Ylli Polovina: Pse e duan kaq shumë shqiptarët Amerikën

Cikël në tre pjesë, shkrimi i parë
Në maj 2011, në një konferencë ndërkombëtare me temë emigracionin shqiptar në vendet perëndimore, edhe pse pjesëmarrësit e ftuar qenë nga bota akademike, pra të mësuar për të debatuar pa u grindur, gjithaq u fundosën në një sherr të papritur. Gjatë tre ditëve të kuvendit shkencor kishin rënë dakord apo nuk qenë pajtuar për shumë pikëpamje profesionale, gjithsecili duke ruajtur qetësisht opinionin e vet, por zënka shpërtheu për një tezë politike.

Një çast dy dijetarë të huaj kritikuan ndikimin e madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në institucionet shqiptare, duke e vlerësuar atë si të pa drejtë, rëndues dhe autoritar. Kjo mjaftoi që prej dy kolegëve nga Tirana të pësonin reagime të menjëhershme kundërshtuese.

Në fillim studiuesit e huaj u hutuan, ngritën supet dhe panë në sy njeri-tjetrin, madje më i moshuari nga tronditja mezi mbushej me frymë, por në pushimin e parë pas përplasjes së nxehtë njëri prej tyre pranoi se mund ta kishte shmangur shprehjen e opinionit të tij personal për rolin e SHBA-së.

Sapo i qe kujtuar porosia e dhënë prej një miku: shqiptarëve mos u kritiko amerikanët.

Ylli Bufi me librin e tij “Në fillimet e tranzicionit”

Një bashkëkontinental apo çdokush prej viseve të tjera të botës së madhe mund fare mirë këtë karakteristikë tonën ta argumentojë dhe madje justifikojë me përmasat e vogla territoriale, ekonomike, ushtarake dhe demografike si edhe pozicionin gadishullor mjaft të kërcënuar historikisht, “në gojë të ujkut”, për rrjedhojë shqiptarëve u duhet të mbështeten në një fuqi të madhe. Sepse kështu, thotë biografia jonë nacionale, ata kanë vepruar në gjysmën e dytë të shekullin e shkuar me sovjetikët dhe kinezët, më parë me Perandorinë Romake, Bizantine dhe Osmane.

Sigurisht këto kanë qenë dhe janë vërtetuar si kompromise të detyruara nga nevoja e ekzistencës, prandaj edhe këto “miqësi” siç kanë ardhur kanë ikur, janë shthuritur e prishur.

Por nuk ka ngjarë e njëjta gjë me raportet e shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ato nuk janë lëkundur prej ndryshimeve të rendit botëror dhe vrapimit të kohës. Janë të vazhduara dhe koherente, mbijetuese në të gjitha sistemet politike që kemi kaluar si shtet e komb. Duket si cilësi e lindur, një lloj adn-je.
Me pak fjalë për shumicën e bashkëkombësve tanë kjo mendësi adhurimi për popullin dhe shtetin e madh të përtej oqeanit Atlantik është një karakteristikë e vërtetë, e natyrshme dhe e sinqertë, nuk është sendërtuar prej një besimi të verbër, nga ndonjë fanatizëm apo ideologjizi, përfshi edhe vetë kapitalizmin.

Për pasojë nuk është sipërfaqe. çfarë do të prodhonte kult të SHBA apo të drejtë që të quhen me vend ironitë pa të keq se jemi “Shtetet e Bashkuara të Shqipërisë” apo shteti i pesëdhjetë e një i Amerikës.

Po bëjmë një përpjekje për ta provuar këtë pikëpamje.

Ylli Bufi, kryeministri ynë që ishte në krye të ekzekutivit shqiptar në fillim të kalimit nga diktatura në shoqëri të hapur (vjeshtë 1991), ka botuar motin e shkuar librin “Në fillimet e tranzicionit”, i cili për arsye të seriozitetit të tij dhe korektesës shembullore historike, përbën një burim të sigurt informacioni për këtë periudhë.

Referuar këtij botimi, pasi në 24 nëntor 1991 ai përfundoi një vizitë një javore në SHBA dhe ende nuk qe rikthyer në Tiranë, i ndodhi ngjarja e mëposhtme: “…një funksionar i Departamentit të Shtetit më dha një dosje me raporte të hartuara nga Agjencia e Informacionit të Shteteve të Bashkuara, USIA, lidhur me anketimet që ajo kishte zhvilluar në Shqipëri gjatë vitit 1991”.

Shënojmë se ky qe viti kufitar mes gjysmëshekullit stalinist dhe shoqërisë pluraliste dhe në të mund të gjeje, si në një laborator të vërtetë, të gjitha shenjat e lëna prej diktaturës, tërë shtypjen e saj politike, gjithë platformën teorike dhe praktike që përdori, çdo fragment të planeve dhe zbatimeve të saj autotarkike në ekonomi dhe në çdo fushë tjetër.

