Vrasja e Zija Dibrës – kundërshtarit të Ahmet Zogut, “krahut të djathtë” të Fan Nolit

Dhëndri i Ahmet Zogut, Ceno bej Kryeziu, ka pranuar se ka vrarë edhe Zija Dibrën: “Unë e kam xanë, dhe kam vra anmikun tuej Marko Raspopoviqin… Unë kam vra Zia Dibrën, Bajram Currin, Luigj Gurakuqin, për paqen tuaj e tonën.”

Roland Qafoku

Zija Dibra është nga viktimat e para të operacioneve që forcat e Ahmet Zogut kryen pas kthimit të tij në pushtet, natën e 24 dhjetorit duke gdhirë 25 dhjetori i vitit 1924. Kishte vetëm disa ditë që ishte rikthyer në postin e kryeministrit dhe një nga ata që u arrestuan si mbështetës të Fan Nolit ishte kapiten Zija Dibra. Një arrestim më pas do të shoqërohej me vrasje në momentin, kur të martën e 6 janarit 1925, në orën 11.00, ai tentoi të arratisej.

SKENA E VRASJES

Me instinktet e një ushtaraku, Zija Dibra duhet ta ketë menduar disa herë arratisjen teksa një aspirant po e shoqëronte i vetëm gjatë transferimit të tij drejt Beratit në të cilin ai do të qëndronte si i internuar.

Në fshatin Harizaj të Kavajës, Dibra iu shkëput nga duart aspirantit dhe me shpejtësi hipi mbi kalin e tij dhe u largua po me shpejtësi. Thirrjet për të ndaluar ishin të pashpresa, por aspiranti nxori armën dhe qëlloi drejt Dibrës pa e menduar gjatë.

I vetmi plumb i dalë nga arma ishte fatal. Ai e goditi Zija Dibrën në kokë duke i shkaktuar vdekjen në vend.

AHMET ZOGU DHE ZIJA DIBRA

Konflikti mes Zija Dibrës dhe Ahmet Zogut ishte i vjetër. Ai zë fill që në vitin 1922, kur Zija Dibra u shpall në kërkim nga njerëzit e Ahmet Zogut. Dibra kishte qenë ministër në qeverinë e Hasan Prishtinës dhe pothuajse i gjithë kabineti i asaj qeverie pesëditore ishte në kërkim si persona që e morën pushtetin me kryengritje.

Në fakt, arratisja e Dibrës ishte më shumë pjesë e një organizmi për t’u hakmarrë ndaj Ahmet Zogut, për ta eliminuar atë dhe për të organizuar një kryengritje tjetër kundër tij.

Mbështetja më e madhe iu dha nga Myslim Peza, i cili e strehoi Dibrën në shtëpinë e tij në Pezë. Por, ndërsa kishte mbështetjen edhe të miqve të afërt të Pezës, Zija Dibra nuk e kishte këtë mbështetje nga njerëz të tjerë.

Studiuesi Sali Verdha në punimin e tij “Peza, shkëndijë e luftës partizane”, sjell disa herë përplasje të Dibrës me personazhe të njohura të kohës: “Zija Dibra, i strehuar në Tresë, u mundua të organizonte një aksion kundër Zogut. Pikërisht për këtë qëllim në fshatin Tresë ai thirri Irfan Ohrin dhe Osman Balin të cilët hiqeshin si armiq të Ahmet Zogut. Myslymi, aty, kuptoi se Irfan Ohri dhe Osman Bali i shmangeshin atentatit që mendonte Zija Dibra të organizonte kundër Zogut”.

Këtu shënohet edhe tradhtia tjetër e Osman Balit ndaj të cilit Zija Dibra priste të bashkëpunonte me të për të eliminuar Ahmet Zogun, por në fakt të gjithë planin e Zija Dibrës ai ia tregon njerëzve të Zogut.

Kaq mjaftonte që Zogu ta shënonte emrin e Zija Dibrës me të kuqe dhe ta shpallte atë si një nga njerëzit më të rrezikshëm për t’u arrestuar.

MISTERI I VRASJES

Në listën që Ceno bej Kryeziu e ka pranuar që i ka vrarë vetë madje me bekimin e serbëve është edhe Zija Dibra: “Unë e kam xanë, dhe kam vra anmikun tuej Marko Raspopoviqin… Unë kam vra Zia Dibrën, Bajram Currin, Luigj Gurakuqin, për paqen tuaj e tonën.”

Mjaftojnë këto fjalë për të hedhur dyshime mbi vrasjen e bërë nga aspiranti. A ishte ai një kurth ndaj Dibrës, apo ishte me të vërtetë një vrasje e detyruar, kur Zija Dibra tentoi të arratisej? Si e para dhe e dyta, konvergjojnë në një aftësi që duhet të kishte aspiranti: të ishte qitës i shkëlqyer.

Zija Dibra ishte një ushtarak i ushtrisë shqiptare me gradën kapiten që ka qenë gjatë gjithë karrierës së tij një kundërshtar i hapur i Ahmet Zogut. E mbështeti me armë dhe forca Fan Nolin në Lëvizjen e Qershorit të vitit 1924, e cila solli largimin e Ahmet Zogut nga pushteti dhe nga Shqipëria. U dënua me internim në Berat si pjesëtar i grushtit të Shtetit në Lëvizjen e Qershorit 1924. Ai ishte përpjekur disa herë që të organizonte kryengritje kundër Ahmet Zogut dhe ta vriste atë. Herën e parë Zija Dibra kishte organizuar forcat nën komandën e tij në vitin 1922, kur Ahmet Zogu ishte ministër i Brendshëm. Herën e dytë ishte në mars 1923 kur Zija Dibra bashkë me Elez Isufin sulmuan Tiranën me shumë forca nën komandën e tyre. Zija Dibra ishte pjesë e marrëveshjes dhe paqes që Ahmet Zogu dhe Elez Isufi vendosën në mars të vitit 1923 në kryengritjen e malësorëve ndaj qeverisë së Tiranës. Herën e tretë kishte qenë pjesë e Lëvizjes së Qershorit 1924 që dëboi Ahmet Zogun nga pushteti dhe nga Shqipëria.
ë vitin 1922 organizoi vrasjen e Ahmet Zogut, nga i cili moment pra Zogu e kishte vendosur emrin e Zija Dibrës në listën e atyre që synonte të eliminonte. /Tema/

(Marrë nga libri “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar 1912-2017”)