Vladimir Toroveci: Sofokli Koçi, i magjepsuri nga nimfat

Nga Vladimir Toroveci

Ishte ditë vjeshte në Pogradec. Nën mërmërimën e valëve, përbri shtatoreve të Mitrushit dhe Lasgushit, po shijonim kafen me një mikun tim. Lasgushi,  elegant e fluror edhe i bronxtë, kishte tretur vështrimin e tij hapësirës së liqenit, ndërsa Mitrushi përballë, ngjante se e shihte dhëmshurisht dhe plot përkujdesje.

Po çfarë vështronte poeti ashtu, me aq ngulm e përqendrim? Çfarë vizionesh i fanepseshin atij që, edhe i ngurosur në përjetësi, përpiqej heshtas t’i gjurmonte? Mos vallë kërkonte nimfën e liqenit, të çohej prej ujërave dhe ta kurorëzonte me dafinat e lavdisë? Apo sodiste trajtat e saj prej shkume e drite që, ashtu si Aferdita dikur, të shfaqej buzë bregut të bruztë?

Ishte rrekur një jetë të tërë që ta sendërtonte në vargje shpirtin dhe bukurinë e këtij habitati magjik e të mrekullueshëm. Mos ndoshta ndjehej i pa kënaqur me ç’ka kishte arritur dhe mëtonte të mbërrinte më shumë?

Kështu janë artistët, mendova, dhe s’di pse m’u kujtua Sofokli Koçi dhe bassoreliefi i tij “Nimfa”. E kisha parë në një ekspozitë përkujtimore para një viti dhe më kish mbetur në mendje. Ende më ngjante se ndieja përreth, flatrimin e zogjve liqenorë dhe që, si në një lojë plot mahnitje dhe mistere, që vetëm artistët mund ta përfytyrojnë, orvateshin ta çonin lart, triumfalisht dhe t’ia ofronin qiellit, atë, nimfën e liqenit..

“Ç’mendon me kaq ngulm”? më pyeti miku im. U ktheva nga ai, mirëpo mbeta i befasuar. Pas parmakut të lokalit, që kufizonte ujërat me bregun, pashë të shfaqej qafa nazike e një mjellme të bardhë. U çova i habitur në këmbë dhe iu afrova bregut. Valët e liqenit ishin më të forta se zakonisht dhe vura re se shpendi, megjithëse i përplaste fort këmbët e veta, me membrana të hapura nën ujë, nuk shtyhej dot në thellësi. Tallazet e fuqishme e zbythnin përsëri drejt bregut me rërë. Kjo, vetëm për një çast, sepse sapo ceknin në truallin e fortë, mbështetja në tokën e qëndrueshme, bënte që të fitonte fuqi të reja dhe të provonte sërishmi e sërishmi drej thellësive. S’di pse kjo pamje, më kujtoi qëllimin e vizitës sime në qytetin liqenor. Më ngjau se kjo që po shihja, nuk ishte gjë tjetër, veçse një metaforë e bukur, që ilustronte, më së miri, synimin për të cilin kisha ardhur në Pogradec.

Në ekspozitën përkujtimore të skulptorit të ndjerë Sofokli Koçi, më kishin impresionuar, jo vetëm punimet e tij, por edhe dashmirësia e admirimi i kolegëve dhe qytetarëve artdashës të qytetit të tij. Kështu, kishin nxitur tek unë lindjen e dëshirës, për të shkruar diçka për këtë artist, me natyrë bohemi; për frymën lirike, peshën e mendimit dhe ndjenjën e fortë të lirisë, për format e konceptet e reja, të cilat shpërfaqeshin në punët e tij krijuese.

Ndoshta, prej saj m’u përhi një lloj analogjie. Po ku e kishte përngjasimin kjo, me metaforën e mjellmës që përshkova më sipër?

Ai shpend nuk ishte si mjellma e Bodlerit që, dalë prej kafazit, zhvoshkte lëkurën e këmbëve të veta, në kalldrëmet e gurta të Parisit të vjetër. Ishte i tjetërllojtë… Ishte një shpirt i egër dhe i lire, që orvatej të shpëtonte prej shtjellave përthithëse të humnerave të errëta të ekzistencës, ku frymojnë impulset vetëshkatëruese të qenies dhe që, i sugjestionuar, rrekej drejt imazheve plot dritë. Dhe analogjia qëndronte, pikërisht, te fuqia që merrte shpendi, kur cekte truallin e fortë të bregut!