Në vitin 1991 po ashtu mund ta regjistroje në “gjendje të pastër” tërë procesin e shplarjes së trurit që enverizmi pati kryer në një popull të mbajtur krejtësisht të mbyllur dhe të trajtuar si kavje ideologjike. Për ta dëshmuar këtë, nga që koha e shqiptarëve ato çaste rendte me shpejtësi kozmike, moti 1992 qe tepër vonë. Në rast se pesëdhjetë vite trysni antiamerikane do të kishin dhënë një minimum rezultati ky, 1991, ishte çasti i provës së madhe.

Nga pesha e rëndë dhe dinakëria e trushëlarjes bolshevike edhe sot, në 2017, kanë mbetur të mundimshme për t’u hequr qafe shumë gjymtime të kryera para nëntëdhjetës. Veç kjo nuk ndodhi me lidhjen shpirtërore të shqiptarëve me SHBA.

Shkruan në librin e tij Ylli Bufi: “Në vitin 1991 USIA kreu në Shqipëri dy studime, përmes anketimeve”. Më tej: “Anketimi i parë u krye në periudhën 13 prill deri më 14 maj 1991. U zgjodh një model përfaqësues qytetar të anketuarish, në të gjithë vendin, prej 1181 personash, nga 18 vjeç e sipër”.

Ndërsa rezultatet dëshmonin që shumica e shqiptarëve shprehnin besimin për KSBE dhe KE, pra Perëndimin e kontinentit amë, Evropës, por edhe kishte mjaft skeptikë ndaj NATO-s (vetëm 2 në dhjetë shprehnin besim tek ajo), SHBA merrnin vlerësime shumë të larta. Ishte e anasjella e NATO-s: tetë në dhjetë shqiptarë qenë në favor të simpatisë për Shtetet e Bashkuara.

Anketimi i dytë i USIA u bë në periudhën 26 shtator deri në 15 tetor 1991. Njëri prej konkluzioneve të tij qe se nëntë në dhjetë shqiptarë shprehnin opinion të favorshëm për SHBA, por kishte një rënie të lehtë tek kontigjenti i “shumë të favorshmëve”. Gjithsesi gjysma e të anketuarve qenë fuqimisht proamerikanë. Për shkak të kësaj dhe numrit të lartë të simpatizantëve të Shteteve të Bashkuara, ndërkohë që në qeverisje ishte kabineti pluralist Bufi, qe rritur dukshëm përmasa e mbështetësve të NATO-s: 62 për qind.

Uashington, 28 qershor 1949
Rikthehemi në një kapërcyell tjetër testimi të këtyre marrëdhënieve: pas Lufta e Dytë Botërore dhe kur në Shqipëri pushteti komunist po shtrinte krahë e këmbë në çdo pore të vendit.

Më 28 qershor 1949, ish-ambasadori francez në Tiranë, në periudhën gusht 1946-dhjetor 1948, Gi Anri Viktor Menan (Guy Henri Victor Menant), ishte në Uashington për disa ditë. Qe në udhëtimin e tij për në postin e ri në Panama.

Zëvendësdrejtori i Zyrës së Çështjeve Evropiane në Departamentin Amerikan të Shtetit Luelin Tompson, pohon se qenë ata që e kishin ftuar ambasadorin për një takim dhe prej kësaj bisede ai hartoi një raport për eprorët.

Sipas asaj që shkroi, “Z. Menan filloi duke thënë se ndonëse nuk do të kishte ndërmend të kritikonte vendimin tonë për të mos mbajtur mision në Shqipëri, i vinte më shumë keq që nuk ishim të përfaqësuar atje veçanërisht gjatë vitit të kaluar.

Ai theksoi rëndësinë e Shqipërisë si nga pikëpamja strategjike ashtu dhe nga ajo politike. Ai tha se populli shqiptar shpresat i ka varur tek Amerika më tepër se te çdo vend tjetër dhe tha se pavarësisht nga përpjekjet e regjimit aktual, shqiptarët ishin shumë të prirur për afrim me Perëndimin dhe SHBA-në në veçanti”.

Ajo që citon dhe analizon historiani Hamit Kabo

Një moment tjetër që në një farë mënyre provon qëndrueshmërinë dhe vijueshmërinë, larg çdo ndikimi, të lidhjes shpirtërore të shqiptarëve me amerikanët, mes të shumtave që ekzistojnë dhe një pjesë të tyre të publikuar, është zgjedhur prej nesh posaçërisht një person me emrin më të mallkuar nga regjimi stalinist i kohës: Harry Fulz.

