Vrasja e ish-deputetit shqiptar, djali i tij rrëfen ngjarjen

Ajo është ndër historitë më të veçanta dhe më tragjike të diktaturës. Bëhet fjalë për eleminimin e deputetit Haxhi Hajdar Mani, një nga njerëzit më me influencë në malësinë e Shkodrës.

Ferit Hajdari, djali i ish-deputetit, ishte i ftuar në emisionin “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço.

Ai tregoi se babai i tij ka qenë komandanti i çetës së parë në Shkodër.

“Babai im ishte rritur jetim, kishte kaluar një fëmijëri tepër të rëndë dhe është lidhur herët me luftën. Në vitin 1942 e kanë emëruar komandant të çetës për pjesën e nën Shkodrës në kufi me Ulqinin, aty ka qëndruar deri në vitin 1944. Më pas e kanë transferuar në Korçë sepse siç duket ishin në dijeni të trazirave. 

Dhe për ta eleminuar si njeri me influencë, e transferuan në Korçë dhe nga Korça e çuan në Tiranë për një kurs. Më pas e liruan si ushtarak dhe e çuan kryetar lokaliteti me motivacionin e reformës.

Nga fëmijëria mbaj mend disa fjalë të gjyshes e cila më tha: “Babai yt si ka punët mirë, është rebel dhe kundërshton shumë. Nuk duhet të kundërshtojë, ose nuk duhet të kishte hyrë fare në këtë punë”.

Kulmi i mosmarrëveshjeve arriti në vitin 1962 në një rreth jo shumë të gjerë kur e thirrën dhe e kritikuan. Që nga Nëntori i ’62 e deri kur është vrarë nuk ka marrë pjesë në asnjë seancë. 

Ai kundërshtoi kolektivizimin dhe deri kur është vrarë ai në disa zona të Shkodrës nuk ka patur kolektivizim. Babai im kërkoi të hapej rruga në Malësinë e Madhe, por Enveri kundërshtoi duke thënë se nuk kishte fuqi punëtore. 

Në këtë moment babai im i ka thënë se gjithë veriun e mobilizon ai dhe se i ka pas vetes. Këtu Enveri kuptoi fuqinë e tij dhe e futi në rreth. 

Më datë 16 Mars babai i tha gjyshes se do shkonte me shërbim, por në fakt u arratis. Më pas i kanë rrethuar, i kanë zënë dhe i kanë hedhur si lecka. 

Trupat e pajetë i kanë vënë mbi mushka dhe i kanë çuar në Koplik. I kanë varrozur në një vend, por i kanë zbuluar dhe dyshohet se i kanë hedhur në Drin që të mos kenë një varr”, tha Ferit Hajdari.