Po cili ishte ky breg figurativ për Sofokli Koçin skulptor dhe artist..?

Mendoj se trualli ku mbështetej ai dhe merrte hov, nuk ishte si toka, ku mbështetej Anteu mitologjik, por dashuria dhe përkujdesja, që kish patur tek bashkëshortja e tij, poetja Roza Kreste!

Shopenauri diku shenjon se filozofët dhe njerëzit me dhunti të veçanta, përgjithësisht, janë konfliktualë me bashkëshortet e tyre. Për të ilustruar këtë, ai i referohej marrëdhënieve të Sokratit, filozofit të madh grek të lashtësisë dhe raporteve të tij të vështira me Ksanthipin. Dhe, ndërkaq, historia na jep plot shembuj marrëdhëniesh të tilla problematike. Ndërmjet syresh, mund të kujtojmë Tolstoin, shkrimtarin e madh rus,  Moxartin e shumë të tjerë. Ndoshta kjo vjen edhe nga një lloj  disniveli kulturor, apo edhe nga interesat e tyre që, shpesh, i kanë të ndryshme. Prirjet dhe imagjinata e tyre, vozitën në të tjera dimensione. Zakonisht femrat, prej natyrës, janë më pragmatiste dhe tokësore, gjë, që shërben për t’ua mbërritur synimeve të mirërritjes dhe sigurisë për pjellat e tyre, ndërsa burrat dhe, veçanarisht artistët, synojnë të tjera domene.

Po pse zonja Roza Kreste, të bënte përjashtim nga kjo prirje?

Në këtë rast, më ndërmendet filozofi danez Kierkegaard. Diku në veprën e tij ai thekson se: “…njeriu kalon nëpër tre etapa: estetike, etike dhe religjioze. Në këtë konteks mund të pohojmë se njeriu, kur është i ri, në lidhjet e veta, ndikohet prej parametrave estetikë, ndërsa kur është më i pjekur, prej atyre etike. Në rastin e lidhjes së Sofos me Rozetan, ata u ndikuan prej të dyjave, ndoshta, edhe sepse u njohën në kapërxyell të etapave të para, pra asaj estetike dhe etike.

Sofoja kishte, jo vetëm receptorët e mprehtë të një artisti të talentuar, që gjurmonte të bukurën me mprehtësi, por edhe mendjen e fuqishme të poetit dhe të mendimtarit që përsiaste mbi to. Ndoshta kjo bëri, që lidhja e tij me Rozetën, të ishte e goditur, e qëndrushme… Ajo nuk ishte si ato bukuroshet e shtira dhe mendjelehta, që për t’u pëlqyer hiqen kinse marrin vesh nga piktura apo nga poezia dhe që nuk e kuptojnë se në këtë jetë, një ditë, të gjitha dalin në shesh: edhe gënjeshtra, edhe shtirja apo hipokrizia. Ajo ishte e durueshme dhe e dashuruar dhe, duke qenë e prirur ndaj artit dhe poezisë, e kuptonte në thelb një artist si ai.

Jeta e saj me Sofon nuk ishte e lehtë. Dehjet e tij të herë pas herëshme, grindjet dhe konfliktet e formuan më shumë, ia forcuan vullnetin dhe dashurinë për këtë burrë të shqetësuar, por me zemër të madhe, të mbushur plot dhembshuri dhe empati. Mbase kjo vinte edhe prej kuptimit, prej saj, të mjeshtrit, i cili vuante, ndoshta, nga ndjenja “e barrës së tmerrshme të kohës, që shpinën ta thyhen dhe përtokë të lëshon, – siç pohon Bodleri, si dhe këshillës së tij që, – për ta duruar këtë barrë, lipset të dehesh… Me se? Me verë, poezi a vyrtyt e  ç’të duash. Vetëm dehu.” – Dhe Sofos i pëlqente të humbiste mendjen me verë e me poezi.

