Vizitë e papritur e Françeskut në Komisionin Papnor për Amerikën Latine

“Mirëdita. Mund të hyj?”: me këto fjalë, Papa Françesku e la pa mend punonjësen, që i hapi derën e zyrës së Komisionit Papnor për Amerikën Latine, ku Ati i Shenjtë shkoi për vizitë pa lajmëruar sot në mëngjes. “Surprizë e pabesueshme”, komentuan më pas punonjësit, të cilët Ati i Shenjtë i gjeti në mbledhje për kremtimin e ardhshëm të Jubileut të Mëshirës në Bogotà.

“Erdha vetëm sa t’ju shoh”

Para fytyrave, që shprehnin mosbesim e habi, Papa Françesku përdori një shprehje tipike të amerikanolatinëve, kur vijnë për vizitë pa pritur: “Erdha vetëm sa t’ju shoh pak”. Ati i Shenjtë kërkoi të merrte pjesë në mbledhje e u ul, ndërsa një punonjëse lajmëronte sekretarin e ngarkuar me punë të zv. presidencës, prof. Guzmàn Carriquiry, i cili e priti më pas Papën.

“A ke kohë, të flasim pak?”

Duke hyrë në zyrën e prof. Carriquiry-t, Ati i Shenjtë pyeti: “A ke kohë, të flasim pak?”. Françesku bisedoi për gjysëm ore me të e pastaj përshëndeti e shkëmbeu dy fjalë me secilin prej punonjësve. Takim familjar, gjatë të cilit Papa kujtoi vizitat e mëparshme në këtë Komision, në kohën kur ishte kryeipeshkëv i Buenos Airesit. Nuk munguan fotografi e selfie, së bashku me disa batuta të këndshme ndërmjet të pranishmëve.

“Jemi në dorë të Zotit”

Ndërsa Papa bisedonte me prof. Carriquiry-n, një nga anëtarët e Sigurisë Vatikanase shpjegoi se pas një vizite odontojatrike në Fondin e Asistencës Shëndetësore në Vatikan, Papa Françesku tha se donte të shkonte në Komisionin për Amerikën Latine. Pavarësisht se u informua për protokollin e ndërlikuar të sigurisë, Ati i Shenjtë përdori një argument të padiskutueshëm: “Mos u shqetëso, jemi në dorë të Zotit”.

Radio Vtikani