Viti 1945, kur Uashingtoni refuzoi Enverin në Konferencën e San Franciskos

Pjesëmarrja e Shqipërisë në Konferencën e San Franciskos “hante” diskutim juridik. Uashingtoni argumentonte pse nuk ishte ftuar qeveria e Tiranës, ndërkohë që SHBA-ja synonte të testonte situatën në Shqipëri nëpërmjet dërgimit të nëpunësve të shërbimit të jashtëm. E përjavshmja “Investigim” boton dy dokumente të rëndësishme të Departamentit amerikan të Shtetit, që datojnë, të dyja, 7 prillin 1945. Ato hedhin dritë për vijën e sjelljes së misionit në Shqipërinë me një qeveri ende të panjohur zyrtarisht nga qeveritë e huaja, në veçanti, nga Tre të Mëdhenjtë

  • Marrëdhëniet e misionit amerikan me shqiptarët, por dhe me përfaqësuesit britanik, sovjetik apo të tjerë aleatë, duhet të ishin në të njëjtën bazë informale, duke pasur parasysh rëndësinë e mbajtjes së një qëndrimi qartësisht të dukshëm amerikan dhe, në veçanti, në mënyrë që ky qëndrim të mos identifikohej si i lidhur shumë ngushtë me qëndrimet, pikëpamjet dhe politikat e përfaqësisë britanike në Shqipëri
  • Ankesa e Enver Hoxhës drejtuar Ruzveltit, Stalinit, Çërçillit: “kam nderin t’i kujtoj Shkëlqesës Suaj, faktin që asnjë ftesë nuk i është drejtuar deri sot Qeverisë Demokratike të Shqipërisë për të marrë pjesë në Konferencën e San-Franciskos”
  • Uashingtoni: Konferenca e San Franciskos do të merrej vetëm me çështje të organizatës ndërkombëtare dhe nuk do të merrte kurrsesi karakterin dhe funksionet e një “konference paqeje”. U ftuan vetëm qeveritë e njohura. Nuk mund të rihapej diskutimi i procedurës, vetëm për hatër të Shqipërisë
  • SHBA konsideronte të papërshtatshëm çdo propozim për hyrjen e Shqipërisë në një federatë jugosllave ose më të gjerë, ose vendosjen me mjete të tjera të dominimit apo të ndikimit të dukshëm nga jashtë. Moska dhe Londra nuk duhet të ndërmerrnin ndonjë veprim lidhur me Shqipërinë për çështje me rëndësi ndërkombëtare, të tilla si njohje, kufij, federatë, aleanca e të tjera.

Marrëdhëniet me zyrtarët shqiptarë, si dhe me përfaqësuesit britanik, sovjetik apo të tjerë aleatë, duhet të ishin në të njëjtën bazë informale, duke pasur parasysh rëndësinë e mbajtjes së një qëndrimi qartësisht të dukshëm amerikan dhe, në veçanti, në mënyrë që ky qëndrim të mos identifikohej si i lidhur shumë ngushtë me qëndrimet, pikëpamjet dhe politikat e përfaqësisë britanike në Shqipëri, kjo ishte porosia e prerë e sekretarit të Departamentit të Shtetit, Stetinius (Edward Stettinius, 1900-1949), në një telegram të 7 prillit 1945 dërguar kryetarit të misionit civil amerikan që po përgatitej të vendosej në Tiranë, Xhejkobs (Joseph E. Jacobs, 1893-1971). Kështu Uashingtoni po ndërtonte një politikë tejet të zgjuar për vendin e vogël ballkanik, dhe pse do t’i duhej të “shpërfillte” aleatin e vet më besnik, “Luanin” britanik, duke ruajtur një baraslargësi me te gjithë faktorët dhe aktorët në Tiranën e pasluftës. Me sa duket, shefi i diplomacisë amerikane ishte i informuar për antipatinë e madhe ndaj Londrës, që ushqente gjeneral-koloneli Enver Hoxha, i cili atëherë kontrollonte Shqipërinë, pas çlirimit. E përjavshmja “Investigim” boton dy dokumente të rëndësishme të Departamentit amerikan të Shtetit, që datojnë, të dyja, 7 prillin 1945. Ato hedhin dritë për vijën e sjelljes së misionit fakt-mbledhës (po të përdorim terminologjinë e sotme) në Shqipërinë me qeveri komuniste qysh në 22 tetor 1944, por ende të panjohur zyrtarisht nga qeveritë e huaja, në veçanti, nga Tre të Mëdhenjtë.

