Wetingu, katalizator i luftë kundër korrupsionit, garanti i shtetit shtetit të së drejtës dhe përtëritës i besimit tek e ardhmja 

Nga Halil Teodori

Lufta kundër korrupsionit është një imperativ i kohës. Më shumë se vullneti, në luftën pa kompromis të këtij “kanceri” të funksionimit të shtetit ligjor, kanë munguar mjetet. Mungesa e një sistemi të paanshëm ligjzbatues dhe ligjvënës, jo vetëm kanë favorizuar, por e ka kthyer korrupsionin në një mekanizëm shtesë të funksionimit të shtetit. Duket qartazi se të gjitha rrugët për të përfunduar në një angazhim, sipërmarrje apo rutinë administrative, kalon nga korrupsioni. Të gjithë i shërbejnë, të gjithë përfitojnë prej tij, i vetmi që humbet është shteti ligjor, e drejta, progresi, besimi tek e drejta, e merituara. Situata kishte shkruar në një rrugë pa kthim. Askush nuk ushqente besim se do të ndryshonte diçka. Kjo deri në momentin që në atmosferën politike do të hynte jo vetëm termi por edhe revolucioni “Weting”.

Sot më shumë se kurrë është moment të bashkohemi, të shprehim solidaritet në një luftë të përbashkët kundra korrupsionit, për të ndërtuar Shqipërinë, vendin e ëndrrave tona, të ardhmen e fëmijëve tanë. Në qoftë se do ti rikthehemi edhe njëherë në vitin 1990 dhe momentit kur ju hap rruga demokratizimit të vendit, vërejmë se rezultate ka, por shumë gjera kanë ngelur pa u realizuar. Një pjesë vitale e funksionimit të shtetit ligjor, shtetit të së drejtës, harmonizimit të të gjitha hallkave, kishte ende probleme serioze. Dukej se diçka nuk shkonte. Diçka duhej ndryshuar me urgjencë. Duhej ndërhyrë në qelizën e funksionimit të shtetit, të përmirësohej “shëndeti” i atij trupi të drobitur nga anarshia dhe kaosi, ti përtërihej imuniteti dhe të rimëkëmbej.

Me punë dhe angazhime serioze, vullnet politik dhe drejtësi të rishqyrtojmë të gjitha marrëdhëniet, të ndërtojmë një realitet të denjë për shqiptarët, që të forcohet besimi i njerëzve te drejtësia, të brumoset besimi i tyre te fisnikëria e shpirtit njerëzor, ku të mbështeten shpresat tona për një jetë më të mirë.

Deviza jonë në vitin 1990 ishte për të ndërtuar një shoqëri të madhe, me orientim Euro-Atllantik – një demokraci të begatë kushtetuese e bashkuar në diversitetin e saj si dhe angazhimin i përgjithshëm në kuadër të pluralizmit politik, për të promovuar dinjitetin e munguar  njerëzor.

Lëvizje Studentore e Dhjetorit pati në epiqendër zotimin tonë për të promovuar transparencën dhe përgjegjësi në jetën publike dhe politike. U angazhua për të qenë e përgjegjshme ndaj nevojave sociale dhe ekonomike të të gjithë qytetarëve.

A është realizuar ky angazhim?

Ende është shpejt për të patur një përgjigje definitive.

Është e vërtetë se vendi ka marrë një zhvillim bashkëkohor por ajo që na shqetëson është pabarazia shoqërore që ekziston, veçanërisht në zonat rurale. Të gjithë jemi kërkues dhe askush nuk heq dorë nga ëndrra për një të nesërme më të mirë, por për fat të keq ka zhgënjyer shumë njerëz.

Ëndrrat tona  janë zbehur ose më mirë të themi kanë filluar të shuhen. Për shumë njerëz që jetojnë në varfëri dhe kushtet e mbijetesës, demokracia ishte një zhgënjim, ishte një fatkeqësi, të cilën shumë njerëz edhe sot janë të gatshëm ta shkëmbejnë me diktaturën.

Asnjë parti politike, grup interesi dhe individ nuk lufton për të drejta dhe detyra, për liri dhe demokraci, për shtet ligjor dhe shtet të së drejtës, por lejon të korruptojë dhe të korruptohet. Është krijuar tashmë steriotipi, se vetëm kështu dhe jo ndryshe mund të përfitosh çfarë është ose jo e drejta jote. Në këto kushte kemi palë të interesuar dhe palë të dëmtuara. Demokracia, shteti i së drejtës, ligji, janë thjeshtë konvencione, janë retorikë bajate politike. Gjithçka është shtet dhe pushtet te paraja, të njerëzit e fuqishëm, te oligarkët, që kanë blerë gjithçka dhe janë zotë të gjithçkaje në këtë vend.

Duket se gjithë kjo e keqe i ka rrënjët te korrupsioni, te të gjitha format dhe metodat e shfaqjes së tij, si; ryshfeti, grabitje, cronyism, nepotizëm, parochialism, patronazh, ndikim peddling, gradheft, dhe përvetësimi.

