Viktor Karpaçi, njëri ndër burrat më të mëdhenj të Shkollës së Arbërve në Venedik

Nga Jahja Drancolli

Sipas kalendarit historik, në ditën e sotme, më 25 qershor 1526, vdiq Viktor Karpaçi, njëri ndër burrat më të mëdhenj të Shkollës së Arbërve në Venedik (Scuola degli Albanesi), i cili sipas talentit të tij të rrallë, u ngritë në piramidën e piktorëve më të njohur të Renesansës europiane. Lindi midis viteve 1455-1465 dhe vdiq (sipas një dokumenti venedikas), më 25 qershor 1526…!

Me të dhëna që zotëroj nuk mund të jepet ndonjë mendim i prerë lidhur me vendin e lindjes së piktorit. Duke u nisur nga fakti se Viktor Kapaçi pikturën e parë e kishte firmuar me “veneto” (venedikas), ka të ngjarë, mendon ndonjë studiues se vendlindja tij është Venediku. Ne mendojmë se kjo e dhënë, e vetme e këtij lloji, nuk mund të merret për ndonjë argument të qëndrueshëm, që sipas tij prerazi të konstatohet se vendlindja e Karpaçit qe Venediku. Themi kështu, meqë trojet e Venedikut gjatë mesjetës kanë pasur një shtrirje të gjërë edhe në troje bregdetare të Ballkanit, pra edhe në bregdetin e Arbërisë. Së këtejmi, pjesëtarët e këtyre trojeve që ishin në kuadër të sundimit të Republikës së Venedikut, kanë mundur përgjithësisht të regjistrohen për venedikas. Lidhur me këte çështje mund të shtrohen edhe mendime të tjera. Një pjesëtar të familjës Karpaçi e ndeshim gjatë viteve 1339-1341 në Raguzë. Është fjala për Francesco Carpaço, të cilit pas një kontesti rreth një borxhi iu kishte dhuruar një shtëpi në “in castello” të Raguzës.

Ajo që tërheqë më tepër vëmendjen është ajo se, Viktor Karpaçi qe bashkëkohës dhe bashkëpuntor i afërt me artistët e mëdhenjë të artit të Renesansës italiane Gentile Bellini (1429-1507) dhe Giovanni Bellini (1430-1516). I pari medohet se ka punuar drejtpërdrejt skicat e portretit të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, kur Fatosi ynë qe në Itali. Karpaçi e konsideronte Gentile Bellini-n edhe si mësuesin e vet të nderuar.

Studiues të ndryshëm e konsideronin Karpaçin për njërin ndër gjenitë e pikturës venedikase të Renesansës, mirëpo gjithnjë duke e lënë në haresë origjinën e tij arbërore dhe punën e tij si arbër. Këtej, edhe në enciklopedinë franceze “Larousse” të shek. XIX lexojmë: “Kur sheh njeriu veprat e këtij piktori të thjeshtë, të talentuar dhe tërheqës i vjen keq me të vërtetë se nuk di gjë të saktë për jetëshkrimin e tij”. Po kështu edhe shkrimtari L. Correa kishte shënuar në eseun e tij “Elozhe për Karpaçin”. Ndërkaq, studiuesi A. M. Zanetti, kritik i njohur i artit venedikas thoshte: ”Karpaçi kishte në zemër të vërtetën”.

Kritikët dhe historianët e artit në Itali dhe gjetiu gjithnjë kanë shkruar rreth veprave të tij dhe kanë dhënë vlerësime, natyrisht shumë pozitive, por asgjë për origjinën arbërore të tij në një kohë kur për bashkëkohës të tij dhe piktorë më pak të vlefshëm kanë dhënë hollësi. Mirëpo, nuk duhet harruar se, që në shekullin e kaluar janë arritur edhe rezultate të lakmueshme në historiografinë botërore që provojnë origjinën arbërore të V. Karpaçit. Në këte aspekt, studiuesi gjerman G. Ludwig, në një punim me pretendime të mëdha shkencore kushtuar jetës dhe veprës së Karpaçit, të botuar në vitin 1897 në Romë shkruante: “Është e denjë të kujtohen datat kryesore të historisë së arbërve të vyeshëm e tu bashkohen njohurive të regjistruara në Amzën e Shkollës (është fjala për Shkollën e Arbërve në Venedik) në rendin kronologjik, meqë nga ajo rezultojnë sqarimet mbi relacionet e Karpaçit me patriotët e bashkëvendësit e tij, si dhe mbi karrierën e tij artistike, mbi konstruktimin e shkollës dhe për motivin për të cilin u bë fjalë”.

Opusi i Viktor Karpaçit është shumë i pasur, ai përfshinte më se 100 tablo. Nga ky opus janë ruajtur vetëm gjashtë tablo, të cilat i punoi gjatë viteve 1502-1504 për Shkollën e Arbërve. I punoi këto në kohën kur ishte në kulmin e pjekurisë së tij si artist. Dy piktura, nga “Cikli i Arbërve”, me rastin e pushtimit të Republikës së Venedikut nga austriakët, u dërguan sipas urdhrit të princit austriak Meternikut më 1838 në Vjenë. Është fjala këtu për tablon “Vdekja e Mërisë” dhe tablon “Festa e Mërisë”. Ndërkaq tablo të tjera nga “Cikli i Arbërve” mbetën në Itali, por jo përherë, meqë dy prej tyre ruhen në Karlsruhe dhe Lizbonë.