HIDHËRIMI I GJENERALIT

Njëri nga dy telegramet e 7 prillit 1945, të nisura në të njëjtën orë për në zyrën e këshilltarit politik amerikan në shtabin e Mesdheut në Kazerta të Italisë, kishte të bënte me përgjigjen që i duhej dhënë Enver Hoxhës. Ky i fundit, më 29 mars 1945 u kishte bërë një kërkesë me të njëjtin tekst tre krerëve të Fuqive të Mëdha, presidentit amerikan, Ruzvelt, kryeministrit sovjetik Stalin dhe atij britanik Çërçill, lidhur me Konferencën themeluese të OKB-së, që do të mbahej në San Francisko të SHBA më 25 prill-26 qershor 1945. Me tagrin e Kryetarit të Këshillit të Ministrave të Qeverisë Demokratike të Shqipërisë, Gjeneral-Kolonel Enver Hoxha, ankohet se “duke shprehur dëshirën dhe vullnetin e popullit shqiptar, në emër të Qeverisë Demokratike të Shqipërisë, kam nderin t’i kujtoj Shkëlqesës Suaj, faktin që asnjë ftesë nuk i është drejtuar deri sot Qeverisë Demokratike të Shqipërisë për të marrë pjesë në Konferencën e San-Franciskos. Ndër shtetet që kanë luftuar krah për krah me shtetet aleate për të mposhtur Gjermaninë hitleriane, Shqipëria zë një vend të rëndësishëm për hir të luftës së pareshtur që ka bërë kundër armikut të përbashkët dhe për hir të sukseseve që kanë kurorëzuar përpjekjet dhe sakrificat e saja të panumërta. Me hidhërim konstatoj se shtete të tjera, të cilat nuk kanë dhënë asnjë kontribut në këtë luftë, janë ftuar me kohë dhe përgatiten të dërgojnë përfaqësitë e tyre në San-Francisko. Kjo është një arsye më tepër që provon se pjesëmarrja në Konferencën e San-Franciskos i takon me të drejtë Qeverisë Demokratike të Shqipërisë, e cila është shprehja më e gjallë e popullit tonë heroik që meriton në çdo pikëpamje të japë gjithashtu kontributin e tij në rregullimin e çështjeve që i përkasin paqes së ardhshme të popujve, ashtu sikurse nuk ka kursyer në kohë lufte gjakun e tij për kauzën e përbashkët”.

JO RIHAPJE PROCEDURE PËR HIR TË SHQIPËRISË

10 ditë më pas, më 7 prill, personalisht sekretari amerikan i shtetit, Stetinius, i dërgon Aleksandër K. Kërk-ut, këshilltar politik amerikan pranë Shtabit të Forcave Aleate të Mesdheut, Kazerta, një telegram, ku bëhej i ditur pozicioni i qeverisë amerikane lidhur me kërkesën e Hoxhës, drejtuar presidentit Ruzvelt. Sipas Stetiniusit Uashingtoni dëshironte të bënte të qartë se Konferenca e San Franciskos do të merrej vetëm me çështje të organizatës ndërkombëtare dhe nuk do të merrte kurrsesi karakterin dhe funksionet e një “konference paqeje”. Qeveria amerikane theksonte se ishte bërë një shqyrtim i thellë nga qeveritë organizatore i çdo aspekti para se të merrej vendimi për të ftuar vetëm anëtarët e Kombeve të Bashkuara, ku përfshihen vetëm qeveritë e njohura. Departamenti i Shtetit besonte se gjeneral Hoxha do ta kuptonte, që nuk mund të rihapej diskutimi i procedurës, vetëm për hatër të Shqipërisë. Në fund memorandumi vlerësonte luftën e patriotëve shqiptarë kundër agresionit armik. Është ironike që ky memorandum mbyllej me frazën se “Qeveria e Shteteve të Bashkuara shpreson sinqerisht se Shqipëria për së shpejti do të zërë vendin që i përket në komunitetin e kombeve”. Vetëm pas  mbi 10 vjetësh, më 14 dhjetor 1955, Shqipëria pranohet në OKB.