Aktori kryesor është politika, është shteti, i cili drejtpërdrejtë ose tërthorazi, favorizon trafikimin e lëndëve narkotike, krijon kushte për pastrimin e parave dhe trafikimi i qenieve njerëzore, lejon gjyqësorin të tolerojë abuzimet dhe shfuqizon pushtetet nga autoriteti i të drejtës për të gjithë.

Kudo dhe gjithkush e trajton detyrën dhe shtetin si një mundësi për të përfituar. Vetë funksionimi i strukturës së shtetformimit është i ngritur mbi filozofinë e interesit. Çdo gjë shitet, çdo gjë blihet, është postulat dhe devizë, mbi të cilën vepron vetë shteti, i cili përfaqësuesve të saj u lejon si të drejtë çdo poshtërsi, banalitet, arrogancë dhe fyerje ndaj sovranit, ndaj popullit, atij që është me të drejtë vote dhe pa asnjë atribut të zotërimit të fuqisë që i jep ajo për të ndryshuar të sotmen dhe të ardhmen.

Në të gjitha hierarkitë e pushtetit ndihet mungesa e një vullneti pozitiv për të bashkëpunuar, për të mirëkuptuar, për të bashkëvepruar.

Është gjykatësi që çdo proces nuk e sheh si një të drejtë legjitime për të vendosur drejtësi, por për të rritur konton bankare, qoftë kjo edhe duke keqpërdorur detyrën e tij të shenjtë në dëm të interesave të dikujt dhe në favor të synimeve të dikujt tjetër, me prapavijë përfitimi.

Është zyrtari, ai burrokrati, fudull dhe hijerëndë, megaloman dhe paaftë që qytetarin, hallexhiun, të interesuarit, i sheh si masë amorfe, si shtresë inferiore ndaj të cilës atij lejohet gjithçka.

Është polici, ligjzbatuesi, i cili nuk priret nga vullneti pozitiv për të vënë nën fre kaosin përmes mjeteve të komunikimit, ballafaqimit, punës këshilluese dhe emancipuese, por si xhelati me hanxhar në dorë “pret” koka. Në njëfarë mënyre vendos autoritet frike dhe mungese respekti për ligjin dhe shtetin e së drejtës si të vetmen urë marrëdhënie me qytetarin.

Është arsimi dhe i gjithë sistemi i shkollimit, ai që ka në dorë fatin e gjeneratës, emancipimit, progresit dhe po ai që e ka shndërruar këtë ngrehinë në një çerdhe ku vegjetojnë servilë dhe parazitë politik, të denjë për t’i hedhur si kamikazë në fushatat elektorale.

Është shëndetësi, aty ku falen dhe fiken të gjithë. Një sistem i kalbur funksionimi dhe shërbimi. Janë ndërtuar spitale dhe klinika, janë përmirësuar kushtet dhe u ofrohen mundësi kurimi qytetarëve. Por kjo është vetëm maska që mban në fytyrë ky sistem social, human dhe jetik. Krijimi i shërbimeve paralele shëndetësore private, nuk është thjeshtë një karshillëk që i bëhet homologut të tij shtëtëror, por sfidues.

E ç’nuk është tjetër problematike dhe shqetësuese në këtë vend. E ku nuk ka futur hundët korrupsioni, abuzimi me pushtetin, tolerimi i inkriminimit. Dhe gjithçka që i përbashkon gjithë këto është një dhe e vetme, korrupsioni. Korruptimi i individit, grupit, shtetit çon në krijimin e korrupsionit si formë e shtuar qeverisjeje. E kush mund ta bëjë zap këtë përbindësh që ka manipuluar vlerat e shenjta të demokracisë, ka rrënuar deri në asgjësim çdo aspiratë që e lidh individin e një shoqërie të emancipuar, me këtë mision që garanton liri dhe të drejta, detyra dhe obligime.

Është kjo situatë, agravimi i të cilës ceku në nivele alarmante ajo që nxiti faktorin ndërkombëtar për ti vënë qeverisjes si kusht themelor reformat, ëma e të cilave është Wetingu, është purifikimi i arsyetimit dhe logjikës së trajtimit të demokracisë, shtetit ligjor. Prej këtu nis një trasfuzion i plotë i gjakut që ushqen trupin dhe zemrën e funksionimit të shtëtbërjes, atij shteti që kërkon të jetë në radhë me vendet e civilizuara dhe i barabartë në tryezën e familjes së madhe Euro-Atllantike.

Deri tani janë hedhur hapa të rëndësishëm, por hë për hë mund të flitet se ende jemi në fillim të udhës. Gjendja në të cilën e ka katandisur shtetin; abuzimi, spekullimi, korrupsioni, kaosi, anarshia, ishte e tillë që duhet një reformë totale, një rishqyrtim dhe rikadegorizim i gjithçkaje. Dhe kjo fillon nga dlirja, pastrimi, përgjegjësia që duhet të ushqejë vullnetin politik, pushtet dhe besimin te demokracia, si sistemi më i avancuar shoqëror, si bekimi i vendeve të zhvilluara, si meritimi i njeriut të ndershëm dhe atyre aspiratave për shtet ligjor, shtet të së drejtës.