Të dhënat e ruajtura dëshmojnë se Karpaçi qe piktor shumë i angazhuar. Përveç “Ciklit të Arbërve”, opus të cilin e punoi për bashkëvëllezërit e tij arbërorë, punoi edhe cikle të tjera, si, bie fjala, “Cikli i Shën Orseolit” (gjatë viteve 1490-1520), “Cikli i Shën Gjergjit të dalmatëve” (1502), e ndonjë tjetër. Është për të vënë re se, të gjitha kuadrot e cikleve të përmendura i punoi në teknikën vaj me pelhurë.

Për “Ciklin e Arbërve” Karapaçi nuk zotëronte ndonjë burim të drejtpërdrejtë vizuel. Dihet mirëfilli se ai për shkaqe të njohura ishte larg nga atdheu i tij i robëruar nga turqit. Përkundrazi, gjenialiteti i tij diti të krijonte vepra origjinale dhe të pavarura nga çfarëdo shkolle. Padyshim se natyra ishte mjeshtri i tij kryesor. Të shumta janë pikturat, tablotë me përpjestime të mëdha ku gërshetoheshin temat midis arkitektit të antikitetit të atdheut të tij madhështor dhe Atdheut të dytë, Venedikut, me arkitekturën e tij fanstastike, me procesionet e tij pompoze e me veshje të pasura senatorësh. Në zjarrin që kishte kapluar pallatin dukal në Venedik janë asgjësuar pothuaj shumë copë që prezentonin festa ceremoniale dhe piktura të mjeshtërve të ndryshëm, që do të mund të na ofronin shpjegime se cilët mjeshtër të tjerë kanë ndikuar në te dhe për zhvillimin e artit të Karpaçit. Për fat të mirë janë ruajtur në shkollën e Shën Gjon Ungjillorit disa kampionë kryesorë, si, për shembull Gentile Bellini, të cilët, nëse kanë ndonjë ngjashmëri në trajtimin e subjekteve, janë bukur larg për të treguar talentin e gjallë të tregimtarit Karpaçi . Së këtejmi, me plot gojën mund të shtrohet pyetja se përveç ciklit të jetës së Mërisë Zojës së Arbërve, a ka pasur cikle të tjera kushtuar jetës së Zojës së Virgjër nga artistët e tjerë që vepronin në Venedik? Pikërisht kjo temë u realizua në terrësi në ciklin e arbërve, përkatësisht i tërë ky cikël është paraqitur në pjesën e majtë të lokaleve të Shkollës së Arbërve. Aty janë pikturuar këto piktura: l) “Nascita della Vergine” (Lindja e Virgjëreshës), 2) “La Dedicazione della Virgine al Tempio” (Paraqitja e Mërisë në tempull), 3) “Madona con il Bambino tra i Santi Caterina e Gerolamo” (Zoja Mëri me fëmijën midis Shenjtorëve Katarina dhe Jeronimi) 4) “Sposalizio di Maria Virgine” (Kurorizimi i Mërisë Virgjër), 5) “L’ Annunciazione” (Festa e Mërisë së Virgjër), 6) “La Visitazione” (Vizita e Zojës Maria Elezabeta) dhe 7) “La morte della Virgine” (Vdekja e Mërisë së Virgjër).

Kaptinë të veçantë në veprimtarinë e Viktor Karpaçit paraqesin temat mbi luftërat e arbërve dhe venedikasëve kundër pushtuesve turqë. Vlera të mëdha në këte aspekt zotëron vepra Ushtarët dhe orientalët. Vepra në fjalë është punuar me pendë e brushë me ngjyrë braon, letër e bardhë në një madhësi prej 264 X 194 mm. Sot ruhet në Paris (Luvrë). Si vëren kritiku i artit Lauts (në vitin 1962 ), është fjala për një vizatim “instrumental”, i destinuar të japë një shembull unikat të figurëzave sipas të cilave pasurohet sfondi. Përdorimi i tyre është karakteristikë e Viktor Karpaçit në ciklin e arbërve.

Nga gjithë ajo që u tha më sipër mund të konstatojmë se, në krijimtarinë e pasur artistike të V. Karpaçit vërehen tema fetare dhe jofetare, gjë që ishte karakteristike edhe për piktorët e tjerë të kohës. Por arti i piktorit Karpaçi, pavarësisht nga tematika, është njerëzor dhe i mrekullueshëm. Ai është i fillimeve të shekullit të artë në pikturë. Në këte aspekt, emri tij përmendet me nderim të veçantë në të gjitha botimet e historisë së artit të Renesansës, në enciklopedi të artit dhe enciklopedi të përgjithshme. Tablo të tij, ndërkaq, janë riprodhuar si modele të artit të përparuar realist të Renesansës…!

Burimi: Arbërit ndërmjet Perëndimit dhe Lindjës gjatë Mesjetës, Zagreb: 2008, 427-443.