NERVOZIZMI

“S’na kënaq përgjigja e Departamentit të Shtetit”, thotë Enver Hoxha në një fjalim të mbajtur në Kongresin e Dytë të Rinisë, më 16 prill 1945, por që e bën publik në gazetën “Rinia” vetëm më 5 maj 1945, kur Shqipëria ishte vënë para faktit të kryer, pasi Konferenca e San Franciskos kishte filluar punimet më 25 prill 1945! “Neve s’na kënaq përgjigja që na jepet nga Departamenti i Shtetit për Punët e Jashtme të Shteteve të Bashkuara, se Amerika nuk mund të mbrojë pranimin tonë në Konferencën e San-Franciskos, meqenëse nuk është njohur qeveria dhe se konferenca në fjalë ka vetëm për qëllim organizimin e organizatës për mbrojtjen e paqes dhe aspak karakterin e Konferencës së Paqes”, thotë i nervozuar Enver Hoxha. Ky i fundit nuk i quan argumente faktin se nuk ishte një konferencë paqeje dhe se qeverinë e tij nuk e kishte njohur deri atëherë asnjë shtet, madje as Bashkimi Sovjetik. Enver Hoxha bën retorikë për konsum të brendshëm teksa deklaron se “të drejtën e njohjes së qeverisë së tij dhe pjesëmarrjen në Konferencën e San-Franciskos populli ynë e ka fituar me luftë dhe me sakrifica dhe derisa në atë konferencë janë ftuar shtete, që jo vetëm nuk kanë luftuar aspak kundër fashizmit, por edhe e kanë ndihmuar tërthorazi, lënia jashtë e popullit shqiptar është një padrejtësi”. Ndërkaq, gjeneral kolonel Enver Hoxha citon dhe fjalët e mira që thotë Uashingtoni: “Presidenti dhe populli i Shteteve të Bashkuara e dinë fare mirë në ç’mënyrë të papërkulur patriotët shqiptarë kanë përfunduar me sukses përpjekjet e tyre të pabarabarta kundër agresionit armik dhe e dinë fort mirë se populli shqiptar ka kontribuar në mënyrë të çmueshme për triumfin eventual të kauzës sonë të përbashkët. Të shtytur nga ndjenjat miqësore të popullit amerikan kundrejt popullit shqiptar, Qeveria e Shteteve të Bashkuara shpreson sinqerisht se Shqipëria për së shpejti do të zërë vendin që i përket në komunitetin e kombeve”.

DISTANCIMI NGA “LUANI”

Në telegramin e dytë të po 7 prillit 1945, dërguar kryetarit të misionit civil amerikan që po përgatitej të vendosej në Tiranë, Xhejkobs (Joseph E. Jacobs, 1893-1971), sekretari i Departamentit të Shtetit, Stetinius, porosiste që marrëdhëniet me zyrtarë të tjerë shqiptarë, si dhe me përfaqësuesit britanik, sovjetik apo të tjerë aleatë, duhet të ishin në të njëjtën bazë informale, duke pasur parasysh rëndësinë e mbajtjes së një qëndrimi qartësisht të dukshëm amerikan dhe, në veçanti, në mënyrë që ky qëndrim të mos identifikohej si i lidhur shumë ngushtë me qëndrimet, pikëpamjet dhe politikat e përfaqësisë britanike në Shqipëri, Kështu Uashingtoni po ndërtonte një politikë tejet të zgjuar për vendin e vogël ballkanik, dhe pse do t’i duhej të “shpërfillte” aleatin e vet më besnik, “Luanin” britanik, duke ruajtur një baraslargësi me te gjithë faktorët dhe aktorët në Tiranën e pasluftës. Me sa duket, shefi i diplomacisë amerikane ishte i informuar për antipatinë e madhe ndaj Londrës, që ushqente gjeneral-koloneli Enver Hoxha, i cili atëherë kontrollonte Shqipërinë, pas çlirimit. Por Xhejkobsi nuk duhet t’i krijonte asnjë iluzion Enver Hoxhës se prania e misionit amerikan në Tiranë duhej interpretuar si përfaqësim i ndonjë niveli njohjeje dhe se realizimi i objektivave të misionit ishte parakusht për qeverinë amerikane për të marrë në konsideratë çështjen e vendosjes së marrëdhënieve zyrtare me autoritetet ekzistuese shqiptare. Xhejkobsi porositej që të shmangte “çdo manifestim apo gjest që gjeneral Hoxha ose autoritetet e tjera shqiptare” të mund të arrinin të krijonin përshtypjen se gëzonin përkrahje amerikane.

