VLERËSIMI- Zef Bushati zgjidhet Zv. Presidenti i ri i Demokracisë Kristiane Ndërkombëtare

Gazeta “Il Popolo” në Itali ka publikuar dje, lajmin për Zef Bushatin, i cili  është zgjedhur zv/presidenti i Demokracisë Kristiane Ndërkombëtare. Zgjedhja i është komunikuar nga Sekretari Politik Kombëtar i Demokracisë Kristiane në Itali, Dr.Angelo Sandri, nga Zv. Sekretari Politik Kombëtar Prof.Gabriella Strizzi, Presidenti Kombëtar për Lëvizjen Femërore të Demokracisë Kristiane të Unifikuar Znj. Gabriella Duca Arcuri, si edhe të përfaqësuesve të tjerë të lartë të Demokracisë Kristiane Kombëtare dhe Ndërkombëtare, kryesuar nga Presidenti i Demokracisë Kristiane  Ndërkombëtare Prof. Filippo Marino.

Emërimi i ish Ambasadorit në Vatikan Zef Bushati në këtë post të lartë është parë me shumë interes edhe për faktin se Partitë Demokrate Kristiane janë bërë pjesë aktive e politikës në Europë dhe shumë vende të botës. Partia Demokristiane e Italisë është rikthyer në skenën politike italiane e vendosur dhe më shumë bindje, veçanerisht mbas nënshkrimit të Paktit Federativ të nënshkruar me Grupimin Politik “Popolari për L’Italia” dhe Partive Popullore Evropiane. Ky pakt federative në Itali, është i koordinuar në nivel politik kombëtar nga Senatori Mario Mauro dhe nga Av. Antonfrancesco Venturini. Z. Zef Bushati është lideri i Demokracisë Kristiane në Shqipëri (Kryetari i Partisë Aleanca Demokristiane) dhe aktualisht është i impenjuar me Zgjedhjet Vendore të cilat do të mbahen në dt. 30 qershor 2019. Ai njeh shumë mirë realitetin politik italian, europian dhe më gjerë, edhe për faktin se ka qenë Ambasador në Selinë e Shenjtë në Vatikan dhe ka jetuar situatat politike në Itali gjatë kohës që ishte rezident në Kryeqytetin e Italisë në Rome. Z. Zef Bushati ka dy fëmijë, Anxhela dhe Antonio, të cilët gjatë kohës që kanë mbaruar universitetin në Itali, kanë qenë pjesë e Demokracisë Kristiane Italiane, me pozicione dhe përgjegjësi në Lëvizjen Rinore të Demokracisë Kristiane Italiane. “Jam shume i lumtur dhe i nderuar për këtë emërim propozuar nga ana e Demokracisë Kristiane Italiane “ – ka deklaruar Zef Bushati –  zotohem se do të punoj më shumë me impenjim dhe devotshmëri ”. “Në këtë periudhë, jemi të gjithë demokristianët shumë të impenjuar në Shqipëri për zgjedhjet vendore të 30 Qershorit  2019 – vijon z. Bushati –  dhe jam në dijeni se edhe demokristianët në Itali kanë impenjim të lartë për zgjedhjet në Parlamentin Evropian me kandidatët e tyre. Nëse do të jetë e mundur, me kënaqësi do të jem prezent në një nga iniciativat elektorale që jeni duke organizuar. Objektivi kryesor i punës sonë është dhe do te jete ai i forcimit dhe rinovimit të Ndërkombëtarizimit Demokristian, mundësisht duke patur një Seli të veten në Romë – Itali. Por për këtë, do të kemi mundësi të dialogojmë në mënyrë më të thelluar në ditët në vazhdim – përfundon prononcimin e tij z.Bushati. Letra zyrtare e emërimit të z. Zef Bushati mban nr. Prot. 053/2019-Internacionale D.C. dt. 16.05.2019. “ Ambasadorit  Zef Bushati i përcjellim urime dhe suksese në punën e mirë për Demokracinë Kristiane nga ana e të gjithë Drejtuesve të lartë kombëtar të Demokracisë Kristiane Italiane” – u shpreh Sekretari Politik i Demokristianëve në Itali Dr. Angelo Sandri.