gazetës “Malësia”, botuesi i së cilës ishte z. Mark Luma dhe redaktor Vasel Gilaj, është një faqe e vlerësuar në historinë e shtypit të shkruar shqiptar. Esat Ymeri, si koleg dhe si njeri ishte dhe do të mbetet i pashlyer në kujtesën e të gjithë atyre që e njohën, punuan dhe kontribuan në një skalion me të.

Stafi i gazetës “Malësia”, sot “Zani i Malsisë” shpreh ngushëllime të sinqerta familjes dhe të afërmve, kolegëve dhe bashkëmalësorëve për këtë humbje të madhe që do të lënë një boshllëk të parikuperueshëm. Sepse i tillë ishte ai, e tillë ishte vlera e angazhimit dhe përpjekjeve të tij në pasurimin e fjalës së lirë.

Ikje të tilla, mbeten të trishta dhe pikëlluese, sepse njerëzorja e kolegut Esat Ymeri ka ngritur ura komunikimi, ka ndërtuar botë dëshirimesh, duke i dhënë vlerave dhe humanitetit dimensionet e solemnitetit. Dhe vjen një ditë që vdekja të ndan përdhunshëm me atë, me të cilin të lidhin momentetet e bukra dhe plot peripeci të profesionit të gazetarit në kohë dhe vende të vështira. Ishte pasioni ajo shkëndi që ndezi zjarrin e atyre vullneteve të triumfit të fjalës dhe dijes, komunikimit dhe bashkimit të aspitratave dhe kauzës.

Ndarja nga jeta e kolegut Esat Ymeri është një humbje e madhe për familjen, e cila ndahet nga njeriu i tyre i dashur dhe i shtrenjtë. Po kaq e trishtë kjo humbje është për kolegët dhe miqtë, të cilëve do t’u mungojë ai, të cilin e përfaqësoi përkushtimi dhe mirësia, devocioni dhe ndershmëria, kontributi dhe humanizmi. Ai iku, por la tek familjarët dhe të afërmit, kolegët dhe miqtë ato kujtime, të cilat do të rrojnë gjatë, aq sa do të jetë jetëgjatë edhe emri dhe kontributi i tij.

Vdekja të mori miku ynë, Esat Ymeri, por ajo mundi të marrë vetëm trupin tënd të drobitur nga sëmundja, duke mos mundur të marrë atë shpirtë të pasur, ato kujtime të bukura që do të na mbajnë gjithnjë të lidhur me ty.

Lamtumirë koleg i çmuar, Esat Ymeri!