Për ta djallëzuar imazhin e këtij amerikani dhe për t’ia asgjësuar çdo forcë ndikimi në opinionin publik shqiptar (me këtë rast dëmtuar rëndë edhe prestigjin tradicional të SHBA me popullit tonë), u përdor gjithçka e mundur për një regjim të organizuar mirë në propagandë.

Megjithatë doli e tëra bosh.

Mund të thuhet po aq bindshëm se në këtë rezultat qe imazhi i pashkatërrueshëm i SHBA mes etnisë tonë, si edhe ai vetë Fulz-it. Kjo e fundit do të ndodhte veçanërisht pas rënies së diktaturës.

Në librin “Shqipëria e të mëdhenjtë” të historianit Hamit Kaba, ku provat e prirjes së qëndrimit të shqiptarëve afër SHBA janë të panumërta, gjendet edhe ky element shumë shprehës: në 24 shtator 1944 Harry Fulz shkroi disa komente mbi zhvillimet më të fundit politike dhe ushtarake në Shqipëri dhe tërësia e tyre të bind që ai është mjaft i baraspeshuar në gjykimet e veta për PKSH dhe Ballin Kombëtar, dy forca që kishin rënë në ndeshje me armë ndaj njëra-tjetrës, por ku fajtor për këtë, nënvizon Fulz, qenë dukshëm të parët. Të dytët, ballistët, mëshon pa u lëkundur ai, për hir të antikomunizmit qenë afruar me pushtuesit dhe kishin ndaluar çdo luftë kundër tyre.

Fulz nuk është aspak dakord me këtë sjellje bashkëpunuese.

Analiza e drejtpeshuar e tij që nga qyteti i Barit, ku ishte komanda rajonale e një prej degëve të shërbimit të fshehtë amerikan, në të cilën edhe Fulz bënte pjesë, në rast se do të njihej e publikohej para nëntëdhjetës, do ta vinte në krizë tërë sistemin manipulues antiamerikan të regjimit.

Këtë dëshmi të mësipërme ia paraqitëm lexuesit si një fakt kuptimplotë i qëndrimit të paanshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj shqiptarëve. Po të kryenin anësime të mëdha dhe arrogante në favor të kësaj apo asaj pale gjatë luftës, vitet 1939-1944 do të qenë shtrati i destabilizimit të traditës së mirësisë natyrale mes dy vendeve.

Njëlloj si me Harry Fulzin dhe nëmjen e tij ngulmuese, ndërsa regjimi stalinist iku dhe amerikani i njohur për themelimin e një shkolle të kualifikuar teknike në Tiranë, për një zgjedhje të vetë shqiptarëve, mbeti i regjistruar në imazhin e tyre vetëm si i tillë.
Aspak si kryeagjenti i administratës së Shtëpisë së Bardhë që kur pas çlirimit erdhi në Tiranë dhe u përpoq ta dobësonte diktaturën në favor të shumëpartitizmit, madje edhe me veprime diversive.

Antiamerikanizmi patologjik i Tiranës bolshevike dhe antikomunizmi i theksuar i Uashingonit prej motit 1946 deri në 1961, kur Enver Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij u shkëputën prej Bashkimit Sovjetik, ndryshe nga sa mund të pritej, gjithsesi nuk rënduan mbi lidhjen shpirtërore. Me sa duket, mbajtur sekret edhe nga vetë populli i ndaluar të qe i lire, nuk dëmtuan as edhe një pakt politik, edhe pse spontan, mes dy vendeve.

Shqiptarët bënë aë që deshën: larguan çdo gjë që shkaktonte lëndime në harmoninë me SHBA.

Shfaqja ëngjëllore e presidentit Uillson

Koha e Luftës së Dytë Botërore e deri në ditët e sotme është vetëm njëra periudhë e afrimit shpirtëror koherent e të patrazuar nga askush, mes popullit tonë dhe administratës amerikane, patjetër edhe vetë njerëzve të këtij supershteti demokratik.

Shkon gjer në fillim të shekullit të shkuar ky raport i veçantë. Ne po ndalemi (dhe këtu do të qëndrojmë posaçërisht), në një nyje tjetër ku është farkëtuar dhe ka marrë kuptim të thellë, pothuaj identitar, lidhja së brendshmi mes nesh dhe SHBA.

Këto raporte, në rast se dëshirojmë sadopak t’i shpjegojmë, duhet më së pari t’i vështrojmë prej rolit mbrojtës të Uashingtonit ndaj shqiptarëve.
Vitet më të vështira të ekzistencës sonë si komb apo çastet më të rrezikuara të pavarësisë si shtet dhe ku ëngjëllin mbrojtës e kanë bërë SHBA, kanë qenë katër: periudha prej kryengritjeve çlirimtare antiosmane 1911-12 deri në 1920, pushtimi fashist, regjimi komunist dhe shpërthimi nga qeveria e Sllobodan Millosheviçit e dhunës ushtarake kundër popullit të Kosovës.

