Zadrimorët, të fundit që përjetuan terrorin e togerit komunist, Hodo Habibi

Koçi Xoxe e zhvendosi të ngarkuarin për nënshtrimin e krahinave komuniste, Hodo Habibi, nga Mirdita në Zadrimë, për shkak të dëshmive për terrorin e tij në krahinën e Mirditës. Mirëpo, asgjë nuk ndryshoi. Siç tregohet në librin “Krimet e komunizmit; një histori e plotë për Mirditën” të Tanush Kasos, botim i ISKK, pjesë nga i cili u botuan para disa ditësh te gazeta Panorama, toger Baba nisi pa humbur kohë të terrorizonte edhe popullsinë e Zadrimës, siç kishte bërë në Mirditë. Në këtë libër, përshkruhen krimet e tij deri në dënimin që vendosi shteti për njeriun që i kishte dhënë vetë dorë të lirë të vepronte si të donte me krahinat e Mirditës dhe Zadrimës.

MASAT E KOÇI XOXES NDAJ HODO HABIBIT

Masa e vetme që mori ministri i Punëve të Brendshme për bëmat e Hodo Habibit, ishte transferimi i tij nga Mirdita në rrethin e Lezhës. Sapo u vendos në katundin Hajmel të Zadrimës, Toger Baba filloi zakonin e tij të vjetër. Ai mendoi se do ta kishte më të lehtë sesa në Mirditë, që të fuste në dorë zadrimoret e bukura. Por, ndofta nuk e dinte se shumë banorë të atyre fshatrave të Lezhës, ishin shpërngulur shumë vjet më parë nga Mirdita dhe i ruanin mirëfilli zakonet e tyre.

Ai zgjodhi si vendqëndrim të tij, shtëpinë e Kol Simonit, një fshatar tridhjetëvjeçar, i cili nuk ishte përzierë kurrë në çështje politike. Por, ai kishte një motër të bukur, njëzetvjeçare, së cilës ia vuri syrin kafsha me emrin Hodo Habibi. Për të arritur lehtësisht qëllimin e tij, Togeri akuzoi vëllanë e saj, se gjoja kishte pas strehuar të arratisurit.

E arrestoi atë dhe e mbajti të lidhur këmbë e duar në një dhomë të shtëpisë, duke ushtruar tortura mbi atë njeri krejtësisht të pafajshëm. Mbas dy ditësh e dy netësh dhune fizike e presionesh mbi Kolën, Toger Hodua arrestoi edhe të motrën e tij, Luçien, së cilës i propozoi që të kalonte disa netë me të. Por, ajo nuk pranoi; edhe kur ai deshi ta përdhunonte, ajo reagoi fuqishëm. Nisi një kacafytje midis tyre. U gërvishtën e u gjakosën nga fytyra. U shqyen dhe u grisën edhe rrobat që ajo kishte veshur. Por, 20-vjeçarja që luftonte për jetë a vdekje, i përmblodhi të gjitha forcat e saj dhe mundi të shkëputet nga thonjtë e asaj bishe të egër. Doli me vrap nga shtëpia dhe mundi të strehohet te të afërmit e saj, në pritje të zbardhjes së dritës, për t’u nisur drejt qytetit të Shkodrës.

TUK JAKOVA, SHPËTIMTARI I GRAVE NGA TOGER BABA

Toger Baba, i tërbuar nga zemërimi, urdhëroi katundin që ta dorëzonte Luçien brenda dy orëve, përndryshe do të pushkatonte vëllanë e saj. Katundi nuk e dorëzoi atë vajzë trime, e cila herët në agim, ashtu siç ishte, e rreckosur dhe e gjakosur, u nis për në Shkodër, ku kishin disa miq familjarë, ndër të cilët edhe Tuk Jakovën, asokohe funksionar i Partisë Komuniste. Toger Hodua nisi Kolë Simonin me ushtarët e tij gjoja për në burgun e Lezhës, po i porositi ata që ta vrisnin rrugës, me justifikimin sikur kishte dashur të arratisej. Dhe ashtu u bë. Fshatari i ndershëm dhe i patëkeq, Kolë Simoni, u pushkatua në të dalë të fshatit Hajmel, vetëm për tekat e Hodos.

Ndërkohë, Luçia, me të arritur në Shkodër, shkoi te shtëpia e Tuk Jakovës dhe ia tregoi me hollësi ngjarjen. Ai i dha një letër për t’ia dorëzuar Koçi Xoxes dhe ia pagoi paratë e udhëtimit deri në Tiranë. Koçi, me autoritetin e ministrit të Punëve të Brendshme, urdhëroi organet e hetuesisë dhe ato gjyqësore që ta ndiqnin pa vonesë këtë çështje.

Ato organe kishin në sirtarët e tyre edhe disa raporte të tjera të ardhura nga Mirdita dhe Lezha, nga persona të ndryshëm që ankoheshin për sjelljet mizore të togerit Hodo Habibi. Por, deri atëherë, ato sjellje kishin mbetur pa përgjigje. Tani ishte koha të hapeshin të gjitha përpara trupit gjykues. Mbasi u vërtetua plotësisht çështja, Gjykata e Shkodrës shkoi në vendin e ngjarjes, në Hajmel të Lezhës. Atje, në prani të popullit të mbledhur nga të gjitha katundet, u gjykua i pandehuri Hodo Habibi nga Kuçi i Kurveleshit dhe u dënua me vdekje e varje në litar.

Ndëshkimi shembullor i “Toger Babës” u bë më së shumti për të gënjyer popullin, sikur gjoja ai kishte vepruar me kokën e tij dhe pa dijeninë e partisë, gjë që askush nuk mund ta besonte po edhe mbas vdekjes së tij, dhuna dhe masakrat komuniste në Mirditë vazhduan si më parë. Ato do të kulmonin në gushtin e vitit 1949, mbas vrasjes së sekretarit të partisë dhe deputetit të Mirditës, Bardhok Biba.

Marrë nga libri i Tanush Kasos, “Krimet e komunizmit; një histori e plotë për Mirditën”, botim i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK)