IN MEMORIAM-Violeta Manushi, tipografja që u shndërrua në ikonë e artit skenik shqiptar

Nga Albert Vataj

“Sikurse e shihni, unë jam nisur për udhë, që nuk është e gjatë. Nuk jam pishman që po shkoj, jetova 81 vjet e kusur, për më tepër jetova me nder. Kemi qenë të varfër, por nuk kemi lypur. Kemi jetuar me punë dhe me nder, duke lënë pas emrin e mirë”. Violeta Manushi i tha këto fjalë në orët e fundme të frymës, më 27 korrik 2007, fjalë që nuk do të ishin vetëm të fundit, por kumtim solemn i denj për epitaf shenjtorësh. Ajo nuk ishte një shenjtore, por gjithçka e përkorë, gjithçkae virtytshme, gjithçka  ngadhnjyese dhe përkushtuese që mbushi jetën e saj ishte e bekura dhe ujdhesë e njeriut të motivuar nga mirësia. “Teta Ollga”, artistja e madhe, me kurajën e pashembullt, me humorin që kishte brenda tragjiken, me qëndrimin e saj, e bëri shumë të lehtë takimin me vdekjen. Ajo u shua për të lënë pas emrin që skaliti me shkronja të arta në memuarin e traditës së artit skenik shqiptar. Iku për të lënë rolet e saj të pavdekshme. Mori udhën e amshimit për të mos harruar të na gostisë vijimsisht me humorin dhe virtuozitetin skenik.

Violeta Manushi iku duke lënë gjurmë të pashlyera në radhët e korifejve të artit skenik shqiptar, në radhët e atyre që vunë themelet e godinës së aktrimit teatror dhe filmik. Ndërsa kthehemi në in memoriam dritëhedhim kumtim pas kumtimi gjurmëve që ajo la. Në atëkohje Luftar Paja për Violeta Manushin do të thoshte mes të tjerash: “Ajo për këtë teatër ka sakrifikuar jetën, duke luftuar me penë dhe djersë për të mposhtur konceptet e asaj kohe. Ajo ishte këmbëngulëse në rolet që bënte. Ka qenë një njeri i respektueshëm në klimën artistike që sot me keqardhje mund të them se çalon. Artistët si ajo ishin të rrallë Dritëro Agolli do të mëtonte kësisoj për aktoren: “Shtëpia e Violetës ishte skena, rolet ishin fëmijët e saj. Artistja e Popullit Violeta Manushi, mbetet një nga kalorëset më fisnike të skenës, që bashkë me brezin e saj, hodhën themelet e Teatrit Kombëtar dhe vendosen bazamentin e dashurisë për teatrin tek njerëzit. Në këto themele, bashkë me teatrin, Violeta Manushi, ndërtoi edhe shtëpinë e saj. Për atë, teatri dhe shtëpia ishin një. Ajo nuk u martua, nuk bëri fëmijë, vatra e saj ishte skena dhe rolet, ishin fëmijët e saj. Këta ishin shumë, të vegjël, të rinj, të moshuar, të mençur, shakatarë e seriozë. Atyre u dha frymën e saj, shpirtin dhe mendjen, u dha karakterin kombëtar dhe popullor, veset dhe virtytet, zemërimin dhe trishtimin, prandaj, këto personazhe të krijuara prej saj, u bënë thellësisht popullore, bashkë me të. Le të përmendim këtu “Olimbinë” tek “Karnavalet e Korçës”, Nicen tek “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Zyhranë tek “Fytyra e dytë” dhe Ollgën tek “Zonja nga qyteti”. Violeta Manushi firmoi personalitetin e saj, duke shkelur mbi të gjitha rrugët e Shqipërisë, në klasa shkollash dhe auditore fakultetesh. Kudo, ajo ishte e mirëpritur, sepse u sillte njerëzve gëzim, humor, shpirtgjerësi. Prej saj buronte bukuria dhe humanizmi njerëzor. Janë shumë virtyte, që e bëjnë atë të pavdekshëm”.

