Vuksanlekajt me famulli të “re”, por më histori të vjetër

Nga Ndue Bacaj

Megjithëse banoret autokton të Malësisë Madhe,përqafuan pa mëdyshje besimin jetëdhënës kristian që në shekujt e parë, sot në “kundërshtim” më ketë histori shumëshekullore në disa troje gjenden kisha apo famulli katolike të cilat “thuhet” se kanë një moshë pak më shumë se një shekullor. Në ketë “kontradiksion “ në mes historisë dhe ndërtimit të kishës apo famullisë ndodhet sot edhe fshati piktoresk i Vuksanlekajve. Por për ketë na vjen disi në ndihmë studiuesi italian Ermanno Armao i cili shkruan se në Vuksanlekaj gjendej kisha kushtuar Shna Prendes për të cilën bën fjalë Gaspari në relacionin e tij për gjendjen e dioqezave të … Pultit, Shkodrës, Sapes, Lezhës, Durrësit e Tivarit në vitin

1671. (Vende, kisha,lumenj, male e toponime të ndryshme të një harte të lashtë… fq.125.) Për historinë e kishës së Vuksanlekajve një vlerë të veçantë kanë edhe shënimet misionare të At Domenico Pazit të zhvilluara nga datat 27 shtator‐18 tetor 1889 nëpër fshatrat e famullisë së Traboinit… Nga kjo veprimtari misionare po “kujtojmë”: Më 28 shtator (1889) At Pazi arriti në Traboin, prej aty të nesërmen shkoi për të bërë meshën në Vuksanlekaj… Ky fshat aso kohe numëronte rreth njëzet shtëpi të ndodhura në ultësirën pranë malit, pothuajse një orë nga Tuzi…

Kushtet fetare në Vuksanlekaj,jo larg nga kufiri më Malin e zi dhe nga rruga e përshkuar nga trupat otomanë ishin mjeranë..At Pazi qëndroi për t’u mësuar katekizëm djelmoshave në Vuksanlekaj deri më 11 tetor,kur në kishë u kthye At Nikolla. Më 17 tetor, (në) festën e Mëmësisë, Arqipeshkevi krezmoi rreth pesëdhjetë fëmijë,dhe në datën 18 tetor (1889) u kthyen së bashku në Shkodër. (Fulvio Kardinjano, SHQIPËRIA, përmes veprës dhe shkrimeve te misionarit te madh italian At Domenike Pazi,1847‐1914, vëllimi ‐2‐fq.36‐38)…. Po nga ky burim mësojmë se në Vuksanlekaj ishte hapur Misioni më urimet e festes së Zemrës Shënjtë,duke u bërë vatra e mëshirës katolike. Aso kohe nuk ishte ende famulli, por për të bërë meshën shkonte nga Tuzi,çdo të diel At Leonard Gojani O.M… Gjatë misionit ai qëndroi më Eterit dhe i pajisi më çdo gjë. (F.Kordinjano. Shqipëria…po aty,fq.97).Pra siç shkruhet më sipër Vuksanlekajt e kishin kishën e tyre edhe pse nuk “tregohet” ekzakt vendi i saj, por kjo kishë deri atëherë nuk ishte bërë ende famulli…