Po ngulitemi në periudhën e parë, kur ishim në hapat e para si shtet i vetëshpallur më vete. Ngulim këmbë se në themel të historisë së marrëdhënieve të ngrohta dhe mirëbesuese shqiptaro-amerikane ka ushtruar autoritet politik themelues një president: Udrou Uillson (Thomas Woodrow Wilson).

Në rast se Bill Klintonit në fillim të vitit 2009 për kontributin e tij në çlirimin e Kosovës i ngritën në Prishtinë një monument, për presidentin Uillson tre çerek shekulli më parë nga shqiptarët u propozua t’i jepej emri një qyteti të tërë: portit të Shën Gjinit.

Kjo nuk ndodhi për arsye të shpjegueshme, por jo për shkak të mungesës së ndjenjës së mirënjohjes për të. Do të kalonin dekada dhe emri i presidentit amerikan të viteve 1912-1920 do të lartohej pa pushim, duke u shndërruar në simbolin e këtyre marrëdhënieve, madje edhe të mendësisë shqiptare se SHBA janë natyrshëm tutori strategjik.

Udrou Uillson hyri në kujtesën kombëtare të shqiptarëve pikërisht kur këtë shfaqje triumfale e kreu mes tyre, por mbi të gjitha në historinë e globit. Ai u bë i famshëm me programin e tij të “14 pikave”, të cilin e shpalli në një mbledhje të zgjeruar të Kongresit Amerikan në 9 janar 1918. I shprehur ndryshe ai “katërmbëdhjetë pikësh” qe një program paqeje. Lufta e Madhe, siç quhej atëherë Lufta e Parë Botërore, pasi nëpër kontinente kishte shkaktuar miliona viktima dhe rrënuar kombe e shtete, ndërsa të gjitha palët kacafytëse qenë të rraskapitura e gjëma mund të frenohej e ndalej, vazhdonte nën ritmin e një moskontrolli dhe inercie të frikshme. Ndalja e saj qe urgjente, rikthimi i paqes akoma më shumë. Platformat për këtë zgjidhje sa më të shpejtë duhej të ishin jo vetëm inteligjente dhe shumëpërfshirëse, por edhe  largpamëse, garante në të ardhmen të një paqeje sa më të gjatë.

Duke qenë se nuk lypej një zgjidhje e ngutshme, një skemë e pafrytshme ku njëra palë fuste në duar të gjitha frytet e ngadhënjimtarit dhe tjetra të tëra helmet e të mundurit, projekti që afroi Udrou Uillson tërhoqi shumë vëmendje si edhe përkrahës.

Pika e parë e kësaj platforme ngulte këmbë se kishte ardhur çasti për të bërë një aleancë të gjerë paqeje dhe se që nga ky moment diplomacia mes shteteve nuk duhej të funksiononte me marrëveshje dhe traktate të fshehta, por të sinqerta dhe të hapura.
Pak çaste para se ta shpallte këtë pikë të parë të programit të tij paqtues presidenti amerikan i qe drejtuar me kritika një platforme tjetër, asaj të Vladimir Iliç Leninit, tashmë prej dy muajsh kryetar i shtetit të parë bolshevik në botë, atij të Sovjetëve.

Demokracia amerikane u rreshtua kështu përballë asaj të modelit komunist, një sistem dhe ideologji totalitare.

Që prej këtij çasti mes shqiptarëve përballja e madhe mes Udrou Uillsonit dhe Vladimir Iliç Leninit do të vinte nëpërmjet një rrjedhe tepër të veçantë dhe të koklavitur ngjarjesh e rrethanash.

Gara se cila alternativë do t’i bënte për vete popujt e botës dhe bashkësinë e vogël numerikisht por në Ballkan të ndodhur në një territor me rëndësi gjeostrategjike mjaft të vyer, do të tendosej përgjatë gjithë shekullit të shkuar, duke lënë gjurmë të dukshme.

Ja përse platforma uillsoniane e fillim janarit 1918 nisi si një alternativë kundërshtuese ndaj asaj të ardhur nga Moska me emrin “Dekreti mbi Paqen”.

Ajo qe shpallur menjëherë pas marrjes së pushtetit nëpërmjet të quajturit Revolucioni i Tetorit. Në këtë projekt paqtimi global Lenini, tashmë me autoritetin e një shteti të madh sa një e gjashta e botës, por edhe me një sistem shoqëror ndryshe, i cili ato çaste ishte sa çudi aq edhe politikisht për të shtypurit e të varfrit plot me joshje magjike, u propozonte popujve që ishin në luftë si edhe qeverive të tyre, të fillonin menjëherë bisedimet për një paqe të drejtë demokratike dhe pa aneksime territoresh.

Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com