Ai ndehej si poeti apo si shumë artistë të tjerë të mëdhenj. E kuptonte absurditetin e kësaj jete që, herë-herë, është tepër e zymtë. E rrokte fatin e trishtë të njeriut dhe impulset e vetëshkatërimit, që gjallojnë brenda qenies së tij. Por, ndërkohë, ai e kuptonte dhe ishte besimplotë, se jeta është e bukur dhe ne duhet ta bëjmë të tillë. Krijimet e tij e dëshmojnë këtë. Ato janë ngushëllimi i tij metafizik që, mbase, rrjedh nga mendimi se në themel të gjithçkaje duhet të jetë e bukura dhe gëzimi që ngjall ajo. Dhe, me siguri, kjo ka qenë ajo prirje e përbashkët, e cila ndikoi, që dashuria e tyre të ishte e përherëshme dhe të dy të gjenin tek njëri-tjetri, atë liman të paqtë, ku rrebeshet dhe stuhitë mund të të shkundin, por nuk të rrënojnë dot.

***

Pra, qëllimi i vajties sime në Pogradec, ishte njohja më mirë me jetën dhe veprën e mjeshtrit. Dhe si mund ta realizoja më mirë këtë synim, sesa me anë të takimit me bashkëshorten e tij, poeten Roza Kreste. Ndaj, së bashku, me mikun tim dhe një kolegen e tij, bujtëm në shtëpinë e zonjës Kreste.

Diku, në një prej veprave të tij, Niçe thotë: “Njeriu e shpiku Zotin dhe u bë vetë skllavi i tij.” Natyrisht, nuk jam në gjendje ta shestoj nga ana teologjike apo filozofike këtë pohim, por kjo përshtatet më së miri me atë ç’ka pashë në banesën e poetes.

Ajo na priti në sallonin e saj, muret e të cilit ishin të stolisura me krijimet më të mira të Sofos dhe me disa piktura të pakta të saj. Nuk di pse, teksa hyja, përjetova ndjesinë e të qenit në një tempull të shenjtë! Vetëm se në vend të ikonave, shandanëve apo objekteve të kultit, mbizotëronin basorelievet dhe pikturat e mjeshtrit të ndjerë. Sipas besimit monoteist, Zoti është frymë dhe krijues i gjithçkaje mbi tokë dhe, në këtë kontekst, zot i asaj hapësire të vogël ishte Sofoja. Punët e shpërfaqura, nuk ishin gjë tjetër, veçse krijimet, shijet, ëndrrat dhe vizionet e tij, vetë shpirti i artistit plazmuar në vepra. Ndërsa Roza më ngjau me një priftëreshë pagane në tempullin e vet.

Perëndia e vetme e atij tempulli ishte Sofoja. Por rrethuar me krijimet e tij vizuale, plot forma imagjinative me ngjyra, vendosur ngado, mbrujtur me simbolet e fesë së tij, artit, ajo frymonte shtjellat e shpirtit të dashurisë së tij.

Vështrimi im i limaksur filloi të shëtiste mureve dhe kthinave të këtij tempulli të çuditshëm. Ashtu si filologët dhe specialistët e letrave që, përmes teksit të shkruar, rreken të zbulojnë kodet dhe mesazhet e veprave letrare, unë tentova të lexoja botën e brendshme të mjeshtrit, përmes imazheve që kish ngjizur ai.

Në fillim të sallonit, si me druajtje, ishin varur disa tablo të Rozetës, që sikur kërkonte t’i qasej bashkëshortit të vet edhe në gjininë e pikturës. Ishin punime të thjeshta, që rrezatonin kthjelltësi dhe harmoni, si dhe një farë mahnije përpara së bukurës dhe shfaqjeve të saj. Një botë femërore, që të çarmatoste me pafajësinë e ëndrrave të veta. Pastaj ishte një tablo e Sofos. Një pejzazh urban që, duke mëtuar ta ftilloja, më bëri të hyja në një botë tjetër, në botën plot trishtim dhe aspirata të mjeshtrit të ndjerë. Në këtë peizazh, po t’i referohemi Niçes, mpleksej dionisiakja me apollonianen. Gjendja depresive asketike, me vezullimin e iluzioneve, që vetëm fuqia e artit ia mundëson njeriut, por edhe një lloj intuite, që të bën t’i qasesh këtij realiteti.