Ndërsa një studiues që ka qenë edhe famullitarë në këto zona në vitet 1883‐1907, do të shkruante se në Vuksanlekaj është një famulli e re që nga viti 1908, kur u nda nga famullitë e Traboinit, Rapshes dhe Grudës. Famullia (e Vuksanlekajve) e tera është në rrafshinë krejt buze liqenit Shkodrës, afër Tuzit dhe nuk është as fort larg Podgoricës. Ka pesë fshatra më 397 banorë. (Lovro Mihaceviq, NËPËR SHQIPËRI,fq.79). Një albanolog i njohur shkruan se Vuksanlekajt kanë qenë gjithnjë, jo vetëm një vëllazëri e njohur, por edhe një pjesë e rëndësishme e Famullisë së Hotit… (Giusepe Valentini, II Diritto delle Comunita… fq.366). Historia e Vuksanlekajve si qendër e banuar, qytetare ‐Ilire e romake ka qenë nën vëmendjen e studiuesve të ndryshëm. At Pazi i cili interesohej për çdo gjë – në kohet kur Romaket mbisundonin në Epir shkruan se aty (në Vuksanlekaj) do të ketë ekzistuar një qytet që ende shihen shenjat e kolonave, gurë varri latinë, vegla të cilat gjenden jo shumë thellë nga fshataret, ndërkohë që punojnë tokën më shatë dhe parmendë. Madje ka mbetur edhe një kanal ujërash,i cili mendohet se është i asaj epoke dhe se e merr ujin nga lumi i Cemit, në një largësi mjaft të madhe dhe duke kaluar në anë të malit në lindje të ultësirës së Vuksanlekajve e shpinte ujin deri në një vend të mbiquajtur Vitoja, (që duhet të jetë bastardim i “emrit” Viktoria ) e cila gjendet në fund të një amfiteatri natyrore shumë të bukur,të formuar nga malet e Drumës në famullin e Arapcit (Rapshes ) dhe përkundrejt ka një ultësirë shumë të bukur, e cila shtrihet deri në liqenin e Shkodrës. Ultësira në dimër mbulohet nga ujërat e liqenit,të cilat krijojnë moçalishte,ndërsa në verë shërben si kullote,por në kohet antike duhet të kenë qenë e gjitha e kultivuar. Mirëpo askush nuk merret më kryerjen e gërmimeve dhe shqyrtimin e kanalit të ujërave, për tu sjelle dobi vendeve të banuara pranë të cilave kalon. Dihet se ka ujë, pasi gjatë vërshimeve ,nga brenda brijes së malit dëgjohet zhurma e ujit që kalon dhe në raste të tilla gufon edhe uji nga nëntoka, por nuk shkon më tej…( Fulvio Kordinjano,po aty,fq.97‐98).

Ky përshkrim është bërë mbi një shekull më parë, ndërsa kanali i nëndheshëm më ujë është ajo çfarë ka mbetur nga ujësjellësi i famshëm romak që dërgonte ujin nga Cemi në qytetin e Dioklesë… Për ekzistencën e një qendre të banuar shumë të hershme në Vuksanlekaj bënë fjalë edhe studiuesi Ippen, kur shkruan se në këmbë të malit Hotit në fushën e Tuzit, pikërisht aty ku ndodhet fshati i sotëm Vuksanlekaj, në kohen Romake ka pasur një vendbanim të madh….(Theodor Ippen, SHQIPËRIA E VJETER,fq.31,voo: ky studiues ka qenë edhe konsull Austro‐Hungarisë nga vitet 1897‐1904 në Shkodër). Në Vuksanlekaj janë identifikuar edhe mbishkrime (Ilire) si: CRINNË TISSA etj…(Preloc Margilaj,ILIRET FLASIN SHQIP, SHQIPTARET FLASIN ILIRISHT,fq.172).

Një studiues i njohur i trojeve tona pasi ka parë dhe mbledhur (informacion) edhe për historinë e disa qendrave të banuara (qyteza apo qytete) shkruan se një qytezë e tillë është edhe në qafen e Ugles, pranë katundit Vuksanlekaj plot murishte dhe si enigmë apo gjë besnikërie e kanë ruajtur vet banoret,sidomos pleqtë. Në atë mal mbi Qafen e Ugles ekziston një grykë nëpër të cilën hyhet brenda dhe ka një hapësirë të madhe nëntokësore, e hapur nën atë kodër mbi vet katundin Vuksanlekaj më mundësi për të zënë gati të thuash mijëra qytetare. Kjo shërbente si vendstrehim Ilir….,që në rast rreziku të evokoheshin apo largoheshin pleq, gra e fëmijë….( Lulash N.Palushaj,Malësia dhe Fiset e saj, Pj..I. fq.58). Duke menduar se trojet e Vuksanlekajve kanë qenë jo vetme të banuara që herët nga para‐ardhësit tanë Iliret,por mbi këto troje ka qenë ndërtuar edhe një qytetërim e zhvillim.

