Venediku kujton ditëlindjen e Anne Frank: homazh për vajzën simbol të luftës kundër antisemitizmit

“90 zëra për Anne Frank”: ky është titulli i maratonës për leximin publik të Ditarit të vajzës hebre gjermane, që nesër do të kishte mbushur 90 vjeç. Ngjarja do të zhvillohet në Venedik.

R.SH. – Vatikan

Vdiq kur kishte mbushur vetëm 15 vjeç, Annelies Marie Frank, që të gjithë e njohin si Anne (Ana). Ndërroi jetë në kampin e përqendrimit të Bergen-Belsen, në Saksoninë e Poshtme, pasi kaloi nëpër Auschwitz-Birkenau, në Poloni, viktimë e ligjeve racore të imponuara nga regjimi nazist. U bë simbol i luftës kundër antisemitizmit falë Ditarit të saj, botuar pas vdekjes në gjithë botën e, shkruar gjatë dy viteve të klandestinitetit në kthinat pas apartamentit të saj në Amsterdam, Hollandë, së bashku me familjen. I ati kishte menduar të zhvendosej në këtë qytet bashkë me gruan dhe dy vajzat, në vitin 1933, për t’u shpëtuar persekutimeve naziste kundër hebrenjve në Gjermani.

“Ditari i Ana Frankut” do të lexohet publikisht

Ana Franku, Ditari i së cilës është përkthyer edhe në shqip, do të kishte mbushur 90 vjeç, nesër, më 12 qershor 2019. Në këtë datë, Venediku i Italisë do ta kujtojë me një maratonë, gjatë së cilës do të lexohet publikisht Ditari i saj, në Fushën e Getos së Re. 90 vullnetarë do të alternohen në mikrofon nga ora 10 deri në orën 20 të mbrëmjes. Për ta nderuar këtë vajzë të paharruar, që hyri në histori pa dashur, me adoleshencën e saj të shënuar nga vuajtje të jashtëzakonshme fizike dhe psikike, do të japin dëshminë e tyre njerëz të mbijetuar nga Shoah-u, së bashku me përfaqësues të botës së kulturës, të artit, të spektaklit, të institucioneve, të shkollës e të universitetit, prindër e fëmijë, të njohur e të panjohur nga publiku i gjerë.

Intervista me Matteo Corradini-n

Gazetari e shkrimtari italian Matteo Corradini, njëkohësisht hebraist, pedagog universitar, muzikolog, regjizor teatri e ngjarjesh kulturore, nënvizon, në mikrofonin tonë, rëndësinë e kujtimit të shfarosjes së hebrenjve nga nazistët:

 Mendoj se e kaluara ka nevojë për ne, për dikë, që jeton në të tashmen dhe e kujton atë. Edhe Ana Frank, pavarësisht se është absolutisht e njohur, ka nevojë për njerëz, që ta lexojnë akoma Ditarin e saj e ta lexojnë për të gjithë. Është vërtet pasuri e njerëzimit. E jo pse Ana është e famshme, por sepse ajo e pësoi nga nazistët në Hollandë, për shkak se ishte çifute. Sot, Ana Frank na kujton se historia nuk duhet harruar, ashtu si nuk duhen harruar historitë e njerëzve, që kemi rrotull.

Si hebraist, pra si studiues i gjuhës, letërsisë dhe kulturës hebraike, e ka rrezik të kthehet sot antisemitizmi?

 Antisemitizmi nuk është zhdukur kurrë; thjesht, në disa periudha historike duket si i fjetur. Sot, edhe përmes internetit, antisemitizmi duket se po merr sërish forcë. Para fenomeneve të tilla, besoj se duhen zgjedhur dy drejtime: nga njëra anë, një drejtim kulturor, pra, duhen njohur kulturat sa më shumë të jetë e mundur, që të mos kemi frikë prej tyre, ose të mos krijojmë ide të gabuara; nga ana tjetër, të bindemi si ndryshimet janë vlerë e se bota e përbërë nga njerëz të ndryshëm, madje, edhe thellësisht të ndryshëm, është një botë më e mirë. Sot, kjo botë është realizuar tashmë, prandaj duhet të mësojmë ta vlerësojmë e ta duam.

A mund të themi se antisemitizmi shfaqet aty ku ka vështirësi shoqërore?

Nganjëherë po, nganjëherë jo. Nganjëherë, antisemitizmi lind e rritet në kushte aspak të vështira. Ka studime të dokumentuara për këtë. Mund të mendojmë se disa forma të antisemitizmit, ose të racizmit, lindin përgjithësisht në ato shtresa të popullsisë, të cilat, në një farë mënyre, janë “harruar”, ose ndihen në rrezik, për shembull, nga ardhja e emigrantëve. Në të vërtetë nuk është kështu: racizmi lind edhe në shtresa të shoqërisë, që nuk janë në rrezik aspak. Duhet të mendohemi për këtë. Antisemitizmi duket sikur jeton nën prush e herë pas here del në pah me stereotipet e tij: atë të hebrenjve të pasur, të hebrenjve që kontrollojnë botën, politikën, financën, me stereotipin e hebreut negativ, ose gjithsesi, të dëmshëm për shoqërinë. Janë shpesh njerëz, që as i kanë njohur ndonjëherë hebrenjtë. Prandaj, edhe nismat kulturore kundër antisemitizmit nuk duhet të jenë thjesht mbrojtje ndaj tij, por duhet të bëjnë një hap përpara. Ç’mund të na përtërijë më shumë se kultura? Ç’jetë është ajo që kalohet pa bërë pyetje e pa kërkuar kuptimin e veprave tona? Është jetë e përshtatshme për divanin e shtëpisë, por jo për njerëzimin.