Gjatë soditjes së objekteve të ekspozuara, munda të lexoj përsiatjet e mjeshtrit, përgjatë viteve të jetës së tij. Në një faqe muri, ashtu si “Kapriçot” e Françesko Gojës, ishin vendosur një mori objektesh qeramike që, përtej vlerave estetike, ngërthenin në vetvete ngarkesa emocionale dhe mendime të fuqishme mbi marrëdhëniet njerëzore dhe fenomenet, që e kishin shqetësuar artistin në gjallje të tij, këndvështrimin dhe filozofinë e mpiksur përgjatë viteve, përmes leximeve të shumta dhe përvojës empirike të fituar nëpërmjet vëzhgimeve të tij.

Më suprizuan dy basorelieve prej qeramike. Njëra titullohej; “Gruaja që rreh bashkëshortin e vet” dhe tjetra “Gruaja që sfidon burrin”. Punime të hershme këto, ndoshta të krijuara në një kohë, kur tek ne mbizotëronin marrëdhëniet patriarkale. Ai me to, sikur do të na kumtojë se absolutizimi i femrës, si një qenie e dobët dhe e dhunueshme, jo përherë përkon me realitetin. Se pavarësisht kësaj, ka gra që mund të jenë agresive dhe të dhunshme, edhe pa patur fuqinë fizike dhe muskujt e burrit. Mirëpo, në të vërtetë, fuqia e femrës nuk qëndron tek muskujt, por tek brishtësia dhe feminiteti i saj.

Në skulpturën e parë, si një fajkua mbi prenë e vet, qëndronte në këmbë një grua që kish ngritur dorën, mbi një burrë të rënë në gjunjë. Pamja ishte jo vetëm mashkullore, por edhe sfiduese.

Këtë e përforconte sidomos me anë të basorelievit “ Gruaja që sfidon burrin”. Imazhi, i ngjizur prej tij, tregonte një femër të bukur dhe të shëndetëshme, me flatra prej engjëlli në shpinë. Majat e këtyre flatrave, të përthyera në tokën ku gruaja qëndronte ulur, ishin të kthyera në majë dhe, përmes kofshëve të fuqishme, çoheshin lart në formën e një organi mashkullor. Dhe, ndërkaq, s’di pse m’u kujtua një thënie e Frojdit; “Shpesh femrat vuajnë mungesën e organit fallik”.

Dhe mua,  m’u përhinë Amazonat. Aq më tepër duke parë përbri tyre edhe figurina të tjera me ngarkesa mitologjike si Baku-ja apo Sileni. Kjo gjë më bëri të kuptoj se mjeshtri, e ka njohur shumë mirë mitologjinë dhe vlerat universale që ajo përçon.

Në Bibël thuhet se ne: “Asgjë nuk sjellim në këtë botë dhe asgjë nuk marrim”, ndoshta, lëmë mbi dhé, vetëm atë që kemi mësuar në jetë. Dhe mesazhet e kumtet e mjeshtërit, përmes figurave dhe formave të ngjizura me aq delikatesë dhe ekspresivitet, dëshmonin, pikërisht, udhëtimin e tij nga terri në dritë, nga fizikja tek metafizikja.

Në murin përballë ishte një skulpturë prej druri, në alto reliev, e titulluar “Mëmësia”. Spikatnin gjinjtë e plotë e të fryrë nga qumështi dhe barku i rrumbullt e i kërcyer, që dukej sikur mbartëte botën e së nesërmes brenda vetes, ndërsa pranë saj ishte vendosur një tjetër, që titullohej “Poetja”. Një grua e bukur, me këmbët e shkëputura prej tokës, që, në vend të flatrave, e çonin lart në re disa zogj liqenorë. Ngjante dhe s’ngjante me Rozetën, por tiparet dhe format e saj, ishin aq delikate dhe fluide, sa dukej se e kish krijuar vetë qielli. Fundja kjo ishte Rozeta e parë dhe vizatuar me sytë e tij të mugullit shpirtëror.

Të gjitha, sa më sipër, më krijuan ndjesinë e tempullit.  Kreu i atij tempulli, ose ajodhima, ishte një skulpturë që më mrekulloi. Vepra titullohej “Nimfa e liqenit”.

