VESHTRIM HISTORIK/ Lëvizja antikomuniste e Postrribës. Si u masakruan në komunistët Zallin e Kirit malsorët?

Beteja e tretë më e madhe në historinë e Shqipërisë kundër komunizmit, ka qenë në Shtator të 1946 përsëri në Veri, vendi i përzgjedhur këtë herë ishte Postriba. Një nga krahinat që ka bërë histori dhe që shquhet për burrërinë e atdhedashurinë e pamasë. Ashtu si edhe dy betejat e para në Macukull dhe në Malësi të Madhe, edhe Postriba është ngritur kundër sistemit me të njëjtin qëllim. Komunistët në vazhdën e “përmirësimit” të jetesës dhe luftës së klasave, dënuan dhe burgosën shumë njerëz të pafajshëm dhe kjo nuk mund të durohej më. Në korrik të 1946 në shtëpinë e Cin Serreqit në Shegaj të Ibros në Postribë është mbajtur një mbledhje nën drejtimin e Osman Haxhisë, trimit që nderohej për zgjuarsinë e tij, i cili kishte arritur që të mblidhte përfaqësuesit kryesorë të fiseve si nga Postriba ashtu edhe nga Hoti i Ri për të diskutuar rreth fatit të vendit dhe dëmeet që po i bënte sistemi Shqipërisë. Në takim ka marrë pjesë edhe përfaqësuesi i njohur i fisit Kazazi, Jup Kazazi, i cili mbante një autoritet shumë të madh në Shkodër e në krahinat përreth.

Forcat nacionaliste të Ndoc Kol Bibës në Iballë të Pukës dhe të Mark Gjonmarkaj në Mirditë, u solidarizuan me këtë mbledhje kuvendi nëpërmjet një letre që i dërguan drejtuesit të mbledhjes, pra Osman Haxhisë. Pas kuvendimit me njëri- tjetrin dhe pasi u pa që komunizmi nuk kishte për t’i sjellë asnjë të mirë vendit (ata ishin pothuajse të shkolluar të gjithë jashtë vendit dhe në shkolla perëndimore, ku edhe kishin mësuar rreth komunizmit dhe efekteve të tij), në fund të mbledhjes u vendos edhe fillimi i një kryengritjeje me karakter të përgjithshëm, e cila do të fillonte me çlirimin e të burgosurve politikë në burgjet e Shkodrës, gjithashtu u vendos edhe data e fillimit të kryengritjes dhe mënyra sesi do të veprohej.

Thirrja e djemve ushtarë në kryengritje u bë në datë 09.09.1946, gjithmonë e nxitur nga mbledhja e cila u organizua në datë 07.09.1946 në shtëpinë e Abdullah Sahitit në fshatin Kullaj, ku edhe u la që të nesërmen, pra në datë 08.09.1946 pasdreke të mblidheshin bajraktarët e paria e vendit, të gjithë bashkë bëheshin rreth 150 vetë përfshirë këtu edhe fshatin Kodër Boks, në vendin e quajtur Shegat e Ibros në Postribë. Në mbledhje morën pjesë Osman Haxhia, Abas Sulejmani, Zyber Cafi, Kasem Rragibi, Jenim Zyberi, Selim Raci, Dervish Nuzi, Ismail Duki, Abdullah Sehiti, Jakup Dani, Muho Fetahi, Myrto Dani, Ali Brahimi, Metush Halili, Ram Fazi, Muho Osja, Haxhin e Idriz Tahiri, si dhe 150 kryengritës të tjerë të cilët shkonin pas të parëve. Prijësi Osman Haxhia, arriti që të bindte pjesëmarrësit se kryengritja duhet të fillonte sa më shpejt të ishte e mundur, mundësisht që në ditën pasardhëse, pra në datë 09.09.1946 dhe kështu u vendos, kryengritja do të fillonte ditën pasardhëse.

Ndërkohë që në datë 07.09.1946 një tjetër autoritet, qytetar shkodran, organizon mbledhjen në kullën e Man Hotit, për të njoftuar shokët për mbledhjen që ishte organizuar në  Postribë. Ndërkohë që ishin duke pritur caktimin e datës për fillimin e luftës,  njerëz të Sigurimit komunist kishin depërtuar në radhët e kryengritësve dhe po njoftoheshin për çdo lëvizje.

Me datën 09.09.1946 filloi kryengritja. Asaj i parapriu aksioni i prerjes së telave të ndërlidhjes Shkodër-Tiranë, nga Hamza Trieshti me shokë. Ishte vendosur që grumbullimi i kryengritësve të bëhet në orën 02:00 të 9 shtatorit në Stom Golem, ku edhe do të bëhej organizimi dhe përgatitja për fillimin e sulmit, i cili do të niste në zbardhje të ditës. Kryengritësit synonin që me veprime të shpejta, të koordinuara me forcat e zonave të tjera të Gurit të Zi, të fshatit Oblikë dhe të ndihmuar këta nga forcat brenda qytetit,  do të arrinin të krijonin një situatë të pasigurt për forcat qeveritare.

Kryengritës nga Oblika e Anës së Malit dhe Guri i Zi, nuk arritën dot që të kalonin urat. Qyteti nuk i ndihmoi kryengritësit, përveç ndonjë përjashtimi, sepse qytetarët nuk arritën të merrnin armët që ishin premtuar deri në orën 12:00 të natës së shkuar, për më tepër që kishte një mungesë të theksuar informacioni dhe organizimi nga ana e të parëve.

Sulmi u përqendrua në tre drejtime: Kundër kazermave të ushtrisë pushtuese në Rus, kundër burgjeve politike dhe një pjesë tjetër do të sulmonte Degën e Punëve të Brendshme, nga ku do të paralizonte veprimet e këtij organi.
Sulmi filloi në orët e para të mëngjesit, nga ku me tri të shtëna pushke, nisi beteja mbi kazermat e ushtrisë në Rus. Luftimet në këto kazerma ishin shumë të ashpra aq sa arritën deri në përleshjen trup me trup, sepse një pjesë e kryengritësve nuk kishte armë. Luftimet zgjaten rreth një orë e gjysmë. Nëpër lagjet e qytetit, patriotë si Qazim Rroji, u përpoqën të ngrinin popullin në kryengritje, por siç e thamë organizimi jo i mirë, bëri që përkrahja e tij të ishte e vakët. Gjatë luftimeve 12 kryengritës u vranë dhe mbas shtypjes së kësaj kryengritje 18 burra u pushkatuan pa gjyq, 30 shtëpi u dogjën dhe qindra njerëz u burgosën. Terrori komunist vazhdoi në këtë zonë deri në vitin 1991 atëherë edhe kur u rrëzua zyrtarisht sistemi diktatorial, i cili la në varfëri ekstreme, burgosi e pushkatoi ata që i dilnin kundër dhe jo vetëm, shumë malësorë janë përndjekur e internuar vetëm e vetëm se në fisin e tyre kishte qenë dikush që kishte marrë pjesë në këto beteja.

Tre beteja të përgjakshme. Tre beteja që tregojnë hapur se si ka qenë realiteti në atë kohë. Tre beteja që tregojnë forcën e dashurisë për vendin dhe lirinë.

Konica