KUFIRI NUK PREKET, JO FEDERATËS JUGOSLLAVE

Telegrami i gjatë, që në origjinal botohet me shkurtime (censurime?) të konsiderueshme, jepte udhëzime që çështjet, të cilat lidheshin me kufijtë apo mosmarrëveshjet territoriale, duhej të pezulloheshin deri në rregullimin e përgjithshëm pas luftës. Bie në sy një fakt domethënës, kur Departamenti i shtetit i deklaronte Enver Hoxhës se SHBA-ja do të dënonte “çdo përpjekje, si nga ana e shqiptarëve apo dhe fqinjëve të tyre, për të shkelur kufirin shqiptar të para vitit 1939 ose për të zgjidhur mosmarrëveshjet territoriale me forcën e armëve”. Po ashtu, Uashingtoni e konsideronte të papërshtatshëm çdo propozim që bëhej në atë kohë për hyrjen e Shqipërisë në një federatë jugosllave ose më të gjerë, duke përfshirë Bullgarinë, ose vendosjen me mjete të tjera të dominimit apo të ndikimit të dukshëm nga jashtë. Ky paralajmërim u dërgohej dhe aleatëve të tjerë, Moskës dhe Londrës, që nuk duhet të ndërmerrnin ndonjë veprim lidhur me Shqipërinë për çështje me rëndësi ndërkombëtare, të tilla si njohje, kufij, federatë, aleanca e të tjera.

ZGJEDHJE ABSOLUTISHT TË LIRA

Një pikë kyçe në udhëzimet që jepte qeveria amerikane për diplomatët e saj në Tiranë ishte se zgjedhjet duhej të mbaheshin vetëm pas masave që mund të merreshin për të garantuar se ato do të ishin absolutisht të lira dhe të fshehta, në mënyrë që populli të mund të kishte qeveri përfaqësuese të përgjegjshme ndaj vullnetit të tyre. Stetiniusi thoshte dhe pse Uashingtoni njihte të drejtën e popullit shqiptar për të çuar para gjyqit persona, të cilët i konsideronte fajtorë për krime lufte ose tradhti ndaj interesave të vendit, do ta shihte me shqetësim çdo përpjekje nga çdo anë për të shfrytëzuar gjyqet për krime lufte si instrument politik për eliminimin e kundërshtarëve politikë. Është interesante se nga informacioni që do të mblidhte misioni dhe që mund të ishte i dobishëm për Departamentin e Shtetit, do të përcaktoheshin hapat që do të duhej të ndërmerrte administrata amerikane “ për vendosjen eventuale të marrëdhënieve normale midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

/Dokumentet

Uashingtoni: Nuk rihapim dot procedurë vetëm për Tiranën

Telegram i Sekretarit të Shtetit drejtuar z. Aleksandër K. Kërk, këshilltar politik pranë Shtabit të Forcave Aleate të Mesdheut, Kazerta

Uashington, 7 prill 1945, ora 19:00

Nr. 307 prot. Gjegje telit tuaj nr. 1286 prot, datë 1 prill.[1] Departamenti i Shtetit sugjeron, referuar kërkesës së gjeneralit Hoxha [2] që Shqipëria të ftohet të marrë pjesë në Konferencën e ardhshme të San Franciskos të organizatës ndërkombëtare, që ju dhe Xhejkobs-i (Jacobs) të përgatisni një memorandum jozyrtar njohjeje, i cili bën të ditur pozicionin e kësaj qeverie lidhur me kërkesën e tij, në vijat si më poshtë:

Fillimi i memorandumit. Zyra e Këshilltarit Politik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kazerta është ngarkuar nga Departamenti i Shtetit për t’i komunikuar gjeneral-kolonelit Enver Hoxha, Komandant i Përgjithshëm i UNÇSH-së, Tiranë, deklaratën e mëposhtme, ku parashtrohet qëndrimi i qeverisë amerikane lidhur me kërkesën që i ka drejtuar Presidentit më 29 mars 1945, për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Konferencën e San Franciskos.

Për të parandaluar çdo keqkuptim lidhur me sferën e diskutimeve që do të bëhen në San Francisko, kjo qeveri dëshiron të bëjë të qartë menjëherë faktin se kjo Konferencë do të merret vetëm me çështje të organizatës ndërkombëtare dhe nuk do të marrë kurrsesi karakterin dhe funksionet e një “konference paqeje”, ku do të ndërmerrej zgjidhje çështjesh territoriale, reparacionesh, problemesh pakicash, dhe temash të ngjashme.

Ndonëse kjo Qeveria çmon interesimin e gjeneralit Hoxha në këtë rast, ajo dëshiron të theksojë se është bërë një shqyrtim i thellë nga qeveritë organizatore të çdo aspekti të kësaj teme para se të merrej vendimi për të ftuar vetëm anëtarët e Kombeve të Bashkuara, ku përfshihen vetëm qeveritë e njohura. Nuk është parashikuar pjesëmarrje vëzhguesish zyrtarë apo jozyrtarë. Departamenti i Shtetit beson se gjeneral Hoxha do ta kuptojë, duke pasur parasysh këto konsiderata, që nuk mund jetë e përshtatshme të ndërmerren hapa për rihapje diskutimi të procedurës, për të cilën tashmë është rënë dakord dhe, prandaj, duhet ta informojë [Hoxhën] se nuk është në gjendje të mbështesë kërkesën e tij për përfaqësim të Shqipërisë në Konferencën e ardhshme.

Presidenti [në origjinalin anglisht: “The Government – Qeveria”. Ky paragraf jepet i përkthyer sipas tekstit të botuar nga Enver Hoxha – “Investigim”] dhe populli i Shteteve të Bashkuara e dinë fare mirë në ç’mënyrë të papërkulur patriotët shqiptarë kanë përfunduar me sukses përpjekjet e tyre të pabarabarta kundër agresionit armik dhe e dinë fort mirë se populli shqiptar ka kontribuar në mënyrë të çmueshme për triumfin eventual të kauzës sonë të përbashkët. Të shtytur nga ndjenjat miqësore të popullit amerikan kundrejt popullit shqiptar, Qeveria e Shteteve të Bashkuara shpreson sinqerisht se Shqipëria për së shpejti do të zërë vendin që i përket në komunitetin e kombeve. Fundi i memorandumit.

Memorandumi mbi bazën e tekstit të mësipërm mund t’i komunikohet gjeneralit Hoxha nëpërmjet kanaleve të tilla që ju dhe Xhejkobsi i konsideroni të përshtatshme. [3]

STETTINIUS

Shënime të origjinalit anglisht

[1] Nuk është botuar.

[2] Gjeneral kolonel Enver Hoxha, Kryetar i Këshillit të Ministrave të Qeverisë Demokratike të Shqipërisë, komandant i përgjithshëm i Ushtrisë Nacional Çlirimtare Kombëtare Shqiptare.

[3] Në përgjigje të një kërkese tjetër, datë 27 prill, për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Konferencën e San Franciskos, Sekretari i Shtetit Stetinius transmetoi në telegramin nr. 7 prot, datë 17 maj, mesazhin e mëposhtëm të Departamentit të Shtetit për gjeneralin Hoxha: “Sikurse jeni informuar tashmë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund ta shohin të përshtatshme të mbështesin pjesëmarrjen në Konferencë të autoriteteve që ushtrojnë aktualisht kontroll mbi Shqipërinë, me të cilat qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk ka vendosur marrëdhënie zyrtare”.

Jo gjyqeve si mjet politik për eliminimin e kundërshtarëve

Telegram i Sekretarit të Shtetit drejtuar z. Aleksandër K. Kërk, këshilltar politik pranë Shtabit të Forcave Aleate të Mesdheut, Kazerta

Uashington, 7 prill 1945, ora 19:00

Nr. 308 prot. Për Xhejkobsin (Jacobs).

  1. Departamenti i Shtetit do të donte që të shkonit në Shqipëri me qëllim që të kryeni një eksplorim të kushteve dhe të ngjarjeve në atë vend, për t’i siguruar kështu qeverisë amerikane informacion, mbi të cilin ajo do të bazojë pozicionin e saj për çështjet shqiptare në përgjithësi dhe, në veçanti, për kërkesën e autoriteteve që kanë kontrollin e vendit atje për ta njohur zyrtarisht si qeverinë e Shqipërisë. Ju duhet të procedoni sa më shpejt të jetë e mundur, i shoqëruar nga anëtarët e personelit tuaj që janë tani në Itali (tel. i Dep. të Shtetit nr. 292 i prot, datë 3 prill [1]).

[Në vijim udhëzimet lidhur me masat për nisjen e misionit në Tiranë.]

  1. Për shkak të karakterit jozyrtar të Misionit tuaj ju nuk do të keni tjetër titull zyrtar përveçse atij të nëpunësit të shërbimit të jashtëm dhe duhet pasur kujdes në mënyrë që të shmanget përdorimi i termave apo titujve që kanë të bëjnë me seli të rregullta diplomatike ose konsullore. Për këtë arsye Hoffman-it [Erich William August Hoffmann, nënkonsull në Napoli, në prill 1945 caktohet ndihmës i posaçëm në misionin jozyrtar amerikan në Shqipëri; më parë, në vitet 1932-38, ka qenë nënkonsull në Tiranë – “Investigim”] do t’i kërkohet të heqë dorë gjatë kësaj periudhe nga titulli i nënkonsullit.