Mbi valët e stilizuara si të amforave antike, gjysmë e shtrirë, çohej shtati i hijshëm i një vashëze eterike, që të jepte ndjesinë e një ndriçimi hyjnor, i cili komunikonte harmonikisht me mjedisin, sikur të ishin pjesë e një së tëre. Bota u mbush me dritë, zhaurimë valësh dhe cicërima zogjsh. Ç’ishte kjo krijesë, me frymë mistike, e mbartur nga një tufë pulëbardhash dhe që rrezatonte paqe dhe vezullime parajsore? Ishte një realitet, një idealitet apo një aspiratë…?

U ula në një kolltuk atypari dhe mezi po mbushesha me frymë. Përfytyrova floçkën tek ngrihej nga thellësitë e ujërave dhe që nisej drejt Shën Naumit apo Drilonit të lashtë ku, mes flokëve të lëshuara të shelgjeve, e priste i vluari i saj. Një poet, një murg apo një peshkatar, një djalosh me sy të kaltër e flokë të verdhë si drita që, teksa priste, drithërohej prej ankthit. Dhe, nga ç’ka pashë, rroka kumtin e mjeshtrit. Femra është ferri dhe parajsa për burrin, në varësi të asaj ç’ka zgjedh ajo të jetë.

Kjo pra, është fuqia e artit të madh, të bën patetik dhe të ëndërrosh. Po ç’kuptim do të kishte jeta pa ëndrrat tona, të cilat poetët dhe artistët e vërtetë kanë dhuntinë t’i sendërtojnë në vepra të mrekullueshme, të cilat sfidojnë prozaizmin e ekzistencës biologjike, veset, vanitetin dhe vogëlsitë e qenies sonë njerëzore?

***

Një ditë miku im, shkrimtari Istref Haxhillari, më tregoi një ndodhi. Dikur,  shoqata e shkrimtarëve dhe artistëve shpalli një konkurs, për artistët e arteve figurative dhe në të morri pjesë edhe skulptori Sofokli Koçi. Mbi një gur masiv, ai gdhendi një basoreliev me tematikë të kohës. Blloku i gurtë u ngarkua në një makinë të vjetër, që shërbente për të bartur material ndërtimi dhe u çua në Tiranë. Kur e zbritën gurin, anëtarët e jurisë u habitën, sepse mbi këtë bllok prej nuk dallohej asgjë. Masivi, jo vetëm ngjante si një copë shkëmb i rëndomtë, por edhe i zhyer krejt në baltë. Ata, të skandalizuar, morrën në telefon D. Agollin, që aso kohe ishte kryetari i “Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve” dhe i thanë: “Ç’bën kështu ky Sofoja, tallet me ne? Ka sjelle vetëm një copë gur”.

Ai menjëherë i telefonon skulptorit dhe e pyet për ngjarjen e pakëndshme. Sofoja i habitur sulet në Tiranë, i avitet bllokut të gurtë dhe, me dorën që i dridhej, fshiu butësisht baltën prej saj. Në këtë kohë, përpara syve të anëtarëve të jurisë, u shfaq një basoreliev i mrekullueshëm, që i befasoi të gjithë. Skulptura fitoi çmimin e parë në republikë.

Kështu ndodh shpesh me artistët. Balta e cmirës dhe e ligësisë njerëzore i përdhos dhe mbulon thelbin e tyre të vertetë. Duhet dora e ngrohtë dhe e dhemshur e dikujt, që ta pastrojë këtë baltë.

Këtë ndodhi miku im, ma tregoi për të kuptuar më thellë talentin e Sofos. Por unë nuk dua të mjaftohem me kaq. Dëshiroj ta shndërroj këtë në një metaforë. Dua që me anë të kësaj të dëshmoj fuqinë e artit dhe të artistit. Kjo fuqi, është si flaka e përjetshme në tempullin e Vestës dhe, që ajo të shndërrijë, ka nevojë të mbahet gjallë nga duart e kujdesshme të shërbestares së këtij tempulli. Edhe tempulli i Sofos e ka shërbestaren e vet. A nuk është, poetja dhe bashkëshortja e tij priftëresha e shenjtë, shpirti dhe dora e së cilës, nuk lejon që mjegulla e harresës të bjerë mbi veprën e mikut të saj të ndjerë, sidomos, në këtë kohë kaq prozaike dhe egoizmi të pafre…?