Xhenova, 500 milionë euro për familjet e viktimave dhe rindërtimin e urës

Në Itali u zhvillua sot ceremonia zyrtare mortore e 42 të vdekurve të konfirmuar në urën e shembur të qytetit të Xhenovës, ndërsa dita e sotme ishte shpallur edhe si ditë zie kombëtare.

Në ceremoni morën pjesë krerët më të lartë të shtetit, si presidenti Mattarella, kryeministri Giuseppe Conte, etj., të cilët mbajtën fjalën e rastit dhe shprehën ngushëllimet për familjarët e viktimave, me premtimin se fajtorët do të dalin para drejtësisë.

Ndërkohë sot ka reaguar zyrtarisht edhe kompania që kishte koncesionin e mirëmbajtjes së rrugës, “Autostrade per Italia”, e cila ka njoftuar akordimin e një fondi për familjarët e viktimave.

Nëpërmjet administratorit të deleguar, kompania ka njoftuar se bëhet fjalë për një shifër që shkon në rreth 500 milionë euro, e cila do të përdoret për të ndihmuar familjarët e viktimave, për të rindërtuar edhe njëherë urën dhe për të ndihmuar familjet që do të zhvendosen nga ajo lagje.

“Nga e hëna do të jetë në dispozicion një shumë prej rreth 500 milionë eurosh dhe plani ynë është që të rindërtojmë brenda 8 muajsh mbikalimin, këtë herë me këmbë të forta çeliku. një pjesë e fondit do të shkojë për familjarët e viktimave, ndërsa janë parashikuar edhe dëmshpërblime për banorët që kanë shtëpitë poshtë urës dhe do të duhet të zhvendosen tashmë”, tha Giovanni Castellucci.

/b.d