[Në vijim udhëzimet lidhur me çështje të qiramarrjes së ndërtesës dhe mënyrën e komunikimit për misionin.]

  1. Për sa i përket mbrojtjes së interesave amerikanë në Shqipëri, ju duhet ta konsideroni si më të zbatueshmin për periudhën e mëvonshme instruksionin A të Departamentit të Shtetit, datë 10 janar, ora 12 [2]. Departamenti sigurisht dëshiron që për të gjitha hapat e ndërmarrë për mbrojtjen e interesave amerikanë, dhe pas marrjes së rekomandimeve tuaja, të dërgojë instruksione më vete lidhur me shërbime të tilla që mund të autorizohen në mënyrën e duhur.
  2. Departamenti i Shtetit nuk dëshiron t’ju lidhë duart me lloj-lloj udhëzimesh të tilla të sakta, që do t’ju pengonin të merreni me situatën që do të gjeni kur të mbërrini në Tiranë. Në përgjithësi, gjithsesi, ju duhet të keni parasysh se dëshirojmë të shmangni çdo manifestim apo gjest që gjeneral Hoxha ose autoritetet e tjera shqiptare të mund të arrijnë të krijojnë përshtypjen se gëzojnë favore amerikane. Shpresojmë se mund të gjeni mundësinë të lëvizni nga aeroporti në mjediset e ish-legatës me mjetet tuaja të transportit, ose të paktën me mjete amerikane, por e kuptojmë, sigurisht, që kjo gjë mund të jetë e pamundur.
  3. Me të mbërritur në Tiranë, duhet t’i dërgoni fjalë gjeneral-kolonelit Enver Hoxha, Komandant i Përgjithshëm i UNÇSH-së, se do të donit ta takonit jo-zyrtarisht kur ai ta shohë të volitshme. Kur ta takoni, t’i vini në dukje se populli amerikan ka treguar gjithmonë interes të veçantë për Shqipërinë dhe popullin shqiptar dhe se qeveria amerikane ka ndjekur nga afër luftën e gjatë të patriotëve shqiptarë kundër pushtuesve fashistë dhe nazistë. Nëse ai përsëri ngre çështjen e njohjes zyrtare nga pala amerikane të administratës së tij si qeveria e Shqipërisë, ju mund të konfirmoni pozicionin e qeverisë amerikane të përcaktuar në telin e Departamentit të Shtetit me nr. 229, datë 19 mars dhe të komunikuar atij në formë memoje (ref. telegramet me nr. 1082 prot, datë 22 mars [3] dhe nr. 1136 prot, datë 24 mars). Ju mund të thoni se, si pasojë e miratimit nga ana e tij për praninë në Shqipëri të përfaqësuesit amerikan të ngarkuar me kryerjen e një shqyrtimi në vend të kushteve dhe të ngjarjeve në Shqipëri, ju jeni ngarkuar nga qeveria amerikane në krye të një grupi për të ardhur në Shqipëri për këtë qëllim mbi një bazë krejtësisht jozyrtare dhe informale. Ju nuk duhet t’i krijoni asnjë iluzion se prania juaj duhet interpretuar si përfaqësim i ndonjë niveli njohjeje dhe se realizimi i misionit tuaj është parakusht për qeverinë amerikane për të marrë në konsideratë çështjen e vendosjes së marrëdhënieve zyrtare, de facto apo de jure, me autoritetet ekzistuese shqiptare. Ju mund vini në dukje lidhur me këtë gjë mesazhin e Presidentit drejtuar Kongresit amerikan (tel. i Departamentit të Shtetit me nr. 82 prot. datë 31 janar) dhe Deklaratën e Krimesë mbi Evropën e çliruar. Ju do të shpresoni të paktën të keni marrëdhënie miqësore jozyrtare me të dhe autoritetet e tjera ekzistuese dhe të besoni se mund t’ju jepen të gjitha lehtësitë e nevojshme për përmbushjen në mënyrën e duhur të misionit tuaj.
  4. Si në rastin e këtij takimi të parë, ose më pas, Gjeneral Hoxha mund t’i referohet kërkesës së tij të fundit për përfaqësim në Konferencën e San Franciskos. [4] Në këtë rast, ju duhet të përsërisni qëndrimin e qeverisë amerikane siç përcaktohet në një instruksion të veçantë si më poshtë.
  5. Marrëdhëniet tuaja me zyrtarë të tjerë shqiptarë, si dhe me përfaqësuesit britanik, sovjetik apo të tjerë aleatë, duhet të jenë në të njëjtën bazë informale. Ju sigurisht duhet të keni parasysh rëndësinë e mbajtjes së një qëndrimi qartësisht të dukshëm amerikan dhe, në veçanti, në mënyrë që ky qëndrim të mos identifikohet si i lidhur shumë ngushtë me qëndrimet, pikëpamjet dhe politikat e përfaqësisë britanike atje [në Shqipëri].
  6. Do t’ju duhet të familjarizoheni me politikën amerikane ndaj Shqipërisë, sikurse shtjellohet në udhëzimet dhe studimet e ndryshme që i janë dërguar Kazertës. Kjo mund të jetë e dobishme për ju për të mbajtur vazhdimisht parasysh pozicionin bazë amerikan mbi disa probleme fondamentale të vendit:

(a) Deklarata e sekretarit të shtetit e datës 10 dhjetor 1942, që përcakton qartë pikëpamjen amerikane se rivendosja e pavarësisë së Shqipërisë është në përputhje me Kartën e Atlantikut.

(b) Mendojmë se çështjet që lidhen me kufijtë apo mosmarrëveshjet territoriale duhen pezulluar deri në rregullimin e përgjithshëm pas luftës. Ndërkohë do të dënonim çdo përpjekje, si nga ana e shqiptarëve apo dhe fqinjëve të tyre, për të shkelur kufirin shqiptar të para vitit 1939 ose për të zgjidhur mosmarrëveshjet territoriale me forcën e armëve (Ref. tel. i Departamentit të Shtetit me nr. 365 prot, datë 9 nëntor).

(c) Mendojmë se zgjedhjet duhet të mbahen në zonat e çliruara vetëm pas masave që mund të merren për të garantuar se ato do të jenë absolutisht të lira dhe të fshehta, në mënyrë që populli të mund të ketë qeveri përfaqësuese të përgjegjshme ndaj vullnetit të tyre.

(d) Ndonëse njohim të drejtën e popullit shqiptar për të sjellë para gjyqit persona, të cilët i konsideron fajtorë për krime lufte ose tradhti ndaj interesave të vendit, do të shihnim me shqetësim çdo përpjekje nga çdo anë për të shfrytëzuar gjyqet për krime lufte si instrument politik për eliminimin e kundërshtarëve politikë.

(e) Do ta konsideronim të papërshtatshëm çdo propozim që bëhet në këtë kohë për hyrjen e Shqipërisë në një federatë jugosllave ose më të gjerë, duke përfshirë Bullgarinë, ose vendosjen me mjete të tjera të dominimit apo të ndikimit të dukshëm nga jashtë.

(f) Mendojmë se asnjëra nga tre qeveritë aleate kryesore nuk duhet të ndërmarrë ndonjë veprim vendimtar lidhur me Shqipërinë për çështje me rëndësi ndërkombëtare, të tilla si njohje, kufij, federatë, aleanca e të tjera, përveçse në konsultim me dy qeveritë e tjera aleate.

  1. Departamenti i Shtetit dëshiron që tani për tani të mos t’ju japë udhëzime më specifike lidhur me objektivat tuaj të veprimit. Thjesht duam që të siguroni dhe të raportoni të gjithë informacionin, që mund të jetë i dobishëm për ne që të përcaktojmë se cilët do të duhen të jenë hapat tanë të tjerë për vendosjen eventuale të marrëdhënieve normale midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mënyrë që të jenë në përputhje me përgjegjësitë tona ndaj popullit shqiptar sikurse nënkuptohen në deklarime të tilla publike si Karta e Atlantikut dhe Deklarata e Krimesë. Për këtë ne do të na duhet të dimë më shumë mbi qëndrimet, politikat dhe veprimet e autoriteteve ekzistuese, çdo plan që ato mund të kenë për zgjerimin e bazës së qeverisë aktuale, ose për mbajtjen e zgjedhjeve vërtet të lira, programin e tyre të taksave ose të rehabilitimit ekonomik, çfarë presin për sa i përket ndihmës ekonomike apo financiare nga jashtë, qëndrimin e popullit shqiptar si një i tërë ndaj qeverisë, kushtet e rendit të brendshëm, akuzat dhe kundër-akuzat për represion dhe mizori në rajonin e kufirit shqiptaro-grek, dhe për faktorët e panumërt të tjerë, që do t’i njihni dhe që kanë të bëjnë me këtë situatë.

