“Vjedhja” e melodisë së himnit rumun dhe tentativat e Zogut dhe Enverit për të ribërë Himnin e Flamurit 


Cila është historia e vërtetë e himnit tonë kombëtar.

Rezarta Delisula

Dhe nëse himni u përhap në tërë Shqipërinë dyke zotëruar zemrat shqiptare, kjo ngjau se populli e gjeti të pëlqyer; vetë e dëshiroj ay ashtu, nga gjiri i tij i dha trajtën dhe frymën, vetë e shentëroj dyke e dashuruar me zemër gjer në therrori dhe më shumë e më përtej vetëtherrorisë; i cili himn dhe e mbaroj punën e tij të thjeshtë që kish për të bërë, punën e tija ashtu siç qe ay i vogël ay për një punë të madhe shqiptare: u bë Shqipërija”. Këto fjalë ka shkruar i madhi Lasgush Poradeci më 1943, teksa përjetonte tentativat e qeveritarëve për të krijuar një Himn të ri të Flamurit. “Rreth flamurit të përbashkuar, me një dëshirë e një qëllim…”. Për shqiptarët ky ishte dhe mbeti himni kombëtar.

Tentativa e Zogut
Në prag të 25-vjetorit të Pavarësisë, kori i vajzave të institutit “Nana Mbre-tëreshë”, nën udhëheqjen e sopranos e dirigjentes korçare Gjeorgjia Filçe, kënduan Himnin e ri të Flamurit. Ky grup u përgatit nga maestro Capanino i teatrit lirik “San Carlo” të Napolit. Një himn i ri. Pikërisht këtë mendonin drejtuesit e shtetit se i duhej vendit më 1937. “Rreth flamurit të përbashkuar” konsiderohej si përkthimi i një marshi rumun me muzikë tërësisht rumune. Një komision i veçantë u ngrit me qëllimin e organizimit të konkursit për Himnin e Flamurit me frymë tërësisht shqiptare. Në mes 76 konkurrentëve që paraqitën krijimet e tyre, fitoi Beqir Çela, i cili në atë kohë njihej me pseudonimin “Osoja i Ri”. Ndërsa sërish kompozitori i Himnit të Flamurit do të ishte një i huaj. E. A. Mario, kompozitori napoletan i “Legjendës së Piavës”, u zgjodh për të krijuar muzikën e Himnit të ri të Flamurit. Në kohë rekord, në 15 tetor 1937, në kryeqytet u luajt për herë të parë himni i ri.

Euforia
“O Flamur, yll i lirisë, Valëvit me plot shkëlqim; E prej qiellit t`Shqipërisë; Të dëgjohet në amëshim”. Kjo është një strofë e Himnit të ri të Flamurit të krijuar në vitin 1937. Para një publiku shumë të zgjedhur, përfaqësuar nga anëtarë të kabinetit, si dhe nga ministri i Italisë Jacomoni, konsulli i Italisë Valerio Valeriani, autori i himnit Beqir Çela, kompozitori E. A. Mario, si dhe përfaqësues të shtypit, u këndua për herë të parë himni i ri. “Suksesi ishte i jashtëzakonshëm dhe publiku fort i zgjedhur mbeti tepër i kënaqur. Mbrëmja kushtuar “Hymnit të Famurit” do të mbetet e paharueshme në zemrat e të gjithë ndigjuesit, të cilët pa përjashtim përshëndetën E. A. Mario dhe ndihmësin e tij z. M. Campanino”. Kështu shkruan “Gazeta Shqiptare” e datës 16 tetor 1937 për ceremoninë e zhvilluar në sallën e bashkisë për dëgjimin e Himnit të Flamurit. Entuziazmi vazhdoi deri më 28 nëntor, atëherë kur në sheshin kryesor të Tiranës, “Skënderbej”, do të ngrihej flamuri i 25 vjetëve vetëqeverisje. “Ç’ngjau atëhere? Ngjau se himni i dytë, i ekzekutuar prej muzikave zyrtare, ndoqi si një rrymë uji e pa pritur dhe e fortë shtratin e lumit, gjith dyke mos lojtur dot nga vendi gurin e rëndë të himnit të parë në mes të rrymës…’, shkruan Poradeci.

