Viktima të shumta nga një incident me armë në Pitsburg

Zyrtarët në Pitsburgh të Pensilvanisë thonë se të paktën katër vetë kanë vdekur pasi një person i armatosur, tani në paraburgim, hapi zjarr të shtunën në një sinagogë.

Shumë njerëz janë plagosur. Një zëdhënës i departamentit të policisë së Pitsburgut, Chris Togneri, tha se tre oficerë policie janë qëlluar. Një tjetër zyrtar i policisë, komandanti Jason Lando, u tha gazetarëve se ka “viktima të shumta”.

Policia tha se një i dyshuar, i identifikuar nga si 46 vjeçari Robert Bowers, u dorëzua tek një grup i skudrës SWAT që u përgjigj ndaj incidentit.

Ata kanë konfirmuar se ka viktima, por jo numrin e saktë të tyre.

Një skuadër hetoi godinën pas incidentit por nuk gjeti asnjë eksploziv.

Drejtori i Sigurisë Publike të Pitsburgut Wendell Hissrich thotë se skena brenda sinagogës është “e tmerrshme. Një nga më të rëndat që kam parë”, tha ai

FBI-ja po e trajton hetimin si një krim urrejtjeje.

Një zyrtar në sinagogën The Tree of Life tha se besimtarët po kryenin ritualin e Shabatit kur personi i armatosur hyri në ndërtesë në mesditë të shtunën.

Guvernatori i Pensilvanisë, Tom Wolf, lëshoi një deklaratë duke e quajtur incidentin “një tragjedi absolute”. Ai tha se ka folur me udhëheqësit vendorë dhe do të sigurojë burime për të ndihmuar forcat e zbatimit të ligjit dhe ekipet e shpëtimit.

“Këto akte dhune të pakuptimta nuk na përfaqësojnë ne si amerikanë”, tha ai.

Presidenti Donald Trump foli me gazetarët në bazën ajrore Andrews në Maryland menjëherë pas incidentit. Ai shprehu keqardhje dhe tha se Shtetet e Bashkuara duhet të forcojnë ligjet në lidhje me dënimin me vdekje. Ai tha se njerëzit që kryejnë krime të tilla “duhet të vuajnë me të vërtetë çmimin përfundimtar”. Ai gjithashtu sugjeroi që të shtënat mund të ishin parandaluar nëse kishte brenda një roje të armatosur.