STETTINIUS

Shënime të origjinalit anglisht

[1] I pabotuar; njoftonte se po përgatiteshin transfertat dhe urdhrat e nevojshëm të udhëtimit për personelin e zotit Xhejkobs.

[2] I pabotuar.

[3] I pabotuar; njoftonte se ishte përgatitur një memorandum për gjeneralin Hoxha sipas linjave të treguara në telegramin e Departamentit të Shtetit me nr. 229 prot. datë 19 mars [shih numrat e kaluar të “Investigim-it”], duke shtuar një referencë në paragrafin e parë të informacionit përcjellë gojarisht Kadri Hoxhës më 20 janar dhe duke fshirë fjalët “në interes të ndërlidhjes ushtarake” nga paragrafi i parafundit i draftit të Departamentit të Shtetit.

[4] Në një mesazh drejtuar Presidentit Ruzvelt datë 29 mars 1945, Hoxha kërkonte që Shqipëria të ftohej të merrte pjesë në Konferencën e Kombeve të Bashkuara në San Francisko. Mesazhi i Hoxhës iu transmetua Departamentit të Shtetit me telegramin nr. 1286 prot, datë 1 prill 1945, nga Kazerta. Pozicioni i Departamentit të Shtetit lidhur me kërkesën shqiptare shtjellohej në telegramin nr. 307 prot, datë 7 prill, drejtuar Kazertës [shih më sipër në këtë numër të “Investigim-it]…

Shënim: Përkthimi dhe titujt e dokumenteve janë të “Investigim-it”.

Konferenca e San Franciskos, 1945

Më 25 prill-26 qershor të vitit 1945, zhvilloi punimet konferenca e 50 shteteve anëtarëve themelues të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Sovjetik, Britania e Madhe dhe Kina thirrën Konferencën e San Franciskos për të hartuar një tekst përfundimtar të Kartës së OKBsë, siç ishte rënë dakord në Konferencën e Jaltës të vitit 1945. Ftesat iu dërguan fillimisht qeverive të 42 vendeve që kishin nënshkruar Deklaratën e Kombeve të Bashkuara më 1 janar 1942, ose që kishin miratuar deklaratën dhe u kishin shpallur luftë vendeve të bllokut fashist. Vendet e ftuara: Australia, Belgjika, Bolivia, Brazili, Kanadaja, Kili, Kolumbia, Kosta Rika, Kuba, Çekosllovakia, Republika Domenikane, Ekuadori, Egjipti, Etiopia, Greqia, Guatemala, Haiti, Hondurasi, India, Irani, Iraku, Liberia , Libani, Luksemburgu, Meksika, Holanda, Zelanda e Re, Nikaragua, Norvegjia, Panamaja, Paraguai, Peruja, Filipinet, Franca, El Salvadori, Arabia Saudite, Siria, Turqia, Unioni i Afrikës së Jugut, Uruguai, Venezuela, dhe Jugosllavia.

Më 30 prill 1945, konferenca u dërgoi ftesa edhe qeverive të republikave sovjetike të Bjellorusisë dhe Ukrainës dhe – pavarësisht kundërshtimeve të BRSS-së – qeverisë së Argjentinës, e cila kishte ndjekur një politikë armiqësore ndaj Kombeve të Bashkuara, duke i shpallur luftë Gjermanisë vetëm më 27 mars 1945. Më 5 qershor 1945, iu dërgua ftesë edhe qeverisë së Danimarkës. Për shkak të kundërshtimeve të fuqive perëndimore ndaj qeverisë polake, Polonia nuk u ftua në konferencë. Megjithatë, më 23 qershor, 1945, me këmbënguljen e Bashkimit Sovjetik, konferenca vendosi të lërë hapësirë në Kartën e OKB-së për nënshkrim nga përfaqësuesit e Polonisë. Kështu Polonia u bë një nga anëtarët themelues të OKB-së.

Konferenca e San Franciskos i kushtoi vëmendje të madhe përcaktimit të qëllimeve dhe parimeve të OKB-së si dhe strukturës dhe kompetencave të organeve të saj kryesore. Konferenca themeloi Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, statuti i së cilës është pjesë e Kartës së OKB-së. Pas debateve të gjata, më në fund u miratua Karta e OKB-së. Nënshkrimi zyrtar u bë më 26 qershor, 1945. Më 24 tetor 1945, pas ratifikimit nga të gjithë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit dhe shumica e shteteve të tjera nënshkruese, Karta e OKB-së hyri në fuqi.

Thanas Mustaqi