Xhafaj flet për dosjen “Habilaj”: Nuk është çështje që i përket policisë, por Drejtësisë

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj është pyetur sot në lidhje me përgjimet e palës italiane dhe përmendjen e Saimir Tahirit në bisedat mes Moisi Habilajt dhe Sabaudin Çelajt.

Duke mos komentuar gjatë, Xhafaj tha se dosja në fjalë nuk është një çështje që i përket policisë.

“Unë e kuptoj që jeni shumë kurioz, është një çështje që nuk i përket policisë së shtetit , por e iniciuar nga drejtësia italiane. Pjesa tjetër është se nuk bëj pjesë tek ata që flas pa fund, në këtë rast kur flet drejtësia, nuk ka pse flet ministri. Kam një vit që merrem me këtë çështje (çështja e kanabisit) Unë e di që ju besoni dhe prisni shumë nga unë vetëm për një muaj; prisni, duroni dhe do shikoni” – tha Xhafaj.

Kjo deklaratë e shkurtër erdhi pas Konferencës Kombëtare Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore.

Më herët ministri i Brendshëm kërkoi që politikanët të flasin më pak për krimin dhe t’ia lënë fjalën atyre që përballen çdo ditë me të. /javanews/b.d