Violeta Manushi, gruaja që sakrifikoi gjithçka për pasionin u lind në qytetin e traditave, Korçë më 6 mars 1926. Edhe pse kanë kaluar 40 vite prej ditës kur “Ollga” do të mrekullonte në komedinë e Pirro Milkanit “Zonja nga qyteti”, pakkush refuzon ta shohë edhe sot pas kaq e kaq herësh që e ka parë këtë sprovë të kurajshme kinematografike. Manushi, me lojën e saj jo vetëm bëri të pavdekshme Ollgën por shndërroi Tushemishtin, vendxhirimin e këtij filmi në një vend pëlëgrinazhi për turistët dhe bujtësit në qytetin e bukur të Pogradecit. Vetëm një pasion i fuqishëm aktorial, një brendi që çel zemrën për t’i bërë vend një personazhi, mundet të prek zenitin e këtij caku. Jeta skenike e Violeta Manushit padyshim që nuk është sosur në një ngulm të vetëm atë të “Zonja nga qyteti”. Jo. Aktore e madhe, që ka shkëlqyer njësoj si në komedi ashtu edhe në dramë numeron nbi 100 role në teatër dhe 16 në kinema. Kjo galeri përplotëson mozaikun e këtij personaliteti të spikatur të artit tonë skenik. Udhën e gjatë dhe bashkëjetimin me personazhet dhe karakteret e shumtë që i bëri memorie të historisë së dhe traditës skenike e mbylli me rolin e saj të fundit në tragjikomedinë e Ruzhdi Pulahes, me regji të Mihal Luarasi, “Streha e të harruarve”. Është pragu i mbramë që shënon dhe 60-vjetorin e Teatrit Kombëtar. Një jetë në këtë skenë Violeta Manushi zgjodhi ta mbylltë në një jubile, në maj 2004, tre vite para se të shuhej.

Ikona e skenës, Violeta Manushi, është ngjitur për herë të parë në skenë në vitin 1946. Ish-punëtorja e tipografisë, vetëm 20 vjeçe, u regjistrua në shkollën e parë dramatike, të hapur pranë Teatrit të Shtetit (sot TK), më 1946. U shqua menjëherë për vërtetësi, spontanitet e natyrshmëri të rrallë, por edhe disiplinë e vullnet të hekurt. Në dramën “Orët e Kremlinit Kremlinit” (1957), ajo luajti njëherësh tre role, duke shënuar kështu një rekord origjinal, ende në fuqi edhe sot e kësaj dite. Më pas, shkëlqeu në rolet protagoniste në komeditë “Gratë gazmore të Uindsorit” (1959) dhe “Morali i zonjës Dulska” (1958). Nga dramaturgjia kombëtare interpretoi me shumë sukses Olimbinë te “Karnavalet e Korçës” (1964), Zyhranë te “Fytyra e dytë” (1968), Nicën te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1971), Ollgën te “Zonja nga qyteti” (1975) dhe teton te “Pallati 176” (1985), duke u transformuar tërësisht në secilin prej tyre. Ka luajtur edhe në 16 filma, që nga “Tana” (1958) e deri tek “Rrethimi i vogël” (1989) dhe një teledramë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1976). Për rolin e teto Ollgës tek “Zonja nga qyteti” fitoi Medaljonin e Festivalit të Filmit më 1977. Në maj të vitit 2004, u rikthye me sukses në skenën e Teatrit Kombëtar, me tragjikomedinë “Streha e të harruarve”.

Duke qëmtuar mbi jetën dhe kalvarin e aktores mësojmë se në fëmijëri kishte një jetë aspak bujare. Familja e saj jetonte në varfëri e tejskajshme. Fëmijët u detyruan të punonin në moshë fare të njomë, për të siguruar bukën e gojës. Aktorja është shprehur se, ka qenë një fëmijë e padëshiruar, por kur u konstatua, prindërit gëzoheshin se mos do të lindte djalë, që t’i bëhej krah Llambit, djalit të vetëm. Që në moshën 14-vjeçare, ajo do të provonte mbi shpinën e njomë punën fizike fillimisht në fabrikën e këpucëve në Korçë, më pas punëtore në shtypshkronjën “PEPO”. Pas largimit të familjes për në Tiranë, në shtypshkronjë “Dielli”, e cila do t’i ndriçonte rrugën drejt skenës së teatrit, ku shkriu jetën e saj. Vetë aktorja nuk u martua dhe ja çfarë thoshte për këtë gjë. “Vërtetë jeta erdhi ashtu, ndoshta fati vendosi të mos martohesha, por unë kam qenë nënë me shumë fëmijë, në skenë dhe në jetë. Gjithë kohës më ka shoqëruar dashuria e nipërve dhe mbesave, që më mbanin si ujët e pakët. Kështu jam edhe sot, si veshka mes dhjamit. Teze njëri, teze tjetri, të marrin mendjen, por edhe të mbushin me gëzim e lumturi. Jam një nënë me shumë fëmijë edhe në skenë.