E vërteta e himnit
Në shkrimin “Himni Kombëtar ‘flamurit pranë të bashkuar’ dhe gjeneza e tij”, shkrimtari Lasgush Poradeci sjell për herë të parë historinë e krijimit të Himnit të Flamurit. Kori Kishtar Shqiptar i Bukureshtit filloi të gjallërohej në fillim të viteve 1900. Ashtu siç e thotë shkrimtari dhe publicisti Poradeci, Bukureshti në atë kohë ishte kryeqyteti shqiptar i mërgimit. Kori udhëhiqej nga profesori rumun Kiriak, i cili më pas, duke pasur shumë punë me korin e tij të shoqërisë “Karmen”, ia la në dorë drejtimin 25-vjeçarit Ionesku. Ky i fundit, përveç këngëve shqipe, i jepte korit për të mësuar edhe këngë popullore e marshe patriotike, si dhe himnin kombëtar të Rumanisë ‘Mbi flamurin tonë’. Himni i Rumanisë ishte shkruar nga poeti Ioan Barsan me muzikë të Çiprian Porumbeskut. Viti 1907. Të entuziazmuar nga ky himn, kori shqiptar iu lut Asdrenit të thurte disa vargje të përshtatura me atë melodi, që të këndohej prej tyre. Kori kërkonte një himn shqip. Vetëm pas disa ditëve Asdreni solli tekstin e himnit “Rreth flamurit të përbashkuar”, titulli origjinal ‘Betimi mbi flamur’. “Dhe himni harin të bëhet kësisoj Himni Kombëtar i Kollonisë së Bukureshtit, që përfaqësonte Shqipërinë në atë vend mërgimi aq të djegur për atdhe, dyke u bërë zakon të këndohet rregullisht përpara dhe pas çdo ushtërimi të korit”, shkruan Poradeci. Fjalët e Asdrenit u shkrinë në melodinë e himnit kombëtar rumun. Më 1912, me ngritjen e flamurit në Vlorë, himni i shqiptarëve të Bukureshtit, tashmë i kënduar dhe në Shqipëri, u njoh si himni ynë kombëtar.

Ngatërresat
Të shumta kanë qenë polemikat për himnin kombëtar të ligjëruar më 1912. Muzika i përkiste himnit kombëtar të Rumanisë, ndërsa teksti i ishte përshtatur tekstit origjinal nga Asdreni, megjithatë në popull “Rreth flamurit të përbashkuar” këndohej si himni ynë. Tentativat e para nisën që në kohën e qeverisjes së Zogut, por dolën pa sukses. Pas çlirimit të vendit më 29 nëntor 1944, rreth fundit të vitit 1945-fillimit të 1946-s, u organizua konkursi i parë shtetëror për himnin kombëtar. Ndër shumë krijimet e paraqitura, si krijimi më i mirë u shpall “Himni i Shqipërisë së re”, me poezi të Skënder Luarasit dhe muzikë të Kristo Konos, rezultat që u bë i ditur me shpalljen e Shqipërisë republikë më 11 janar 1946. Në fillim të viteve ’70, Këshilli i Ministrave, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës, si dhe me Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, shpall një konkurs për “Himnin e Republikës”. Në këtë konkurs morën pjesë krijuesit më të mirë, ndër ta Çesk Zadeja, Ismail Kadare, Tish Daija, Fatos Arapi, Nikolla Zoraqi, Xhevahir Spahiu, Pjetër Gaci, Feim Ibrahimi, Tasim Hoshafi etj. Pas seleksionimit, u arrit në dy variante: në himnin e krijuar nga Çesk Zadeja dhe në atë të Nikolla Zoraqit me poezi të Fatos Arapit, të titulluar “E lirë u ngrit toka jonë”. Pati mendime që të njihej si himn edhe kënga e Pjetër Gacit “Për ty atdhe”. Por, edhe pse konkurset për një himn të ri kombëtar vazhdonin, te gjithsecili vazhdohej të këndohej e të pranohej himni i shqiptarëve të Rumanisë. ‘Edhe uji vazhdoj udhën e vendosur dyke rrethuar gurin, edhe guri i rrethuar qëndroj pa tundur në vënd”, përfundon Lasgush Poradeci.

HIMNI I VJETER RUMUN

MI FLAMURIN T’ONE

Mi flamurin t’onë është shkruar bashkim,
Bashkim në vetëdije dhe në ndjenja
Dhe nënë hijen e tij të madhërishme
Do përballim çdo goditje.

