Viktor Hygo, pene tragjike që predikoi humanizmin si besim

Nga Albert Vataj

Më 26 shkurt të vitit 1802, Franca dhe bota, do të priste të vinte në jetë, atë që do të prekte zenitin si poet, dramaturg, novelist, eseist, artist vizual, burrë shteti, atë… Viktor Hygoin, aktivistin e zellshëm të të drejtave dhe lirive të njeriut.

Përpos të gjithash mëtoi kunguesin e patëdytë të poetit dhe vazhduesin e spikatun të romantizmit. Ishte dhe mbeti një shëmbëllesë e një penelate tragjike me sharm humaniteti.
Në galerinë e veprës, përcjellim kjartësisht si figurë qendrore njeriun e mitizuar në Sizif. Ngarëndja për të rrëmuar mes rrënojave të kohës, e për të ç’burgosur së andejmi gologotën e mundimshme të njeriut që gjen tek sekush vetveten, e beh atë gjithnjë mes rrëfimtarëve ngadhnjyes. Tipat, karakteret, figura, episode, etapat, datimet dhe rendiet historike, janë jo vetëm lënda e parë e asaj përmendore shtatlartë, por edhe brumi i një doktrine që me romantizmin dhe me emrin e Viktor Hygoit, kërkuan dhe përftuan përjetësinë.
Edhe sot ndërsa matim kohësinë tone, në këtë turravrap të çmendur përnga zdiseku, përgjojmë pa shumë qëmtesë, praninë mes nesh të personazheve që skaliti mendja, zemra dhe pena e një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm të shkullit XIX, këtij dishepulli të njimendtë të romantizmit.
Gjatë kësaj kohërendie pakkush ka mbetur jashtë asaj bote ngjethëse që sendërtoi ai me landën e një vullkani. Kurrkush nuk bitisi atë realitet cingëritës, atë univers ku hovtë një mllef dhe si një llavë flatëron gjithëkohësinë e gjëmimeve të brenshme të çdo shpirti. E gjithë kjo për ti dhënë përmasat e qiellit vullnesës për të drejtë dhe liri, dinjitet dhe dashuri. Vepra, personazhet dhe trillet e një ngulmi reagues, u bënë udhërrëfyes të rendjes së gjatë të një kreature letrare të tjetërqyshtë, që do ta ngjiste shumë shpejt të zotin e saj në fronin e famës. Gjithëkjo ka në thelb njeriun, atë brenda dhe jashtë nesh, atë më fatkeqin në kohësinë e vet.
Gjithëçfarë na lidh me Viktor Hygoin, këtë personalitet të letërsisë botërore, është ajo afri delikate e një shpirti rrapëllitës, i një pene tragjike që predikoi humanizmin si fe e gjithëkohësisë. Akti i krijimit, u shugurua prej tij si shërbesa e perëndishme e romantizmit.
Hygo e trajton njeriun në një mënyrë të tjetërsojtë nga sa e kishin mëtuar dhë qenë rrekur mbamëndjet kohore letrare. Veçmas kur gjen shteg dhe depërton në brendinë e tij të mistershme, mëdyshjet që ka njeriu rreth zgjedhjeve në jetë, konfliktin që gjallon në vetëdije, dhe metamorfoza që e përndjek në të gjithë hapat në të gjallë. Ai sheh anën vlertë të qënies, qëllimshëm për të nxjerrë që andej të virtytshmin. Nuk resht së lartësuari shpirtin dhe dhimbjen, ndërgjegjes i jep kahje hyjnore duke e naltësuar dhe himnizuar këtë krijesë si gjithnjë të njëmendtë në mirësi. Sipas shkrimtarit njeri mund të bëhet i madh, i urtë, i dobishëm për shoqërinë, pavarësisht sesi ka qenë ai më parë. Ai depërton më në thellësi, ndoshta shumë më shumë se kishte mbërritur tjetërkush më heret.
Viktor Hygo krijoi novela dhe poema, të cilat përfshinin çështje të nalta dhe vorbulluese, ato politike dhe filozofike të historisë së asokohëshme. I trajtoi ato me një stil të lartë dhe finesë, dritëpamësi dhe fundament, nuk është aspak i mërzitshëm edhe pse shpesh ndalet në detaje që dlirin dyshimin në trill dhe mishërojnë çdo çast me shkëlqimin e vet të ngrysët dhe trishtimin pikëllues. Gjithmonë në këtë lojë ligjëruese, ka ndopak andje dhe hir për tu përfshirë, gjithëpoaq, ke diçka për të reflektuar mbi atë që trajton me aq mjeshteri Viktor Hygoi. Mjafton vetem një sentencë që ka fuqinë e një bërthame shpërthimi brendie, që të ngas me forcën dhe magjinë e një Circe dhe të përfshijë në vorbullën e përjetimit. Për formësimin e një botëkuptimi letrar, përvoja me kryeveprat e shkrimtarit të madh, “Njeriu që qesh”, “Katedralja e Parisit” dhe “Të mjerët”, është kryekëput një ndikesë për nga përfundimet dalldisëse, të cilat lënë në gjurmën e kohës dhe në përcjelljen kundruese, gjurmë që drithërojnë. Gjithsesi këto tre vepra, dhe jo vetëm, ishin njëkohësisht dhe pasaporta ndërkombëtare e Hygoit. Mbeten sakaq emblematike për galerinë e shkrimtarit. Njëherash janë realitete letrare që paraprijnë në yshtjen e stuhishme drejt kreut këtë penë. Kohësia e këtyre veprave mëtoi në sentimentet e një qëmtesë kushtruese. Pas personazheve të skalitur me daltën e këtij dimensioni të gjithmonshëm letrar, asohere kur u botuan, sefte, në të tashmen e kohës, kur erdhën në shqip dhe u bënë yshtje e netëve pagjumë, në të sotmen e përgjithkohë, mbeten të jashtëzakonshëm. Kuazimodo, Guinpleni dhe Gavroshi janë të gjithëkohshëm. Kumti i tyre ishte, është dhe mbetet në kohësinë e gjithë shtresime shoqërore, një shkundje nga themelet, një ndërmëndje që udhëton dhe jeton me elemnetin thelbësor të jetësores, njeriun, asohere, tash e në të përgjithmonshmen. Manteli që veshi këto personazhe është reja e zezë që noton edhe në qiejt modern, duke gërmushur me nervin e hakërrisë paqen e rrejshme sociale, patosin dhe shtrirjen jargavitëse ndjesore.
Ai diti dhe ia doli t’i ikte modeleve pështira dhe melankolike që mëkoi shpirtin kumtues të asokohjes së tekstshkruesve. Nuk hezitoi të hidhej në rrapëllimën e kohës, të përballet fyta-fytas me peripecitë, me jetësoren gjithnjë në zgrip të personazheve, për ti shndrruar ato hove në shkëndija të qenësishme të ndryshesave epokale historike.
Kreatura shkrimore dhe padyshim thellësisht ndjesore, arritën të mbulonin të gjitha gjinitë letrare, nga lirika tek tragjedia, nga zakonet tek satira politike, nga romani historik e social tek thmelimi i një doktrine, duke ngjallur kësisoj një lloj njëmendësie të patjetërt evropiane.