Në i japim të “drejtë” vetes të besojmë se të paktën pas vitit 313 (Edikti i Milanos) që lejoj edhe zyrtarisht të përhapet besimi i ri kristian, mbi këto troje ka pasur të ndërtuara kisha katolike që stuhitë e batërdi e shekujve i kanë mbuluar disi më pluhurin e harresës, ashtu si dhe vetë qytezën apo qytetin (Iliro –romak ). Vuksanlekajt që shohim sot tregojnë një fshat të bukur e piktoresk që ruan trashëgimin më të vlefshme të Malësisë e Shqipërisë, edhe pse që nga viti 1913,si shumë troje të tjera janë ndarë nga trupi mëmë i

Shqipërisë e i janë bashkuar shtetit të vogël të Malit Zi… Studiuesi malësor Zef Kalaj në një studim të tij për lëvizjen mekanike të popullsisë së Malësisë së Madhe shkruan: (Vuksanlekajt). Ky fshat e ka marrë emrin nga prijësi i Fisit Camaj Vuksanlekaj (Vuksan‐Leka) kur kanë zbritur nga Traboini – vëllezërit e njohur Camaj, si edhe vëllazëri të tjera nga fshatrat e Traboinit. Fshati Vuksanlekaj është i vendosur në rrëzë të kodrinave, të cilat paraqesin vazhdimin dhe përfundimin e shpatijeve të Deçiqit. Ky fshat shtrihet në të dy anët e përroit të Urreles dhe është i vendosur në ultësirën e Cemit … Sot Vuksanlekajt përbehen nga fiset ose vëllezërit ; Camaj, Dedvukaj, Gojçaj dhe Gjelaj. Fshati ka një shkollë fillore shqipe që është hapur që në vitin 1947…

Në memoaret e Gavro Vukoviqit shkruhet mbi marrëdhëniet e Hasan Nikes Camaj më Pjetrin e II Petroviq (Njegosh)… (Z.Kalaj, Lëvizja mekanike e popullsisë se M. Madhe 1948‐1998,fq.216‐219). Këto marrëdhënie tregojnë për rëndësinë historike të këtyre shqiptareve nga më shqiptarët që u detyruan t’u a njohin edhe fqinjët hilexhi sllav,N.B.). Duke pasur parasysh emigracionin e përhershme, konstatohet më keqardhje se popullsia e Vuksanlekajve në pesëdhjetë vitet e fundit (1961‐2010) ruan thuajse të njëjtat shifra që tregojnë një popullsi pakë më të madhe se 300 banorë të përhershëm…Kisha e Vuksanlekajve ka qenë e ndërtuar jo në fushë por në “mal” dhe u ishte lejuar nga pushtuesi otoman më kusht që Vuksanlekajt ta kishin kishën e tyre “memece”, pra pa kampanjë… Vlen të theksohet se në kohen e kryengritjes antiosmanë të Malësisë, në kishën e Vuksanlekajve shërbente famulltari atdhetar Atë Karl Prendushi (nga Shkodra),i cili ishte pjesëmarrës aktiv gjatë kryengritjes e veçanërisht në Kuvendin e Greçës (10‐23 qershor 1911)… Sot ajo kishë historike e Vuksanlekajve ekziston vetëm rrënoja, pasi u “vetrrënua” gjatë regjimit komunist jugosllavë, ndërsa besimtaret katolik të Vuksanlekajve e vijojnë jetën e tyre fetare në famullinë e Tuzit..Duke vijuar kështu besimin tek doktrina kristianë, që tashmë është jo vetëm besim,por edhe qytetërim e zhvillim që e shohin në Evropën e Bashkuar,ku shpresojnë edhe banoret shqiptarë të mbetur andej kufirit të takohen përjetësisht më Shqipërinë politike nga e cila i ka ndarë dhunshëm politika e vjetër e 1913‐s…