Në luftën e rëndë trembet ay,
Që vetë është mëndje-arratisur,
Po ne të bashkuar në çdo kohë
Do jemi, do jemi mundës.

E armatosmë dorën t’onë
Që të mpruajmë një vend të shtrenjtë,
E drejta jonë është zotëronjëse,
Dhe qëllimi ynë i shenjtë.

Dhe në librën e përjetësisë shkruan
Se shumë kombe do humbasin,
Po Rumanija jonë e Shtrenjtë
Përjetë, përjetë do lulëzojë.

Shkruar nga Ioan Barsan

HIMNI KOMBETAR

BETIMI MBI FLAMUR

Rreth flamurit të përbashkuar,
Me një dëshirë dhe një qëllim,
Të gjithë Atij duke iu betuar,
Të lidhim besën për shpëtim.

Prej lufte veç ai largohet,
Që është lindur tradhëtor,
Kush është burrë nuk friksohet,
Po vdes, po vdes si një dëshmor.

Në dorë armët do t’i mbajmë,
Të mbrojmë Atdheun në çdo vend,
Të drejtat tona ne s’i ndajmë,
Këtu armiqtë s’kanë vend.

Se Zoti vet e tha me gojë,
Që kombe shuhen përmbi dhé,
Po Shqipëria do të rrojë,
Për të, për të luftojmë ne.

Shkruar nga Asdreni

Dorëshkrimet e Asdrenit

Aleksandër Stavri Drenova (Asdreni) lindi në Drenovë të Korçës, ku edhe mori mësimet e para. Më vonë shkoi në Rumani, ku vazhdoi shkollën e mesme. Nga viti 1890, në gazeta të ndryshme shqiptare filluan të botohen vjershat e tij. Pas shpalljes së Pavarësisë erdhi në Shqipëri, por sërish u detyrua të kthehej në Rumani. Më 1904 botoi përmbledhjen e poetike “Rreze dielli”, e më vonë “Ëndrra e lot” dhe “Psallme murgu”. Më 1907 shkroi poezinë “Betimi mbi flamurin”, që u bë himni ynë kombëtar. I mbetën në dorëshkrim “Këmbana e Krujës” dhe vjersha të tjera.

Regjistrimi i parë muzikor në disk i himnit tonë
kombëtar, është bërë nga shoqëria diskografike “Albanian Phonograph Records”. Kjo është shoqëria e parë diskografike shqiptare e shekullit XX, e ideuar dhe themeluar në Amerikë në vitin 1923 nga muziktari dhe patrioti Spiridon T. Ilo nga Korça, kënduar nga tenori arbëresh Giuseppe Mauro.

Regjistrimi më i mirë profesionalisht i himit tonë
kombëtar është ai i vitit 1995. Ky regjistrim është interpretuar nga orkestra simfonike e Bambergut (Gjermani) dhe është orkestruar posaçërisht për këtë orkestër nga kompozitori ynë i shquar, prof. Çesk Zadeja (1927-1997), “Artist i Popullit”, me rastin e vizitës së presidentit gjerman në Shqipëri.

– Himni i parë i përcaktuar nga muzikologët është “Wilhelmus van Nassouwe”, që është himni i Holandës, i cili i përket vitit 1572

– Himni me fjalët më të vjetra në origjinë i përket himnit japonez, rreth shek. IX, tekst i cili rrjedh kryesisht nga folklori.

– Himni më i gjatë në ekzekutim është “Marcha de la Patria” i Argjentinës, kompozuar nga Blas Parera në vitin 1813.

– Himni kombëtar me më shumë vargje është ai i Greqisë.

HIMNI KOMBETAR ME 1937

O Flamur, yll i lirisë,
Valëvit me plot shkëlqim;
E prej qiellit t’Shqipërisë
Të dëgjohet në amëshim

HIMNI KOMBETAR
Muzika: E.A. Mario
Teksti: Beqir Çela

HYMNIT MBRETNOR

Ardhi koha e bekuar
Për Shqipëri të lëftojmë
Mbretin tonë ta nderojmë
Dhe të vdesim të gëzuar

HIMNI I MBRETERISE
Muzika: Thoma Nasi;
Teksti: Kristo Floqi